Unë Mrika e vogël, e veshur me tirq e xhamadan, këndoja në një skenë gjigante, nga ku kishte drejtuar sytë e gjithë Shqipëria...

Ahmet Qeriqi: Mrikë Trumshi, këngëtarja që njëzohet me këngën e trimërisë

(Një çast duke dëgjuar këngën:”Xhamadani i trimërisë”, kënduar nga Mrika Trumshi, teksti i këngës- Gjokë Beci)

 

Mrikë Trumshi është këngëtarja, ndër të vetmet,  që njëzohet me këngën e trimërisë dhe i jep shpirt, me qëllim që “kënga të shpërthejë në vrull”, të shtrihet në kohë e hapësirë, për t’i  shkundur epokat duke sjellë në kujtesë epikën dhe heroiken bashkë, me një xhamadan të skuqur flakë nga zjarri e baroti, xhamadan që po i vishej truallit arbëror, për të sjellë në kujtesë qëndresën spartane  të shqiptarëve kundër Perandorisë më të madhe të kohës.

 

         Këngëtarja e mirënjohur shqiptare me origjinë nga Mirëdita, Mrikë Trumshi, në njëqind vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin 1978, në Festivalin e Gjirokastrës,  solli në trojet shqiptare, me zërin e saj pushkë e vetëtimë, xhamadanin e Mic Sokolit dhe ia veshi truallit me zërin e saj,  sa të fuqishëm e përkushtues aq edhe melodik e magjeps.

 

          Xhamadani i trimërisë, i shpalosur me zërin e saj burrëror dhe të pastër si gurrat e alpeve shqiptare, me krenarinë e njohur të një kombi të paepur, 100 vjet pas rënies  heroike të Mic Sokolit, (në Koshare të Kosovës, më 20 prill të vitit 1881), ishte burim frymëzimi për gjeneratat e liridashësve  të atëhershëm e të ardhshëm, ishte burim frymëzimi për xhamadanin e stolisur në gjoksin përplot fishekë të Adem Legjendarit të UÇK-së.

          Me vargjet e këngës së  Gjokë Becit, për Mic  Sokolin,  poetit të mirënjohur epik e heroik që kishte veriu i Shqipërisë, zëri i Mrika Trumshit u përhap anë e këndë trojeve shqiptare, u përhap si jehonë topash gjëmimtarë, për të dhënë kushtrimin kuptimplotë orëve jo sa duhet të mësuara të historisë,  sepse nuk duhej harruar porosia e të parëve: “Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra”.

 

          Veçantia e këndimit të Mrika Trumshit qëndron në dashurinë që ajo ndjen për këngën,  njëzimin me të, bashkimin me  motivin të cilit i këndon. Ajo përveç se këndon me thellësinë e shpirtit, me një pasion të rrallë,  edhe dirigjon me duar, me gjeste, me një emetim të shqiponjës në fluturim, pa i bërë zap emocionet, sepse me to i jep shpirtin këndimit deri në ekzaltim. Gjatë këndimit zëri dhe trupi i saj reflektojnë një elektricitet të papërmbajtur shpirtëror.  E tillë paraqitet Mrika Trumshi në këngët e trimërisë. Ajo u arsimua, u rrit dhe u edukua në kohë e vrullit dhe heroizmit revolucionar, në kohën e frymëzimit dhe ringjalljes shqiptare në Ballkan, në trojet e përgjysmuara të Atdheut, përmes “fushave të shtruara kalldrëm me gëzhoja e barot”.

 

         Zëri melodik, burrëror, zëri i krenarisë dhe trimërisë epike shqiptare, ka gjetur te Mrika Trumshi këngëtaren që futet në këngë dhe e dirigjon atë, këngëtaren që bëhet një me legjendat, me zanat e shtojzovallet, me Mrikat e Donikat, me Tringat e Shotat,  me jehonën shekullore të tingujve të kristalizuar si në lojën e perlave të qelqit. Zëri i saj i çiltër por edhe kumbues, shkrirja në këngë, shqiptimi i pastër i tingujve e rrokjeve të vargut, përbëjnë trinitetin krijues të këndimet të kësaj këngëtareje, e cila ka pak këngë në repertorin e saj, por të gjitha këngë antologjike, këngë që kurrë nuk harrohen, sepse ruajnë freskinë e bëmave burrërore të së kaluarës, ruajnë ritmin e ecejakeve shqiptare nëpër shekuj, ruajnë frymëmarrjen e pandalshme të kombit…

        Prezantimi, me kohë, i emrit të Adem Jasharit në këngën e Mic Sokolit, tregon edhe përcaktimin për xhamadanin e trimërisë, xhamadanin ende pjesë-pjesë të kombit, që hapet me krahët e Shqiponjës, në të gjitha trojet e Shqipërisë

 

Gjokë Beci: Xhamadani i trimërisë

(Në vitin 1978, në Festivalin e Gjirokastrës, kjo këngë  u vlerësua me çmimin e parë).

 

Kërcet topi dhe gjëmon trolli

Xhamadanin hapë Mic Sokoli

Për mes fushës kalldrem me gëzhoja

bash si fletët kur hapë shqiponja!..

 

Si dy krahë që i ka vatani

Tash po vjen topi Sulltanit

Zemra jonë ka gjak sa gurra,

mbi armikun bini burra…

 

Kaluan vitet kaloi një shekull,

Koha gërrye  ka gur e hekur

Erdh ndër kohna  e iu vesh trollit

Xhamadani i Mic Sokolit.

 

E pat veshë dhe Selam labi

kur për gryke topin e kapi

Për liri kur jetën fali,

E pat veshë, Adem Jashari.

 

Prapë në botë sot ka sulltana

Që na mbajnë ne ndër nishana

Por se  gjumë  jo s’  ka shqiptaria

Sytë me dritë na i mbushë Liria.

 

Shkëlqen djersa e s´njifet loti
në kët´truall me palcë baroti,
Shkrin çeliku e lulëzoi molla,

Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.

 

 …

 

 

Eva Marku: Gjokë Beci- një jetë kushtuar këngës

 

 

         Dëshira për letërsinë ka nisur që në hapat e parë. Ajo dëshira e vogël që rritet çdo ditë e më shumë tek lexon veprat e autorëve të mëdhenj, siç janë Serembe, Frashëri, Ali Asllani, Çajupi. Këta dhe të tjerë ndriçuan mendjen e malësorit Gjokë Beci dhe zgjuan tek ai një ndjenjë kaq të bukur për poezinë. Si çdo fëmijë, me dëshirën e tij shpërthyese, mundohet të lexojë dhe të studiojë me përpikëri atë çfarë i duket më interesantja, ajo që e “shqetëson” për mirë, për të kuptuar më shumë rreth ëndrrës së tij. Ëndërr që e ndjek atë dhe gjatë adoleshencës me vendosmëri për t’i dhënë drejtimin e duhur. Kështu nisi në një moshë jo të vogël, por as të rritur, udhëtimi i Gjokë Becit drejt realizimit të pasionit të tij për të shkruar. Edhe pse i ati e ka lënë në moshën 4-vjeçare, figura e tij ka qenë një frymëzim për artistin. Gjokë Beci ka lindur në fshatin Zajsë, në zonën Selitë, në Malësinë e Mirditës. Ky është fshati i bukur ku shkroi vargjet e para për të dashurën vendlindje. E që nga ajo ditë e deri më sot ai vazhdon të shkruajë me dashurinë më të madhe, poezi recitale e të këndueshme, siç i quan dhe vetë artisti Beci. Jo vetëm se ishte vëllai i vetëm i motrave Beci, por sepse ai ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë, mënyra se si fliste, si shprehej, si sillej me bashkëmoshatarët e tij dhe të rriturit e diferenconte atë nga të gjithë, sigurisht për mirë. Ka filluar të shkruajë poezi e prozë që nga arsimi 7-vjeçar.

           Ky pasion u fuqizua më tej, kur Gjoka u transferua me studime në gjimnazin “Ndrec Ndue Gjoka” në kryeqytet, nën trajnimin e profesorëve të nderuar si Petro Marko, Gjergj Zheji dhe Gazmend Biba. “Ishte një vitalitet i jashtëzakonshëm pedagogjik dhe kishin një ndikim pozitiv te secili nxënës”, thotë Gjoka. Ai e vazhdoi më tej pasionin e tij për letërsinë, tashmë i futur më në brendësi të saj, duke shkruar dhe vargjet e para në vitin e dytë të gjimnazit. Ishte fillimi i rrugëtimit të tij në fushën e artit, në botën e krijimtarisë. Si çdo shkrimtar që kujton momentet e para të frymëzimit për të shkruar, si çdo poet që kujton kohën kur ka marrë penën për të hedhur mbi të bardhën fletë bojën e zezë me ide të pafajshme rinore e të gjalla, ai thotë përmallshëm: “Në gjimnaz u zgjuan interesat për letërsinë për dy arsye, e para, sepse lexova bashkë me shokët, leximi të lë përshtypjet e veta, të detyron të ngacmosh tematikat e veçanta, kuptohet se tematika në atë kohë ka qenë uniformë.

 

           Ishte vështirë të shkëputeshe nga uniformiteti i krijimtarisë dhe të dilje në atë fushë që krijuesi vërtet lakmon, krijimin e spikatur, gjurmëlënien. Mendoj se një pjesë të krijimeve folklorike kanë shënuar jetën e tyre të pasqyruar në krijimtarinë time”, rrëfen Beci. Gjithçka po shkonte mirë, poezia, studimet, familja, shëndeti, deri në momentin e diplomimit, i cili i shkoi me sukses, sigurisht! Por ishte diçka tjetër që e cungoi ëndrrën e Gjokës. Dëshira e madhe për të vazhduar studimet e larta, u ndërpre pikërisht në momentin kur ai po e priste me aq gëzim. “Ishin arsye politike, që po t’i them janë sigurisht shumë qesharake, por më ndaluan studimet.” E kujton me dhembje atë ditë kur mori vesh se nuk mund të studiojë në universitet, por nuk u dorëzua. Dhe pse që nga viti 1965 e deri në ‘86-n u detyrua të kryente punë tjetër në vend që të ishte në bankat e Universitetit të Tiranës me bashkëmoshatarët e tij, shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por, gjithsesi, kjo periudhë pauze nuk i shërbeu për keq.

 

           Ai u kthye në vendlindjen e tij dhe u mor me muzikë, pa dalë nga fusha e artit, ku dha një kontribut të veçantë për folkun e Mirditës, i cili në atë kohë ishte në periudhën e tij më të keqe. Aty lulëzoi dhe karriera e Gjokë Becit, duke filluar me çmimet e marra në Festivalin e Gjirokastrës, 1978, ku kënga “Xhamadan i trimërisë”, u vlerësua me çmimin e parë. E jo vetëm kaq, Gjoka kishte një të veçantë kur shkruante, ai nuk ndahej nga idetë e tij, dhe nëse i pëlqente ajo që pasqyronte në bllokun e tij, nuk i ndryshonte as presjen më të vogël, por nëse vetëm një frazë i dukej e papërshtatshme e ndryshonte atë njëqind herë deri sa t’i tingëllonte aq bukur saqë të mos ketë nevojë për ta prekur më. Duke vazhduar më tej me “Një zambak i bardhë mbi gur”, “Dy gëzime në një ditë”, të cilat janë me çmime të para, në Festivalin e ’90-s, saktësisht 4 vite pasi Gjoka filloi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1986. Edhe pse në moshën 47-vjeçare, ulet në sallat e universitetit për të ndjekur orët e leksioneve dhe seminareve me bashkëstudentët e tjerë, ku binte në sy figura e tij, jo vetëm për shkak të moshës, por tashmë kishte ardhur me një “fytyrë” tjetër, një njeri i formuar, një personalitet i njëjtë me pedagogët, të cilët gëzonin të njëjtin respekt si ai në bordin e shkrimtarëve.

 

        Gjoka është autor i 10 librave. Vëllimi i parë me poezi që mban vulën e Gjokë Becit është ai i vitit 1970, titulluar “Kur zgjohen Bjeshkët”. Por, pas një pauze të gjatë prej 20 vitesh, ka botuar librin “Zambaku im”, 1990. Për të vazhduar në këto kohë me disa vëllime të tjera poetike, si: “Qiell e dhe”, “Antologjia e shpirtit” (1, 2), “Thuj vetes ec” dhe “Plis në Luvër”.

 

                                    Vargjet e muzikës

 

        Gjokë Beci bëri emër në muzikën shqiptare, dha një kontribut të veçantë në muzikën popullore. Gjoka ka bashkëpunuar me artistë të vlerësuar shqiptarë, brenda dhe jashtë trevave shqiptare, të cilët i kanë besuar penës së tij, duke e shpalosur me zë atë çka ai ka gjallëruar e ka sjellë në jetë. Interes të veçantë për këngët e shkruara nga Gjoka, kanë pasur këngëtarët nga diaspora, ata të rrymës popullore, siç janë: Shkurte Fejza, Ismet Bexheti (Maqedoni), Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprela, Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Gëzim Nika, Arif Vladi, Manjola Nallbani, Artiola Toska e shumë të tjerë. Në periudhën kur Gjoka bënte ekzaktësisht pjesën e dytë, pra shkruante tekste këngësh, procedonte ndryshe. Atëherë nuk ishin kopertinat që janë sot, këngëtarja apo këngëtari vjen e porosit, merr paratë dhe e mbyll me kaq.

 

        Për Gjokën dhe autorët, kompozitorët e asaj kohe kanë qenë ndryshe: realizohej fillimisht kënga, produkti nuk shitej, por falej. Madje Gjoka përmend një rast për këngën “Xhamadani i trimërisë”: “Unë kam marrë 180 lekë të vjetra, 18 lekë të reja sot, dhe është quajtur se kam marrë shpërblim të madh. Tekstin tim e ka paguar shteti me honorar, nuk e kam shitur. Përpos faktit që nuk paguheshim, kujtoj që sigurisht shumë ndryshe nga ditët e sotme, që të shkruaje një tekst kënge, duhet të kishe parasysh ca pika, të cilat nuk duhej t’i shkelje. Ishin disa vija të holla, të cilat duhej t’i shikoje me kujdes që të mos nxije asnjërën prej tyre, ndryshe të zinte gjarpri”. Frymëzimi është një element kyç në krijimtarinë e një tekst-shkruesi. Për mjeshtrin Beci, frymëzimi është pjesë e pandarë e thesarit të tij kulturore-folklorik. Ai shkruan atëherë kur e ka të domosdoshme për të shkruar, “mund të vijnë 20 këngëtarë dhe të mos shkruajnë asnjë tekst, mund të mos vijë asnjë e unë kam shkruar 4 të tilla”, pohon ai. Për më tepër ai citon të madhin Kadare: “Unë jam shkrimtar dhe do të vdes i tillë. Jam thjesht shkrimtar shqiptar e nuk kam asnjë kontratë të shkruar me popullin tim se si të shkruaj, pra jam sovran me veten time”. Në vitin 2009, artisti u nderua me çmimin “Mjeshtër i madh i punës” nga ish-kryetari, Bamir Topi.

 

2015

Kontrolloni gjithashtu

Adem LUSHAJ: Rrugëtim Kombëtar: Promovimi i Historisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës

“Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit” dhe “Manastiri i Deçanit dhe Pronat Shoqërore …