Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Përpjekjet e disa klaneve e individëve për t’ u veshur me merita, para, gjatë dhe pas luftës, zbehin edhe të vërtetat e tyre… II

Hallakama e përgjithshme për të rrahur gjoks patriotizmi, për tu veshur me “petkun e lirisë”, për të cilin  është derdhur gjak, ndërsa dikujt nuk i ka munguar as një qime floku gjatë luftës  së UÇK-së, të  cilën e  kanë bërë në vendet e Evropës, të përbashkuar rreth fondeve,  për luftën “tejet të rëndë dhe të rrezikshme”  nëpër  hotelet e Tiranës e gjetkë,  përpjekjet për të na bindur se akëcili grup apo klan ia paska kthyer dinjitetin kombit, duke mos përmendur dinjitarët e vërtetë, Adem Jasharin me dëshmorët e dëshmoret e UÇK-së, përpjekjet për të qëndruar në radhët e para pas luftës, ndërsa gjatë luftës fshiheshin nga një vend në tjetrin, përpjekje të tjera për ta zhvlerësuar SHP të UÇK-së, për të vënë në dyshim se kush e ka themeluar atë, për të përhapur gënjeshtra se Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë qenë të instruktuar nga shërbimi francez i inteligjencies,  duke vënë në dyshim edhe përkatësinë e tyre kombëtare, përpjekjet për ta deformuar luftën e UÇK-së, për ta paraqitur Adem Jasharin  si kryetar fisi, përpjekjet për ta paraqitur luftën e UÇK-së luftë për mbrojtjen e pragut të derës apo të “fisit të jasharëve”, nuk janë vetëm përpjekje të çoroditura e të marrëzishme, por ato bëhen me qëllim për të goditur bazamentin e së vërtetës për luftën e UÇK-së, nga disa ndoshta jo me qëllim të keq, por të verbuar nga megalomania  dhe euforia që po zgjat dhe  nga disa të tjerë me qëllim për ta diskredituar…

Ata që aq fort i mëshojnë sot telit të LPK-së, madje duke e njëjtësuar si LPK-UÇK, thjesht për qëllime karrieriste politike, për t’ i treguar krahut të tyre në Vetëvendosje, se ata e paskëshin pasur më herët një Lëvizje, tani të bashkuar me Vetëvendosjen dhe se qenkan  protagonistët kryesorë të binomit LPK-VV, ose të vijës së pretenduar të Republikës së Tretë  LPK-UÇK-VV, kanë pretendime të caktuara politike, por nuk kanë të bëjnë me të vërtetën, me proceset e zhvillimet realiste,  të cilat dëshmohen me gjuhën e fakteve dhe argumenteve….

Këtë luftë sistematike, pa ndërprerë e kanë bërë dhe e bëjnë disa “mendje…” nga brenda UÇK-së e disa nga jashtë.

2.

Disa nga organizatat atdhetare  që kanë vepruar në Kosovë, në vitet 80-90-të të  shekullit XX

Disa  veprimtarë  të LPK-së nuk përmendin  fare veprimtarinë e organizatave të tjera atdhetare që kanë vepruar në Kosovë, dhe që kanë ushtruar ndikim shumë më të madhe sesa LPK-ja, në perëndim e cila ka vepruar lirshëm, (por kurdoherë me virusin UDB, përbrenda), do të duhej ta dinin se në Kosovë ka vepruar edhe organizata e quajtur: Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës” të cilën e udhëhiqte ideologu dhe heroi i kombit,  Bahri Fazliu.

Revista “Çlirimi” organ i kësaj Lëvizjeje shpërndahej kudo në Kosovë dhe kishte shumë më tepër ndikim në masa  sesa “Zëri i Kosovës” apo ndonjë gazetë tjetër. Pjesëtarët e kësaj Lëvizjeje janë ndjekur, dënuar e persekutuar nga regjimi, ndërkohë që me daljen publike të UÇK-së iu bashkuan asaj, pa kushte.

Në Kosovë asokohe vepronte edhe ideologu numër 2 i Lëvizjes Kombëtare, Ukshin Hoti, i cili iu kishte bashkuar Lëvizjes, UNIKOMB. Filozofia politike e Ukshin Hotit e njohur me sintagmën revolucionare: “Bëje ose vdis” ishte moto e luftëtarëve të lirisë. Ndikimi i tij dhe i Adem Demaçit asokohe ishte vendimtar  në frymëzimin dhe përgatitjen e luftës së UÇK-së.

Kishte edhe parti të tjera, të cilat nuk e përkrahnin politikën pacifiste të Ibrahim Rugovës si PPK-ja, Partia Republikane, Partia fshatare  e të tjera.

 

Prej 28 nëntorit të vitit 1987, në disa vise të Kosovës ka vepruar: Komiteti Kombëtar shqiptar për Bashkimin e Trojeve ( Shtabi Operativ Ushtarak dhe Politik, Brigada 28 Sulmuese. “Komiteti Kombëtar,  me datën 28.11.1987 e mbajti mbledhjen e vetë në rrethana ilegaliteti të thellë dhe shqyrtoi situatën momentale në vend, vise të tjera që i përkasin Kosovës-Shqipërisë, në bazë të situatës aktuale në trojet tona vendosi dhe mori vendim të prerë!… Ky vendim u mor në emër të këshillit drejtues i cili kryesohej nga Kryetari,  Ruzhdi Saramati, që kishte pseudonimin “Zefi’’. Vendimi u miratua nga të gjithë të pranishmit ilegal që merrnin pjesë në këtë mbledhje”.

Për këtë organizatë dhe një pjesë të veprimtarisë së saj,  në Tiranë, ka shkruar veçmas,   Xhemjs Pettifer në librin,  Ushtria Çlirimtare e Kosovës ( nga një luftë e fshehtë në kryengritje të Ballkanit, 1948-2001). Ai madje ka saktësuar se ishte vetë regjimi i Enver Hoxhës, që kishte mundësuar stërvitjen e kuadrove nga Kosova për përgatitjen e kryengritjes…

Kjo organizatë përveç shumë aksioneve, që ka ndërmarrë në Prizren me rrethinë, pastaj në Shtime, në Drenicë e më gjerë, ka vepruar deri në shkrirjen e saj në UÇK. Pjesëtarë të kësaj organizate kanë qenë edhe dëshmorët e viteve 90-të Alush Kryeziu dhe Besim Ndrecaj. Kjo organizatë ka dhënë edhe shumë eprorë të lartë të UÇK-së si: Ruzhdi Saramati, Jetullah Qarri, Ilaz Dërguti, Sanie Rexha, Sylë Qeriqi, Elez Durmishi, Ramiz Qeriqi Jahir Qeriqi, Idriz Qeriqi, Shaban Mustafa  e shumë të tjerë.

Disa nga pjesëtarët e kësaj organizate janë stërvitur në Tiranë, në verë të vitit 1993, në krye me heroin e Kosovës, Jetë Hasani. Ata janë: Ilaz Dërguti, Dalip Rizani, Halil Olluri, Ramiz Qeriqi, Ilaz Koci, Naim Rizani, Sanie Geci, Hysen Gucati).

(Veprimtaria e një pjese të kësaj organizate është pasqyruar në monografinë, “Krojmiri 1445-1999”).

 

Në vitet 90-të në Kosovë e më gjerë kanë vepruar sa e sa organizata të tjera. Brenda në Kosovë kanë vepruar kryekomandanti, Adem Jashari me bashkëluftëtarët e tij, Zahir Pajaziti  me bashkëluftëtarë, Luan Haradinaj me bashkëluftëtarë janë bërë përgatitje dhe stërvitje ushtarake në Llap në zonën e Kaçanikut, në Dukagjin e në shumë vende të tjera.

 

 

3.

Për LPK-në gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

 

Është e vërtetë se disa nga drejtuesit e luftës kanë qenë nga radhët e LPK-së, por niveli i përgjithshëm komandues dhe dhjetëra mijëra luftëtarë të lirisë, komandantët e të gjitha niveleve kanë qenë nga radhët e popullit brenda Kosovës dhe trojeve etnike dhe shumë prej tyre as kanë ditur se ekziston LPK-ja

Duket ta pranojmë edhe të vërtetën tjetër.

 

Shumica e luftëtarëve vinin nga familjet e rreshtuara në LDK, sepse ajo parti kishte shumicën dërrmuese të elektoratit, në Kosovë,   edhe pse ata e dinin se lufta nuk kishte ngjyrime partiake dhe sapo rreshtoheshin në radhët e UÇK-së, ata ndiheshim mbi çdo parti, sepse lufta nuk bëhej për të fituar një parti mbi tjetrën, sikur bëhet  sot në kohë paqeje, por për të luftuar armikun serb, që masakronte e dëbonte nga trojet e veta popullatën shqiptare, me qëllim të shfarosjes kolektive.

Dihet aktiviteti i LPK-së si Logjistikë e luftës, me Fondin “Vendlindja Thërret”, por nuk ishte fondi i vetëm.

Dihen  me emër e mbiemër veprimtarët me konsekuentë dhe më të përkushtuar të LPK-së, të cilët kanë vepruar në Tiranë dhe në disa nga kryeqytetet e Evropës, ashtu sikur dihen “luftëtarët ambulantë”, që shëtisnin me armët në krah  nga një zonë në tjetrën  dhe në rast rreziku në një zonë, iknin në tjetrën, apo në Shqipëri…

Se cila ka qenë në të vërtetë LPK-ja, ndasitë, përçarjet, ndeshtrashat, që e kanë karakterizuar prej  krijimit e deri në shndërrimin e saj zyrtar,  në Partinë Socialiste të Kosovës, pastaj  ndërprerja e aktivitetit për disa vjet dhe  përpjeka për ta rikthyer si Shoqatë të Vetëvendosjes, janë gjëra që i di çdo i interesuar, sepse ka shkrime, e publikime të shumta, të cilat edhe do t i botojmë në vazhdime.

Fakti se LPK-ja që ka historinë e pamohueshme të veprimtarisë, që nga vitet 80-të  të shekullit të kaluar, nuk ka si mohohet, as ka ndonjë tendencë në këtë drejtim. Por nuk mund të majorizohet e të apsolutizohet, sikur pretendojnë disa panegjerikë dhe rrahagjoks të saj, sepse lufta është zhvilluar në Kosovë, ku edhe është derdhur rrëke  gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve.

Lavdi atyre pjesëtarëve të LPK-së që kanë derdhur gjakun në Kosovë, me uniformën e UÇK-së. Asokohe nuk pati parti as shoqëri si organizatë me  emrin “LPK-UÇK-Vetëvendosje” sikur po pretendohet tani, 22 vjet pas luftës, thjesht për qëllime e pretendime politike, pa menduar më gjatë, më logjikshëm, pa marrë parasysh mijëra fakte, dëshmi e argumente që flasin për  luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të dhjetëra mijëra veteranëve e invalidëve, që janë gjallë dhe që rrëfejnë për atë luftë dhe organizimin e saj.

Për mendimin tim është i pa pranueshëm koncepti antihistorik për të përvetësuar luftën, me tendencë majorizimi e ekzagjerimi të punës dhe aktivitetit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila e ka pushuar me kohë aktivitetin, pasi në zgjedhjet e pas luftës në Kosovë, nuk arriti të fitojë dhe  kapitulloi nga brenda, si pasojë e përçarjeve që e kanë përcjellë që nga themelimi. Përpjekja për të ringjallur me OJQ e “Shoqëri” në kuadër të Vetëvendosjes, si trashëgimtare e saj, po provohet, por mbetet për t u parë…

Mendoj  se kjo formulë do të stërkeqet ashtu si formula LPK-PSK e majit të vitit 2009.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …