tv dielli
MIT
Airport Adem Jashari
kek
Fillimi / Kultura / Ahmet Qeriqi: Tri poezi të tre poetëve revolucionarë: Vladimir Majakovski, Ady Endre dhe Migjeni
Ahmet Qeriqi: Tri poezi të tre poetëve revolucionarë: Vladimir Majakovski, Ady Endre dhe Migjeni

Ahmet Qeriqi: Tri poezi të tre poetëve revolucionarë: Vladimir Majakovski, Ady Endre dhe Migjeni

 

“Përgjigjuni”,  Vladimir Majakovski

“Dielli i kuq”,  Adi Endre,=

“Recital i malësorit”,  Migjeni

 

 

Poetët revolucionarë evropianë kryesisht kanë qenë të ndikuara e të frymëzuar nga gjendja e  rëndë sociale të popujve  të tyre në kohën e ndeshjes së ashpër të botës borgjeze-kapitaliste, sidomos në gjysmën e parë të shekullit 20. Poezia e tyre revolucionare ishte në shërbim të zgjimit të ideve të reja, ideve socialiste të lirisë, barazisë e drejtësisë. Ata ishin poetë të vërtetë që ishin mishëruar me idealet e popujve të tyre të shtypur, si Majakovski,  në Rusi, Ady Endre,  në Hungari, Migjeni në Shqipëri. Po kështu poeti revolucionar rus, Vladimir Majakovski, në një poezi të botuar në vitin 1917, ngriti zërin kundër copëtimit të tokave të Shqipërisë. Në poezinë protestuese “Përgjigjuni” ai shprehte revoltën me pyetjen:

 

 

Majakovski (1893-1930)

 

Përgjigjuni

 

Trumbeta e luftës gjëmon dhe gjëmon.

Në mish të gjallë hekur për të  ngulë thërret.

Dhe skllavët  me radhë

nga çdo vend i dërgojnë

e i flakin përmbi bajonetë.

 

Për çka?

 

Ja, dridhet toka,

lakuriq

e urije pushtue.

Në një banjë gjaku e lanë njerëzinë

vetëm e vetëm

që dikush,

diku

të majmet me Shqipërinë.

 

 

Në mni kapërthye janë turmat njerëzore,

dhe grushtet pa pra tokën tonë qëllojnë

vetëm e vetëm

që krejt falas

Bosforin

anijet e dikujt të kalojnë.

 

Botës

së shpejti

s’do i mbesë, jo, biri i pathyem

dhe shpirtin do i zhgulin,

do ja shtypin me shqelma aty,

vetëm e vetëm

që dikush

në dorë ta fus

Mesopotaminë.

 

 

Për shka, më trego,

Çizmja

tokën rëndë po e shqelmon, pushtue nga hataja?

Mbi qiell të betejës mos vallë qëndron

lirija?

zoti?

Paraja!

 

Po kur do të ngrihesh, vigan i pamasë,

ti,

që jep jetën që tjerët të rrojnë?

Kur pyetjen në turinj ti ke me u përplasë:

Për çka luftojmë?

Poezia e Majakovskit është sa ushtarake sa marshuese aq dhe e ëmbël, aq ulëritëse dhe aq hakmarrëse. Poezia e Majakovskit është thirrje për liri, është thirrje për drejtësi. Në poezinë “Përgjigjuni” ai iu drejtohet njëkohësisht popujve të botës, qeverive të botës, i drejtohet zotit dhe vetes së tij. Tre pika të nxehta që kanë pasur historikisht problem me fqinjët, tre pika ku janë përplasur interesat e Fuqive të Mëdha dhe që jo në pak raste kanë përfunduar me luftë. Një Shqipëri që nuk është lënë kurë të bëjë shtet, që nuk është lënë kurrë të jetojë e qetë, por gjithnjë të ketë eksode biblike, që prej prehistorisë e deri në ditët tona. (Prof. Alqi Naqellari:  Poezia Ruse-Sovjetike dhe Shqipëria, Telegraf, 16 Tetor, 2019)

 

 

 

Ady Endre: (1877- 1919)

 

Një poet tjetër i mirënjohur magjar ka qenë edhe Adi Endre. Ka jetuar rreth viteve 1877-1919. Ashtu sikurse edhe Pëtefi, Ady Endre është i njohur për vargun e tij militant. Ishte poet lirik revolucionar i cili ushtroi ndikim të madh në qarqet letrare magjare, në Evropë dhe përgjithësisht në poezinë revolucionare të fillimit të shekullit të njëzet.

 

Dielli i kuq

 

Luftën dhe murtajën kush i solli,

Dallkaukë e trima kapedanë?

Ngrihu lart, o ngrihu lart, diell i kuq

Ndriçona!

 

Vetëm llahtar dhe zezona po shoh,

Rrjeta kanë vënë, e prita kanë zënë:

Qoftëlargu, shpirtligu, i dehuri, fatkobi,

Na grahin dhe dërdëllisin!

 

Qyshkur në qenie po na rëndon,

Fati i moçëm e gjëma jetike,

Ti i nëmuri diell i kuq,

Ty të thërras!

 

S` më vdiset jo kaq i hidhëruar,

S`më rrihet, jo, kufomë n` arkivol,

Pa shpresë e përreth zezona,

Dhe zemra sterrë.

 

Ngrihu lart, i shenjti diell i kuq,

Unë po mërdhij, po gjallë ende jam,

Shkatërrimtar, rrënues do bëhesha,

Njëherë po të shihja!

 

Eh, sikur të më shihje, e pak dritë të me jepje,

Pak dritë të pasurisë tënde përjetësore,

Ti i tretur në përjetësi,

E unë, heu, unë,

Të përmbytesha në vajtim të zi!

 

 

 

Millosh Gjergj Nikolla ( 1911-1937)

 

Migjeni, “Poeti i mjerimit”, ka qenë zëdhënësi më besnik dhe më i ndërgjegjësuar i kohës kur njeriut të thjeshtë, fshatarit e punëtorit shqiptar, iu kishte rrezikuar qenia, kur apoteoza e perëndive ishte strukur në kokrrën e misrit, kur malësori që kishte përballuar uraganin shkatërrimtarë të robërisë, po vdiste urie, në kohën kur Mbreti Zog  organizonte ballo në Tiranë, prishte parat e Shtetit duke forcuar xhandarmërinë, jo për ta ruajtur Shqipërinë e përgjysmuar e të leckosur, jo për t’i ndihmuar çetat kryengritëse të Azem e Shote Galicës, që luftonin robërinë barbaroide serbe, por për të ndëshkuar kundërshtarët politikë, duke i vrarë pas shpine duke i ndjekur madje edhe në dherat e huaja, duke i syrgjynosur e duke i katandisur për jetë të jetëve.

 

 

RECITAL’ MALSORIT

 

0, si nuk kam një grusht të fortë

t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,

ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –

n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

 

Unë – lugat si hij’ e trazueme,

Trashëgimtar i vuajtjes dhe i durimit,

endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme

dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

 

Mali hesht. Edhe pse përditë

mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,

kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…

Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

 

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.

E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.

Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?

Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

 

0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!

Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!

Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…

E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Koha e Jeniçerëve

A.Q. “Mortaja”, kapitull nga romani, “Koha e jeniçerëve”

            Vera e vitit 1729 në Drenisën jugore kishte sjellë disa befasi, disa paralajmërime të ...