1981

Ahmet Qeriqi: Marsi e prilli i vitit 1981, protestë, demonstratë, përpjekje për kryengritje, apo kryengritje? I

Sa herë vjen 11 marsi, na kthen në kujtesë atë të kaluar jo të largët dhe përgjithësisht i kujtojmë zhvillimet sociale e politike, që u manifestuan në mars, prill, maj të vitit 1981. I përkujtojmë të rënët, vizitojmë familjarët e tyre, shihemi me ndonjë bashkëvuajtës burgu, evokojmë ndonjë kujtim. Dhe, kështu nga viti në vit edhe pas 38 viteve, në disa segmente ende vendnumërojmë, mjaftohemi me botimin e shkrimeve, vështrimeve, komenteve dhe ndonjë studimi që megjithatë është ende larg nga studimi i mirëfilltë shkencor.

Simpoziumi i organizuar nga Instituti Albanologjik dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në 20-vjetorin e demonstratave, në prill të viti 2001, (dy vjet pasi Kosova ishte çliruar nga regjimi serb), nuk nxori konkluzione të qarta shkencore dhe nuk definoi qartë qasjen e mirëfilltë historike e shkencore lidhur me Lëvizjen e vitit 1981. Debati ishte zhvilluar në kualifikimin e zhvillimeve si protesta e demonstrata paqësore, si pranverë e studentëve, si Lëvizje paqësore, politike, studentore dhe u përjashtua opsioni i kryengritjes, apo i përpjekjes për kryengritje, të cilën e shfletuan vetëm dy apo tre pjesëmarrës.

Në kohën e pacifikimit të Lëvizjes, në vitin 1989-1990 kur Jugosllavia kishte filluar të shpërbëhej u bënë përpjekje që lëvizja e vitit 1968 dhe ajo e vitit 1981 të kualifikohen si lëvizje paqësore të studentëve, si një presion qytetar që ishte ndërmarrë brenda kornizave ekzistuese politike duke lënë anash dy segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve, rrëmbimin e armëve në Besi të Prishtinës nga protestuesit më 2 dhe 3 prill dhe qëndresën e armatosur të Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të po atij viti, në Prekaz të Ulët të Drenicës, pikërisht në ditën kur Njësitë policore speciale të Jugosllavisë po manifestonin dhe po orgjizonin në mënyrë kriminale, ditën e themelimit, duke vrarë shqiptarë brenda shtëpive të tyre.

Anashkalimi, në konferenca, tubime dhe në medie i këtij segmenti të kryengritjes, mbase u bë me qëllim që Lëvizja paqësore të mos “komprometohej” dhe të lihej në heshtje segmenti thelbësor i saj, segmenti veprues, po ashtu jo aq spontan sikur mendohet edhe aktualisht nga disa analistë dhe studiues të asaj periudhe të historisë tonë të rezistencës.

Kulmimi i protestave në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, shënoi fillimin e kryengritjes. (Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964).

Pikërisht për këtë shpërthim, më 2 prill të vitit 1981, në orët e mbrëmjes, kreu shtetëror e politik i Jugosllavisë shpalli shtetrrethimin në Kosovë, me shumë kufizime të lëvizjes së qytetarëve, ndalim rigoroz të qarkullimit të çdo personi gjatë natës, ndalim të grumbullimit të më shumë se tre personave, ndërprerja e mësimit në të gjitha nivelet në tërë territorin e Krahinës së Kosovës, ndjekja arrestimi dhe nxjerrja para gjykatave të të gjithë organizatorëve, apo atyre të cilët dyshoheshin se ishin të tillë, bastisjet e çdo shtëpie të dyshuar, hapjen e rreth 400.000 dosjeve, sa i dispononte regjimi dhe një mori masash represive, ekstreme, të cilat po i realizonte Ushtria dhe Policia federale e përbërë nga pjesëtarë të të gjitha republikave të Jugosllavisë. Për shkak të përmasës, që regjimi i kishte dhënë revoltës shqiptare, pse jo Kryengritjes shqiptare të marsit e prillit të vitit 1981, ato zhvillime historike, nga kreu i Shtetit dhe nga vasalët shqipfolës të RSFJ-së, u kualifikuan si kundër-revolucion, kualifikim zyrtar ky që pasoi me një represion të përgjithshëm mbi të gjithë liridashësit shqiptarë, kudo, jo vetëm në Kosovë por edhe në trojet e tjera shqiptare nën robërinë jugosllave.

Në fillim të viteve ‘90, konkretisht në vitin 1991, kjo ngjarje nuk ishte shënuar zyrtarisht dhe mezi ishte botuar një fejton përshkrues në Gazetën “Bujku”, ku për herë të parë, pas dhjetë vitesh ishin prezantuar edhe biografitë e dëshmorëve të rënë në protesta e demonstrata. Ishte lënë krejtësisht anash edhe segmenti i përpjekjeve për të krijuar çeta kryengritëse, apo sikur quheshin, celulat e para të armatosura.

Po ashtu, në fillim të kohës së pacifizmit ishte anashkaluar krejtësisht nga aktualizimi i organizatës, “Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Trojeve shqiptare e Adem Demaçit me bashkëveprimtarë”, edhe pse aty ishte programi, i cili u shpalos nga demonstruesit në vitin 1968 në vitin 1981 e më vonë deri edhe në platformën politike të UÇK-së dhe betimin e ushtarit të kësaj ushtrie.

Asgjë në këtë mes nuk ka qenë e rastësishme, meqë një segment mjaft i avancuar i Lëvizjes së Rezistencës aktive, në mesin e atyre që ishin liruar nga burgjet të dënuar për veprimtari të kualifikuar nga regjimi si veprimtari “separatiste e irredentiste”, kishte përkrahur Lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës dhe kishte filluar rivlerësimi apo anashkalimi i disa segmenteve organizative të së kaluarës. Duhet sqaruar faktin se veprimtarët, të burgosurit politikë nuk ishin inkuadruar në LDK, për shkaqe karrieriste, apo se i besonin vetëm rrugës së improvizuar pacifiste, apo duke hequr dorë nga e kaluara, (edhe pse mund të ketë pasur ndonjë rast të izoluar), por me qëllim që Lëvizjes pacifiste t’ ia ndërronin kursin e orientimit dhe veprimit politik e strategjik. Prania e dy kaheve të ndryshme politike në perceptimin e Lëvizjes ngadalësoi proceset drejt kryengritjes së armatosur, pikërisht në kohën kur sllovenët, kroatët dhe boshnjakët ishin përfshirë në luftë për çlirim nga Jugosllavia, e cila po shpërbëhej duke përgjakur, duke ushtruar gjenocid dhe etnocid mbi popujt jo serbë.

Të burgosurit politikë të vitit 1981 dhe ata të mëhershmit përbënin avangardën e Lëvizjes së Rezistencës aktive, sepse opsioni i tyre kishte qenë dhe kishte mbetur kryengritja e armatosur, meqë shqiptarëve, të cilët për nga numri ishin popullata e tretë në RSFJ, kushtetuta e atij shteti federal nuk iu njihte të drejtën për Vetëvendosje dhe barazi me kombet e tjera madje as me ata popuj numerikisht më të vegjël, sikur ishin sllavo-bullgarët e Maqedonisë, malazezët, sllovenët etj.

Kronika e disa zhvillimeve në mars prill, maj 1981

Natyrisht se kanë kaluar 34 vjet nga ajo kohë dhe ”koha e bën të veten”. Edhe me këtë rast koha e ka bërë të veten, duke i dhënë të drejtë kërkesave të protestave e demonstratave të asaj kohe të cilat, filluan paqësisht por kulmuan me një përpjekje për kryengritje të armatosur, që u manifestua me një lëvizje të përgjithshme, e cila nuk ndaloi deri në luftën e armatosur të UÇK-së, çlirimin e Kosovës nga regjimi kolonialist e hegjemonist, Jugosllav e serb, në qershor të vitit 1999 dhe që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve” në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej.

Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav), Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Ali Shukriu, Fadil Hoxha, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi brutal, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”. Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit. Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët, milicët, inspektorët e UDB-së, prokurorët, gjyqtarët, nxori para gjyqeve qindra grupe nxënësish, studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës Kosova Republikë angazhoheshin shumë grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.

Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.

Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav, për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12.000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe ndonjë epror. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.

Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë dhe në mërgatë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981 e më vonë. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe disa oportunistë që i mbeten besnikë Lëvizjes pacifiste, duke mos i besuar forcës kombëtare e cila po e zhvillonte rezistencën e armatosur.

Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara lëvizja e rezistencës shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …