Ahmet Qeriqi: Koalicionet e pandershme dhe të pamoralshme

Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, ishin të lira, të rregullta në dukje, por edhe të manipuluara dhe të shoqëruara me shumë defekte, që rrodhën si pasojë e modelit zgjedhor, që kishte zgjedhur Berisha dhe që kishte aprovuar edhe lideri socialist, Edi Rama. Pavarësisht modelit zgjedhor, kryeministri Berisha me bashkëpunëtorët e tij kishte ndërmarrë të gjitha masat dhe ishte përgatitur në të gjitha mënyrat, që të fitonte zgjedhjet me rezultat shumë më të thellë, por këtë nuk e arriti dot. Gjatë mandatit katërvjeçar, Berisha të gjitha projektet për zhvillimin e vendit i kishte orientuar mbi një propagandë të fortë partiake, duke investuar shumë në përmirësimin e imazhit të keq, që kishte krijuar në Shqipëri me firmat piramidale, të cilat çuan në shkatërrimin e vendit dhe rënien e tij në vitin 1997. Mirëpo, Berisha i cili gjithnjë pati një miqësi me qarqe të caktuara serbe e sllave, si duket pati edhe mbështetjen e tyre të fuqishme, fillimisht duke heshtur çështjen e Kosovës, duke përkrahur politikën pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe duke injoruar luftën e UÇK-së, sidomos në periudhën e fillimit të mobilizimit të saj.
Berisha është i njohur për thyerjen e embargos në dobi të regjimit kriminal të Milosheviqit, në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, në kohën e luftës kriminale të Serbisë kundër Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Po ashtu është i njohur edhe për thirrjen e tij drejtuar popullit shqiptar të Kosovës në vitin 1996, duke porositur që të merrte pjesë në protestat e ultranacionalistit Vuk Drashkoviq kundër regjimit të Beogradit, duke lënë të kuptohej se ai përkrahte zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës në kuadër të institucioneve dhe Kushtetutës së Serbisë, meqë paraprakisht kishte deklaruar në Shkodër se Kosova kurrë nuk kishte qenë në kuadër të Shqipërisë.(!) Dhe nuk janë vetëm këto mëkate, që ka bërë ky mëkatar i madh, ky njeri me aftësi të jashtëzakonshme për të ndërruar qëndrimet aty për aty dhe për t’ ia përshtatur veprimet momentit, cili do qoftë ai çast, i cili i jep mundësi për të qëndruar në pushtet.
Të metat, lëshimet, abuzimet me pushtetin, abuzimet me paranë publike, korrupsioni qeveritar, që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit, nënshtrimi i plotë dhe i neveritshëm ndaj politikës së Greqisë zyrtare dhe shumë e shumë mëkate që bëri kryeministri Berisha, vetëm i përforcuan pozitat dhe nuk e ligështuan aq sa pritej.
Kjo është shumë e çuditshme dhe pikërisht ky segment na shtyn të mendojmë me keqardhje se ndoshta, pikërisht sepse është njeri i tillë, ai edhe korri një fitore nga ata që mbështesin politika të tilla, të komprometuara dhe abuzuese. Mirëpo, me këtë rast duhet pasur para sysh faktin se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk kanë marrë pjesë as gjysma e qytetarëve shqiptarë (me të drejtë vote), të cilët kanë dinjitet, moral, njerëzi dhe e kanë humbur besimin në premtimet e garuesve të zgjedhjeve. Ky fakt na bën të besojmë se shumica e popullit nuk i ka humbur vlerat morale kombëtare, as njerëzore. Ata janë treguar dhe do të tregohen indiferentë ndaj zgjedhjeve të tilla, sepse nuk i besojnë Berishës, por as Ramës, edhe pse ky i fundit ka treguar me vepër, në qytetin e Tiranës se din të qeverisë, por nuk iu dha shansi, meqë nuk arriti ta bind elektoratin me premtimet e tij.
Duke qenë se investimet kapitale të Berishës dhe klanit të tij për të fituar zgjedhjet nuk sollën rezultatet, që ai kishte dëshiruar, ai po detyrohet të bëjë koalicion me LSI-në e Ilir Metës, edhe pse “urren” më shumë se gjithçka tjetër të majtët, të paktën në fjalimet e tij bombastike, antikomuniste dhe antisocialiste, sepse realisht edhe Sali Berisha ka prejardhje politike nga Partia e Punës së Shqipërisë, madje nga segmenti i fortë pushtetar.
Ky koalicion i të djathtëve me të majtët, Berisha-Meta, i pari i këtij lloji në Shqipëri, vjen pas koalicioneve të së njëjtës formulë: Rugova-Haradinaj, Thaçi-Sejdiu, në Kosovë, ashtu sikur edhe koalicionet e BDI-së e PDSH-ë me partitë ultranacionaliste sllavomaqedone VMRO-DPMNE, LSDM e të tjera. Kjo skemë e shpërfytyruar tregon nivelin e ulët moral e politik si dhe mungesën e dinjitetit kombëtar të liderëve shqiptarë, në Tiranë, Shkup dhe në Prishtinë. Koalicionet e tilla të pandershme dhe të pamoralshme nxjerrin në sipërfaqe, në radhë të parë etjen e pashuar të këtyre kastave politike për pushtet, për të qeverisur, për t’ u pasuruar dhe për të zhvatur të gjitha favoret, që i ofron ky lloj i demokracisë pa fre e pa ligj, kjo lloj qeverisjeje, e cila nuk udhëhiqet nga asnjë bazë e moralit kombëtar e as njerëzor, nga asnjë parim i ndërgjegjes dhe i kulturës së vërtetë demokratike. Gara, për të fituar zgjedhjet në Tiranë, Shkup e në Prishtinë, nuk është garë për të fituar Shqipëria, shqiptarët në Iliridë, apo Kosova. Ajo është garë për të fituar favore të pakufishme kastat politike që kanë pranuar dhe e pranojnë si realitet copëtimin në pesë pjesë të tokave të Shqipërisë. Këta qeveritarë nuk e kanë hallin te bashkimi i kombit, as te përmirësimi i pozitës sociale, as te rritja e mirëqenies së tij. Andaj edhe shumica e popullit qëndron indiferent dhe nuk merr pjesë në zgjedhje, duke i refuzuar ato, i bindur se këta politikanë angazhohen, punojnë, garojnë për të fituar feudet e tyre politike, të afërmit e tyre, familjarët e tyre. Këta politikanë pështyjnë dhe lëpijnë në të njëjtën kohë, shajnë e fyejnë njëri tjetrin, por sakaq pajtohen dhe bëhen shokë e miq, kur e do interesi i tyre personal e klanor.

Kontrolloni gjithashtu

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …