Ahmet Qeriqi: Imagjinata kreative, krijuese e Gjergj Fishtës arrin nivelin e kapaciteteve mendore të shkrimtarëve më të mëdhenj të botës III

Ahmet Qeriqi: Imagjinata kreative, krijuese e Gjergj Fishtës arrin nivelin e kapaciteteve mendore të shkrimtarëve më të mëdhenj të botës III

Lahuta… e Fishtës ka një subjekt analog  letrar me Iliadën e Homerit.

Subjekti i Iliadës është lufta e grekëve kundër Trojës, pavarësisht se ajo përkufizohet në një kohë e hapësirë të caktuar.

Në luftë kundër Trojës ishin fiset greke, të luftonin për ta pushtuar Trojën,  në krye  me Manellain, Agamemnonin, Akilin e të tjerë.

Në Mbrojtje të Trojës ishin Trojanët në krye me Priamin, Hektorin, Paridin e të tjerë.

Subjekti i “Lahutës së Malësisë”  është lufta malazeze, sllave e ruse kundër shqiptarëve, në një periudhë të gjatë kohore, sepse nuk ishin pushtuar trojet për 52 ditë sikur në Trojë  por kishin zgjatur për më shumë 70 vjet, për t’ ua  pushtuar tokat shqiptarëve dhe për për ta marrë Shkodrën dhe vise të tjera. (Kjo luftë ende nuk ka përfunduar por tani është e shtrirë në rrafshin diplomatik)

Në luftë kundër shqiptarëve ishin Mark Millani, Kjaz Nikolla  me vojvodët sllavë

Në luftë për mbrojtjen e tokave shqiptare janë:  Oso Kuka, Avdi Isa, Marash Uci, Ali Pashë Gucia e shumë të tjerë.

( Në përpjekjen gjashtëmujore për ta  marrë Shkodrën, “Trojën shqiptare”,  të cilën e mbronte Hasan Riza Pasha me ushtritë e tij, ranë më shumë se 12 mijë serbë e malazezë  dhe nuk e pushtuan dot, por Shkodra ra me “Kalin e Trojës”  që quhej Esad Pashë Toptani. Një analogji jo vetëm letrare, homeriane e fishtjane, edhe pse subjeki i Lahutës mbyllet në vitin 1913, derisa po luftohej për marrjen e Shkodrës nga serbët e malazezët.

Shthurja e veprimit në Iliadë ndodh me futjen në Trojë të Kalit të madh të grekëve, pushtimin dhe rrënimin e Trojës, ndërsa shthurja e veprimit në Lahutën e Malësisë, ndodh me Konferencën e Londrës, së vitit 1913 e cila pranoi një komb  shqiptar,  me një të tretën e territoreve etnike dhe kishte lënë brenda Kalin e Trojës, i cili gjallon edhe sot e kësaj dite me diplomacinë e BE-së. Tani është veriu i Kosovës, e Kosova Lindore si dikur edhe sot Plava, Gucia, Anamali Ulqini.

 

Imagjinata e Fishtës në sajimin e figurave mitologjike

Është krejtësisht evidente se Gjergj Fishta në Lahutën e Malësisë kishte para sysh Iliadën e Homerit, si për nga ndërtimi, kompozicioni, personazhet e dy botëve kundërshtare, njëra me qëllime pushtuese e shfaruese, tjetra me qëllime mbrojtjeje e mbijetese.

Po kështu  sikur në Iliadë që janë të pranishme Perënditë greke me tërë korpusin, duke mbrojtur herë njërën herë palën tjetër, sepse edhe Perënditë në Greqinë e Homerit ishin të ndarë dhe luftonin me njëri tjetrin, ashtu edhe në Lahutën e Malësisë Gjergj Fishta thërret në Ndihmë botën e padukshme, botën e mbrojtjes historike të shqiptarëve, botën e zanave e të Orës shqiptare. Ai në këtë segment të imagjinatës krijuese mbështetet në mitologjinë shumë të pasur popullore shqiptare, duke e ngritur me sukses, në një nivel artistik dhe duke i dhënë dimension të veçantë kujtesës popullore, që është po aq e vjetër sa ajo greke e romake, me të cilat edhe ndërlidhet në shumë segmente, por me sa di unë nuk ka studime të tilla lidhur me këtë analogji.

Fishta është mbështetur në disa personazhe të përgjithshme të Mitologjisë Shqiptare, por pjesën më të madhe të kësaj bote e ka ndërtuar me imagjinatën e tij, shumë të pasur, shumë kreative, imagjinatë prodhuese, e cila buron nga pajisja e tij me dije e dituri nga të gjitha kulturat me të cilat ishte njohur dhe kishte mësuar për to, Ai nuk mbeti rob i asaj mitologjie, nuk e kopjoi dhe as e improvizoi atë, por mbi baza të një imagjinate kolektive njerëzore ai me fuqinë  e invencionit, ndërtoi një botë autentike artistike, duke bërë edhe përshtatje me ato që kishte dëgjuar dhe ato që kishte mësuar.

 

Nuk do të zgjatemi më shumë në këtë analogji, meqë nuk është kuadër i temës qëndrore të vështrimit mbi imagjinatën krijuese të Gjergj Fishtës.

Në vazhdim po prezantojmë pjesë nga studimi i  Ledia Duzhës, e cila ka studiuar në imtësi këtë segment krijues të Gjergj Fishtës. Duke qenë se ky studim imi  për Fishtën , sidomos për imagjinatën krijuese të Fishtës mbështet  edhe në studiues të shumtë për veprën e tij  në fillim po paraqes të arriturat e kësaj studiueseje, të cilat janë publikuar në (https://lahutaemalcis.wordpress.com/analize-personazhesh, Ledia Duzha)

Figurat mitologjike në kohën kur ka jetuar dhe shkruar  Gjergj Fishta kanë qenë të pranishme edhe te autorët e ndryshëm sidomos të popujve të Ballkanit, të cilët po zgjoheshin nga gjumi shumëshekullor. Është Zana e Maleve e kujtesës mitologjike shqiptare ajo që i prin imagjinatës së Fishtës për të gjetur jo vetëm frymëzimin por edhe përkrahjen e saj në qëllimin e tij për ta ndërtuar veprën. Projeksioni letrar i Fishtës në pasqyrimin e Zanës Shqiptare

Zana -Figure e besimeve popullore shqiptare, qe perfytyrohet si vajze shume e bukur dhe luftarake, e cila jetonte ne male e pyje, u ndihmonte trimave, por kishte fuqi edhe te ndeshkonte duke shituar(shkelur). * E njohur per ne eshte Zana e Vizitorit, qe eshte gjithashtu kenge e Lahutes se Malcis. Kjo thirret nga Fishta(populli) edhe Zana e Madhe, E Bukra e Dheut, Motra, E Mira, etj. Eshte e njohur per vajin qe i ben Tringes se vdekur. Ai zgjodhi tetërrokëshin dhe, për të kënduar së bashku me të në Lahutë të Malcis, thirri një Zanë, që ne e kemi quajtur konvencionalisht Zana e Frymëzimit. Do të kishte mjaftuar ajo figurë mitologjike, e pranishme në të gjithë episodet e veprës, për të dëshmuar ngjizjen mitologjike të Lahutës së Malcis. Por jo vetëm kaq. Figura e Zanës së Frymëzimit na sugjeron të dallojmë origjinalitetin epik të Fishtës, lirizmin në Lahutë të Malcis, ironinë dhe, veçanërisht, lehtësinë e rrëshqitjes së poetit nga realja tek jorealja e anasjelltas, gjëra që përbëjnë përgjithësisht magjinë e verbit fishtjan. Por Fishta nuk u mjaftua vetëm me krijimin e Zanës së Frymëzimit

Ora -Figure e besimeve popullore shqiptare, qe perfytyrohet si grua, vajze a femije ose si gjarper dhe qe u ndihmon e u sjell fat njerezve te mire, ndersa te keqinjte i ndeshkon. * Ora ishte me pak fuqiplote se Zana, por me zemermire.

 Ja disa emra Oresh:Jerja, Gilja, Talja, Culina, Bekja, Donja, Narja, Dalina, Fatalja, Razja, Nazja, Loshja, Minja, Ballehana, Shtatzarania, Shtrumorja, Vathorja, Lorja, se dhe Dardhamoskadelja, shoqja e ngushte e Tringes, personazhit te madh te Lahutes se Malcis’. Si edhe: Ora e Madhe e bjeshkes se Trojanit(mal), Ora e Dormitorit, shoqe te Ores se Trojanit si: Bjeshka, Dajkja, Vacja, Bora, Thrakja, Dikja e Lalia.

Shtriga -Figure e besimeve popullore, qe perfytyrohet si nje plake e keqe, shume e shemtuar, e cila ha njerez te gjalle dhe merret me magji per te bere te keqija. *Jane te njohure dy shtrigat shqiptare, Suta dhe Pasuta, qe, hipur mbi dy breshka uji, fluturuan dhe i erdhen ne ndihme rastesisht Zanes se Vizitorit teksa luftonte kunder Ores(malazeze) se Dormitorit, personazhe te Lahutes.

Kuçedra -Figure e perrallave popullore shqiptare qe perfytyrohej si gjarper shume i madh e me dy deri ne trembedhjete koke, i cili hante njerez dhe bente deme e te keqija. Eshte e njohur te Lahuta e Malcis’, ne kengen me te njejtin titull,

Lugati -Figure e perrallave popullore shqiptare, qe perfytyrohej si njeri, i cili ne ngjallje te tij eshte shume i keq dhe pas vdekjes ngrihet naten nga varri dhe tremb njerezit

Dragoi -Figure e perrallave popullore shqiptare qe perfytyrohet si njeri shume i fuqishem, i cili, luftonte trimerisht me kuçedren.Per dragojte flet Fishta ne Vepren e paperseritshme “Lahuta e Malcis’”, te Kenga “Kulshedra”.

Kjo botë e pasur krijuese e Gjergj Fishtës, padyshim se si në kohën e tij ashtu edhe deri në ditët tona ka qenë dhe ka mbetur e veçantë, tejet e thellë, shumë origjinale, e begatshme, kreative, kuptimplote deri në nivelin për të cilin mund të konsiderojmë se një kredo e tillë krijuese është kulmi, përtej së cilit nuk ka më.

Fishta sidomos me imagjinatën e tij krijuese ka prekur kulmet, përtej të cilëve ka vetëm eter. Ky mendim imi mbase edhe i ekzagjeruar ka të bëjë në radhë të parë me cytjen e studiuesve të rinj, të cilët duhet ta studiojnë Fishtën, Naimin, Çajupin, Asdrenin, Nolin, Migjenin, Qosjen, Xoxen, Kadarenë, Spassen, Demaçin e shumë të tjerë, duke u nisur nga vepra e tyre, nga brendia e tyre, nga bota e tyre krijuese dhe jo duke rënë pre e ideologjive apo e skribve që lavdërojnë, pastaj shajnë, që pështyjnë pastaj lëpijnë, që nuk kanë kriter ruajtjen dhe restaurimin e vlerave, por picëkimin dashakeq, pretendimin për të gjetur ndonjë damkë, ndonjë të zezë, ndonjë, non sens, për të treguar se ata dinë më shumë, se janë në gjendje të zbulojnë anën tjetër të errët të çdo krijuesi.

Në këtë mënyrë ata pretendojnë t’ i  deformojnë vlerat e vërteta kombëtare, sepse paguhen nga “perënditë e globalizmit”, ose janë pjella e tyre, që kanë për qëllim larjen e trurit, anashkalimin e traditës, krijimin e njeriut modern, lakuriq dhe gjysmëlakuriq, njeri të zhveshur nga vlerat, qofshin ato edhe universale, me qëllim që të përmbysin aq sa mund të përmbyset, aq sa u kërkojnë bosët e tyre, të terratisur nga shumë të liga të cilat ia kanë zënë frymën mirësisë, njerëzisë, solidarësisë, humanizmit, së mirës, së njerëzishmes, së bukurës, vlerave të vërteta njerëzore, digave mbi të cilat zhvillohen qytetërimet e njëmendta, në akord me të arriturat e botës së qytetëruar me moral, njerëzi e humanizëm.

Veprat  e Gjergj Fishtës dhe tërë krijimtaria e tij janë aset i çmueshëm kombëtar, nga i cili mund të mësojmë shumë dhe duhet të mësojmë, sepse vetëm nëse ruajmë dhe restaurojmë  vlerat tona autentike, mund të tregojmë para borës së cilët kemi qenë, cilët jemi dhe cilët pretendojmë të jemi në këtë botë  të diversiteteve të mbarsur me dhunë, të liga e noprani, me shumë rreziqe e paparashikueshmëri.

 

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Dibrani: MONOGRAFI ARTISTIKE NË 20-VJETORIN E ANSAMBLIT "DRITA"

Shefqet Dibrani: MONOGRAFI ARTISTIKE NË 20-VJETORIN E ANSAMBLIT “DRITA”

(Haradin Gashi, “Dy dekada, Ansambli i këngëve dhe valleve “DRITA”, monografi, botues vetë Ansambli DRITA, …