Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” VIII

Në majën e Malit Pallanik rifillon transmetimin Radio-Kosova e Lirë (E enjte 8 prill 1999)

 

Pasi kam ngrënë bukë, rreth orës 9 jam nisur në drejtim të Berishës. Fillimisht kam depërtuar drejt Leshkës, pastaj në Javur dhe prej andej në Kleçkë, Divjakë, Fshati i Ri dhe pas tri orë rrugëtimi të pandalshëm arrij në Berishë.

Atje kam takuar komplet anëtarët e stafit të Radios. Nezir Myrtaj e ka përgatitur emisionin e lajmeve, ndërsa në një shënim fillestar i kemi bërë me dije opinionit se ndërprerja e deritanishme e programit është bërë për shkaqe teknike dhe taktike.

Bunkeri është rregulluar mjaft mirë dhe i përballon çdo sulmi. Janë vendosur dy shtresa të trajve të bungut në brendësi, pastaj thasët me zallë dhe mbi ta disa metra kub gur. Trashësia nga ana e epërme është 80 deri në 100 centimetra. Po ashtu mbi gurët kemi vendosur  shkurre dhe degë shkoze për kamuflim.

Hyrja në bunker bëhet nga ana e Pallanikut të Vogël dhe në këtë mënyrë është evituar rreziku për të mos iu ekspozuar zjarrit të armikut.

Tani e tutje këtu do të ngelë teknike transmetuese, antenat dhe gjeneratori.

Martini në bashkëpunim me eprorët, Muharrem Sylejmani dhe Xhavit Sadriaj ka paraqitur kërkesë të sigurohet një ushtar për roje, i cili do të qëndrojë gjatë natës, meqë bunkeri ushtarak ndodhet vetëm 100 metra më poshtë, në drejtim të Mrizeve të Berishës. Derisa eprorët të caktojnë ushtarin, bunkerin duhet ta ruajmë vet. Për sonte Martini e ka caktuar Fatmir Dugollin.

Pas transmetimit të programit të drejtpërdrejtë nga bunkeri, të gjithë nisemi në drejtim të Shtëpisë së Rizah Asllan Berishës. Atje është epiqendra e lëvizjeve tona dhe nuk shqitemi dot nga ajo kullë.

Në orët e mbrëmjes, bëhet e ditur se aeroplanët bombardues të NATO-s kanë goditur regjimentet serbe në Lubizhdë të Prizrenit, në Hoqë të Madhe të Rahovecit, në Arllat, Likoc dhe në Arbri të Drenicës. Është hera e parë që NATO-ja ka marrë sulm gjatë ditës. Deri tani aeroplanë]t e NATO-s kanë bombarduar vetëm gjatë orëve të natës.

Stafin e Radios e përbëjmë, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Valdet Hoti, Fatmir Dugolli, Rizah Berisha dhe unë. Tanimë fizikisht jemi ndarë nga agjencia por ndonjë nga  lajmet do t`i marrim nga atje dhe bashkëpunimin nuk do ta ndërpresim

Do të kemi rreziqe dhe vështirësi, gjatë rrugëtimit  ditor në majën e malit q cila goditet nga minhahedhësit e armët e tjera të armikut, por kthim prapa nuk ka.

Duhet ta caktojmë një vend strategjik për t`i vendosur edhe tendat.

Tani e tutje do të jetojmë në tenda,  në natyrë,  ashtu sikurse qindra mijëra të zhvendosur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Sot është dita e katërt prej fillimit të ofensivës së përgjithshme të forcave armike. Luftëtarët …