leoni

Bedri Tahiri

BEDRI TAHIRI: EPILOGU I BETEJËS SË AZEM GALICËS QË JEHOI EDHE PËRTEJ BEOGRADIT

Dëshmi kohe për ndërgjegjësim pushtetarësh! 

Një grusht luftëtarësh shqiptarë kundër 1200 ushtarëve serbë!

Ministri serb dr. Milan Sershkiqi: Arbëria e Azem Galicës ka qenë shteti në shtet.

Gazetat serbe “Vreme” dhe “Pravda”, edhe pse përhapen lajme të rreme, megjithatë dhanë ca informacione si dëshmi kohe…

* * * 

Epopeja e Arbërisë së Vogël qe një betejë, e cila jehoi deri në Beograd e më larg. Bilanci i të vrarëve qe i madh nga të dy palët luftuese. Numri i tyre nuk dihet saktë, por dëshmitarët pohojnë se ka pasur shumë. 

Serbët, për të mos rënë në sy, të vrarët që i bartnin me qerre, i ndanin: një grup shkonte për Mitrovicë, ndërsa grupi tjetër për Vushtrri. Dihet se të nesërmen në Mitrovicë janë varrosur me regjistër 85 veta (Shaban Rexha i Koshtovës, kryetar i atëhershëm në Zhabar, e kishte dëgjuar këtë shifër nga naçallniku i Zveçanit). Ky numër duhet të jetë edhe më i madh, kur dihet se shumë të vrarë kanë mbetur maleve e përrenjve (janë gjetur më vonë) e shumë të tjerë i kanë dërguar në Vushtrri. Kur i varrosën në Mitrovicë, me nderime të larta, u betuan se do të hakmerren kudo në Kosovë, në popullsinë e pafajshme e të pambrojtur.

Viktimat e “Arbërisë së Vogël” mbetën mbi dhe. Nuk lejonin të varroseshin, kinse pa ardhur ndonjë komision i jashtëm. Në verë, në atë vapë të madhe, ato filluan të prisheshin. Fryheshin dhe pëlcitnin siç ndodhi me kufomën e Nezir Zeqirit. Pas disa ditësh burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, erdhën dhe i varrosën. Disa i varrosën aty ku gjendeshin, në ara, male e livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosën në varre të përbashkëta, nga tre-katër e pesë në një vend.

Të plagosurit fshehurazi janë mjekuar nëpër shokë e nëpër miq. Tri fshatrat e “Arbërisë së Vogël” u shkretuan. Mbi to për disa ditë rresht ka qëndruar një mjegull e dendur nga tymi dhe shkrumbi që lirohej nga gjërat e djegura. Për disa vjet rresht toka mbeti djerrinë, në të cilën kullotnin bagëti e fshatrave tjera. Njerëzit e paktë që i kishin shpëtuar kësaj ploje u strehuan në fshatrat e tjera, ku qëndruan një kohë bukur të gjatë.

Beteja e “Arbërisë së Vogël”, që më vonë u quajt Lufta e Galicës, apo Epopeja e Arbërisë së Vogël, pati jehonë të madhe. Lajmi për të u përhap kudo. Ajo u vlerësua dhe u komentua në mënyra të ndryshme. Pos gazetave dhe komenteve të ndryshme në mjetet e informimit për këtë ngjarje u diskutua edhe në Kuvendin Popullor të Jugosllavisë monarkiste. Në mbledhjen e parë, që u mbajt në muajin korrik 1924, fill pas betejës, për rrjedhën e asaj lufte Parlamentin e informoi ministri i Punëve të Brendshme i qeverisë borgjeze serbe, dr. Milan Sershkiqi. Ai, duke e përpjekur të arsyetonte atë veprim masakrues, pos tjerash tha:

“Azem Bejta me kullën e tij dhe me fshatrat përreth ka qenë shteti në shtet. Ajo ka qenë një krahinë e pamposhtur në shtetin tonë… kjo ka qenë turp dhe një provë e dobësisë dhe paaftësisë së shtetit tonë që të durojë një shtet në shtetin tonë. Azem Bejta ka mbajtur lidhje me Komitetin e Kosovës në Shqipëri. Kulla e tij ka qenë strumbullar i propagandës kaçake, e cila ka kushtuar një mori jetërash të qytetarëve, xhandarëve e ushtarëve tanë… Kurrë, zotëri, që nga çlirimi e deri para pak ditësh nuk ka shkelur këmba e organeve tona në atë terren”.

Pastaj në mënyrë tendencioze e shpjegon rrjedhën e ngjarjeve të ditës kritike. Sipas tij, në fillim, i kanë ftuar që të dorëzohen ose të paktën të nxirren jashtë gratë, pleqtë dhe fëmijët. “Kur ata nuk pranuan, kemi hyrë nëpër fshatra…Në fshatin Galicë na kanë sulmuar që në fillim duke na i vrarë 14 ushtarë serbë, sllovenë e kroatë… dhe midis tyre edhe një gjerman. Atëherë jemi detyruar të hapim zjarr nga të gjitha armët. Me “keqardhje” konstatoj se aty u vranë shumë njerëz nga zjarri i armëve artilerike, midis të cilëve edhe dy gra. Midis të vrarëve gjenden edhe 80 kaçakë, 10 prej tyre të shantazhuar”.

Këto të dhëna nuk përkonin askund me të vërtetën, por atij i duheshin për ta arsyetuar veprimin barbar, që e kishin ushtruar mbi banorët e pafajshëm të këtyre fshatrave duke e përdorur edhe ushtrinë. Edhe ndonjë kokë e arsyeshme serbe u distancua nga këto veprime shtazarake. Kështu një deputet serb u çua dhe u shpreh kështu: “Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk do të lejoja që organet e mia të vrasin gra e fëmijë e të djegin fshatra të qeta!”.

Kjo ngjarje pati jehonë edhe në shtypin serb. Gazeta “Vreme”, më 16 korrik 1924, pos tjerash shkruante: “… Lufta pati dimensione të mëdha, në të cilën u përleshën qindra kaçakë me njësi të shumta ushtarësh e xhandarësh… Në thirrjen e Zhupanit të madh tri çeta nga garnizoni i këtushëm me 4 topa mbrëmë kanë hyrë në Galicë… Me shpejtësi është reaguar me zjarr pushkësh e mitralozësh. Edhe katër topat të cilët koloneli Stojanoviq i pati me vete vepronin pa pushim”.

Gazeta tjetër “Pravda”, më 17 korrik të atij viti, shkruante: “Lufta me kaçakë, që u zhvillua dje pasdite në rrethin e Drenicës, me ashpërsinë dhe numrin e viktimave ua kalon të gjitha luftërave të deritashme me kaçakë. Lufta qe e gjatë dhe shumë e ashpër. Numri i viktimave arrin në 200… Fshatrat, në të cilat u zhvillua lufta janë shndërruar në grumbuj gurësh të shembur, nëpër të cilët spikasin trarë të copëtuar dhe kufoma të përgjakura e të masakruara. Nuk dihet a është vrarë Azem Bejtë Galica, apo ka shpëtuar…”.

Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulimet e shumta bëheshin me numrin e viktimave. Edhe organet kompetente të Mitrovicës dërguan në Beograd raporte me shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj këtyre dezinformatave reagoi Ferat Draga, i cili përmes klubit të tij protestoi deri te organet më të larta shtetërore. Ai shkruan se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët janë popullsi e pambrojtur.

Për viktimat e “Arbërisë së Vogël” dhe këtë masakër të paskrupullt të soldateskës serbe shkroi edhe gazeta “HAK”, më 23 korrik 1924, të cilën e citon edhe Limon Rushiti në librin “Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928”. Kjo i përgjigjet më për së afërmi së vërtetës kur shkruan se në të tri fshatrat e rrethuara u dogjën 120 shtëpi dhe u vranë 75 veta.

Të interesuar, të mësojmë numrin e saktë të viktimave dhe të shtëpive të djegura si dhe numrin e të plagosurve rëndë, dolëm në terren (gjatë viteve 1988-1995) dhe biseduam me dëshmitarët e gjallë të asaj dite dhe me anëtarët e familjeve të viktimave, të cilët në bazë të kujtimeve të trashëguara nga prindërit i mbanin mend emrat e tyre. Dhe, pas një pune bukur të gjatë, me ndihmën e shumë njerëzve, arritëm në këto rezultate: më 15 korrik 1924 në tri fshatrat e rrethuara u dogjën 100 shtëpi, u plagosën rëndë 26, ndërsa u vranë ose masakruan 82 veta. Nëse llogaritet edhe Azem Bejtë Galica, i cili vdiq më vonë (në natën midis 24 e 25 korrikut të vitit 1924) nga plagët që i mori në këtë betejë, na del numri 83, që e kalon shifrën e dhënë nga gazeta “HAK”.

Pra, epilogu i kësaj beteje ishte: Në Galicë (34 të vrarë e 17 të plagosur); në Lubovec (24 të vrarë e 4 të plagosur) dhe në Mikushnicë (23 të vrarë e 8 të plagosur).

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …