leoni

Ahmet Qeriqi: Vazhdon jeta e rëndë në tenda, nuk ka lëvizje të forcave serbe në drejtim të Kleçkës (E shtunë 5 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon jeta e rëndë në tenda, nuk ka lëvizje të forcave serbe në drejtim të Kleçkës (E shtunë 5 shtator, 1998)

Sot ka filluar dita dyzet e një qyshkur jemi vendosur në tenda dhe në qiell të hapur. Tanimë kanë filluar shirat e vjeshtës. Netët gjithnjë e më të ftohta. Dita po shkurtohet. Durimi i këtyre njerëzve ndër mote të keqtrajtuar po humbet, edhe pse të gjithë e kuptojnë se më mirë edhe të vdesim në këtë vend se sa t iu dorëzohemi gjakatarëve e masakruesve serbë.

Tani për tani po mbretëron një qetësi relative. Dëgjohet zhurma e aeroplanëve dhe gjëmimet e topave të rëndë në Drenicë dhe tutje në Dukagjin. Serbët kanë filluar shkatërrimin dhe djegien e fshatrave në relacion Malishevë, Kijevë, Klinë, Rakovinë, Gjakovë. Burimet e lajmeve nga terreni, të cilat i marrim edhe përmes radiolidhjeve të pakta bëjnë të ditur se serbët shkatërrojnë, vrasin masakrojnë. Bota në perëndim vazhdon me retorikën tanimë bajate të kërcënimeve, edhe pse dihet se nuk do të ndërmerret asnjë hap në parandalimin e krimeve. Flitet për njëfarë autonomie që e paska  pranuar Rugova, po kush e pyet më Rugovën.

A mund të vendos Rugova në saje të atyre që ai i quan zgjedhje të lira të cilat u organizuan dhe u mbajtën në kohën e masakrave çmeritëse në Drenicë. Zgjedhjet e tilla Serbia kurrë nuk i ka pranuar, por edhe nuk i ka penguar me qëllim të krijimit të hendekut në mes shqiptarëve liridashës dhe pacifistëve të neveritshëm.

Bota jallane po bën sehir, e ne kemi mbetur si mos më keq, madje edhe më të ndarë e më të përçarë se sa para fillimit të luftës. Na ngushëllon fakti se ende jemi gjallë, i kemi armët në duart tona dhe hapërimi historik drejt lirisë nuk ka të ndalur. Ushtarët tanë me lehtësi depërtojnë nëpër vijat kufitare dhe sjellin armatim.

Lëvizjet në drejtim të fshatit janë shpeshtuar. Fshatarët e kanë kthyer bagëtinë nëpër ahure. Ata po përgatiten për dimër në kushte lufte.

Jeta megjithatë vazhdon dhe secili në punë të vet. Në rast të sulmit të forcave serbe nga ana e epërme, popullata mund të dyndet në drejtim të Blinajës, të cilën e kanë vënë nën vëzhgim luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë asgjë nuk duket e sigurt dhe sado që askush nuk e shpreh hapur. Njerëzit janë lodhur, janë topitur. Janë vetëm shqiptarët, në tërë rruzullin e dheut që i durojnë të gjitha këto ditë të zeza  dhe nuk jepen, as atëherë kur iu ngulet thika në asht. Të tillë kanë qenë edhe të parët në kohë të turkut, të bullgarit të kralit dhe tash të xhelatit Milosheviq. Qindra mijëra shqiptarë kudo në zonat e luftimeve e ndajnë të njëjtin fat, të njëjtën pasiguri për jetë dhe ardhmëri. Pasqyrë tragjike e këtij fundshekulli. Ardhmëri e rrethuar.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Ahmet Qeriqi: Tërheqje taktike e disa formacioneve ushtarake e policore serbe. (E shtunë 3 tetor 1998)

Presioni i faktorit ndërkombëtar kundër kryexhelatit Milosheviq po rritet. Edhe pse ky despot i çmendur …