Fillimi / Dëshmorët / Indrit Lulëzim Cara (11.7.1971 – 31.3.1999)
Indrit Lulëzim Cara (11.7.1971 - 31.3.1999)

Indrit Lulëzim Cara (11.7.1971 – 31.3.1999)

Indrit Cara ka lindur në një familje punëtorësh të qytetit të Kavajës. Prindërit e tij, Lulëzimi dhe Xhemailia, kanë qenë punëtorë dhe patën dy djem: Indritin dhe Dorianin. Indriti shkollën fillore e mbaroi në qytetin e lindjes, Kavajë. Pasi mbaroi atë me rezultate shumë të mira, babi i tij, Lulëzimi, deshi ta bënte oficer, dëshirë, të cilën e kishte edhe Indriti.

Cila është familja Cara në Kavajë?

Cilindo qytetar të Kavajës ta pyesësh për këtë familje është në gjendje të të tregojë prejardhjen e saj. Të parët e tyre kanë ardhur në Kavajë pas kryengritjes së Kosovës, të njohur me emrin Kryengritja e Dervish Carës, në vitin 1844 kundër pushtuesve turq. Ajo kryengritje sinjalizonte lindjen e Rilindjes sonë Kombëtare. Një pjesë e atij fisi jeton  s edhe sot në Kosovë, në Lagjen Brod të qytetit të Ferizajt dhe në Verban të Vitisë, ku edhe sot e gjithë ditën thirret Lagjja e Carajve, ndërsa kryengritësit u detyruan ta linin Kosovën dhe të shkonin diku gjetkë. Shkuan në Kavajë, si një nga qytetet ndërlidhëse dhe më të rëndësishme në Shqipërinë e Mesme të asaj kohe.

Në ditët e zjarrta të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përsëri del në skenë shpirti patriotik i Carajve kryengritës në Kavajë. , Përhapësi i gjuhës shqipe, mësuesi Mustafa Cara, gjyshi i babait të Indrit i bashkohet grupit të Ismail Qemalit gjatë rrugës prej Durrësit për në Vlorë, pasi ngriti flamurin shqiptar në Kavajë, dhe e përfaqësoi atë popull në Kuvendin e madh të Vlorës. Duke qenë intelektual dhe demokrat në shpirt, ai u bashkua me demokratët fanolistë në Kryengritjen e vitit 1924 dhe për këtë u përndoq nga regjimi i Zogut. Erdhi viti 1939. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Populli shqiptar rrëmben armët kundër fashizmit. Midis luftëtarëve të lirisë së Shqipërisë radhiten edhe dy anëtarë të familjes kryengritëse Cara, Ymer Cara me të bijën e tij, hallën e Indritit, Emine Cara.

Indriti, në moshën 14-vjeçare regjistrohet në shkollën e mesme të përgjithshme ushtarake “Skëndërbej”, Tiranë, e cila ishte fidanishtja e kuadrove të ushtrisë shqiptare. Pasi e kryen këtë shkollë, dërgohet të përgatitet për oficer zbulimi të ushtrisë në shkollën e lartë të bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”(sot akademia e forcave tokësore “Skënderbej”   Pas dy vjetësh studime në atë akademi, në Shqipëri fillojnë proceset demokratike. Ngjarjet çdo ditë e më shumë sillnin të papritura  Toga e kompanisë ku bënte pjesë Indriti u urdhërua të shkonte për të shtypur demonstratën e studentëve të Universitetit të Tiranës. Ata ishin 18 zbulues.  Asnjë prej tyre nuk pranoi të hipte në makina për të goditur kolegët e tyre civilë. U quajt rebelim. Ata e pranuan edhe atë emër, por nuk pranuan të përdornin dhunën kundër kolegëve të tyre pa uniformë. Duke i parë qartë ngjarjet, Indriti largohet nga shkolla për oficerë, të cilën e lë në vitin e fundit, kthehet në familje dhe pasi merr edhe miratimin e saj për atë vendim, shkon refugjat ekonomik në Itali, ku qëndron dy vjet. Më vonë kalon në Londër, ku merr edhe vëllanë tjetër, Dorjanin. Morën kurbetin, si gjithë rinia shqiptare, pasi e panë qartë se prindërit ishin të moshuar, pa shtëpi, pa punë dhe pa perspektivë edhe për ata.

Në Londër, Indriti takohet, punon e jeton edhe me shumë djem nga Kosova. Miqësohet me ta. I hyjnë njëri-tjetrit në shpirt. Jetojnë me shqetësimet e popullit të tyre. Në Kosovë më në fund del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gazeta Zëri i Kosovës, jepte gjithnjë e më shumë lajme për luftën në Kosovë. Kjo e entuziazmon Indritin. U bë më i gjallë, më shprehës, më i gëzuar, tregon cimeri i tij, Pleurat Sejdiu. Më 18 dhjetor 1997, Indriti boton shkrim në gazetën e UÇK-së. Ai u bën thirrje të gjithëve që e ndienin veten sadopak shqiptarë, të ndihmonin luftën me të gjitha format. “Ta ndihmojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, këtë filiz shprese force dhe krenarie, që të rritet e të forcohet si një lis madhështor, t’i bëjë ballë shtrëngatës serbe. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!” mbyllet shkrimi i Indritit. Pra qysh në fillesat e saj Indriti e ndjek në vazhdimësi situatën e luftës në Kosovë dhe në janar të vitit 1999 lë Londrën dhe niset për në Shqipëri, me vendimin se do të shkonte të luftonte në Kosovë, në radhët e UÇK-së. Pasi arrin te prindërit e tij, pas 8 vjet ndarje, por tani i gjen në banesën që ai u kishte blerë, ndahet shpejt prej tyre dhe niset për në Kosovë, së bashku me tre shokët e tij nga Kosova, me të cilët kishte qenë së bashku në emigracion. E thërriste gjaku i të parëve Caraj, që e kishin larë Kosovën me gjak. Gjaku thërriste gjakun.

Bëjnë tentativën e parë përmes Kukësit. I ndalon policia shqiptare, i arreston dhe i kthen në Tiranë. Dalin nga burgu me ndërhyrjen e ambasadorit shqiptar në Londër dhe nisen përsëri për në luftë. Fillim i marsit 1999. U desh të kalonin fshehtas liqenin  e Fierzës dhe të mbërrijnë në Nashec e në Pagarushë. Ato ditë pritej fillimi i një ofensive të ushtrisë serbe kundër Zonës së Pashtrikut. Në pikën ku ishin grumbulluar Indriti dhe shokët e tij nga Llapi, aty arrijnë disa eprorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe Shpëtim Golemi. Luftëtarët e ardhur në këtë pikë urdhërohen që të nisen për në Zonën e Llapit. Shpëtim Golemi e njohu Indritin nga dialekti, që nuk ishte prej Kosove, dhe, pasi e pyet, mëson se ishte nga Kavaja dhe se kishte qenë student në të njëjtat shkolla ushtarake si dhe ai. Në fund të tregimit Indriti i tha: “Erdha në luftë që të mbaroj akademinë ushtarake, të cilën e lashë përgjysmë”. “Qysh nga momenti që Ti ke marrë rrugën për t’u futur në luftë je titulluar oficer dhe do të shërbesh pranë Shtabit të Përgjithshëm”, duke marrë miratimin e Bislimit. U tha, u bë. Indrit Cara emërohet kuadër drejtues pranë kompanisë autonome të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me bazë në Divjakë të maleve të Berishës.

Ishte 31 mars 1999. Kishte më se një javë që Zona e Pashtrikut zhvillonte luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Sulme e kundërsulme të përditshme.  Armiku çdo  ditë e më shumë po sillte përforcime si në forca, ashtu edhe në mjete zjarri. Nga të dy anët kishte humbje të konsiderueshme. Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Tahir Sinani, kishte organizuar zbatimin e vendimit për mbrojtje aktive dhe të mos e lëshonte zonën e Pagarushës, sikundër ishte urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm, për mbrojtjen e popullatës së grumbulluar në atë zonë, ku ishin me dhjetëra-mijëra gra, pleq e fëmijë. Në drejtim të Samadraxhës armiku mundi të depërtonte me tanke, përgjatë luginës. Nevojiteshin përforcime për kundërsulm. Nuk kishte më forca rezervë.

U vendos që në ndihmë të zonës të sillej një togë nga kompania e Shtabit të Përgjithshëm. Urdhri u dha nëpërmjet radios. Pas 30 minutash, arrijnë përforcimet, me në krye Indrit Carën. Takohet përsëri me Shpëtim Golemin. Përqafohen. Në secilin prej tyre kishte diçka intime për njëri-tjetrin. Ndoshta u dukej se ishin ndërmjetës për secilin, për vendlindjen, shkollat ushtarake ku kishin studiuar. Kur takonin njëri-tjetrin sikur shkonin në shtëpi pranë prindërve dhe të tjerëve.

Indriti mori detyrën, që me togën e tij të rimerrte dhe të mbante majën e malit të Gallushës, me qëllim që të goditej armiku nga shpina, për t’u tërhequr prej luginës. Bora ishte e madhe. Të ftohtit ishte i jashtëzakonshëm, por toga e Indritit, pasi e mori me sulm, qëndronte e patundur në majën e  Gallushës.  Detyra u realizua. Armiku kundërsulmoi përsëri, pas një përgatitjeje të gjatë, me zjarr artilerie, por nuk mundi ta rimerrte majën e Gallushës. Sulmi i tij u thye me zjarr. Pati të vrarë nga të dyja anët. Bora e bardhë u bë e kuqe prej gjakut. Në mbrëmje, kur armiku u detyrua të ndërpriste sulmin, u mësua se midis të rënëve ishte edhe Kavaja, Indrit Cara. Shokët e tij ia kishin marrë hakun. Indriti u varros nën krismën e armëve në Negrofc. Menjëherë si përfundoi lufta, i ati i Indritit, Lulëzimi, erdhi për të parë vendin ku i kishte rënë i biri. Në çdo ngjarje të madhe kombëtare , Carajt i dhanë kombit tonë heronj.

Më 10 tetor 1999, eshtrat e Indrit Carës kthehen në vendlindje me helikopter. Helikopteri, para se të ulej, bëri 2 rrotullime mbi qytetin e Kavajës dhe pastaj ulet në stadiumin e tij. Po këtë lloj përshëndetje bën helikopteri mbi qytet edhe kur largohet. Indriti iu shndërrua dhe iu kthye si engjëll, Kavajës dhe familjes së tij. Bashkia e qytetit të Kavajës dhe Këshilli i Rrethit e shpallën “Dëshmor të Atdheut”, ndërsa Presidenti i Republikës e dekoroi me dekoratën më të lartë: “Shqiponja e Artë”   . Bashkia e qytetit, në nderim të tij,  vendosi që bulevardi kryesor i qytetit të mbajë emrin e Indrit Carës si dhe shkolla 8-vjeçare, ku ai pat kryer ato vite shkollimi.

Në ceremoninë mortore të rivarrosjes së Indrit Carës kurrë nuk e mban mend Kavaja një nderim të atillë. I gjithë qyteti ndaloi çdo lloj aktiviteti. Tregu nuk u hap. Funksiononin vetëm kafenetë, të cilat servirnin vetëm kafe. Qyteti i Kavajës  ishte veshur në të zeza dhe flamuri kombëtar ishte ngritur në gjysmë shtize. Asnjë makinë nuk lejohej të qarkullonte në rrugën kryesore të qytetit. Kudo mbretëronte heshtja. Kavaja mbante zi për djalin e saj hero, Indrit Carën-Kavajën.

Prej stadiumit të qytetit për në familje, prej familjes në qendër të qytetit për homazhe, prej homazheve në qendër të sheshit të qytetit, që sot mban emrin e Indritit, dhe prej andej deri në banesën e tij të fundit, trupi i Indritit u përcoll nga orkestra frymore e Ushtrisë Shqiptare, e shoqëruar nga kolona dhjetëra mijëshe e popullit të qytetit. Atë numër e rriste edhe më tepër ardhja e banorëve nga Durrësi me rrethina dhe të fshatrave të Kavajës, që janë me origjinë nga Kosova, si dhe qindra refugjatë kosovarë, që ende nuk ishin kthyer në Kosovë.  Në krye të kolonës të pafundme njerëzore, që po e përcillte Indritin në përjetësi, ishin shokët e luftës së tij, që e mbanin atë në krah. Atje ishte e gjithë Shqipëria.

Në mitingun madhështor të asaj ceremonie erdhën përfaqësues nga Presidenca e Republikës, nga Ministria e Mbrojtjes, nga Kuvendi Popullor, tërë komunitetet fetare të Kavajës dhe i gjithë këshilli bashkiak i qytetit. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës foli Shpëtim Golemi. Garnizoni i divizionit të Shijakut organizoi homazhet e nderit në kinemanë e qytetit, ku i gjithë qyteti bëri homazh para trupit të heroit Indrit. Homazhet zgjatën mbi 5 orë. Përshëndetjen e fundit e bënë breshëritë e armëve të ushtrisë shqiptare, motrës së UÇK-së.

Në dyvjetorin e rënies së Indrit Carës, 31 mars 2001, Bashkia e qytetit të Kavajës, me shpenzimet e saj, ngriti në bronz, në qendër të qytetit, bustin e Indrit Carës, birit të nderuar të qytetit të vet, për ta përjetësuar dhe nderuar heroizmin e atij djali hero. Atë ditë u prezantua edhe kënga për dëshmorin Indrit Cara e kompozuar dhe ekzekutuar nga orkestra e qytetit të tij të lindjes.  I gjithë qyteti i Kavajës dhe familja e tij përshëndeten çdo ditë dhe krenohen me birin e tyre të shenjtë, i cili do të jetë përherë atje, i gjallë, në qendër të qytetit.(D.G)

Kontrolloni gjithashtu

Behram Sadik Behrami (25.1.1959 – 28.5.1999)

Behram Sadik Behrami (25.1.1959 – 28.5.1999)

Në fshatin Pollatë që shtrihet thellë në Grykën e Llapit më 25 janar të vitit ...