Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: “Beja në Kur’an për komunistin, Kurt Saraxha”, fragment nga romani në dorëshkrim,Vegimtari

…Kishte ndodhur njëherë që dy burra të panjohur e zënë  në mal,  Kurt Saraxhën, fillikat vetëm. Të dy kishin lidhur fytyrat me mahrama, për të mos u identifikuar dhe e kishin rrahur Kurtin deri në alivani. Mandej e kishin urinuar në fytyrë dhe ishin larguar.

Katër ditë më vonë pasi Kurti e kishte marrë veten, në fshat kishin arritur: komisari i partisë, i Rrethit, dhe tetë milicë. Paraprakisht iu kishin bërë me dije fshatarëve dhe kishin  kërkuar nga ata që të gjithë  të tuboheshin në oborrin e  shkollës së fshatit Ndrenik. Në mesin e tyre qëndronte i lidhur me fasha edhe Kurti i rrahur me moh.

Pasi ishin tubuar të pranishmit, sekretari i partisë, njëfarë Brahë Hoxholli e merr fjalën:

-Ndigjoni shokë, iu thotë.- Këtu në katunin tuej ka ndodhë një punë e keqe, në të cilën kanë gisht anmiqt’   i Jugosllavisë dhe  spiunët e Enver Hoxhës.

-E kanë zanë njeriun tonë në mal, janë maskue dhe e kanë rrahë dru, deri sa i ka ra të fikun.. Dhe, ç` është ma keq,  mbasi e kanë rrahun mizorisht edhe e kanë pshurrë në fytyrë. Qe si e kanë ba!… tregon me gisht kah Kurti i cili mezi rrinte në një karrige druri, tërë fytyrën e lidhur me fasha dhe sa drejtohej në një anë, nga dhembje kthehej në anën tjetër…

-Kurtit, qi asht njeri i pushtetit po i kanë zemra se dikush prej jush ia ka punue, vetëm pse asht aktivist dhe njeri jonë. Prandaj, ne kemi ardhë për me i zbulue banditat, ose ju me na ndihmue, nëse e dini kush e ka  ba kët vepër të dënueshme, e për  e mos me shkue dam të gjithë.

Të gjithë fshatarët kishin stepur nga frika. Mjaftonte  që Kurti të drejtonte gishtin  drejt ndonjërit, ose vetëm të dyshonte. Në rast të tillë, i dyshuari me faj apo pa faj, do të ndëshkohej faqe krejt katundit.

-A ban me folë unë, kishte kërkuar fjalën asokohe, një burrë i moshuar, të cilin e quanin  xha Hamza.

-Fol i thotë sekretari i Rrethit.

-Mue më vjen keq për ket ndodhi. Mirëpo, na nuk kemi pasë kurrgja të keqe me ket katundarin tonë,  për me ia punue mbas shpine. Ç` asht e vërteta ka njerëz qi janë ankue për do fjalë të tij në kohë të akcijes së armëve, por askush nuk ka mujtë m`i dalë përballë. Të gjithë ishin bërë sy e veshë, nga frika. Xha Hamza kishte vazhduar.

-Le t çohet Kurti dhe le të thot` vet,  se te kush i kanë zemra, veç me ni kusht, me vërtetue njëherë dhe jo veç me ja ba me gisht dikujt, se mjaft na keni rrahë me dru, për fjalë, gishta  e të thana të rrugëve! Xha Hamza kishte folur me takt, trimërisht dhe me korrektësi.

-Mu m kanë zemra te shumica prej jush, thotë Kurti, i dërrmuar nga rrahja.

-Dikush prej jush i ka organizue, ose i ka pague…

Masi m` kanë shtri për tokë, edhe më kanë pshurrë në fytyrë, njani prej tyne ka thanë:

Të gjithë juve hafijeve kemi me ju vra dhe kemi me jau pshurrë ftyrën se e keni koritë popullin me hafijellëk. Nuk kam mujtë me ia njoftë zanin e ftyrat i kanë pasë lidhun me mahrama, veç sytë ua kam pa.

-E pse pra të kanë zemra te shumica,- a nuk na thue? Ti po thue se t kanë rrehë dy vetë!  i drejtohet xha Hamza.

-Dikush prej jush i ka organizue, ndërhyn sekretari. Vetëm pse Kurti asht besnik i pushtetit, për atë shkak e keni rrahë…

-Edhe na kemi të drejtë me dyshue, ndërhyn, Sefë Kurdi, një fshatar i njohur për romuze e fjalëshumë.

-Na nuk e kemi pa se kush e ka rrahë. Mandej ky shoku ynë, ka mujtë edhe me ra prej naj lisi, ndoshta e kanë rrehë djemtë, apo  grueja,  dhe tash po don me na lanë neve.

Sefa kishte hedhur barot në zjarr,  me qëllim për ta dezorientuar dyshimin.

-Nuk asht e vërtetë, shokë! Nuk kam ra prej lisi as nuk jam rrehë me djem. Kam pasë do probleme me djem, të cilat ju i dini, por ata janë gjallë dhe mujnë me dishmue, -shton Kurti.

-Ka qenë dashtë me pasë kanë këtu edhe djemtë, madje edhe gruaja e tij, shokë! Me sa dimë na në shtëpi të Kurtit për natë bahen maxharra dhe ndihen të shame. Ky gruen nuk e ka të fesë tonë. Ajo nuk e duron dhe ne vet e kemi pa kah rrehet me te, -thotë  Sefë Kurdi, të cilit  aspak nuk iu kishte dhimbsur bashkëfshatari.

Sekretari i Rrethit e dinte realitetin. E dinte po ashtu se gruaja e Kurtit ishte një shkinë, këngëtare kafenesh, që kthente në shtëpi kohë e pa kohë. Ai kishte njohuri se edhe djemtë e Kurtit ishin huliganë që nuk ia varnin t` atit. Por ai ishte po ashtu  shumë  i sigurt se Kurti nuk gënjente. E kishin sprovuar kur kishte denoncuar edhe vetë vëllanë e kushëririn, në kohë të aksionit të armëve.

-Pse bre ju shokët e komitetit me na tubue për këso punësh të këtij njeriu, ndërhyn Cuf Cufi. Me sy t` mi e kam pa jo më larg se një muaj  kah rrehet grushta me Millunkën. Fol a asht ashtu? -pyet Cufa me këmbën e amputuar pas aksionit të armëve.

-Po, ashtu asht, pranon Kurti. Ato janë punë të mia private dhe ty nuk t` intereson shka baj unë me gruen time.

-Ndoshta e kanë rrehë jaranat e Millunkës, ndërhyn sërish Sefë Kurdi, duke e skandalizuar tubimin. Të gjithë kishin qeshur.

Biseda kishte marrë një kahe të padëshirueshme. Sekretari i partisë ndodhej në pozitë të palakmueshme. Pas pak ai i drejtohet turmës.

-Ndigjoni shokë! Vetë fakti se Kurti po e pranon qi ka probleme me gruen dhe me bijtë, tregon se ai asht i sinqert. Kurti nuk rren, shokë, nuk rren, sepse e kemi provue njëqind herë! Këtij shpirtin ia nxjerrë por nuk rren, ne e njohim, andaj mos u mundoni të na hidhini pluhur syve!

-Kini mendjen! –kishte vazhduar sekretari i Rrethit,- ata që e kanë rrahë dhe e kanë poshtnue Kurtin, kanë rrahë partinë, shokë, kanë rrahë komitetin! Kanë rrahë njerëzit që punojnë për kët pushtet. Dhe, kjo punë neve na çet në situatë të rëndë. Na kemi ardhë me zbulue bashkarisht kët rast, përndryshe asht prokurori, gjyqi dhe policia, ju e dini mirë. Kemi ardhë që ju të na ndihmoni dhe të na bindni se jeni me partinë, por ju si duket nuk jeni me partinë dhe me shokun Ali, as me shokun Fadil. Ju me sa po shoh, jeni me Enver Hoxhën!

-Ngadalë mor shok Sekretari, ngadalë, ndërhyn, Dush Leka, një burrë me mustaqe, rreth të gjashtëdhjetave.

-Pse me kanë na me Enver Hoxhën, kur e kemi shokun Fadil. Ai n` kohë t` luftës në këto malet tona ka ndjetë tinëz. Ku ka luftue nuk e dime, por edhe  bukë i kemi dhanë! Nuk ban me na akuzue për shkak të Kurtit, se ky ka probleme me gruen dhe me djemt, e ndoshta edhe me jarana të grues e jo me ne. Dush Leka kishte folur me urtësi dhe kishte arritur të ushtronte ndikim edhe te sekretari i Rrethit. Të gjithë e dinin se gruaja e Kurtit ishte femër e përdalë që shërbente në kafehane dhe argëtonte mejhanexhinjt deri natën vonë.

-Nuk asht mirë mu anmiqësue me një katund për shkak të një njeriu, ndërhyn një burrë tjetër.

Sekretari e kishte kuptuar se kishte humbur betejën me fjalë, por ai do ta provonte edhe metodën tjetër, e cila disa  herë i kishte dhënë rezultate.

-Kemi me ju detyrue me ba be n` Kur`an, kishte thënë duke kërkuar prej një milici që të shkonte dhe ta ftonte mulla Sherifin, hoxhën e Kizharekës dhe ta porosiste për ta marrë Kur`anin me vete.

Nuk kishte vonuar dhe mulla Sherifi me Kur`anin mbështjellë në një copë safjan ishte dukur te shkolla. Ai kishte përshëndetur të pranishmit, ndërsa  kishte kërkuar nga sekretari t`i bënte me dije përse e kishin ftuar.

Sekretari i kishte shpjeguar me pak fjalë se ku qëndronte puna.

-Para se me ba be të dyshuemit, duhet me dijtë mirë se kush asht ai qi dyshon. A asht me fe a pa fe?- a e pranon Kur` anin apo e mohon, thotë hoxha, pa i bërë syri vërr nga milicët, edhe pse shpeshherë kishte qenë torturuar prej tyre  për shkak të meseleve të tij shpotitëse.

-Dyshuesi  ashti i dëmtuem mor hoxhë. A nuk po e sheh se n`çfarë halli e kanë ba?

-Po e shoh dhe po e njoh! Por ky duhet ma s pari me marrë avdes, e me la atë  gojë tri vjet rresht me ujin e lumit, qi e ka sha kur`anin e zotit, mandej fillojnë me ba be të dyshuemit, pra, dy prej tyne e jo krejt  ky milet, sepse ky po thotë se e paskan rrahë vetëm dy vetë!

Sekretari ishte zënë tejet ngusht. Kishte hyrë në lojë me mendjelehtësi dhe tanimë nuk mund po mund ia dilte mbanë.

-Ky asht komunist mor hoxhë! Kurti as nuk falet as nuk merr avdes! thotë ai.

-Atëherë e bajtë me shnet!

Të gjithë të pranishmit kishin qeshur.

-Çka do me thanë ti me ato fjalë, i drejtohet hoxhës me kërcënim komisari.

-Du me thanë e bajtë me shnet komunistllëkun, mbasi nuk don me marrë avdes. Hoxha ishte nxjerrë me marifet, si çdoherë.  Zhdërvjelltësia e mulla Sherifit ishte dëshmuar edhe sa e sa herë të tjera, në raste të tilla.

-Mor hoxhë, i drejtohet  sekretari i Rrethit, leri meselet mor burrë, dhe mos lejo me i shtrue në dajak krejt këta burra. Këta kanë dy rrugë, ose mu la me be, ose me dajak. Na këtu e kemi edhe milicinë, edhe të damtuemin edhe të dyshuemit. Na e bajmë gjyqin e jo ti!

-Po xhanëm, gjyqin e forcës e ke! Kjo po shihet, por mos mu përziej n` kur`an, ti, dhe ata që nuk i besojnë. Ju nuk i besoni Kur`anit dhe po doni ta zhfrytëzoni atë për një qëllim tuajin. Kjo nuk iu ka hije,- thotë hoxha.

-Nuk i besoj kur`anit hoxhë, nuk i besojnë as komunistët,  as Kurt Saraxha. E kam për të mirën e këtyre këtu që i besojnë, edhe pse e di më mire se shumica bajnë be rrejshëm. Por disa janë tregue  myslimanë të fortë dhe jemi të sigurt se nuk bajnë be rrejshëm në kur`an. Pikërisht ata duhet me i sprovue, nëse doni ta zgjedhin kët punë, pa e përdorë dajakun.

-Caktoni dy vetë pra, dy të dyshuem, ndërhyn xha Hamza dhe jo krejt katunin. Unë, pavarësisht shka po thotë hoxha, jam i gatshëm me ba be, nëse jam i dyshuem.

-Nuk do t` bajmë be pa na dhanë leje hoxha, kishte thënë njëri nga të pranishmit, ndërsa shumica kishin aprovuar me ovacione.

-Na qi nuk jemi në parti, na jemi me hoxhën, -atij ia ndigjojmë fjalën, ishte dëgjuar një zë tjetër.

-Nëse nuk jeni të gatshëm me ba be, atëherë punën do t`ia kalojmë hetuesisë dhe gjyqit. Ne kemi ardhë me bisedue, qysh na mëson partia. Ne nuk jemi anmiq të popullit dhe nuk kemi dëshirë me e damtue askand pa faj, por kështu sikur jeni lidhë ju kundër njeriut tonë,  punët do të zhvillohen ndryshe,  thotë i pari i partisë për rrethin e Drenicës.

Tubimi kishte marrë fund…

Disa  ditë më vonë milicët kishin arrestuar tre burra të Ndrenikut.

Njërin prej tyre, Bali Gashin, e kishin liruar të pafajshëm, ndërsa Lam Lami dhe Ramë Kurdi ishin dënuar nga gjashtë muaj burg, edhe pse me asnjë fakt nuk ishte provuar fajësia e tyre. Gjyqi kishte marrë për bazë faktin se ditën kritike  dy të dyshuarit kishin ndodhur  në pyll, duke prerë drunj, jo larg vendit ku ishte ndëshkuar “hafija” I njohur për të liga e shëmti, Kurt Saraxha…

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …