Brochure 1

Ahmet Qeriqi: Segmente nga vazhdimësia e veprimtarisë çlirimtare nga viti 1945 deri në vitin 1998 VIII

Në përkujtim të ngjarjeve madhore të së kaluarës, së Pranverës revolucionare e kryengritëse të vitit 1981 do të shkoqisim një segment të kundërvënies së rinisë sonë atdhetare kundër formave brutale të regjimit titist jugosllav. Më 2 prill të vitit 1981, protestat e ligjshme të rinisë shqiptare, e cila nuk kërkonte asgjë më shumë se liri e barazi, kishin marrë përmasa të një revolte të përgjithshme popullore, jo vetëm në Prishtinë, ku ishte bërthama e qëndresës dhe e të gjitha zhvillimeve, por edhe në mbarë qytetet e Kosovës. Atë ditë janë shënuar edhe disa elemente të kryengritjes së përgjithshme popullore, sikur ishte rasti i rrëmbimit të armëve nga një grup i të rinjve shqiptarë, të cilët u barrikaduan në fshatin Besi, në hyrje të Prishtinës, duke mos lejuar forcat policore serbe të futeshin në Kosovë.

Krahas grushteve të ngritur nga studentët në protesta, të cilët ishin përgjakur nga forcat pushtuese dhe ato mercenare, një grup i të rinjve militantë shkoi edhe më larg. Ata, duke parë se policia po përdorte armë kundër protestuesve duarthatë, rrëmbyen armët dhe vendosën një barrikadë të kundërvënies, në dalje të Prishtinë në fshatin Besi dhe në rrugën për në Besianë, (ish-Pudujevë). Grupi ishte i organizuar dhe kishte synim të përshkallëzonte revoltën në formë të kundërvënies, meqë atë ditë, forcat intervencioniste serbe kishin martirizuar dhjetëra protestues shqiptarë dhe kishin plagosur me armë zjarri qindra të tjerë. Në këtë grup bënin pjesë kryesisht nxënës, punëtorë dhe arsimtarë, të cilët gjatë tërë muajit mars kishin marrë pjesë në demonstrata. Në mesin e tyre kishte protestues të rritur, por edhe të mitur.

 

Grupi i të miturve

 

Në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, kundër grupit të të miturve (Pm-nr.37/81) pas seancave të mbyllura të mbajtura më 20, 21, 22 korrik të vitit 1981, Kolegji i gjykatësve, i përbërë nga gjyqtarja Verosllava Dimiq kryetare e kolegjit dhe gjyqtarëve: gjyqtarë porotë: Skënder Lamaxhema dhe Hasan Prebreza anëtarë të kolegjit në çështjen penale kundër të miturve:

 

Afrim Bllacaku, nga Besia,

Agim Selim Leci, nga fshati Barilevë,

Naser Rexha, nga fshati Rimanishtë,

Shemsi M. Leci, nga Barileva,

Fadil Shala, nga Prugovci,

Ekrem Dragusha, nga Prugovci,

Avni Llumnica, nga Barileva,

Veton Osmani, nga fshati Besi,

Xhemshir Leci, nga Barileva,

Pajazit Ndreca, nga Barileva,

Nexhat Dragusha, nga Prugovci,

Osman H. Abdullahu, nga Vranidolli,

Sami Abdullahu, nga Vranidolli,

Osman S. Abdullahu nga Sharbani,

Ismajl Koliqi, nga fshati Lupç i ulët,

Zenel Krasniqi, nga fshati Lupç i Ulët,

Lutfi Leci, nga Barileva, dhe

Xhafer Fetahu, në gjithë nën moshën 18 vjeçare.

 

        Gjykata, pasi i shpalli fajtor, mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur, prej 1 deri në 5 vjet: Afrim Bllacakun, Agim M. Lecin, Naser Rexhën, Shemsi Lecin, Fadil Shalën, Ekrem Dragushën, Avni Llumnicën dhe Veton Osmanin.

        “U shpallën fajtor meqë më datë 2.4.1981, në rrugën magjistrale Prishtinë Podujevë, në fshatin Besi, para shkollës fillore, prej orës 13,00 deri në orën 16.00, kanë kryer veprën e drejtuar në minimin e rregullimit shoqëror ekonomik, sistemin shoqëror politik, sistemin e vetëqeverisjes, minimin e bazës ekonomike të vendit, shkatërrimit të bashkimit dhe të vëllazërimit, shkatërrimit të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe ndryshimit kundër kushtetues të rregullimit federativ të shtetit.

        Këta nxënës të Qendrës shkollore në Besi dhe qytetarët, në një grup prej rreth 500 vetash, kanë brohoritur parulla me përmbajtje kundërrevolucionare:

“Duam kushtet”,

“Lëshoni shokët”,

“Unitet”,

Kosova Republikë” dhe

“Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

        Ata kanë lëvizur prej fshati Besi deri në Lebane dhe anasjelltas. Gjatë rrugës kanë gjuajtur me gurë automjetet, të cilat kanë kaluar rrugës, me qëllim që të pengojnë kalimin e tyre në drejtim të Prishtinës, ku janë mbajtur demonstratat armiqësore. Të miturit: Afrim Bllacaku, Agim Leci dhe të tjerët me hunj në duar kanë ndaluar automjetin bartës të markës “Raba” me targa PE. 148-07, të ngarkuar me rërë, të cilin e ka drejtuar: Gojko Stanishiqi nga Vitomirica, dhe e kanë detyruar që automjetin ta kthejë tërthorazi në rrugë. Kur ka ardhur kolona e automjeteve të milicisë të SPB-së nga Beogradi, të cilat kanë lëvizur kah Prishtina, një pjesë e automjeteve nga kolona kanë bërë përpjekje që të kalojnë përskaj automjetit “Raba” të qitur në rrugë, kurse pjesa tjetër e kolonës është ndaluar para këtij kamioni.

        Grupi ka sulmuar kolonën e automobilave të ndaluar të milicisë, duke i gjuajtur me gurë. Kanë ndezur automjetin “Tam” me targë M. 900 242, i cili ka pasur të ngarkuar 20 tenda dhe i cili është djegur tërësisht. Kurse nga kamioni “Tam” M. 900 251 në të cilin ka pasur pushkë automatike, gjysmë automatike dhe municion të kalibrit 7.62 mm. ata kanë marrë armë dhe municion.  Më tej në këtë aktgjykim, përshkruhen në detaje rrethana sesi janë marrë pushkët, duke precizuar personin që ka marrë pushkën, numrin e pushkës, tipin dhe sasinë e municionit. Për marrje të pushkëve dhe municionit janë akuzuar: Afrim Bllacaku, Agim M. Leci, Naser Rexha, Shemsi Leci, Fadil Shala, Ekrem Dragusha, Avni Llumnica, Veton Osmani e të tjerë.

        Për shkak të këtyre veprave penale, gjykata mori vendim dhe dënoi me burg për të mitur: Agim Bllacakun dhe Agim M. Lecin nga pesë vjet burg, Naser Rexhën dhe Shemsi Lecin me nga katër vjet burg, Fadil Shalën dhe Ekrem Dragushën me nga tre vjet burg, Avni Llumnicën me dy vjet burg, Veton Osmanin një vit burg.

        Të miturve të tjerë: Xhemshit Lecit, Pajazit Ndrecit, Nexhat Dragushës, Osman Hamdi Abdullahut, Sami Avdullahut, Osman Sahit Avdullahut, Smajl Koliqit dhe Zenel Krasniqit iu shqiptua masa “edukative” e dërgimit në shtëpinë Edukuese Korrektuese në Lipjan, në bazë të nenit 19 të Ligjit penal të Kosovës. Në këtë Shtëpi Ndëshkuese Korrektuese të miturit do të qëndrojnë më së paku një vit e më së shumti pesë vjet. Lidhur me këtë gjykata do të vendos më vonë. Kundër Lutfi Lecit shqiptohet masa e përforcuar e mbikëqyrjes, ndërsa Xhefer Fetahu lirohet nga aktakuza.

         Dënimet janë shqiptuar me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë PPM. Nr. 42/81 të datës 2.7.1981. Prokuror Nanda Vllahoviq”. Për të dëshmuar veprat penale që iu ngarkoheshin, gjykata u mbështet në të dhënat e dëshmitarëve. Si palë e dëmtuar konsiderohen punëtorët e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Beogradit, si: Radullo Uskokoviq nga Beogradi, pastaj Vidoje Simiq, Dragomir Jelisaviq dhe Branisllav Dimiq, të gjithë nga Beogradi. Në cilësi të dëshmitarëve u morën edhe: Rrustem Morina profesor nga Prishtina, Ismajl Qosaj, po ashtu profesor nga Prishtina, Gjergj Nikëprelaj, udhëheqës i paraleles së ndarë të QSHAM në Besi, Rrahman Reçica nga Besija, Lubomir Neiq nga Beogradi, Rexhep Rexhepi drejtor i shkollës fillore “Nexhmedin Mustafa” në fshatin Besi, Gojko Stanishiq nga Vitomirica, Salih Pllana nga Prugovci, Xhafer Osmani nga Besia, Bajram Syla nga Rimanishta, Zymer Krasniqi nga Besia si dhe përfaqësuesit ligjor të të miturve, kryesisht prindërit e tyre, disa prej të cilëve ishin mbajtur në paraburgim së bashku me bijtë e tyre të mitur. Ky gjykim është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë dhe ka qenë i mbyllur për opinionin.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …