Agim Sylejmani: Procesverbal mbi vendshiqimin e vendit të ngjarjes

Agim Sylejmani

Kri. nr. 11/84

Procesverbal mbi vendshiqimin e vendit të ngjarjes[1]

I përpiluar me datë 12 janar 1984, lidhur me shiqimin në vend të ngjarjes rreth sulmit dhe vetëvrasjes në Prishtinë në rrugën e “Keramikës” nr. 2, pronë e Elhame Hasanit, me ç’rast  kanë bërë vetëvrasje dy persona.

Të pranishëm:

Gjyqtari hetues – Elez Hoxha

Zëvendësprokurori i PPQ – Momqillo Abramoviq

Nga SPB – Borislav Gjuroviq, Muharrem Spanca – inspektorë.

Teknikët e kriminalistikës – Tomisllav Iliq dhe Besim Bujupi

Filluar në ora 7.00

Pas lajmërimit të Shërbimit të kujdestarisë lidhur me sulmin me persona zyrtarë dhe me vetëvrasjen e dy personave dualëm në vend të ngjarjes dhe konstatuam:

Vendi i ngjarjes është në rrugën e “Keramikës” nr. 2, në shtëpinë e Elhame Hasanit dhe është i siguruar me milicionerët e stacionit të milicisë Vranjevc.

Gjatë kryerjes së vendshiqimit koha është e mirë, kurse oborri i shtëpisë është i mbuluar me shtresë bore.

Shtëpia e pronares Elhame Hasani është ndërtim i ri, shtëpi në kat dhe në pjesën më të madhe e pameremetuar. Shtëpia është dykrahëshe dhe posedon bodrume nga pjesa e mesme. Hyrja në këto bodrume është nën ballkone, kurse bodrumet janë të parregulluara dhe të mbushura me gjësende të ndryshme si dërrasa, thasë të ndryshëm, arka të vjetra etj. Bodrumet nuk komunikojnë nga pjesa e brendshme me dyer, ngase njëri bodrum nga ana perëndimore është krejtësisht i ndarë prej bodrumit tjetër.

Pasi është fjala për vetëvrasje të dyshimta, gjatë kryerjes së vendshiqimit është formuar ekipi i ekspertëve të mjekësisë ligjore në përbërje prej Dr. Fadil  Batallit dhe Dr. Zhivoj Markoviq, profesorë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të njëjtëve u është urdhëruar që gjatë kryerjes së vendshiqimit të marrin pjesë dhe të bëjnë shiqimin e pozitës dhe gjendjes së kufomave para se ato të hiqen nga vendi i kryerjes së vetëvrasjes.

Në bodrumin në anën perëndimore gjendet kufoma e personit të moshës rreth 25 vjeçare për të cilin më vonë është konstatuar se është Nuhi Berisha nga i ati Rexhep dhe e ëma Hajrije, i lindur më 3.XI.1961 në fshatin Svircë KK Kamenicë, me vendbanim të përhershëm në Gjilan rr. “Milladin Popoviq” nr. 72. I njëjti gjendet me fytyrë i kthyer nga tavani i mbështetur në ca thasë, kurse tek këmbët e në afërsi edhe dora gjendet një revole e tipit “Sigsauver”, e kalibrit 9 mm. Personi është i veshur me farmerka, bluzë-vindjakne dhe kapelë në kokë, nga dukja e jashtme nuk shihet gjakderdhje, përpos një shqyerje e vindjaknes në anën e majtë të krahërorit. Afër këmbëve të kufomës gjenden 5 copë gëzhoja të kalibrit 9 mm, pastaj të holla të shkyera, valutë zvicerane, fotografi të shkyera, një orë dore si dhe një pasaportë të shkyer, pasaporta është në emër të Nazmi Pajazitit. Po ashtu në dysheme janë gjetur edhe predha të pazbrazura – fyshekë. Në xhepat e vindjaknes në xhepin e majtë shifet se gjendet një sasi fyshekësh, kurse po ashtu në xhep është gjetur edhe një bombë dore e vjetër e tipit të panjohur. Në xhep të vindjaknes është gjetë edhe një vërtetim mbi pagimin e depozitës për kalim jashtë kufirit të RSFJ-së, kurse depozita është e paguar në emër të Nazmi Pajazitit. Në xhep të vindjaknes gjenden 36 copë fyshekë të kalibrit 9 mm, kurse kufoma posedon edhe kallëfin për bartjen e revoles. Gjithashtu në pjesën e brendshme nën xhemper është gjetë një flamur i formatit të vogël si dhe një bllok me fotografinë e Enver Hoxhës dhe J.V. Stalinit. Po ashtu në xhep janë gjetur edhe të holla në apoena prej 2 herë nga 1.000 dinarë, 1 herë nga 500 dhe 4 herë nga 10 dinarë.

Në bodrumin ku gjendet kufoma e Nuhi Berishës janë gjetur edhe 3 kutija të gasit lotësjellës si dhe afër derës së bodrumit është gjetur një kuti e gasit lotësjellës.

Në bodrumin ku është kufoma e Nuhi Berishës gjithsejt janë gjetur 24 copë gëzhoja të kalibrit 9 mm si dhe 2 fyshekë të pashkrepur dhe një predhë e deformuar. Po ashtu në afërsi të derës së bodrumit është gjetur një karrocë dore e goditur nga predha e cila jep drejtimin e goditjes nga brendësia e bodrumit e pranë karrocës është gjetur edhe një predhë kurse afër derës edhe një fyshek i pazbrazur.

Po ashtu në oborr në afërsi të derës së bodrumit është gjetur një çelës, dy kutija të gasit lotësjellës, gëzhoja.

Në bodrumin në anën lindore shiquar nga drejtimi i hyrjes dera e oborrit-shtëpi gjendet kufoma e Rexhep Malajt nga i ati Mehmet dhe nëna Fahrije, i lindur më 1951, në fshatin Hogosht KK Kamenicë, me banim të përhershëm në Gjilan rruga “Avdullah Presheva” nr. 23. Kufoma gjendet afër derës së bodrumit nga pjesa e brendshme mbi ca dërrasa, me fytyrë i kthyer nga dyshemeja e bodrumit, kurse nën kokë në dysheme shifet një pellg i madh gjaku. Te dy duart e kufomës janë të mbledhura nën trup. Pas rrotullimit të kufomës shifet se në dorë i ka mbetur e shtrënguar revolja e markës “Sigsauer” e kalibrit 9 mm. Në pjesët e ndryshme të bodrumit të shpërndara kryesisht në anën e djathtë të derës dhe pjesë tjera janë gjetur 27 copë gëzhoja të kalibrit 9 mm si dhe një fyshek i pazbrazur, kurse para derës së bodrumit është gjetur një kuti e gasit lotësjellës.

Kufoma është e veshur me vidjakne dhe pantallona. Në xhep të pantallonave është gjetur një broshurë e J.V. Stalinit “Marksizmi dhe çështja e gjuhësisë”. Po ashtu në xhep të pantallonave gjenden të holla në shumë prej 105.000,00 dinarë në apoena prej nga 1.000 dinarëve, kurse në xhep i janë gjetur edhe 9 copë fyshekë të revoles të kalibrit 9 mm, si dhe letërnjoftimi në emër të Rexhep Malajt, disa fotografi, një orë “Seiko” si dhe një shanzher (karikatore – vërejtje e autorit) me 9 copë fyshekë. Po ashtu te Rexhepi janë gjetur në tjetrin xhep të hollat në shumë prej 4.630 dinarëve. Kufoma shifet se është e goditur nga predha në kokë.

Në oborr të shtëpisë së Elhame Hasanit e në anën e kundërt të bodrumeve gjendet një ndërtesë ndihmëse. Në mure të ndërtesës si dhe në grumbullin e dheut para asaj ndërtese i cili është i mbuluar me borë shihen shumë goditje nga predhat e revoles të cilat japin drejtimin e bodrumeve. Po ashtu në tokë është gjetur edhe një predhë. Edhe në derën hyrëse të oborrit në anën e brendshme shihen disa goditje nga predhat drejtimi i të cilave shkon nga bodrumi.

Gjurmë të tjera të dukshme nuk janë vërejtur në vendin e ngjarjes.

Është urdhëruar obduksioni i kufomave të Nuhi Berishës dhe Rexhep Malajt. Obduksioni do të bëhet në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Fotografimin, skicimin dhe inçizimin e vendit të ngjarjes e kanë bërë teknikët e kriminalistikës të SPB-së në Prishtinë. Skica e vendit të ngjarjes dhe fotodokumentacioni i vendit të ngjarjes janë pjesë përbërëse e këtij procesverbali.

Përfunduar në ora 15.00

Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Kri.nr. 11/84, dt. 12.I.1984

Procesmbajtësi, Qamil Haxhiu

Gjyqtari hetues, Elez Hoxha

******

Nga ky raport nga vendshikimi i vendit të ngjarjes pas rënies heroike të Rexhep Malajt me Nuhi Berishën, mësojmë se shtëpia ku ata u barikaduan, ishte pronë e Elhame Hasanit, e cila gjendej në rrugën e “Keramikës” nr. 2, në Prishtinë, në lagjen e Vranjevcit, lagje e cila sot mban me krenari emrin Kodra e Trimave.

Nga raporti mësojmë se shtëpia ku Rexhepi me Nuhiun u barikaduan në mbrëmjen e 11 janarit 1984, në pamundësi të çajnë rrethimin e hekurt të policisë dhe njësisë speciale të drejtuar nga Tahir Zemaj, u barikaduan ndaras në dy bodrumet e kësaj shtëpie, të cilët ishin të ndarë nga shkallët në mes të shtëpisë. Bodrumet nuk kishin korridor që i lidhte me njëri tjetrin.

Deri më sot e dinim se Rexhepi me Nuhiun ishin barikaduar në një bodrum të kësaj shtëpie, ku edhe luftuan derisa ranë pranë njëri tjetrit në një luftë të pabarabartë. Ky dokument hedh dritë në çastet e fundit të jetës së tyre, duke zbuluar një të dhënë se Rexhepi e Nuhiu u barikaduan në të dy bodrumet, duke pasur përballë dyert e oborrit, prej nga ishin të sulmuar nga ana e policisë dhe njësisë speciale të ushtrisë jugosllave.

Nga ky raport – procesverbal mësohen hollësirat mbi vendndodhjen e trupave pa jetë të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës; veshmbathjet që ata kishin në trup me rastin e vrasjes; llojin e armëve; sasinë dhe kalibrin e municionit që kishin me vete dhe gëzhojat e plumbave të shkrepur; sasinë dhe llojet e bombave të dorës.

Procesverbali na mëson se Rexhep Malaj kishte një pasaportë në emër të Ruzhdi Zuzakut nga fshati Lajçiq i komunës së Kamenicës, por me një foto të vënë të Rexhepit.  Me këtë procesverbal ishte edhe kjo pasaportë, në të cilën fotografia e Rexhepit ishte pak e dëmtuar, por që jep imazhin e fytyrës së Rexhepit në ditët e fundit të jetës së tij.

Kur lexohet me vëmendje ky procesverbal, i cili është shkruar dhe përpiluar sipas rekomandimeve dhe urdhërave të eprorëve të caktuar të UDB-së, kuptojmë se ekspertëve të mjekësisë ligjore “… u është urdhëruar që gjatë kryerjes së vendshiqimit…”, pra, ata janë urdhëruar dhe nuk është kërkuar prej tyre për të bërë ekspertizën.

Edhe pse në procesverbal flitet për “vetëvrasje të dyshimtë”, shihet qartë se gjithandej në të dy bodrumet gjenden gëzhoja të shpërndara, të cilat dëshmojnë se ata luftuan derisa u vranë. Gjurmët e luftimit procesverbali i dëshmon edhe me predhat e shkrepura në drejtim të dyerve të oborrit, prej nga të barikaduarit kanë qenë të sulmuar. Sidomos fjalia “në dorë i ka mbetur e shtrënguar revolja” dëshmon katërcipërisht se trupi i pajetë i personit në fjalë, paska pasur revolen e shtrënguar, ndërsa ai që vetëvritet nuk e mban dot revolen e “shtrënguar” në dorë.

Nga procesverbali mësojmë se Nuhi Berisha kishte një pasaportë me emrin Nazmi Pajaziti, në të cilin ishte e vënë fotografia e Nuhiut dhe me të cilin pasaportë ai paska kaluar disa herë përtej kufirit të ish-Jugosllavisë.

Pos gjërave tjetra të gjetura në rrobat e Rexhepit e të Nuhiut, një përshtypje të veçantë lë flamuri i vogël i gjetur në xhepin e xhaketës së Nuhiut, të cilin ai e barti në gji edhe në momentet e fundit të jetës së tij.

Ky procesverbal përfundon me:

“Obduksioni do të bëhet në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Fotografimin, skicimin dhe inçizimin e vendit të ngjarjes e kanë bërë teknikët e kriminalistikës të SPB-së në Prishtinë. Skica e vendit të ngjarjes dhe fotodokumentacioni i vendit të ngjarjes janë pjesë përbërëse e këtij procesverbali”.

Pra, ky procesverbal i vendshikimit të vendit të ngjarjes ka edhe fotodokumentacionin përcjellës dhe studiuesve të ardhshëm i bie barra e kërkimit dhe ndriçimit të tyre. Këtu mund të parashtrohet pyetja, ku gjendet ky material i fotodokumentacionit përcjellës? Kush i mori dhe ku i dërgoi? Pse ato nuk gjenden në Arkivin e Kosovës, në dosjen ku do duhej të ishin?

Nxjerrë nga libri “Rexhep Malaj në shkresat interne të UDB-së”, faqe 175-182, shkruar nga Agim Sylejmani, botuar në Prishtinë në mars 2021

Kjo pasaportë është gjetur në xhepat e Rexhep Malajt.

 

 

Shtëpia ku u barikaduan dhe ranë Rexhep Malaj me Nuhi Berishën

 

[1]   Këtë raport – procesverbal mbi vendshikimin e vendit të ngjarjes, e kam gjetur në Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit, të cilin e kishte gjetur dhe selektuar që më parë drejtori i këtij Arkivi, Nazmi Muja.

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Pragu i adoleshencës

Për fatin tonë të keq, kaluan mbi 20 vite që subjektet politike në Kosovë nuk …