BESNIK KRYEZIU: Tërbimi i pushtetarëve

Kundër akuzës së ulët të ministrit,Astrit Haraqia, në shkrimin me titull ,,Ose unë ose Albini”, duhet reaguar. Jo vetëm për ta mbrojtur, Albinin, por në radhë të parë për ta mbrojtur të vërtetën, që ministri Haraqia nuk e anashkalon në këtë intervistën e tij për gazetën “Ekspres”. Edhe nga kjo intervistë shihet qartë se pushteti është i tërbuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja ,,Vetëvendosje”. Ata tani nuk po mund ta injorojnë Albinin dhe Vetëvendosjen siç bënë deri më tani, por kanë filluar ta vënë në zbatim planin e tyre me akuza prej më të ndryshmeve për të, duke shpresuar se kështu do ta eliminojnë Albin Kurtin. 
Në këtë intervistë, ministri Haraqia, përveç se e akuzon Albinin si bashkëpunëtor të sigurimit serb, ai edhe e gënjen opinionin. Duke e lexuar intervistën me shumë kujdes nuk është vështirë të kuptohet se ministri Haraqia nuk është gjë tjetër përpos një akuzues adoleshent, i cili si nxënës i mbetur pa mësuesin e tij të shtrenjtë, ka mbetur si ,,çuran në mjegull”, e nuk po din çka po thotë. Ne, si qytetarë të Kosovës duam ta dimë se nga i keni këto informata që Albini është bashkëpunëtor i sigurimit serb dhe se paska ekzistuar shtabi i krizës në krye me Adem Demaqin, si dhe se paskan dashur ta sulmojnë RTK-në, me qëllim që ta vënë nën kontroll.
Ne e dimë, ministër, se ju jeni ministër i kulturës por nga kjo intervistë del se ju më shumë se ministër i kulturës jeni diçka tjetër gjë që ju e dini më mirë se unë. Unë ju pyes juve, ministër, se nga cili shërbim informativ i keni këto informata dhe se për cilin shërbim informativ po punoni. Ju, ministër, gënjeni në mënyrën më të paturpshme kur thoni se Albini ka qenë zëdhënës i UÇK-së. Dihet botërisht se kush ka qenë zëdhënës i UÇK-se, këtë e dinë të gjithë dhe nuk e hanë këtë gënjeshtër, o minister! Albini ka qenë punëtor në zyrën e të ngarkuarit të UÇK-së për krijimin e institucioneve të Kosovës, z. Demaçi. Për këtë janë njerëzit gjallë dhe janë komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Sa i përket asaj që thoni se ju e paskeni kuptuar që Serbia në vitin 1998 e ka marrë Albinin për ta ruajtur në Serbi, unë ju pyes, për ta ruajtur nga kush?
Ndërsa sa i përket asaj se ata paskan shëtitur lirshëm në Prishtinë dhe Serbia nuk i paska burgosur, këtu duhet të ndalemi dhe të analizojmë në mënyrë më të saktë këtë punë. E di se kapaciteti juaj intelektual është tepër i ngushtë dhe mund të bie shpejt nga sistemi në rast të ngarkesave të mëdha dhe sinqerisht nuk ju kuptoj përse e ngarkoni aq shumë. Do të ishte më mirë për qytetarët e Kosovës që ju të bini njëherë e përgjithmonë nga sistemi, por ja që po ju mbajnë ndërkombëtarët në këtë “sistem”. 
Para se të pyesni, ministër, pse Serbia nuk e ka burgosur Albinin në vitin 1998, unë ju pyes juve, pse Serbia për tërë ato vite nuk e burgosi mësuesin tuaj, i cili siç e dimë jetonte në Prishtinë, pa ia prishur timin e duhanit Serbia, edhe pse ishte me gjithë gojën për pavarësi. Hynte dhe dilte nga Kosova kur donte, bile edhe nën përcjelljen e policisë serbe. Nëse nismi nga logjika juaj, atëherë mësuesi juaj del si bashkëpunëtori më i madh i Serbisë dhe se më shumë se çdo kush tjetër është ruajtur ai nga Serbia. 
Krahasimi që ju bëni me Ukshin Hotin është tepër krahasim banal, për më shumë se tallje me të, sepse t’i duhet ta dish se çfarë ka thënë Ukshin Hoti në fjalën e tij mbrojtëse, në gjykimin kundër tij, në Prizren, ku për burgosjen e bën përgjegjës edhe mësuesin tënd. Sa për postin tënd mbajeni për vete se Albini nuk ka nevojë për këtë ,,mirësi” tënden , Albini po të donte poste do të kishte plot, por ai ka një vizion shumë më të madh se postet, ai vizion është bërja e shtetit të Kosovës, me të cilin vizion ju u tallët dhe po vazhdoni të talleni. Për fund, ministër, mos u koritni për të mos thënë mos u poshtëroni lidhur me Albinin, edhe për faktin e thjeshtë se ju pushtetarët e keni burgosur, ia keni vënë prangat, por mos e goditni duke qenë në pranga sepse jo vetëm që nuk lejon tradita shqiptare, por është tmerrësisht një akt kundërnjerëzor.
Kjo tregon se sa të ligj jeni, sa të pafytyrë jeni, sa shumë ju ka tërbuar Albini dhe “Vetëvendosja”. Albini do të fitojë, do t’i takojë epokës së lavdisë, ndërsa ju do të përfundoni në epokën e turpit me ato poste që kanë për t’ ua zënë frymën.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …