Ajet Bilall Gjinovci (26.2.1935– 31.3.1999)

Ajet Bilall Gjinovci (26.2.1935– 31.3.1999)

Njëri ndër luftëtarët e lirisë i cili u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me rastin e organizimit dhe formimit të pikave të para ushtarake në fshatin e tij të lindjes, Makermal të Skënderajt, ishte edhe dëshmori Ajet Gjinovci. Njëkohësisht ai ishte mbase pjesëtari më i moshuar i UÇK-së jo vetëm në fshatin e tij, por edhe në fshtrat përreth.

Ajeti është i lindur më 26 shkurt të vitit 1935 në një familje e cila nuk e kishte për herë të parë konfrontimin dhe ndarjen e mejdanit me pushtuesin serb. Pothuajse si çdo familje drenicare që kishte pasur pjesëtarët e vet të inkuadruar në kryengritjen popullore kundër ripushtimit serb, e udhëhequr nga tribuni Shaban Polluzha, edhe babai i Ajetit, Bilalli kishte marrë pjesë në atë kryengritje ku edhe ishte plagosur në dimrin e vitit 1945. Si pasojë e angazhimit të tij në luftën kundër hordhive çetnike serbe me uniformë partizane, pushteti jugosllav, Bilallin pothuajse asnjëherë nuk e la të qetë, as në vitet e pastajme. Kjo histori lufte e urrejtjeje të dyanshme, patjetër do të reflektohej edhe te të bijtë dhe nipat e Bilallit, të cilët e pritën të gatshëm ditën kur do të mund t’i jepej dërma e fundit pushtuesit serb nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesë e së cilës, përveç të birit të Bilallit, Ajetit, ishte edhe i biri i djalit tjetër të tij, Ademit, i nipi Avniu.

Prindërit e Ajetit, Bilalli e Abidja, kishin tre djem e dy vajza: Ajetin, Reshitin, Aemin, Miradien dhe Zelfien. Ajeti kishte pasë bashkëshortësi të frytshme me Halimen, gjatë së cilës ata kishin lindur e rritur nëntë bij e bija: Skënderin, Sadien, Naxhien, Imriun, Ylberin, Luljetën, Lumnien, Migjenin dhe Avdylin.

Dëshmori Ajet Gjinovci, për shkak të rrethanave të kohës nuk kishte kryer më sumë se arsimin fillor, mirëpo megjithatë ishte aftësuar për punë ndërtimtarie, prandaj kishte arritur të punësohej në ndërmarrjen ndërtimore “Ramiz Sadiku” me seli në Prishtinë. Në këtë ndërmarrje punoi pothuajse deri në pensionim.

Kontaktet e para me UÇK-në, Ajeti i kishte krijuar atëherë kur në zonën e Drenicës ishin formuar dhe po vepronin njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse në ditën e shenjtë kombëtare, në ditën e flamurit kombëtar, më 28 Nëntor 1997, në ceremoninë e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në Llaushë të Skënderajt, i cili ishte vrarë një ditë më parë nga forcat kriminale të pushtuesit serb, pas humbjes së betejës përballë UÇK-së në Lludoviq, e kishte deklaruar veten pjesëtar të kësaj ushtrie dhe ishte betuar në gjakun e dëshmorit Halit Geci, se do t’u hakmerrej çetnikëve serbë deri në vdekje. Këtë betim ai edhe e mbajti, duke marrë pjesë në aksione të armatosura kundër forcave pushtuese. Ishte pjesëtar i Pikës ushtarake “Flaka” e formuar në fshatin Makermal, e cila më pas veproi në kuadrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të UÇK-së.

Ajeti kishte një rreth të gjerë bashkëluftëtarësh, por shokët më të ngushtë i kishte Habib Gjinovcin, komandant toge dhe Avni Gjinovcin, i cili ishte edhe komandant skuadre, me të cilët mori pjesë në beteja të ndryshme, jo vetëm në fshatin Makermal ku i kishin pozicinet, por edhe në luftimet e zhvilluara në Morinë, Llapushnik, Hade e Bardh të Madh, Qyqavicë, Kosmaq e në vendluftime të tjera.

Më 31 mars 1999, forcat serbe rrethuan shumë fshatra të Zonës Operative të Drenicës, ndër të cilat edhe Makemalin, ku ndodhej Ajeti me bashkëluftëtarë. Në atë rrethim ishin angazhuar trupa të shumtë sulmues dhe ishin përdorur armë të të gjithë kalibrave, me qëllim të spastrimit të terrenit dhe depërtimit në fshat e te pozicionet e UÇK-së. Në përballje të pabarabartë me forcat serbe, atë ditë, në mbrojtje të tokës stërgjyshore e të nderit shqiptar, ra dëshmori Ajet Gjinovci. Atë ditë, në Makermal ranë edhe tetëmbëdhjetë burra e të rinj të tjerë, kryesisht popullsi civile, në mesin e të cilëve edhe vëllai i dëshmorit, Rushit Gjinovci (1940). Disa prej tyre ishin ekzekutuar në një stallë, të tjerët ishin djegur në stivë sane, e disa të tjerë ishin djegur në hambar. Gjurmët e dy prej të vrarëve nuk janë gjetur ende. Atë ditë në tokën e Kosovës, përveç dëshmorit Ajet Gjinovci kanë rënë edhe Shaban Rexhepi (1958), Bedri Rexhepi (1977), Shemsi Rexhepi (1981), Arton Gjinovci (1983), Imer Zeka (1966), Izet Elshani (1954), Halit Gjinovci (1940), Shaban Açareva (1936), Shaban Gashi (1915), Jeton Gashi (1982), Zenel Dobra (1037), Behar Dobra (1083), Rrahman Gjinovci (1931), Enver Gjinovci (1953), Arton Gjinovci (1981), Jetullah Gjinovci (1936) dhe Fadil Gjinovci (1957), dy të fundit konsiderohen ende të zhdukur pa gjurmë.

Varrimi i dëshmorit Ajet Gjinovci është bërë pas përfundimit të luftës çlirimtare, në vitin 1999, në fshatin Makermal, ku sot i ndrit përmendorja e përjetësisë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …