Agim Binak Çelaj (6.12.1961 – 19.7.1998)

Menjëherë pas organizimit të rezistencës së armatosur në Drenicë, të cilës i priu  familja heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, gjatë  mbrojtjes së Abedin Rexhës – Sandokanit, e veçanërisht pas  varrimit të dëshmorit të kombit – mësuesit Halit Geci prej Llaushe, një pjesë e madhe e rinisë shqiptare që në ditët më të vështira patën braktisur Kosovën duke shtegtuar nëpër kurbet, qoftë për ta fituar kafshatën e gojës, qoftë për të nxënë dije, e për t’u shpëtuar ndjekjeve, filloi organizimin e njësiteve të para që do të vinin në Kosovë dhe të kyçeshin në strukturat organizative, operative dhe logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në krye të një plejade djelmoshash, më të vendosur që i kishte Kosova e lodhur nën thundrën serboçetnke e nëpër rrugët e kurbetit, u gjetën: Abedin Rexha-Sandokani, Bekim Berisha-Abeja, Fehmi e Xhëvë Lladrovci, Ismet Jashari-Kumanova, Pal Paluca, Bejtë Rexhepi, Xhelal Hajda-Toni, Elez Geci, Haxhi Hoti, Pren e Memë Lleshi, Kolë Mirdita, Gëzim Hamza-Piktori, Agron Rama, Shpend Berisha, Skënder Rexhepi, Ahmet Kaçiku, Agim Bajrami, Mehedin Morina, Flurim Rushiti, Bedri Shala e shumë të tjerë. Këtë  vendosmëri për ta braktisur familjen dhe  luksin e Perëndimit, për t’u bashkuar me shokët e kurbetit dhe kolegët e profesionit   e kishte edhe Angim Binak Çelaj.

Zërit të Kosovës iu gjegjën vetëm Ata të cilët e dinin se e vetmja rrugë për ta shpëtuar qenien kombëtare shqiptare nga kthetrat barbare të shovenizmit serboçetnik të Beogradit, ishte rruga e qëndresës, ishte rruga e mbrojtjes dhe e luftës çlirimtare, prandaj Agim Çelaj, mbetët luftëtar, me përgatitjet e mjaftueshme kombëtare e profesionale,  i cili, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kuptoi momentin e papërsëritshëm të shansit që në histori e krijoi gjenerata e Adem Jasharit. Si një  viga, Agim Çelaj, tërë dijen, përgatitjen profesionale ushtarake, guximin, vendosmërinë, trimërinë dhe përkushtimin, e vuri në dispozicion të popullit të tij e të lirisë së kërkuar për rreth një shekull, prandaj në ditët kur kjo kërkohej edhe  prej tij,   më 19 korrik  1998 përjetësohet  heroikisht  në fushëbetejë, madje në njërin nga luftimet më të përgjakshme e  më heroike të asaj kohe që u zhvilluan jo vetëm në arealin luftarak të Anadrinit, por edhe në të gjitha luftimet e Ushtrisë Çlirimtaare të Kosovës. Gjaku i derdhur e jeta e flijuar në krye të shokëve i dhanë forcë Kosovës e moral të lartë luftëtarëve pjesëmarrës të  Betejës së Rahovecit, e forcuan betimin e luftëtarëve të lirisë dhe të tërë  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që lufta të vazhdojë deri në dëbimin e forcave policore, paramilitare e ushtarake serbe të mbështetura nga cilivilët serbë e argatët shqipfolës  të armatosur deri në dhëmbë, e të gatshëm që të flijohen në shërbimet sekrete e publike të Slobodan Milosheviqit.

Dëshmori i kombit Agim Çelaj, i  Binakut e i Zylfijës, i vëllaj i luftëtarëve Flurimit  e Besimimit, i motrave Luljetës dhe Vjollcës, babë i Suzanës, i Valentinës e i Gentianit, bashkëshort i Bubës, bijë e Alijajve të Hereçit, axhë e dajë i Arditit, Ernestit, Adrianës, Edisonit, Albanës, Erzës, Ronës, Bardhës e i Colit, që sot të gjithë po  rriten me krenarinë për Agimin – “Colin” e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc, Llaushë, Açarevë, Grykë të Llapushnikut dhe në  Betejën  e Rahovecit, është i lindur më 6 dhjetor 1961 në Pejë. U lind në vatrën patriotike të Çelajve të Strallit të Ulët (ish- Strellci i Ulët) të Pejës, çerdhe kjo ku u lindën dhe u formuan të parët e Agimi Binakut duke dëgjuar për trimërinë e gjyshërve e të stërgjyshërve-luftëtarë të njohur “Në Rekë e në Malësi”. Rrëfimet e të parëve patën lënë vragë të thella në kujtesën e pashlyeshme e të njomë fëmijërore e cila në vitet e vështira të Kosovës brumosej me atdhetari tek të bijtë e Binak Çelajt; Agimit, Flurimit e Besimit.

Në formimin luftarak të Agimit, me vëllezër, patën ndikuar edhe rapsoditë e Bajrush Dodës, të Augustin e Marash  Ukajt dhe të Sefë Mleçanit ndërsa u kundonin  trimave në zë si: Oso Kukës, Çun Mulës,  Nak Berishës, Zhujë Selmanit, Kamer Loshit, Salih Shabanit e Besim Ndrecës, prandaj si i ri, Agim Çelaj e mësoi përmendësh “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës e cila edhe e frymëzonte për heroizëm, vendosmëri e trimëri.

Në shkollën fillore e të mesme  ishte nxënës shembullor, ndërsa më 1980 regjistrohet në akademinë ushtarake të Beogradit në të cilën i përfundoi dy vitet e para për ta vazhduar artin luftarak në qytetin e Zarës së Kroacisë. Pas mbarimit të akademisë në Zarë, karrierën ushtarake të eprorit e fillon në ujëdhesën Vis të Kroacisë prej nga me rastin e shpërthimit të luftës së kroatëve kundër pushtuesve serbë,  Agimi  vëhet  në anën kroate, bashkohet me kuadrot ushtarake shqiptare që ishin eprorë në zë dhe mbështet popullatën vendase që mbrohej nga hordhitë e egra barbare serboçetnike, pasioni i të cilëve ishte vrasja, masakrimi dhe djegia e çdo gjëje që nuk ishte serbe.

Më 1992, nga ujdhesa  Vis tërhiqet në Split e pastaj në Dellnicë ku bashkohet me ushtarakët e tjerë shqiptarë që ishin vënë në strukturat operative e logjistike të ushtrisë kroate si: Rrahim Ademi, Fehmi Lladrovci,  Agim Çeku, Xhelal Hajda, Naim Maloku, Flurim Çelaj, Bislim Zyrapi, Fadil Demiri, Hajdin Abazi e me shumë ushtarakë të tjerë shqiptarë që ishin vendosur në Kroaci, Slloveni e Bosnje dhe jetonin e vepronin  si të ndjekur nga pushteti i instaluar serboçetnik në Kosovën e pas “Kushtetutës së Gazimestanit”. Bashkimi i eprorëve shqiptarë, jashtë kufinjve të Kosovës u bë një sinjal për të gjithë shqiptarët që jetonin në diasporë, u bë një zë i fuqishëm dhe apel se edhe në Kosovë do të formohet instrumenti i forcës i cili me armë,  falë rinisë së shëndoshë do ta shkundë pluhurrin e turpit dhe të marres shekullore, do ta shkatërrojë amullinë e ushqyer me psikologjinë e durimit e të robëri. Ata, të gjithë e dinin se lufta së shpejti do të fillojë edhe në Kosovë, prandaj Agim Çelaj i aforhet Kosovës. Në fillim  vendoset në Maqedoni dhe për dy vjet kalon duke pritur ndonjë organizim kombëtar në Gostivar, por më vonë edhe këtu i bjen në gjurmë pushteti i atëherëshëm serbo-maqedonas dhe i rrezikohet qëndrimi i mëtejshëm, prandaj kalon në Shqipëri. Vendoset në Tiranë e së andejmi pas një viti kalon në Gjermani dhe qëndron në Singen duke mbajtur gjithmonë në kujtesë objektivin që ia pati vënë vetës: Atdheun, Kosovën e robëruar që lëngonte gjithnjë e më shumë nën kthetrat pushtuese të Serbisë. Si ushtarak i lartë, nuk mund të qëndronte symbyllaz e duarkryq në momentet aq të rëndësishme historike, kur ishte vënë në lëvizje një mekanizëm që si instrument i forcës  evoluoi në Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Kështu, shpirti i luftarakut dhe eprorit të lartë e me përvojë të madhe  bëri ç’mos që të lidhet me veprimtarët e shquar të Lëvizjes Kombëtare e  këto përpjekje kurorëzohen gjatë kontaktit me Kadri Veselin, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet të cilit inkorporohet në strukturat organizative  dhe angazhohet me tërë qenien e vet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse këtë vend dhe këtë ushtri e kishte ëndërruar gjatë fëmijërisë dhe rinisë. Prej Gjermanie kalon në Shqipëri dhe then kufirin shqiptaro-shqiptar i shoqëruar prej Agush Gjocajt, sot dëshmor i kombit. Eshaloni mr të cilin qe nisur Agim Çelaj numëronte 45 luftëtarë të lirisë  e eprorë gjinish të ndryshme.

Me të arritur në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm e ngarkon si epror-instruktor për përgatitjen e Njësive Speciale për Intervenime të Shpejta pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe vepron në Likoc, në Açarevë, në Negroc e në Kleçkë. Në këtë pozicion Agim Çelaj manifeston energji të pasosur, doktrina moderne dhe strategji  të  pjekur,  prandaj  edhe  e  donin  luftëtarët e  lirisë,  por dhe instruktorët e ardhshëm, shumë prej të cilëve sot janë dëshmorë të kombit.

Në ditët e korrikut, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës depërtonte hap pas hapi  prej Malisheve deri në Rrasat e Rahovecit, Agim Çalaj emërohet komandant i operacioneve në Betejën e Rahovecit, detyrë të cilën e kryen profesionalisht dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm “me dikat”, thotë populli i Anadrinit.

Në Betejën e Rahavocit e cila konsiderohet si betejë më serioze  dhe më e vendosur e luftëtarëve të lirisë, Agim Çelaj, i shoqëruar prej Agush Gjocajt e Sadik Shalës, me 16 shokë të tjerë, rreshton luftëtarët në oborrin e pikës së karburanteve “Agrofer”, në Rrasat e Rahavecit dhe ashtu si u ka hije burrave që nisen për në front, avancon nëpër aksin e magjistrales Prishtinë-Rahavec. Por në këto orë, të 19 korrikut, forcat serboçetnike depërtonin nëpër “Shpatin e Shtavicës” dhe breshërojnë aksin e magjistrales; përjetësohet Agim Çelaj në krye të grupit e pranë bashkëluftëtarëve: Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari, ndërsa në vazhdën e këtyre luftimeve përreth Rahavecit përjrjetësohen edhe: Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skënder Jahë Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habib Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhuliqi.

Kështu dhe në këto luftime, në saje  të  qëndresës dhe heroizizmit të luftëtarëve të Fortesës, të Drinasit, të Krushës së Madhe, të Drenajt e të Llapushës, me një sakrificë të madhe e me gjakun e nëntëmbëdhjetë dëshmorëve, u shkrua edhe historia e marrjes së qytetit të Rahavecit dhe të mbajtjes së tij deri më 24 korrik të vitit 1998 kur fillon riorganizimi i forcave të mëdha serboçetnike të grumbulluara në Rahovec, në Hoçë të Madhe, Zaçisht e Apterrush e të mbështetuara prej ushtrisë serbe të ardhur prej garnizonit të Prizrenit e të Gjakovës.

Trupat e pajtë të dëshmorëve: Gani Paçarizi, të rënë në Fortesë, të Hamdi Berishës, të rënë në “Kodrinat e Dubjanës”, të Habib Berishës, Ramadan Morinës, Ruzhdi Xhuliqit, Afrim Krasniqit, Samir e Xhafer Nurkasës, Xhevat Kasapit e të Gëzim Mullabazit, u tërhoqën dhe gjatë ditëve të luftës së Rahavecit u përcollën për në amshim në Malishevë e në fshatrat e Llapushës, trupat e dëshmorëve: Limon Gegaj, Agim Çelaj,  Faik Rama, Remzi Ukshini, Abdullah Bugari e Sadik Shala nuk u gjetën për arsye se forcat serbe i patën marrë me vete, trupat e Faik Ramës e të Agim Çelajt u zbuluan më vonë ndërsa   Liman Gegaj e Remzi Ukshin ende janë pa gjurmë e pa varr.

Pas zbulimit të trupit të Agim Çelajt në varrezat e Rahavecit, në qytetin e Pejës u mbajt një akademi përkujtimore ndërsa rivarrimi u bë në ditëlindjen e tij, më 6 dhjetor të vitit 2007 në Kompleksion Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Kleçkën Legjendare.

Emrin dhe veprën e Agim Çelajt e nderon lufta e Tij, ndërsa ky emër shkëlqen në “Lapidarin e Ujësjellësit” bri cepit të magjistrales Prishtinë-Rahavec, ndërsa me shkrime këtë epror të lartë të Ushtrsië Çlirimtare të Kosovës, të përjetësuar në Luftën e Rahavecit e përkujtoi edhe publicisti dhe ushtaraku Hajdin Abazi, i njohur si  Lum Haxhiu, bashkëluftëtar i Agim Çelajt e i Agush Gjocajt. ( Dr. Sabahajdin Cena)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …