valamobile
kek
Airport Adem Jashari
mbpzhr 2018
MIT
Fillimi / Kultura / Akademik: Mark TIRTA: Preng Cub Lleshi, krijues, studiues, polemist, me shumë vlera
Preng Cub Lleshi

Akademik: Mark TIRTA: Preng Cub Lleshi, krijues, studiues, polemist, me shumë vlera

Ka jo pak njerëz të shquar në veprimtarinë e tyre, në fushën e letërsisë, të kërkimeve shkencore, të polemikave, për t`i sqaruar si duhet të vërtetat, që, si të tillë, nuk njihen aspak, ose njihen krejt përciptas në popull, madje dhe nga intelektualë shumë të ditur. Në këtë mes, si krijues, si studiues, si polemist, me shumë vlera, zë vend edhe Preng Cub Lleshi. Ka punuar si mësues në shkollën e mesme në Mirditë, është marrë shumë me krijimtari poetike, po më shumë me kërkime shkencore në fushën e gjuhësisë, me dukuri të ndryshme të etnokulturës.

     Në shërbim të këtyre studimeve ka bërë dhe eksplorime në fshatra të ndryshme në malësi. Ai ka punuar me shumë përkushtim e me mundime të mëdha, në rrugë vetjake e pa ndonjë pagesë për të gjitha këto veprimtari. Në kohën e lirë ai punonte në një kënd të shtëpisë, në një tavolinë, rrethuar nga rafte me libra e këtë e bënte në heshtje, ditën dhe natën. Ai studionte kudo pa ndërprerje në bibliotekë, në Rrëshen, në Tiranë, apo në Shkodër.

     Për vite të tëra bënte një punë studimore të paimagjinueshme, përveç punës shtetërore si mësues, që e ka kryer me shumë korrektesë. Prenga ka kaluar një jetë tepër të çuditshme e me mundime marramendëse, krejtësisht në heshtje. Vëreheshin vetëm shkrimet e tij të publikuara. Jeta e tij në veprim është e rrethuar me kaq mjegullnaja, sa të vërtetat tronditëse të duken të pabesueshme. Por vepra e tij, ato që janë shkruar, ndriçojnë gjithçka. Nata e errët vjen, por dielli nuk shuhet.

     Preng Cub Lleshi u lind më 15 nëntor 1935, në fshatin Shëngjergj të Kaçinarit, në mes maleve të Mirditës, në një familje të varfër, por tepër të varfër. Nëna i vdiq kur ky ishte shumë i vogël. Për disa kohë e ushqyen dhe e rriten, e futen në shkollë disa të afërm të nënës e të babes së tij. Kur gjendja u bë diçka më mirë, u kthye në shtëpi të babes, ku dhe mbaroi shkollën fillore me nota shkëlqyeshëm. Mësuesi i tij në Shëngjergj të Kaçinarit, i ardhur aty nga Elbasani, Hasan Graceni, duke parë zgjuarsinë e Prengës e të dashuruar shumë pas librave, pas dijes, bëri të pamundurën dhe e dërgoi në shkollë me burse shteti, për të kryer studimet deri në mbarimin e shkollës së mesme në Durrës e pastaj në Tiranë.

     Ai ishte një nxënës i shkëlqyeshëm. Ndërkohë ai merrej edhe me krijimtari, me poezi. Hartimet në shkollë i shprehte me një gjuhë artistike të veçantë. Gjë që në Tiranë, në Shkollën Pedagogjike, i tërhoqen vëmendjen mësuesit të shkëlqyehëm të letërsisë-shkrimtarit Petro Marko, i cili e inkurajoi të shkruante në prozë, po, veçanërisht, në poezi Petro Marko, këto ktijime të tij i lexonte dhe i bënte sugjërime të ndryshme për krijime artistike të kësaj natyre.

     Ky mësues i shkëlqyer i jepte mësime, këshilla se si të krijonte sa më mirë, me sa më shumë mjeshtri poeti, në strukturim të vargjeve, në shprehjet me art, me metafora e simbolika në tema të caktuara, pa u shpërndarë në gjithçka brenda brëndësisë së një poezie. Prenga jo vetëm që ishte i shkëlqyeshëm në mësime, krijues poezish tërheqëse, po ishte dhe recitues me talent të veçantë. Nga kjo prirje e tij, pedagogu i tij Petro Marko dhe Kolë Jakova e marrin të recitojë në Radio-Tirana. Mes tjerash, aty recitoi dhe një poezi të tij që e kishte botuar pak kohë më parë të “Zëri i Rinisë”, natyrisht, me përkrahjen e Petro Markos.

     Në këtë kohë, në vitin 1955, e morën të recitojë edhe në Teatrin Popullor në ditë festash. I nderuari Petro Marko, veç të tjerash, e këshillonte të krijonte edhe poezi të lidhura me jetën e tij, me vendlindjen, se ato do të ishin më përjetuese për krijuesin, më emocionuese. Përjetimet e tij, të shprehura në poezi, ishin tepër emocionuese, kur ai i recitonte në veprimtari të ndryshme kulturore, ose në kuvendime me shokë, me kolegë.

     Në vitin 1955, pasi mbaroi Pedagogjikën, filloi punën si mësues në Mirditë, në shkollë 7-vjeçare, duke qenë se kishte dalë me nota shkëlqyeshëm. Jepte gjuhë, letërsi, histori. Ishte shumë i përkushtuar në mësimdhënie, në krijimtari poetike. Botonte pa ndërprerje poezi, artikuj në shtypin e kohës. Lexonte me shumë “uri” libra të ndryshëm të letërsisë, po dhe nga fushat e tjera shoqërore. Ishte bërë një njeri shumë i ditur, por dhe kritik në luftë kundër të pavërtetave, kundër dukurive dëmtuese në jetën e njerëzve, në dijet shoqërore.

     Preng Cub Lleshi është i njohur shumë për shkrimet kritike për vepra të poezisë e të prozës shqiptare, kur në to paraqiteshin gjëra fantaziste të pasakta e poshtëruese ndaj njerëzve, ose ndaj krahinave të veçanta. Duke kryer me korrektesë detyrën e mësuesit, në vitet 1960-1962, vazhdoi e mbaroi me korrespondence Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Nga përkushtimi në veprimtarinë arsimore, në një shkrim të “ZËRI I POPULLI”, maj 1963, Namik Mehmeti do t`i quajë “Pasardhës të Ndrecë Ndue Gjokës” Bardhok Lukën, si veteran të arsimit e Preng Cub Lleshin si “përfaqësues i brezit të ri në veprimtarinë dritëdhënëse”, në ushqimin me dituri të brezit të ri në shkollë.

     Në vitin 1963, me ndihmën e Llazar Siliqit dhe të ministrit të të Arsimit, Manush Myftiu, hyri me burse në Universitetin e Tiranës, ku kreu studimet universitare, të cilat i mbaroi në vitin 1965 me rezultate të shkëlqyera. I popullarizuar me botimet e tij në organe të shtypit të kohës, e caktojnë delegate në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972. Aty mbajti një referim të gjatë, ku mbështeste njësimin mbarëkombëtar të këtij drejtshkrimi të shqipes, por aty bëri dhe shumë vërejtje për jo pak të meta të projektit që një staf gjuhëtarësh e kishin bërë që më parë. Vërejtjet ishin shumë të qarta e të thëna me logjikë, edhe pse jo çdo thënie ishte krejt bindëse.

     Këtu pati dhe kundërshtime. Për vite të tëra e pandërprerë veprimtarinë në krijimtari letraree, në shkencë e publicistikë, në polemika për krijime në letërsi dhe në ato sociale, u bë shumë i njohur dhe kështu e bëjnë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1978-ën. Nga shkrimet me kritikë që bënte në organet e shtypit, nga diskutimet kritike në mbledhje, në grupime për diskutime që ishin kundravënës, pati pasoja të rënda në jetën e tij, edhe pse kritikat i bënte me shumë kulture. Çon për të botuar një libër me poezi në N.B. “Naim Frashëri” dhe, megjithëse kjo ishte me recensencë, nuk pranuan t`ia botojnë, edhe pse kishte ndërhyrë i madhi shkrimtar Dritëro Agolli që t`ia fusnin menjëherë në shtyp si një libër me vlera.

     Kjo ndodhte, sepse P. C. Lleshi kishte bërë shkrime kritike për librat e tyre letrare ose të miqve të tyre. Kur unë shërbeja si inspektor arsimi në Mirditë, në pranverë të vitit 1967, erdhi një kërkesë për ta marrë me punë në një ent shtetëror, në Tiranë, por kjo u pengua me force nga të mëdhenjtë e pushtetit e të partisë në Mirditë. Kishte dhe libra të tjerë në përgatitje e sipër, po kur u pengua të botohej i pari as që bëhej fjalë për t`u futur në shtyp të tjerë. Të kuptohemi, në atë kohë librat botoheshin vetëm nga shteti e me paratë e shtetit.

     Prenga ka kaluar jo pak çaste tronditëse në jetën e tij e të familjes, por tërmeteve të jetës ka mundur t`u mbijetojë. Në vitn 1975, një nxënëse e shkollës së mesme në Rrëshen, ku jepte mësim P. C. Lleshi, u vetvar në shtëpinë e saj në Ndërfushas. Shkaqet e këtij veprimi tragjik ishin në shkollë, në djem njerëzish të veshur me pushtet, po, anash e anash, edhe të disa nxënësve të shkollës, që ishin të shkëlqyeshëm në mësime. Në mbledhjen që u bë në shkollë për shkaqet e kësaj tragjedie, nga “të fuqishmit e pushtetit” u ngirit me forcë që këta nxënës të shkëlqyeshëm në mësime, të hiqeshin nga shkolla, të internoheshin, madje dhe të burgoseshin.

     Në diskutimin e tij në këtë mbledhje, Prenga thotë se ata kanë bërë gabime, jo faje në këtë tragjedi. Ne këta i kemi nxënësit më të shkëlqyer në mësime; me këta krenohemi ne, krenohet shkolla. Pra nuk duhen marrë masa ndëshkuese kaq të rënda, por për atë që kanë bërë t`u ulim notën në sjellje, ose dhe dy a tre nota e jo më tepër. U bë ashtu si urdhëruan të mëdhenjtë e pushtetit të rrethit. Prengën, për këtë diskutim, që nuk ishte tjetër veçse një mendim vetjak i rastit, e heqin nga shkolla e mesme në Rrëshen dhe e çojnë mësues në Kaçinar, të veçuar mes maleve, ku qendroi dy vjet e pastaj dhe 4 vjet në fshatin Prosek. Përse u bë kjo? Për një diskutim ky largim! Ky largim, edhe pse mësues, ishte, të thuash, një internim. Ky largim për 6 vjet i solli pasoja të rënda fatkeqe jetën familjare.

     Prenga ishte një specialist i përkryer në letërsi, në gjuhë (dhe në disa gjuhë të huaja), në histori, ku, në këtë nivel diturie, nuk mund të gjeje ndonjë intelektual tjetër në Mirditë, por as në rrethe të tjera e deri sot, kur mbushi 80 vjet, gjithnjë me libra në dorë e sheh e ka shumë dëshirë të flasë, madje me shumë pasion për librat, për njerëzit e mëdhenj të letrave, për gjiganët e shkencës. Ky njeri ushqen shumë njerëz me dije, por ai, shumë nga këto, për një jetë të tërë, ua ka dhënë nxënësve; disa prej tyre janë bërë sot shkrimtarë e studiues me shumë vlera në letërsi e në kërkime shkencore.

     Pas viteve `90 të shek. XX e deri sot ky poet e studiues ka përgatitur për shtyp e ka botuar 14 libra, disa me madhësi mesatare e disa të tjera diçka më të vegjël. Disa janë libra me poezi, disa me studime gjuhësore, po ka nga këto me “Mendime kritike”. Ka dhe me tema historike lidhur me Mirditën, me Kastriotët e me Dukagjinët, me vendet ku janë shtrirë zotërimet e tyre në shek. XIV-XVI. Ka botuar jo pak për figura të shquara të Mirditës, po edhe më tej. Të tërheq vëmendjen libra “Faqe nga visari leksikor i Mirditës”, libër me fjalë të rralla, të vjetra shqipe, që i ka mbledhur me eksplorime në fshatrat malore, me pleq që tanimë ato janë vlerë. E ka kryer me porosi të Profesor Eqrem Çabejt. Ky thesar fjalësh, po të mos ishte mbledhur e botuar, do të ishte zhdukur, sepse tani janë zëvendësuar me fjalë të reja, jo në pak raste, me fjalë të marra nga gjuhë të huaja.

     Me shumë interes për lexuesin është libri i tij “Mos e vritni fjalën shqipe”, ku ngrihet me forcë në mbrojtje të standardit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, vendosur në Kongresin e drejtshkrimit tësaj në vitin 1972. Ngrihet me gjithë fuqinë e fjalëve të tij kundër atyre profesorëve që duan ta prishin standardin me arsyen se qenka i politizuar, kur kjo nuk është aspak e vërtetë. E dënon me forcë përpjekjen e disa njerëzve që gjithçka në drejtshkrim duan ta përmbysin, të kthejnë deri dhe përdorimin e dialekteve në shkrime. Këto probleme kundërshtuese i ka ngritur me forcë dhe në urgane të ndryshme të shtypit, por tani na del me këtë mbrojtje të drejtshkrimit dhe me një libër shumë domethënës. Drejtshkrimin e njësuar të shqipes na e paraqet si gjaku dhe shpirti i kombit.

     Ka shkruar libra e artikuj kritikë që janë me shumë domethënie për njejsimin kulturor të popullit tonë në rrugë të përparimit qytetërues. Është  “palsa” eist e koist, gjëra me të cilat unë nuk mund të pajtohem kurrësesi, po me çështjet p…nuk dua të merrem. Në përmasat e këtij shkrimi nuk është e mundur të paraqitet si duhet tërë ajo veprimtari e tij poetike, kulturore, shkencore, po dhe në arsimimin e brezit të ri. Për këtë mjeshtër të dijes kanë shkruar jo pak mjeshtra profesorë të letërsisë, të gjuhësisë, të historisë, po nuk janë thënë shumë gjëra marramendëse për këtë njeri të ditur dhe shumë të përkushtuar në arsim, në letërsi, në të ndriçuarit e të vëtetave shkencore në dobi të kombit shqiptar.

      Preng Cub Lleshi nuk ka titull e as gradë shkencore. Ka mbaruar arsimin e lartë për Gjuhë-Letërsi, Histori; ka kryer dhe një kurs njëvjeçar pasuniversitar për filozofi. Megjithkëtë, në sajë të një pune gjigande, për më shumë se 60 vjet, ky është shumë më i ditur, shumë më prodhues në letërsi, në gjuhë, në histori, në arsim, se sa disa profesorë a profesorë-doktorë, po edhe se disa akademikë, që kanë shkruar vetëm duke kopjuar libra e shkrime të bëra nga të tjerët; nuk janë lexues të rregullt të librave, për të marrë dije, edhe pse banojnë në Tiranë, nuk e dinë as nga e ka derën Biblioteka Kombëtare.

     Prenga është një përsonalitet i diturisë, që duhet vlerësuar ashtu siç duhet për veprën dritëdhënëse, që ka bërë e vazhdon të bëjë. Është, pa dyshim, nderi e krenaria e Mirditës dhe e kombit.

Kontrolloni gjithashtu

Zade Tahir Meha, 38 vjet jeton me traumat e pasojat e luftës të 13 marsit të vitit 1981

Zade Tahir Meha, 38 vjet jeton me traumat e pasojat e luftës të 13 majit të vitit 1981

Bija e Tahir Mehës, Zadja,  “kujdeset” me aq sa mundet për kullën e babait, kullën ...