leoni

Azem Galica

Ahmet Qeriqi: Azem Bejtë Galica (1889-1924) ka qenë njëri ndër luftëtarët më të njohur të historisë së popullit shqiptar

(Në përkujtim të Betejës  së Arbërisë së Vogël, më 15 korrik 1924, kundër Serbisë së Nikolla Pashiqit)

Azem Bejtë Galica (1889-1924) ka qenë njëri ndër luftëtarët më të njohur të historisë së popullit shqiptar, kundërshtari dhe luftëtari më i pa kompromis  i pushtimit të Kosovës dhe viseve të tjera nga Serbia e shtetet fqinje, strategu dhe heroi i kohës së tij, i cili për 12 vjet rresht, veproi dhe luftoi për çlirimin e viseve shqiptare nga robëria sllave. 12 vjet në male, në luftëra e beteja, në shtegtime nëpër shtigje, duke u përballur me  sa e sa  prita, 12-vjet pa pushuar edhe një ditë si duhet, 12 vjet pa e bërë edhe një natë gjumë si duhet, 12 vjet në vapë, shi, dëborë, acar, shpeshherë i pa ushqyer si duhet, shpeshherë i sëmurë dhe me plagë në trup…  Po çuditërisht, edhe krahas tërë asaj luftë dhe militantizmi atdhetar, krahas rezistencës më të fortë dhe të pakrahasueshme të kohës,- edhe sot e kësaj dite, madje edhe nga studiues shqiptarë, Azem Galica konsiderohet “kaçak” mali, madje edhe “krye-kaçak i Drenicës” apo i kaçakëve.

Këtë njollë emrit të Azem Galicës nuk ia ka hequr deri sot “historia” zyrtare e Kosovës apo e Shqipërisë  dhe ky është një turp më shumë për të mos thënë krye-turpi që ka arritur deri në kohën tonë.

Cili popull në botë do të pranonte që një kryetrim si Azem Galica dhe një krye-trime si Shote Galica të trajtoheshin “kaçakë”, hajdutë, vrastarë, vetëm sepse ashtu e ka trajtuar regjimi, me këtë rast regjimi shqiptar-vrasës dhe shqiptar-shfaronjës i Nikolla Pashiqit dhe i regjimeve të tjera serbe e sllave deri në vitin 1999. Njolla që ia bënë, me apo pa vetëdije, Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare, një klasë e tërë historianësh, duke e quajtur Lëvizje Kaçake, sipas sintagmës serbe “Koçaçki pokret”, le t’ iu mbetet atyre në ndërgjegje.

Personaliteti luftarak, qëndresa dhe lufta e organizuar e Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët prijës ideorë kishin: Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hoxhë Kadriun dhe organizatën, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”,  janë të denja për piedestalin e heroizmit shqiptar në shekuj.

Azem Galica, nuk ishte vetëm një trim popullor, që nuk e honepste robërinë. Ai nuk luftonte vetëm për çlirimin e Drenicës, apo për t’ ia lënë një nam më tepër vendlindjes  së tij, nuk luftonte për t’u pasuruar duke i zgjeruar pronat në Galicë,  por së bashku me trimat e trimëreshat e tij luftonte, kundër një regjimi barbar, kundër regjimit më barbar të kohës të Serbisë së Nikolla Pashiqit, e cila kishte program shtetëror, shfarosjen  kolektive të shqiptarëve. Lufta kundër një Serbie të tillë nuk ishte e pamundshme dhe këtë më së miri e provoi, Azem Galica me trimat e tij, në kohën e tij,  ashtu sikur nuk do ta konsideronte të pamundur luftën kundër regjimit barbar të Milosheviqit, Adem Jashari në kohën e tij.

Edhe këtu kemi një koincidencë interesante. Regjimi i Pashiqit, Azem Galicën e trajtonte “kaçak, bandit vrasës”, dhe e kishte likuiduar me tërë familjen, ndërsa regjimi i Milosheviqit, Adem Jasharin e trajtonte dhe e trajton vrasës, terrorist e bandit, dhe po ashtu e kishte likuiduar gati me tërë familjen….

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …