Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” XIII

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” XIII

Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

 

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur ose pritet të ndodh një tragjedi tjetër me përmasa të pa parishikueshme. Ende nuk dihet për fatin popullatës së grumbulluar në Shtrubullovë, Domanek, Baicë, Krajkovë. Nuk ka konfirmime të sigurta se ç` është bërë me ta. Ushtarët përmes radiolidhjeve tregojnë se serbët kanë depërtuar në popullatë. Nuk ka të dhëna të besueshme që flasin se çfarë  ka ndodhur me ta.

Derisa nuk kemi informata të plota nuk e shohim të arsyeshme të paragjykojmë këtë tragjedi me qëllim të mos ndikojnë keq te popullata e zhvendosur. Prioritet në informacione po iu japim luftimeve në terren, qëndresës dhe heroizmit që po tregojnë luftëtarët e lirisë dhe kurrsesi pasojave. Po ashtu jemi marrë vesh që edhe disa raste të rënda t`i heshtim me qëllim që të mos krijohet panik. Jemi të vetëdijshëm se po veprojmë në rrethana të jashtëzakonshme dhe nuk duhet ta luhatim për asnjë çast konceptin militant të informimit.

Lajmet që vijnë nga Dukagjini bëjnë të ditur se në Koshare është krijuar një vijë e gjerë e frontit dhe forcat tona po bëjnë përpjekje që sa më parë ta thyejnë kufirin në një gjerësi prej dhjetëra kilometrash. Flitet se në Koshare janë angazhuar formacione të shumta të çlirimtarëve, në mesin e tyre edhe luftëtarë internacionalistë nga Evropa.

Edhe sot ka pasur luftime në të gjitha pikat luftarake rreth Rrafshnaltës.

Emisionin ditor e kemi përgatitur, me mungesë të theksuar të informatave. Jemi detyruar të marrim informacione nga agjencitë e huaja të lajmeve si  nga TVSH-ja dhe Radio Tirana. Disa nga informatat janë të vjetruara por kështu do të veprojmë në mungesë të telefonit satelitor. Berati dhe Isa nuk janë të përgjegjshëm. Dëmi që ata me kokëfortësinë e tyre uloke po i shkaktojnë luftës është i dënueshëm dhe krejt i paarsyeshëm.  Nuk e marr me mend po të kishin pushtet këta tipa çka do të kishin bërë…

Në mbrëmje sërish kemi shkuar në seli për të ngrënë bukë dhe për të pushuar.

Tenda në Kodrën e Baliqit është në përfundim e sipër.

Gjatë tërë natës ka pasur dyndje të mijëra njerëzve nga Drenica qendrore në drejtim të maleve të Berishës. Flitet se serbët kanë vendosur mina zingjirore të këmbësorisë dhe disa ushtarë kanë rënë në to. Një ushtar i Negrocit i cili ka depërtuar me njësitin e tij në sigurim të popullatës, na tregon se forcat serbe e kanë rrethuar  Malin e Kozmaqit nga të gjitha anët. Popullata e cila ka qenë nëpër thellësi të maleve ka filluar të dyndet drejt maleve të Berishës, meqë ka mbetur pa ushqime ka disa ditë. Kalimi bëhet me rreziqe, nën breshëri të granatave, në fusha të minuara dhe vetëm në orët e mbrëmjes. Ndodh që të humbet rruga nga shirat, terri dhe moti i lig. Vetëm gjatë kësaj nate kanë depërtuar me mijëra të zhvendosur. Ata kanë mbetur të shtrirë  nga lodhja dhe mundimet. Ka në mesin e tyre të plagosur dhe të tillë që nuk kanë ngenë katër pesë ditë bukë. Riza së bashku me disa familje të tjera të Berishës po mundohet të përballojë këtë fluks të papërballueshëm të të zhvendosurve…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një lajm i befasishëm dhe shumë i rrezikshëm (E shtunë 1 maj, 1999)

Sot në tendën tonë në Berishë, kanë ardhur nga Krojmiri Faruk Gashi dhe Nusret Gashi. …