Bedri Halimi

Ahmet Qeriqi: Kryeinspektori i MMPH-së, Bedri Halimi, sërish shpallet i pafajshëm, por a mjafton kjo?

-Çka do të thonë sot zgaçët e regjimit, me rastin e shpalljes i pafajshëm, të inspektorit, Bedri Halimi? apo do të mjaftohen  vetëm për t i larë  duart  si Pontije Pilati?

-Çka do të thonë jugo-gazetarët, që cilët të yshtur nga regjimi  raportonin për arrestimin e bandave të “kriminelëve”?.

-Çka do të thotë zonja e parë e drejtësisë, e cila krekoset se i përket një familjeje, që ishte trajtuar me duar të lidhura nga ish regjimet?

-Çka do të thonë  Xhelali i Sveçlës që rrihte gjoks se nuk do t iu lë kund vend “kriminelëve”?.

-A thua a do të flasë një fjalë të vetme “Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës”, ( e inkuadruar vullnetarisht në Vetëvendosje) e cila me rastin e arrestimit të Bedri Halimit  nuk kishte reaguar, sepse nuk merret me reagime, nuk merret  as me fatin e të burgosurve, kur u shkelen të drejta edhe pse pretendon të jetë shoqatë e tyre.

Sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë,  ka përfunduar edhe rigjykimi i dytë për korrupsion ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Bedri Halimi, si dhe tre inspektorëve tjerë të kësaj komune, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka. Dje në fillim të seancës, me propozimin e palëve aktakuza është konstatuar e lexuar, si dhe të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtor. Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor shpallet i përfunduar, kurse shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 8 nëntor 2022. E gjithë kjo zhagitje ka ndodhë pas ankesës të ushtruar nga prokuroria, Gjykata e Apelit herën e parë më 25 janar 2022 e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale procedurale. Mirëpo, me arsyetimin se gjykata ka përfunduar shqyrtimin e rigjykimit brenda një kohe shumë të shkurtër dhe rrjedhimisht ka humbur kuptimin e mbajtjes së seancës, Apeli për herë të dytë e ka kthyer çështjen sërish në rishqyrtim. Në vendimin e Gjykatës të Apelit, thuhet se procedura e shqyrtimit gjyqësor në rishqyrtim është e shkurtë deri në atë masë, sa që e ka cenuar esencën e seancës të shqyrtimit gjyqësor duke humbur kuptimin e mbajtjes se saj. Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala në shqyrtimi gjyqësor ka shpall aktgjykim lirues ndaj Bedri Halimit, duke e shpallur të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Por a mjafton vetëm kjo, kur kujtohet kalvari i padrejtësive që iu ka shkaktuar, veprimtarit, të burgosurit politik të kohës së robërisë, luftëtarit të lirisë, veteranit të UÇK-së, shkrimtarit, publicistit,  Bedri Halimi  nga pushtetarët, dhe jo vetëm nga këta të sotmit?.

A mjafton t i thuhet je i lirë nga të gjitha pakat e aktakuzës së hartuar pa fakte paraprake, pa i kërkuar  falje, pa e dëmshpërblyer?.

Unë nuk e kuptoj dot si mund të dëmshpërblehet dhe me çka do të mund të dëmshpërblehet Bedri Halimi  kur trajtimi kundër tij me rastin e arrestimit, ishte mizor,  ishte i njëjtë me arrestimet e shqiptarëve në kohën e regjimit të Millosheviqit, në prani të kamerave dhe gazetarëve, e zyrtarëve aktualë,  disa nga ta duke u  zgërdhirë  si zgaça, si majmunë, sepse po arrestohej një veprimtar, i ish pushtetit “të korruptuar”, i pushtetit që për 20 vjet paskësh sjellë vetëm dështime.

Sjellja e organeve policore gjatë arrestimit, nuk mund të dëmshpërblehet, sepse është ditur paraprakisht se kënd po e arrestonin, fillimisht si të dyshuar, ashtu sikur shkruan në të gjitha procedurat te shteteve demokratike, pasi i arrestuari është i pandehur dhe jo fajtor deri sa të shpallet nga një instancë gjyqësore i fajshëm apo i pafajshëm. Ai u arrestua njënjë sikur i arrestuan policët e  EULEX-it, krerët e UÇK-së, dy vjet  më parë.

Ekspozimi i duarve të lidhura në pranga, po i atyre duarve që me qindra herë ia kishte lidhur  regjimi i Titos dhe i Millosheviqit, ulja e dhunshme e kokës, duke e shtyrë për ta përplasur  në veturën e policisë, janë skena që Bedriut dhe të gjithë ish të burgosurve dhe luftëtarëve të lirisë, i përkujtojnë tmerrin e kohës së robërisë, në Kosovës e çliruar edhe nga Bedriu me bashkëluftëtarë  dhe tërë armata e çlirimtarëve.

Çka do të thonë sot zgaçët e regjimit, apo do të mjaftohen  vetëm për t i larë  duart  si Pontije Pilati.

Çka do të thonë jugo-gazetarët, që cilët të yshtur nga regjimi  raportonin për arrestimin e kriminelëve.

Çka do të thotë zonja e parë e drejtësisë, e cila krekoset se i përket një familjeje, që ishte trajtuar me duar të lidhura nga ish regjimet

Çka do të thonë  Xhelali i Sveçlës që rrihte gjoks se nuk do t iu lë kund vend “kriminelëve”.

A thua a do të flasë një fjalë të vetme Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, ( e inkuadruar vullnetarisht në Vetëvendosje) e cila me rastin e arrestimit të Bedri Halimit  nuk kishte reaguar, sepse nuk merret me reagime, nuk merret  as me fatin e të burgosurve, kur u shkelen të drejta edhe pse pretendon të jetë shoqatë e tyre.

Bedri Halimit mbase i mjafton që ka kaluar  edhe një sfidë më shumë në jetë, që është shpallur  sërish i pafajshëm, pikërisht nga ata që bënë përpjekje ta shpallin kriminel e të korruptuar, sepse ishte pjesë i ish regjimeve, që, sipas logjikës së pusht-e-tareve aktualë për 20 vjet e paskëshin plaçkitur  e shkatërruar Kosovën…

Ahmet Qeriqi

8.11. 2022

Prishinë

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj: Nëse Kosova ka nevojë për ndryshim në 2024, duhet të shohë drejt PDK-së

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë thirrje për një rishikim …