Ahmet Qeriqi: Gjenocidi në Srebrenicë rrah si çekan ndërgjegjen sa e sa herë të tradhtuar të Evropës

Ahmet Qeriqi: Gjenocidi në Srebrenicë rrah si çekan ndërgjegjen sa e sa herë të tradhtuar të Evropës

Evropa, tani kur Rusia po vazhdon  luftën në Ukrainë, filloi ta kujtojë edhe  Srebrenicën, sepse kanë kaluar 27 vjet dhe ajo tashmë është e zënë me ditët e rënda që pa kalon për ta ruajtur unitetin, është tejet e zënë me intervenimin e Rusisë në Ukrainë,  por nuk lë anash për të  promovuar të drejtat e homoseksualëve, të lesbikeve, të drejtat e kafshëve e sidomos trajtimin meritor të qenve, me të drejtat për organizime të orgjive dhe të gjitha nopranive njerëzore.

Nuk është diçka specifike për Evropën edhe po të kujtohen 200 vite të  kryqëzatave, pastaj  inkuizicioni, ndjekja dhe djegia në turrë të druve e grave të shpallura  si shtriga, ndjekja dhe shfarosja e  besimtarëve jo krishterë, djegia në turrë të druve e mendimtarëve dhe kundërshtarëve të dogmave fetare, ndjekja dhe shfarosja kolektive e hebrenjve, barbarizmat e Frankos në Spanjë, barbarizmat ultra fashiste të Gjermanisë së Hitlerit, barbarizmat fashiste të Musolonit  në Itali, në Francë, barbarizmat e gjenocidi që ka kryer ish Jugosllavia e Titos dhe e Milosheviqit kundër kroatëve, myslimanëve të Bosnjës e kundër shqiptarëve e krime të tjera.

Dhe sa peshë kanë në ndërgjegjen e Evropës, 8. 400 muslimanë të masakruar nga barbaroidët serbë, apo 100.000 myslimanë të tjerë të vrarë e të maskruar në Bosnje e Hercegovinë gjatë viteve 1992-1995, 30 mijë  kroatë, në vitet 1990-1991,  13 mijë shqiptarë në vitet 1998-1999.

Kush e kujton Srebrenicën sot?

Sot Srebrenicën e përkujtojnë të gjithë ata që kanë pësuar nga barbaria serbe, myslimanët e Bosnjës, kroatët, shqiptarët. E kujtojnë edhe ata evropianë që kanë zemër njeriu, që ndiejnë dhembjen e padrejtësinë, por që kurrë nuk kanë mundur të bëhen shumicë për të parandaluar gjakderdhjet e mujsharëve, të zotërve  të krimit e inkuizicionit.

Çka të kujtosh më parë për krimet në Srebrenicë. Ato u kryen me leje të forcave të UNPROFOR-it  dhe të Batalionit holandez, sepse ata ishin indiferentë dhe  i konsideronin njëjtë, si gratë, fëmijët e burrat pleq, ashtu edhe kriminelët serbë që një ditë para “Natës së Masakrës” fëmijëve u shpërndanin sheqerka. PO ashtu çokollata e sheqerka iu kishte dhënë pak kohë para masakrës edhe vetë kryekrimineli, Ratko Mladiq.

Dy vjet më parë Masakrën në Srebrenicë e kishte përkujtuar edhe  Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres,  i cili kishte thënë  ky ka qenë krimi më i keq masiv në tokën evropiane, pas Luftës së Dytë Botërore.  Nderojmë mijëra të vrarët dhe zotohemi se nuk do t’i harrojmë kurrë. Bashkëndjejmë vuajtjen e familjeve të tyre, përfshirë të atyre që kanë ende familjarë të pagjetur”, tha Guterres. Ai shtoi se, një çerek shekulli më parë, Kombet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare i tradhtuan qytetarët e Srebrenicës. Siç ka thënë ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, ky lëshim “do ta ndjekë gjithmonë historinë tonë”, tha Guterres. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë – zonë që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid. Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar vetëm ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.

Asokohe Gazetarja, Kristinë Amanpur, dëshmitare e krimeve serbe kundër myslimanëve të Bosnjës shkruante:  “Objektiviteti nuk nënkupton se duhej trajtuar njësoj si viktima ashtu edhe agresori. Objektivitet nuk do të thotë veshja e një ekuivalence të rreme morale. Mirëpo kjo ishte gjëja që qeveritë tona po përpiqeshin ta bënin. Këta zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, të cilët nuk donin të intervenonin për të ndaluar këtë gjë, po thoshin se të gjitha palët ishin njësoj fajtore, edhe pse nuk ishin. Dhe masakra në Srebrenicë më në fund e dëshmoi një gjë të tillë, më në fund dëshmoi së qeveritë tona nuk mund të hidhnin më shikimin diku tjetër.

Edhe pas asaj ploje njerëzore, ploje tipike fashiste, OKB-ja nuk arrin ta votojë një Rezolutë dhe ta bind botën se në Srebrenicë serbët kanë kryer gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë.  Serbët, “templlarët fashistë” të Evropës kanë kryer krime edhe kundër kroatëve katolikë, kanë kryer gjenocid në Vukovar ku kanë vrarë e masakruar qindra të sëmurë nëpër spitale, por as për këtë nuk janë ndëshkuar, nëse nuk quhet ndëshkim dëbimi për jetë e mot i tyre nga Kroacia të cilën e kishin pushtuar qysh në vitin 1918.

Për hir të Serbisë, dhe për t ia larë krimet asaj, sidomos krimet kundër myslimanëve të Bosnjës dhe shqiptarëve të Kosovës është themeluar edhe një Gjykatë Speciale, raciste e fashiste  për të ndëshkuar çlirimtarët e vendit tonë, dhe për t’ i trajtuar ata si kriminelë, me qëllim për të barazvlerësuar kriminelët serbë  me viktimat shqiptarë. Sepse sipas tyre edhe ne paskemi pasur pjesën tonë të fajit, meqë iu kemi përgjigjur me armë krimeve serbe, masakruesve të fëmijëve, nënave e grave tona, në kohën kur sipas tyre ka qenë  dashur të rrimë urtë e butë, sikur po i rrimë sot Brukselit, i cili qe 20 vjet na josh me liberalizim të vizave dhe nuk na i lejon dot, na josh me integrim në Evropë, por me kusht që t’i harrojmë krimet e Serbisë dhe të pajtohemi me ta dhe do të na kishin pajtuar sa e sa herë deri tani, por janë serbët ata që nuk duan të kërkojnë falje, as të pajtohen me shqiptarët, as me myslimanët e Bosnjës, as me kroatët.

Sot në 27-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, më në fund, përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe komisionerit,  Oliver Varhely kanë deklaruar se në Evropë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Në këtë deklaratë, e cila nderon viktimat e këtij gjenocidi, thuhet se “ne qëndrojmë së bashku, në pikëllim, me të afërmit dhe miqtë e tyre që i mbijetuan gjenocidit”. Sipas Borrellit dhe Varhelit ende edhe sot paqja nuk mund të merret si e mirëqenë. “Agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka rikthyer një luftë brutale në kontinentin tone”. “Është më shumë se kurrë detyra jonë të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës, si pjesë e historisë sonë të përbashkët evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Në deklaratë thuhet se vrasjet masive dhe krimet e luftës në Ukrainë sjellin kujtime të gjalla të atyre që u dëshmuan në luftën në Ballkanin Perëndimor në vitet 1990.

Edhe pse BE-ja po pretendon të barazojë krimet e Rusisë në Ukrainë me ato të serbëve në Kroaci, Bosnje  e në Kosovë, për nga përmasa dhe mizoria e ushtruar kundër civilëve nuk ka si të barazohen, madje as përafërsisht.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …