Afrim Kuleta: LIRINË E KOSOVËS JEMI TË GATSHËM TA PAGUAJMË ME ÇDO ÇMIM

Në vazhdimësi të procesit politik për një zgjidhje të çështjes së Kosovës, erdhi radha e shpalosjes së propozimit të të dërguarit të posaçëm të KS të OKB-së z. Marti Ahtisari pas bisedimeve “teknike” të Vjenës si një propozim kompromisi.
Edhe para hapjes së pakos shumica e politikanëve vendorë (pjesëmarrës në bisedimet e Vjenës) dhe analistëve “të pavarur” politikë dhe diplomatë të huaj, filluan ta komentojnë atë si diçka të mirë dhe të pranueshme për popullin shqiptar të Kosovës. Në anën tjetër shtimi i masave të sigurisë nga përgjegjësit si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë u bë më qëllim që të ruhet qetësia për të shpalosur këtë propozim dhe për të vazhduar në zbatimin e tij. Duke e ditur esencën e dëmshme të këtij propozimi për shqiptarët, të gjitha masat u morëm me kohë. Një propagandë e fuqishme mediale ka qenë më se e pranishme këto ditët e fundit. Ky propozim nxori një të vërtetë të madhe nga goja e politikanëve vendorë, të cilët nuk e pranuan për shtatë vite me radhë, e disa edhe më shumë, duke theksuar tani se në pakon e z. Ahtisari, Serbia po e humbë sovranitetin mbi Kosovën.
Sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën nuk humbet me propozimin e kësaj pakoje, as me jetësimin e saj. Sovraniteti i Kosovës po bartet nga Serbia te serbët dhe misioni civil ndërkombëtar nga UN në EU.
Me këtë propozim kërkohet nga shqiptarët e Kosovës që të pajtohen me një Kosovë multietnike pa pasur bazë reale për një formulë të tillë. Kosova nuk ka qenë kurrë multietnike dhe nuk mund të funksionojë si e tillë. Në këtë Kosovë të vogël ku jetojnë 90% shqiptarë një sistem i tillë do te thotë t’i japësh të drejtën e barabartë me ty 5% -shit të pakicës, d.m.th, pa pëlqimin e pakicës nuk mund të marrë shumica asnjë vendim të rëndësishëm bile roli i saj shuhet në tërësi. A të bëjë kjo me pavarësi. Jo kjo është varësi, madje e skajshme. Këtu nuk mund të flitet për liri e demokraci por për pushtim e neokolonizim.
Për komunat e reja të krijuara në emër të decentralizimit dhe të pranuara nga Grupi i Unitetit në “bisedimet teknike” të Vjenës erdhën propozime politike nga “paketa teknike” e z.Marti Ahtisarit. Këto territore tani të organizuara në komuna parashihen të funksionojnë si minishtete të lidhura njëra me tjetrën duke e ruajtur vazhdimësinë e lidhjeve të tyre me Serbinë. Territori i cili përfshin krijimin e komunave të reja serbe dhe atyre që tanimë janë të krijuara është përafërsisht rreth 30% të territorit të Kosovës. Si mund të ndodh që vetëm 5% të popullsisë të kenë 30% të territorit, dhe ndikimin për pjesën tjetër nëpërmes të drejtës se vetos për vendime të rëndësishme dhe të drejtës për të pasur gjuhën e vet gjuhë zyrtare në Kosovë?…
Për t’i arsyetuar këto përpjekje dhe formulën e multietnicitetit, për të ndryshuar strukturën e popullsisë dhe për të rikolonizuar Kosovën, UNMIK-u me kohë ka nxjerrë një rregullore për regjistrim civil në vitin 2000, Rregulloren 2000/13, e cila u jep të drejtë të gjithë atyre që kanë jetuar pesë vitet e fundit në Kosovë të jenë banorë të saj. Këtu u jepet mundësia të gjithë refugjatëve serbë nga Kroacia dhe Bosnja, milicëve, ushtarëve e studentëve të Serbisë që kanë jetuar për pesë vite në Kosovë të jenë banorë të saj.
Dhe në saje të krejt kësaj pasqyre reale të gjendjes liridashësit nuk mund të rrinë të qetë. Kësaj radhe u vendos të demonstrohej. Dhe demonstrata u bë dhe kjo ngjarje pati edhe të rënët e vet. Dy të rinj iu shtuan vargut të gjatë të të sakrifikuarve për lirinë e Kosovës. 
Kërkesat e demonstratës së 10 shkurtit janë kërkesa të popullit, janë kërkesa për të cilat u flijuan gjenerata të tëra, janë kërkesa për të cilat ranë mbi 2000 dëshmorë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, dhanë gjymtyrët e tyre mbi 2000 luftëtarë të UÇK-së.
Opinioni i gjerë vendor dhe ndërkombëtar është njoftuar shumë herë lidhur me gjendjen e rëndë politike të krijuar në vend dhe rrezikun e shpërthimit të revoltave për shkak të mos respektimit të vullnetit të popullit.
Populli ynë po vazhdon të mbahet dhunshëm edhe pas largimit të policisë dhe ushtrisë serbe qe shtatë vite nga faktori ndërkombëtar. Shtypja e vullnetit të popullit është dhunë dhe dihet se çdo dhunë është e dedikuar të shkaktojë dhunën tjetër. Flijimi ynë për liri po vazhdon. Dy flijimet e djeshme të atyre djemve të rinj demonstrues të një proteste më se të ligjshme janë konfirmimi më i mirë se sa afër zgjidhjes është çështja jonë. Çmimin e lirisë që akoma nuk e kemi do të vazhdojmë ta paguajmë. Për këto ngjarje dhe për vrasjen e demonstruesve përgjegjësia bie mbi institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbi politikën e mjerë të udhëhequr nga njerëz të kompromiseve e nënshtrimit.. Institucionet vendore kanë marrë përsipër që të zgjidhin problemet politike dhe kanë dhënë premtime të vazhdueshme të cilat nuk po realizohen qe shtatë vite me radhë, përkundrazi kanë pranuar korniza dhe marrëveshje që janë në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe lirinë e tij dhe të cilat ia mbyllin perspektivën Kosovës. Në anën tjetër faktori ndërkombëtar qe shtatë vite Kosovën e ka trajtuar si pjesë të Serbisë dhe tani së fundi këtë e konfirmon edhe propozimi i z. Marti Ahtisari. Po qe se nuk merren masa nga faktori ndërkombëtar dhe institucionet vendore për të përmbyllur çështjen e statusit politik ashtu siç e dëshiron populli ynë, ngjarje të tilla siç ishin dje do të harrohen në krahasim me ato që do të mund të ndodhin në të ardhmen. Ne nuk luftuam që të vendosin të tjerët për ne, ne nuk luftuam që të përbuzemi dhe vritemi nga të tjerët, përkundrazi ne luftën e bëmë që ta mbysim vrasjen, që ta mbysim pushtimin, që ta mbysim të keqen.
Nuk do t’i pushojmë asnjëherë përpjekjet tona që zgjidhja e çështjes sonë të marrë rrugën të cilën e dëshirojmë ne, populli. Dhe këtë qëllim jetik për ne dhe për Kosovën jemi të gatshëm ta paguajmë me çdo çmim.

Kontrolloni gjithashtu

Hillary Clinton: Kosova ka shënuar përparim me rëndësi drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përmes një videoje  iu drejtua Forumit për Gratë, Paqen …