Aidan Hehir: E kam parashikuar një krizë në Kosovë si mënyrë të Rusisë për ta testuar Trumpin

Aidan Hehir: E kam parashikuar një krizë në Kosovë si mënyrë të Rusisë për ta testuar Trumpin

Dëshira e ripërsëritur shpesh nga Donald Trump për ta shmangur konfrontimin me Rusinë me siguri do të ketë implikime për stabilitetin e një numri shtetesh në të ardhmen, ku kryesori nga ato do të jetë Kosova. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur shumë së fundmi me ashpërsimin e retorikës nga Beogradi. Kjo është dëshmuar së fundmi me përpjekjet e Serbisë për të futur një tren nga Beogradi për në Kosovë, tren ky i mbuluar me sloganin “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë te ndryshme.

Treni u ndal në kufi pasi Kosova kishte vendosur forcat speciale atje.  Presidenti serb Tomislav Nikolic kishte deklaruar se ky konfrontim kishte sjell Kosovën dhe Serbinë në prag të një konflikti dhe kishte paralajmëruar se do ta dërgonte ushtrinë në Kosovë nëse është e nevojshme. Edhe përkundër 18 viteve të shtetndërtimit, shqiptarët dhe serbët  mbeten thellësisht të ndarë në Kosovë. Serbia refuzon ta njoh pavarësinë e Kosovës, siç bëjnë edhe Rusia dhe Kina. Shumë shqiptarë një kohë të gjatë kanë besuar se Serbia po kërkon një pretekst për të dërguar trupat në veri të Kosovës, ku jetojnë shumica e serbëve. Shumica e shqiptarëve besojnë se e vetmja gjë që stopon Serbinë është numri i madh i forcave të NATO-s që janë të stacionuara në Kosovë. Mirëpo zgjedhja e Trumpit vë dyshime në gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta mbrojtur Kosovën.

Duke marrë parasysh komentet e Trumpit rreth NATO-s dhe qëndrimin rreth Rusisë, bilanci është zhvendosur ndjeshëm  drejt Serbisë. Veprimet e fundit të Serbisë ne vazhdën e zgjedhjes së Trumpit vështirë se ishin një rastësi. Duke ditur se Rusia ka më shumë hapësirë tani me zgjedhjen e Trumpit si president, Serbia mund të kalkuloj se Rusia do t’i mbështes ata nëse ndërmarrin një operacion për ‘të mbrojtur serbët’ në veri të Kosovës dhe kështu NATO nuk do të ndërhyj. A do të jetë Trump i gatshëm të rrezikojë marrëdhëniet me Rusinë për shkak të hyrjes së trupave serbe në veri të Kosovës?

Është padyshim e përfytyrueshme që administrata e Trumpit do të jetë e vullnetshme ta braktisë Kosovën; projekti për ndërtimin e shtetit mund të portretizohet si një dështim në të cilin “Clinton-ët” nuk është dashur të angazhohen kurrë, derisa  shumica shqiptare e dominuar nga myslimanët nuk do të fitojnë shumë simpati nga mbështetësit e Trumpit. Nëse trupat serbe do të hynin në Kosovë pa një censurë të ndjeshme nga ana e SHBA-s, kjo do të shkaktonte thyerje brenda NATO-s dhe padyshim do të qonte në trazira masive në mesin e shqiptarëve në Kosovë të cilët natyrisht se do të ndjeheshin se janë pushtuar nga Serbia dhe janë braktisur nga komuniteti ndërkombëtar. Dhe kjo padyshim se do të qonte në përsëritjen e dhunës e cila ka ndodhur në mars të vitit 2004 kur trazirat kishin shpërthyer përgjatë Kosovës dhe manastiret dhe fshatrat serbe ishin sulmuar. Kjo në mënyrë natyrale do ta trimërojë Serbinë që të rris fushën e operacioneve të ‘mbrojtjes’ së saj përgjatë Kosovës dhe kështu të nxisë luftë të përgjithshme. Jo stabiliteti në Kosovë padyshim se do të përhapej dhe kështu do të kishte implikime për rajonin, posaçërisht në Maqedoni dhe Bosnje; Paqja dhe stabiliteti në Ballkan mbetet me balancë delikate dhe nuk është plotësisht e qartë nëse Trump ka aftësinë apo vullnetin për të negociuar zgjidhjen e situatave të ndryshme ndërshtetërore. Dhe kështu Kosova mund të jetë e para që do të vuaj.

(Aidan Hehir është ligjërues në marrëdhëniet ndërkombëtare në universitetin e Westminster).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …