Agim Vuniqi: Shqiptarët e Kosovës kanë liri pa pavarësi

Emisioni shumë herë i dëgjuar dhe i përcjellur nga fëmijët “Kolovajza për fëmijë”, që emitohej vazhdimisht në valët e “Radio Prishtinës” për çudi ishte model i organizimit politik të shqiptarëve, sidomos pas shuarjes se autonomisë. Që nga atëherë në politikë u inkuadruan shume njerëz. Ishte “hyxhymi” më i madh i intelektualëve në politikë. Ishin rreshtat e gjatë të pritjes për t’u nënshkruar në letrat e prera disa herë nga letra bazë e standardizuar, ishte koha e kalimit masiv të komunistëve e jo komunistëve nga LSPP-ja dhe LKJ-ja ne LDK, ishte lëvizja më masive politike, në kohën kur komunizmi kishte filluar te shkatërrohej dalëngadalë. Ky ishte padyshim një projeksion i shkëlqyeshëm i intelektualeve shqiptarë, i atyre qe iniciuan këtë e që asnjëri prej tyre nuk janë në te. Nuk ishin të paktë edhe të burgosurit e ndërgjegjes që e kishin gjetur veten në këtë lëvizje. 

Meqë të gjitha institucionet e atëhershme kosovare ishin shkatërruar, nuk vazhduan kontinuitetin institucional në kushte të reja, por të gjithë ama të gjithë bartësit e funksioneve udhëheqëse “shoqërore-politike” u angazhuan në poste të reja në degë, nëndegë dhe aktive të LDK-së. Nuk mbetën pa u inkuadruar edhe kuvendarët që e shitën Kosovën, ata qe pranuan heshtazi edhe pse nën presionin e tankeve shitjen e lirë të Kosovës, Nuk ishin të paktë ata drejtorë që kishin dhënë “ndihma” financiare “Zajam za preporod Serbije” e tash ishin pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, aty e gjetën veten edhe hajnat “legalë” e “jo legalë”.

Ishte ky vetëmashtrimi më i madh kolektiv, ishte kjo pasojë edhe i edukimit socialist të shumicës së intelektualëve shqiptare. Këtu nuk duhet përjashtuar përpjekjet e disa prej tyre, që tentuan politikisht të konceptonin këtë angazhim, duke i dhënë bile një fuqi institucionale dhe vendimmarrëse, ngase kishin filluar gabimet fillestare të kuvendarëve të rinj, të cilët veç kishin pranuar integrimin politik të Elektroekonomisë dhe të Trepçës, edhe pse më vonë vendimet e marra i hodhën poshtë. Angazhimi i tyre i mëtejmë ishte shprehje e vullnetit të popullit, si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut…, nga këta doli edhe qeveria e Bukoshit, pasuese e asaj te Jusuf Zajnullahut, “lindi” edhe kryetar, Ibrahim Rugova. 

Qe nga viti 1991 filloi “vjedhja” institucionale e popullit (edhe pse kjo u dëshmua me shumë vonesë), Bukoshi me një vendim të qeverisë 7/91 të mbështetura në nenet 1,2,3,..dhe 10 të Kushtetutës se Kaçanikut obligoi shqiptarët në krejt rruzullin e tokës që të ndajnë nga 3 përqind nga të ardhurat personale. Për t’u treguar aksioni më i efektshëm me mijëra aktivistë u angazhuan në këtë drejtim. Kështu u formua Fondi Humanitar Gjithëkombëtarë. Qytetarët shqiptarë që ishin në Zvicër me viza të përkohshme 4 dhe 9 muajsh detyroheshin që të jepnin nga 500 franga, ndërsa ata me viza “B” dhe “C” nga 1000. Ndëfrkohë u hap edhe kontoja në bankën popullore, në Aarau. Aksioni tashmë kishte edhe propagandën përcjellëse, mjetet tuboheshin “për të blerë armë”. Të gjithë besonin atëherë se ka filluar një punë e madhe, duke mos ditur se po krijonin kapitalistin dhe milionerin e parë shqiptar, urologun-kirurg Bujar Bukoshin, i cili u lansua në opinion përmes një flakareshi që ia dha kolegut serb. 

Që nga ajo kohë filloi të lulëzojë “biznes-patriotizmi” dhe turizmi politik i “burrave”, por, edhe i grave deri në Kinë e Japoni. Filloi edhe copëzimi politik “shumëpartizmi”, u formuan shumë parti politike “si këpurdhat pas shiut”, kështu u krijuan mundësitë për më shumë kryesi e kryetarë00,000 nganjëherë kishte edhe mosmarrëveshje “copëtoheshin” trupat partiakë jo vetëm në degë e nëndegë por edhe në “krahë”. Ai që merrte postin e kryetarit nuk kishte më mundësi të ndërrohej, kryetarllëku ishte tapi e “Republikës së Kosovës”.

Filloi edhe “lulëzimi” shkencor. Të gjithë profesorët universitar u inkuadruan në aksionin e pajtimeve, filloi të zhvillohet historia familjare e fisnore në emër të kombëtares, “pollën” shumë “heronj familjar”, i humbi “fija lëmshit” nuk dihej më kush është hero e kush trathëtar, me një fjalë me histori filluan të merren të gjithë, por gjithnjë fjala i shkonte më tepër atij që kishte “marka të gjermanit” më shumë. 

Dalëngadalë filloi të zhvillohet edhe ekonomia e tregut, ngrehën kokën celulat e para bankare, “fajdetë”. Nuk ishin të rralla rastet kur edhe shumë “funksionerë politikë” të asaj kohe që ishin të afërt me qeveritar t’u ndajnë kredi biznesmenëve të posa lindur, që “kreditë” qeveritare shpesh u jepeshin biznesmenëve në shtetet prej nga bëhej importi i të mirave materiale. Meqë kreditë dhe interesi nuk kthehej me kohë angazhoheshin edhe “forcat muskulore” të njerëzve me biografi të dyshimtë. 

Meqë ishte koha kur në fuqi ishte “dinari” shumë deviza qeveritare këmbeheshin në dinarë përmes “Këshillit për Financim” dhe “Këshillit Republikan për Ndihma Emergjente”, merrte “frymë” fuqishëm tregu i devizave “markat gjermane” këmbeheshin për dinarë, gjithnjë duke pasur kujdes në provizion. Ngjitej lartë treguesi financiar i shumë firmave private, të gjithë kishin bërë “hyxhym” në Kompleksin tregtar, aty ku kishte selinë Këshilli Republikan për Ndihma Emergjente. “Firmashët” e Prishtinës donin “t’i dilnin në ndihmë” popullatës së shpërngulur nga Drenica pas aksioneve ushtarake dhe policore të forcave serbe, që kishin djegur çdo pëllëmbë të Drenicës, lidheshin kontrata, fryheshin çmimet, nuk ishte me rëndësi cilësia e mallit, çdo gjë shitej, e më se shumti marmelata. 

Nuk mbaroi me kaq “kolovajza politike”, u krijuan dy herë parlamente, e dy herë u zgjodhën kryesitë. Edhpse uk u mbajt asnjë mbledhje plenare e Kuvendit parlamentarët merrnin rroga. Që nga ajo kohe filloi edhe “biznesi turistik”. Fluturonin aeroplanë në të gjitha anët duke bartur refugjatët shqiptarë. Edhe transporti rrugor ishte mjaft i ngarkuar. “Agjentët” turistikë ishin stabilizuar në kufijtë e Hungarisë, Çekisë e Sllovakisë. Stacionimi i tyre kishte karakter strategjik-sa më afër Gjermanisë, Zvicrës e Austrisë, biznesi zhvillohej mbi tragjedinë shqiptare, për ketë qellim ishin angazhuar edhe auto-frigoriferë, te pazëshmit bënin sehir kur do te ndalej kjo tragjedi. 

Rinia shqiptare nuk e përballoi dot këtë gjendje, shkëputi zinxhirin mafioz dhe atë të robërisë, filloi t’i bashkëngjitej masovikisht një lëvizjeje të re politike dhe ushtarake, asaj të UÇK-së. Ata iu bashkëngjitën liridashësve shqiptarë: Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit Hakif Zejnullahut, Ardian Krasniqit, Fehmi Lladrovcit e shumë trimave shqiptarë që trasuan rrugën e lirisë. 

E prapë shqiptarët mbetën në gjysmë të rrugës. Kosova ka një Parlament që mban mbledhje sa herë që siguron kuorumin, ka kryeparlamentarin që pret dhe përcjellë delegacione, ka kryeministrin dhe qeverinë multietnike, ka presidentin, ka edhe administratën publike me shumë intelektualë të fuqishëm biologjikisht, të cilët kanë edhe vetura luksoze me shoferë të shumtë profesionistë, ndoshta së shpejti do të kenë edhe “piramidën” kulturore në formë të kristalit, një megalomani liderësh komunistë, ende janë pa shtet. 

Pensionistët “kënaqen” me 40 euro, invalidët e luftës nuk kanë mbrojtje institucionale. Kënaqen edhe parlamentarët që nganjëherë mblidhen për të pire kafe, por edhe për të votuar, sa për të arsyetuar pagat mujore. Ekonomia e shkatërruar tërësisht, e qytetarët kënaqen në vazhdimësi me frytet institucionale dhe demokratike “terrin institucional”, por edhe terrin fizik në vazhdimësi. E Grupi i Unitetit dhe Grupi Politik bëjnë sefa duke pritur pakon e Ahtisarit, dhe të gjithë marrin rroga. 

Shqiptarët kanë “liri”, por ende janë pa shtetësi. 



Agim Vuniqi: Edhe pse nuk u pavarësua, Kosova u globalizua 

Në Kosovë kanë ndryshuar jo vetëm festat por edhe kultura, janë shtuar, secili që vie në Kosovë e bie nga një festë, e ne kënaqemi ditëve të festave, ka ndryshuar edhe mënyra e kultivimit të kulturave, ngase ato që patëm nuk ishin profitable, kështu do e thithim nga nje tym hashash dhe do të kultivojme bimë trendi me kokrra se kështu do te jemi “cool”, bile te kemi diçka për të eksportuar. E qytetarët shpresojnë se do të vie dita dhe të gjithë do të japin llogari, inshalla nuk jam zhgëndërr, se ëndërra del nganjëherë “sahi”.

Kohërat ndryshojnë, ndryshojnë edhe njerëzitë, por Kosovës nuk po i ndahet zullumi, e një mullë i yni thonte se Kosova (emër i gjinisë femërore) ishte qikë dhe mbeti qikë, asnjëherë nuse me duvak, e mos të flasim të behet ndonjëherë nënë, u kujtohet, kemi një nënëloke që edhe pesë vite i mbushë rrumbullak 100 vjet.
Te ne kanë ndryshuar edhe festat por edhe kultura, janë shtuar, secili që vie në Kosovë e bie nga një festë, e ne kënaqemi ditëve të festave, ka ndryshuar edhe mënyra e kultivimit të kulturave, ngase ato që patëm nuk ishin profitable, keshtu do e thithim nga nje tym hashish dhe do te kultivojme bimë trendi me kokrra se kështu do te jemi “cool”, bile te kemi diçka për të eksportuar. Ehhhh, do të ofshanin nostalgjikët “eksjugosllav”, festat që mbaheshin përpara shoqëroheshin me paradë ushtarake në të cilën ekspozoheshin armë të kalibrave të ndryshëm, dhe të gjithë ndanin mjete për të financuar atë ushtri që djegu dhe shkatërrojë çdo gjë që ishte shqiptare.
Nejse, ata nuk e dinin që bash ashtu do t’u del puna, por sa për t’ua rikujtuar disave, që nuk ia huqën sefas, ndanë mjete edhe për “Zajam za preporod Srbije” (Hua per rindërtimin e Serbisë), dhe të gjiithë ata ishin drejtorë shqiptarë që drejtonin ndërmarrjet shoqërore, kishte edhe profesorë me grada edhe…, e të gjithë atyre nuk u mungonte asgjë, asnjë therrë në këmbë, që edhe tash kënaqen me lezetin e pavarësisë “de facto” edhe pse ende jo “de jure”, jo për diçka tjetër por ia kanë “zanat”, dijnë të notojnë, ashtu si kanë thithur edhe tash thithin parreshtur “oksigjen” pushteti. 
Mileti shpresonte se një ditë kur do të vie liria të gjithë do te gjykoheshin për përfitim të pa ligjshëm gjatë luftës. Ne Zvicer, në Gjermani u formuan shumë aviokompani satelite me emra shqip qe i subfinanconte Serbia, dhe shumë njerëz të aviobiznisit i bënin temena (gjatë viteve të 90-ta) Petar Shkundriqit-ish sekretarit të përgjithshëm të PSS, kënaqej Petar-i me pamjen e Zurich-ut nga jahta qe ishte paguar enkas për te dhe në shoqërim të disa “biznesmenëve shqiptarë”, e kanë me të “drejtë” ndoshta, se u kanë xhelozi, e tashmja ua mbuloi marren se tash u bë edhe më zi, u zgjërua talli me unmikistanezë, Kosova u globalizua. 
Nuk ishte raritet të bleheshin edhe Benza-at që u shpërndaheshin “bakshish” drejtorëve të Jat-it, pse jo, “fisnikët shqiptarë” ua jepnin “tallin”. Serbisë u ishin vu sankcionet për shkak të shkeljeve sistematike të “të drejtave të njeriut”, dhe Eureka zgjidhja fatlume, u gjetë mënyra si te “vileshin” shqiptarët, bizenisi me emra shqip dhe me emra shqipfolësish. Perëndimin e patën vërshuar edhe profesorë dhe dijetarë që përfaqësonin qeverinë e…….. (qe ende ishte nën blokadë të logjikës m(a)oniste). 
E shqiptarët shpresonin qe do te vie dita dhe të gjithe do te japin logari. Te gjithë iu gëzuan daljes në skenë të UÇK-se dhe të gjithë shpresonin se do të lahen të palarat. 
Shumë jeta mori lufta, u dogjën fshatrat e vendbanimet, ushtria serbe shkatërronte ata që i kundërviheshin, por të gjithë ata që u larguan nga Kosova me përcjellje limuzinash, u kthyenë në Kosovë dhe përfituan nga Kosova, krijuan pasuri dhe bënë para.

Nga profesionet e reja profesioni shumë i preferuar “politikuc”,”bodyguard”, e estradistë, nuk të duhet farë shkolle, të parët duhet t’i kenë të vulosura librezat partiake, ndërsa ata të tjerët duhet të jenë më në trend, mundësisht koka e rruar dhe muskujt e qitur jashtë, por edhe “cullakimi” është me marifet. Asnjëherë në historikun e Kosovës nuk ka pasur më shumë “politikuc” “bodyguard” e estradistë se sa tash, janë profesionet më të kërkuara. Pas luftës fillojë nje rritje enorme e “ekonomisë familjare”, më së shumti iu gëzuan pasluftës pronarët e shtëpive luksoze, biznisi me qëra lulëzonte, fitime përrallore, dhe asnjëri nuk paguante taksa, nuk paguante as “zeqat”, dhe kështu ata që luftuan dhe pësuan nga lufta jetonin ende në “piknik” nën qiellin e hapur, nën qadra, si duket kompanitë ndërtimore ishin të zëna me ngritjen e ndërtesave shumëkatëshe pa leje, dhe shumica shiqonin multi televizonet dhe televizionin multietnik, hanin meze dhe lëpinin kockat me mish duke treguar “dhimbësuri” për ta, ndonjëri prej tyre mbetej përkohësisht pa oreks, duke lëshuarë nga ndonjë sharje. Lezeti i pavarësisë “de facto” (sa për “de jure” mund të presim) veç sa shtohej, vija kufitare në Merdare ishte bë qendër e biznesit multikltural, shiteshin e bleheshin shtëpi e apartmente në emër të biznes-multi-patriotizmit.
Do e ngrehim nga një dolli, oreeee, në vend rakie do pijmë ujë burimi, se ndoshta na vijnë mentë, se me be vaki me na ka kap uji i burimit nuk do te na lëshojë shumë gjate. Athua do të ndalet gjuetia në shqiptarë në vend të shtrigave mitologjike dhe inshalla bie gjaku e nuk vrahen “xhinja” në mes veti veç që flasin shqip e “fërkohen me prapanica” me të huajtë që u japin whisky-limonadë. Shumë ua kanda kolltuqet prandaj u jane pirë mendët, do te ishte mirë që Kosova te ishte parlamenti më i madhë në botë dhe gjithesecili ta kishte nga një ulëse, dhe asnjëri mos te kete nevojë të punojë, sa për yrnek kemi deputetët unikat, kështu pra “hyxhym” dhe në fund do të fitojmë “koqet e Bazhdarit”. E qytetarët shpresojnë se do të vie dita dhe të gjithë do të japin llogari, inshalla nuk jam zhgëndërr, se ëndërra del nganjëherë “sahi”.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …