Ahmet Qeriqi: Gjatë këtyre 20 viteve kemi qëndruar vertikalisht, ashtu si kemi mundur e si kemi ditur

Ahmet Qeriqi: Gjatë këtyre 20 viteve kemi qëndruar vertikalisht, ashtu si kemi mundur e si kemi ditur

(Fjala e Ahmet Qeriqi, mbajtur më 4 janar 2019  në shënim të 20-vjetorit të fillimit nga puna të Radios-Kosova e Lirë)

 Ju përshëndes nga zemra të gjithëve, por  që në fillim  ndaj për ta përshëndetur më të moshuarin, që nuk pati mundësi objektive në mesin tonë, njërin prej ideatorëve të Lëvizjes Nacional Demokratike shqiptare, bacë Rexhep Bunjakun, të cilin regjimi jugosllav në shkurt të vitit 1947, fillimisht e kishte dënuar me vdekje pushkatim, pastaj ia kthyen dënimin 20 vjet burg, të cilin e ka mbajtur në burgjet më famëkëqija të Jugosllavisë, në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Po ka edhe diçka të veçantë në këtë mes. Baca Rexhep Bunjaku, i cili tani ka 90 vjet   i ka përcjellë në vdekje, regjimin e Monarkisë serbe, regjimin e Titos dhe regjimin e Milosheviqit. Andaj me këtë rast edhe e përshëndesim nga zemra.

Të dashur pjesëmarrës ju përgëzoj për pjesëmarrjen në këtë ditë jubilare të Radios-Kosova e Lirë, në ditëlindjen  e këtij mediumi,  i cili ka ditur si të fillojë e të luftojë duke përhapur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare përballë forcave gjakatare serbe, në kushtet dhe rrethanat më të vështira të historisë sonë më të re,  por  nuk po di ta ndalojë hapin e inercionit, edhe pse në vazhdimësi  në kushte të rënda, tani jo më nën robëri, por në një situatë të pafavorshme.

Radio-Kosova e Lirë, ishte zëri që lëshoi jehonë lirie nën krismat dhe breshërinë e armëve armike serbe, ishte ky zëri që çau retë e errësirës pushtuese dhe filloi të përhapej prej 4 janarit të vitit 1999 e deri sot, kurrë pa u ndalur edhe pse i mekur nga fuqia e pamjaftueshme transmetuese, por zë i fuqishëm dhe gjithmonë i pakursyer  në shpërndarjen e jehonës së porosisë çlirimtare të Legjendarit, Adem Jashari dhe trimave e trimëreshave të UÇK-së, të cilët me gjakun e tyre rinor përskuqen këto troje duke i dhënë Atdheut, tharmin e pastër e të paprishur kombëtar, nga pacifizmi i hershëm, i cili kishte humbur besimin se liria fitohet me gjak.

Kurrë nuk e kam menduar se mund të mbahemi kaq gjatë, por gjithnjë i kam besuar dhe i besoj lirisë, fitores dhe unitetit për bashkimin e kombit. Andaj në këtë rrugëtim historik kemi rënë e jemi ngritur. Nuk na kanë kursyer tronditjet, keqtrajtimi nga të huajt e vendorët, por nuk ka munguar as përkrahja e atyre, që dinë të çmojnë vlerat dhe t’ i ruajnë ato.

Kemi qëndruar vertikalisht, ashtu si kemi mundur e si kemi ditur, gjithnjë në përpjekje për ditë më të mira, gjithnjë duke u ballafaquar me mujsharët politikë dhe medialë të globalizmit të pamëshirshëm kapitalist. Dhe në këtë luftë të padrejtë, na kanë përbuzur edhe ata që kemi pritur të na ndihmojnë, edhe ata që e kanë pasur obligim jo vetëm moral, të na ndihmojnë. Shumica syresh na kanë injoruar sepse  nuk kemi pranuar të bëhemi vegla as pjesë e zjarrit të mëkateve të tyre.

Qysh prej Qeverisë së përkohshme e deri te kjo e fundit, në çdo ndërrim kabinetesh kemi dërguar nga një kërkesë, për marrjen në mbrojtje institucionale të Shtëpisë –Muze të  këtij zëri të luftës, në fshatin Berishë, të cilin  e kemi ngritur me ndihma të luftëtarëve të lirisë.

Zëri i kësaj radioje përveç informimit ditor, pjesën më të madhe të programit ua kushton dëshmorëve, martirëve, veteranëve. Asnjëherë, nga asnjë kabinet qeveritar  nuk na është kthyer asnjë përgjigje për mbrojtje institucionale.  Edhe një rast i vetëm i përgjigjes pozitive nga ish ministri i  Kulturës, Valtonn Beqiri në vitin 2009, nuk u lejua të bëhet realitet. Vendimi i nënshkruar mbeti vetëm në letër, sepse mujsharët e feudeve nuk përfillin institucionet, që i kanë themeluar vetë, por që kanë arritur t’i uzurpojnë. Nuk thuhet kot se ai që nuk di të qeverisë është uzurpator.

Radio-Kosova e Lirë prej katër janarit të vitit 1999 e deri sot ka folur dhe flet për lirinë e Kosovës, ka ftuar dhe fton të gjithë shqiptarët e palodhur nga pacifizmi i sotëm të bashkohemi dhe të bashkojmë trojet e shkapërderdhura të Shqipërisë, të cilat nuk na i bashkon askush tjetër, aq më pak politika e sotme dezintegruese shqiptare e Tiranës, Prishtinës dhe e Shkupit.

Zëri i kësaj Radioje nuk është zë i vetmuar në shkretëtirë, se po të kishte qenë i tillë nuk do të ishte sulmuar nga aeroplanët e armikut, nuk do të kishin rënë 13 dëshmorë në mbrojtje të pozicioneve të luftës, ku transmetonte asokohe dhe nuk do të sulmohej sot nga mujsharët e pacifizmit hipokrit, që është një shkallë më i lig se pacifizmi konstant i para luftës.

Radio-Kosova e Lirë u godit edhe pas luftës, sepse nuk pranoi të bëhet kameleone e politikave ditore, nuk pranoi të bëhet vasale e Hejslokëve e ulokëve dhe e mujsharëve të huaj, të cilët na kishin paralajmëruar se do të mbeteshim si peshku në zall, sepse nuk do të na ndihmonte asnjë organizatë ndërkombëtare.

Asnjë organizatë ndërkombëtare e botës nuk e ka ndihmuar këtë Radio, madje as me një mikrofon, qoftë edhe të kohës së kaluar. Edhe ne i qëndruam besnikë, amanetit të Legjendarit, Adem Jashari, sakrificës atdhetare, jetësore të Bacë Adem Demaçit, mësimeve  kurdoherë të mençura të profesor Rexhep Qoses dhe shumë e shumë idealistëve të kohës sonë, atyre idealistëve që kurrë nuk i mashtroi lakmia, por qëndruan dhe qëndrojnë vertikalisht, si shtylla bazike në  godinën tonë kombëtare.

Duke qenë pengesë e kulturës së globalizmit dhe ruajtëse besnike të vlerave më fisnike kombëtare, Radio-Kosova e Lirë, nuk bën dallime në pikëpamje ideologjike, kombëtare, as fetare, nuk përbuz personalitetet  e historisë së kombit, për shkak të heterogjenitetit të bindjeve të tyre politike apo kombëtare,  nuk anashkalon periudhën 50-vjeçare të socializmit në Kosovë dhe në Shqipëri,  ruan dhe respekton vlerat e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare, vlerat sublime të Lëvizjes së fshehtë atdhetare, mbi të gjitha vlerat e tri luftërave tona çlirimtare, vlerat e kulturës së pastër  kombëtare. Duke qenë roje besnike e këtyre vlerave, Radio Kosova e Lirë ka atakuar dhe atakon  antivlerat, degjenerimin, globalizmin, shundin, tallavanë, gjuhën e pakulturuar të zyrtarëve të institucioneve dhe të gjitha devijimet, në informim dhe në kulturë, që vinë si pasojë e nënshtrimit nga ndërkombëtarët, të cilëve politikanët tanë sot iu nënshtrohen me “Yes oky”, ashtu si dukur gjyshërit e tyre  me “lepe-peqe” dhe “moljim ljepo”!

Zëri i Radios-Kosova e lirë ka qenë dhe po mbetet zë militant i lirisë, ashtu sikur dje në luftë për çlirim nga barbaria serbe, sot në luftë për unifikim dhe bashkim kombëtar të shqiptarëve, pa u frikësuar çka thonë fqinjët tanë grabitqarë dhe hipokritët e pacifizmit nga mesi ynë, të cilëve u dhimbset Serbia që paska humbur shumë territore gjatë luftërave, disave u dhimbset Mali i Zi që nuk ka tokë e pyje sa duhet, u dhimbset Greqia se nuk ka det sa duhet, por nuk u dhimbset Kosova Lindore e mbetur nën Serbi, nuk u dhimbset Manastiri, që ka mbetur pa shqiptarë, nuk u dhimbset Janina e dikurshme qendra  më e madhe e shqiptarisë, në Ballkan e në Evropë, ku nuk  ka më asnjë shqiptar, nuk çajnë kokën për Ulqinin Tivarin, Anamalin, Plavën e Gucinë, nga ku shqiptarët po ikin, derisa politikanët tanë  po i ruajnë të paprekura pronat e tyre në Kosovë, në bregdetin shqiptar, i ruajnë monopolet nga ku e vjelin fitimin,  i ruajnë si sytë e ballit firmat e tyre dobiprurëse të regjistruara në emra të familjarëve apo miqve e dashamirëve, ruajnë partitë e tyre, ashtu si dikur agallarët e bejlerët,  që ruanin feudet dhe çifliçet e tyre.

Radio-Kosova e lirë nuk ka marrë asnjë përkrahje institucionale, asnjë shpërblim financiar nga asnjë qeveri e deritashme e Kosovës, nga asnjë organizatë e huaj apo vendore. Ajo ka mbijetuar duke lidhur, me shumë vështirësi dhe në kushte të pafavorshme,  disa kontrata me zyrtarë komunash  dhe ministrish të caktuara, me ndonjë agjenci  apo ndërmarrje,  të cilët i falënderojmë për mirëkuptim e bashkëpunim,  sepse kanë mundur të na refuzojnë edhe këta si shumica e ministrive dhe e komunave.

Me marrëveshjet vjetore të bashkëpunimit që lidh Radio-Kosova e lirë me institucionet, buxhetit të Kosovës i kushton pak më shumë sa paga e një ministri, apo e një redaktori në RTK-në qeveritare.

Për këto 2o-vjet Radio-Kosova e lirë ka kryer të gjitha detyrimet ndaj Shtetit, KPM, ATK-së dhe çdo mekanizmi qeveritar. Nuk është ballafaquar me ligjin në asnjë rast.

Radi0-Kosova e Lirë ka edhe sektorin e botimeve dhe deri tani ka nxjerrë në dritë shumë libra kryesisht me përmbajtje të luftës së UÇK-së, por edhe vepra autoriale. Ka nxjerrë në dritë dhe Arkivin e lajmeve të transmetuara në  kohën e luftës, në tri vëllime. Bashkë me Redaksinë “Dëshmorët e UÇK-së” ka botuar 17 vëllime të monografisë: “Feniksët e lirisë” dhe ka zhvilluar  një aktivitet të pandërprerë kulturor në përvjetorët e dëshmorëve të lirisë, në përurimin  librave, organizimin e ekspozitave dhe panairit të veçantë: “Dekada e librit të Lirisë”, si  dhe aktivitete të tjera, jo vetëm në Prishtinë por edhe në vende të tjera të Kosovës.

Krejt këtë punë të cilën në radhë të parë e  konsiderojmë në shërbim të kombit e Atdheut e kemi bërë dhe e bëjmë me përkushtim, me nivelin arsimor, intelektual  e shkencor që nuk ka munguar dhe të cilin e disponojmë dhe e afishojmë  me përgjegjësinë më të lartë të mundshme.

Ju falënderoj përzemërsisht me shpresë dhe besim për ditë më të mira për shqiptarët,  kudo ku jetojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …