Brickos

"Akcija e armëve", rrahja kolektive e shqiptarëve ...

“Akcija e armëve”, rrahja kolektive e shqiptarëve …

( Kapitull  nga romani në dorëshkrim, “Saga e Malmirit” )

Aksioni i Armëve,  apo “Erfija”, sikur quhej asokohe, ishte një fushatë e egër, në radhë të parë  antishqiptare, e organizuar nga kreu komunist i Jugosllavisë. Fushata  kishte marrë përmasa sidomos në Drenicë. Regjimi, me pretekst të kërkimit të armëve, kishte ushtruar masa djallëzore për të rrahur e gjymtuar të gjithë ata shqiptarë, që konsideroheshin armiq dhe si e tillë konsiderohej  po thuajse krejt kjo pjesë e Kosovës. Në rajonet dhe fshatrat e tjera të vendit, fushata ishte zhvilluar në mënyrë selektive. Atje ku kishin ndikim komunistët besnikë të regjimit, aksioni zhvillohej sa për sy e faqe, me dorëzimin e ndonjë pushke, apo të ndonjë arme tjetër.

Kishin shpëtuar ata fshatarë që kishin ndonjë lidhje me komunistët, po ashtu edhe spiunët e hapur dhe të maskuar të regjimit. Kishin shpëtuar edhe ata që ishin në gjendje më të mirë ekonomike dhe blinin një apo edhe dy e më shumë armë, me qëllim që të mos shtroheshin në tortura e mizori të pandalshme. Asnjëri,  nga pjesa tjetër e popullatës së varfër  nuk kishte shpëtuar pa u rrahur, apo  pa qenë i detyruar të qëndronte zbathur me orë e ditë të tëra mbi dëborën e acartë të atij dimri. Për veç në ndonjë rast krejt të  veçantë, në disa fshatra të Drenicës, torturave u kishin shpëtuar krejt pak shqiptarë prej moshës 17- e deri edhe në moshën 70 por edhe 80-vjeçare.

Dhuna e tillë çoroditëse, kolektive, vetëm kundër shqiptarëve, sidomos qëndrimi zbathur mbi dëborë, ishte paraparë me qëllim për të lënë pasoja afatgjate për jetën e secilit njeri, që ishte detyruar të qëndronte në borë me orë e ditë të tëra.

Bota femërore në dukje kishte shpëtuar, por ishin shënuar raste kushtëzimesh me ndonjë “shërbim”, për ta shpëtuar djalin, burrin e sëmurë apo ndonjë të afërm.

Brutaliteti i  tillë kolektiv manifestohej  nga rrahjet me pendrek por edhe me grushte e shqelma, në sy të tërë fshatarëve, pa i kursyer edhe sharjet si: “Majku ti balistiçku!, majku ti neprijateljsku!, majku ti shiptarsku!” e shprehje të tjera fyese e përbuzëse.

Aksioni kishte për qëllim edhe thellimin e hendekut mes shqiptarëve kundërshtarë të regjimit dhe atyre që i shërbenin atij. Gjatë tërë asaj kohe komunistët e fshatrave, anëtarët e “Frontit Populluer”, “poverenikët” e regjimit jo vetëm që ishin kursyer, por shumë prej tyre kishin marrë pjesë drejtpërdrejt në jetësimin e aksionit. Ata, në radhë të parë kishin denoncuar bashkëfshatarët, madje edhe të afërmit e tyre, për të cilët dinin se kishin armë. Përçarja ishte thelluar edhe më tej, madje ishte manifestuar edhe me kërcënime dhe zotim për hakmarrje. Ishin evidentuar edhe hakmarrje të rastit por edhe të tilla me moh.

Kreu komunist i Jugosllavisë, kishte planifikuar që nga Aksioni me pretekst kërkimin e armëve të përfitonte shumëfish, ashtu sikur edhe kishte përfituar. Represioni sistematik, rrahja, mbajtja mbi dëborë, detyrimi për shitblerje të armëve, kishte pasur për qëllim që shqiptarëve liridashës t’ ua bënte të pamundur dhe pa perspektivë jetën në Kosovë. Qëllimi kryesor i aksionit ishte intensifikimi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, meqë ishte konsideruar se për tri vitet e kaluara qysh kur ishte nënshkruar marrëveshja me Turqinë, e  njohur si marrëveshja xhentelmene, Kypryli-Tito e vitit 1953, e cila parashihte shpërnguljen e qetë dhe pa zhurmë e bujë të shqiptarëve për në Turqi, sikur arsyetohej  nga pala jugosllave për gjoja  kompletimin e familjeve, meqë atyre që kishin shkuar herët apo vonë,  po iu bashkoheshin edhe kushërinjtë  e të afërmit e tjerë.

Pavarësisht interpretimeve, Turqia u kishte hapur dyert të gjithë atyre shqiptarëve, turqve apo boshnjakëve myslimanë që nuk e duronin dot regjimin represiv jugosllav.  Presioni sistematik dhe tejet i dhunshëm ishte ushtruar mbi shqiptarët që konsideroheshin autoritete  me ndikim në popull. Kur nga mesi i tyre ndonjëri përcaktohej për t’u shpërngulur në Turqi, atë e pasonin dhjetëra familje. Andaj regjimi kishte marrë vendim, që ta  forconte presionin kundër shqiptarëve me autoritet, me qëllim për të marrë hov fushata e shpërnguljes….

 

8.

UDB-ashi famëkeq, Sava Shurrbat raporton para Komitetit të Ulpianit për Aksionin e Armëve të dimrit të viteve 1955-1956

Godina e “Komitetit”, në Ulpian ishte ndërtuar në kohën e Kralit, ku për një kohë të gjatë kishte qenë edhe “Opshtina”, serbe. Ishte një ndërtesë e stilit rus, me korridore të gjata dhe zyre anash. Pas Luftës, komunistët e Titos i kishin dhënë më shumë rëndësi ndërtimit dhe përparimit të shpejtë  të qyteteve, ku kishte qoftë edhe krejt pak popullatë serbe. Oaza e Ulpianit me disa fshatra përreth, krahas popullatës shumicë shqiptare, kishte edhe disa fshatra me popullatë serbësh vendorë, të njohur si “raja” dhe të mbetur në Kosovë qysh nga sundimi serb i  kohës së Mesjetës, por edhe kolonë të sjellë nga Krali mes dy luftërave botërore.

Duke qenë se edhe pas Luftës së Dytë Botërore, serbët kishin marrë qeverisjen në Kosovë, ata me shpejtësi kishin filluar përmirësimin e pozitës së njerëzve të tyre, duke i zënë me punë në administratë, në milici, kudo në organet e Shtetit, ndërsa fshatarëve u kishin ndarë tokë, të cilët regjimi i Kralit  ua kishte marrë shqiptarëve në kohën e Reformës agrare. Për 10 vjet pas luftës, popullata shumicë shqiptare ishte detyruar të katandisej  dhe shumë prej tyre shpëtimin fizik dhe mbijetesën e shihnin me  shpërngulje për në Turqi, apo duke ikur ilegalisht në Shqipëri. Popullata  serbe ishte shtuar në numër, sidomos  me kolonë serbë të sjellë nga vise të ndryshme të Jugosllavisë. Një pjesë syresh, regjimi i kishte sjellë edhe nga Mali i Zi të cilët regjimi i kishte vendosur në tokat më të pëlleshme të Kosovës duke i favorizuar në të gjitha segmentet ekzistenciale.

Në gjysmën e dytë të janarit të vitit 1956, dy muaj pas fillimit të Aksionit për Grumbullimin e Armëve, ishte paralajmëruar një mbledhje e Komitetit, ku pritej të merrnin pjesë edhe: Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Stanoje Aksiq, Xhavit Nimani, Shaban Kajtazi e komunistë të tjerë, të njohur për qëndrimet e tyre antishqiptare. Operativisti i UDB-së, Sava Shurbatoviq kishte përgatitur një raport lidhur me punën dhe aktivitetin,  që ishte zhvilluar dhe po zhvillohej në terren.

Mbledhja kishte filluar në orën 14.oo, në sallën e madhe të komitetit ku ishin ftuar edhe operativistë dhe komunistë të njohur nga disa fshatra të komunës. Tymi i duhanit ishte përzier me ajrin e ftohë dhe duhmën  e ziftit të zi, me të cilin  ishte lyer dyshemeja. Ishte një duhmë  e rëndë që u zinte frymën, sidomos atyre që nuk tymosnin. Gjatë tërë ditës rojtari i komunës kishte ndezur stufën e madhe të mbushur me thëngjill, por salla nuk ishte ngrohur.

Mbledhja kishte filluar me një orë vonesë për shkak se “Marica” e komitetit, për një kohë ishte bllokuar nga bora dhe fërfëlliza, disa kilometra në hyrje Ulpianit. Pasi ishte konstatuar ardhja e anëtarëve, operativisti Shurbatoviq, ishte ngritur në këmbë, kishte përshëndetur të pranishmit dhe kishte filluar leximin e raportit në gjuhën serbe.

Shokë dhe shoqe, shokë të nderuar të Komitetit, shoku,  Shukria dhe Mugosha!

– Aksioni për grumbullimin e Armëve, nga popullata që i mban ato pa arsye e me qëllim të keq, është në zhvillim e sipër. Prej kohës kur kemi filluar e deri tani kemi realizuar një pjesë të parashikimeve tona, por më duhet ta pranoj hapur këtu, para jush, se reaksioni, sidomos në rajonin e Drenicës, është shumë i fortë. Pavarësisht metodave tona, në fillim me bindje e me të mirë, pastaj edhe me masa shtrënguese, shumë prej atyre, për të cilët kemi të dhëna të besueshme se posedojnë armë, nuk i kanë dorëzuar ato. Dimri dhe acari që po mbretëron edhe pse është aleati ynë më i mirë, prapë se prapë nuk po na ndihmon të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Deri tani në 60 fshatra kemi grumbulluar vetëm 320 armë, kryesisht armë të kohës së Okupimit fashist, 20 mitraloz të tipit “breda”, mijëra fishekë dhe qindra bomba dore. Shumë pre atyre që posedojnë armë, i kanë dorëzuar vetëm pasi janë detyruar të qëndrojnë një ditë zbathur mbi dëborë, e disa të tjerë kanë qëndruar  me ditë të tëra por nuk i kanë dorëzuar.

Janë të shumta rastet, kur ata, për të mos e dorëzuar përnjëherë armën, kërkojnë afat për ta blerë diku një armë dhe në afatin e caktuar e sjellin atë. Ka disa prej tyre, që kanë dy e tri sosh dhe armën e parë e sjellin përnjëherë, ndërsa kur i kërkohet arma tjetër, ata nuk pranojnë se kanë edhe ndonjë armë tjetër. Reaksioni  ka hapur fjalë se disa operativistë tanë në terren po u shesin fshatarëve armë, nga ato që i kemi grumbulluar. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë rasti të veçantë dhe për këtë jemi duke kryer hetime. Dy ditë më parë, në fshatin Sadran, përmes një njeriut tonë të besuar kemi zbuluar një rast, kur një operativist  yni atje,  tri herë u ka “huazuar” të njëjtën armë disa kushërinjve të vetë. Gjatë natës ka hyrë nga tavani, në shkollë, ka marrë armën dhe ua ka dorëzuar me radhë tre kushërinjve.  Për shkaqe objektive nuk e kemi bërë të ditur emrin. Në mbrojtjen e tij ai ka pranuar aktin e dënueshëm, por nuk ka pranuar se ka marrë para. Këtë e ka bërë gjoja për t’ i shpëtuar kushërinjtë nga dajaku.

Një fshatar në Ndrenik është gjetur i varur në ahurin e tij, ndërsa reaksioni ka propaganduar se varja është rezultat i rrahjes, në mungesë të armës. Fshatari për të cilin është fjala, nuk është matretuar fizikisht, por e kanë detyruar që qëndrojë disa orë në borë, kështu që varja e tij nuk ka të bëjë me armën, të cilën nuk e ka dorëzuar,  por me problemet e tij mendore, apo probleme për të cilat nuk kemi shfaqur interesim t’i zbulojmë, sepse nuk na përkasin neve.

Kemi disa raste, kur disa nga fshatarët na paraqesin dokumente se armët i kanë dorëzuar pas kthimit nga Brigadat, në verë vjeshtë të vitit 1945, por shumë prej tyre nuk kanë vërtetime. Disa prej tyre, dihet mirë se në Brigada ishin futur për të fshehur gjurmët e bashkëpunimit me fashistët dhe armët i kishin dorëzuar qysh në mbarim të luftës, por ka shumë syresh që i posedojnë  armët e kohës së fashizmit.

Reaksioni  ka hapur fjalë të liga se gjoja operativistët tanë, në disa fshatra të Rrafshit kanë përdorur edhe metoda të ulëta dhe amorale për të zbuluar armët.

Ne jemi të vendosur që Aksionin ta kryejmë me sukses deri në fund të dimrit dhe tani e tutje do të angazhohemi edhe më shumë në punën tonë të përkushtuar për ruajtjen e fryteve të Revolucionit dhe të bashkim vëllazërimit.

– Rroftë RSFJ, Rroftë Shoku Tito, kishte thënë  Shurbatoviq në kohën kur kishte mbaruar së lexuar raportin.

Pas tij, fjalën në emër të Komitetit e kishte marrë, Ali Shukria. Ai kishte lavdëruar punën e Shurbatoviqit dhe rrjedhën e aksionit, ndërkohë që iu kishte drejtuar të pranishmëve në sallë, në gjuhën serbe.

-“Shokë dhe shoqe” dhe ju operativistë!. Ne komunistët kemi për detyrë që popullit t’i shpjegojmë arsyet pse po ia marrim armët, të cilat nuk u duhen për asgjë tjetër, veçse për ta vrarë njëri-tjetrin, apo për të parë ëndrra se një ditë do iu vjen  prapë, Shqipnia. Ka disa që edhe bëjnë kontrabandë me armë dhe kjo u prezantua edhe në raport. Nuk e di sa keni qenë aktivë, ju, komunistët që t’ ia shpjegoni popullit dhe ta bindni përfundimisht se lufta ka mbaruar njëherë e përgjithmonë dhe nuk ka forcë në botë që guxon t’ ia mësyjë Jugosllavisë, e lerë më Shqipnia e lodhtë dhe e “coftë” e Enver Hoxhës.

-Rroftë Shoku Tito ishte dëgjuar nga të pranishmit një brohoritje, që e kishte elektrizuar turmën në sallë dhe ishte pasuar me: “Rroooftë!”

– Rroftë Enver Hoxha– poshtë Fadil Hoxha, kishte brohoritur i njëjti duke ngatërruar emrat dhe sakaq të pranishmit në sallë kishin filluar fishkëllima e qeshja me zë, ndërkohë që brohoritësi kishte kërkuar falje dhe me sa fuqi zëri kishte brohoritur sërish:

– Poshtë Enver Hoxha! Rroftë Shoku Tita, Rroftë Komiteti, Rroftë Ali Shukria. Operativistët kishin qeshur me zë, për shkak se brohoritësi kishte ngatërruar emrat pa qëllim, meqë kishin mbiemër të njëjtë, sepse të gjithë e njihnin përkushtimin e tij besnik ndaj partisë e pushtetit.  Ai, para të pranishmëve i kishte mëshuar shuplakë gojës, duke e ndëshkuar veten, për gabimin e paqëllimshëm. Në brohoritjen përmirësuese nuk kishte përmendur emrin e Fadil Hoxhës nga frika se sërish do të ngatërrohej.

Komunisti jugosllav, Ali Shukriu, meqë iu kishte ndërprerë fjala ishte drejtuar nga komunisti, që kishte brohoritur, i vetëdijshëm se ai kishte gabuar pa asnjë qëllim.

-Ky shoku ynë gaboi, pa qëllim dhe nuk ka faj. Për fat të keq kemi të bëjmë me një mbiemër të njëjtë, por me dy njerëz krejtësisht të kundërt në bindje dhe ideale.

Në fjalën e tij para të pranishmëve dhe anëtarëve të komitetit, komunisti, Dushan Mugosha, pasi kishte përshëndetur të pranishmit, kishte lavdëruar punën e UDB-së në terren dhe kishte kërkuar që aksioni  të vazhdojë me të njëjtat mjete e metoda. Ai, kishte nënvizuar faktin se armiqtë e klasës nuk dorëzohen lehtë dhe armët në duar të forcave reaksionare e balliste, gjithnjë paraqesin rrezik për Revolucionin dhe frytet e tij. Kishte propozuar edhe shtrëngimin e masave represive, duke qenë se kishte bindje të thellë  se nuk kishte shtëpi në Drenicë pa një armë, qoftë edhe shtëpia më e varfër. Andaj kishte propozuar aksion më të përqendruar në mënyrë që aksioni të përfundonte sa më parë dhe përfundimisht, të shpallej i mbaruar më 13 maj 1956 kur ishte edhe Dita e Milicisë, e cila do të shënonte edhe një fitore tjetër, gjithsesi “historike” për Jugosllavinë e kombeve e kombësive “të barabarta”.

-Shokë dhe shoqe! Nga të dhënat që disponoj, jam më se i sigurt se të gjithë ata shqiptarë që kanë përkrahur dhe kanë luftuar në radhët e Shaban Palluzhës e ballistëve të tjerë, armët as i kanë dorëzuar, as i dorëzojnë. Ju e dini se në këtë anë kanë vepruar ballistët më të njohur si Kadri Beba, Sali Rexha, Nezir Buja, Ismail Dragusha e shumë të tjerë. Unë jam kundër metodës që ju i keni lejuar të blejnë pushkët, disa nga familjarët e tyre. Disponoj të dhëna të besueshme se shumë shqiptarë nga Drenica po blejnë armë nga serbët e malazezët. Ato po i dorëzojnë dhe këtë po e zbulojmë nga numrat serikë të poseduesve të armëve me leje e pa leje. Në këtë drejtim duhet të binden serbët e malazezët që mos t’ iu shesin armë shqiptarëve. Aksionin duhet drejtuar edhe në këtë drejtim, ndërsa ata serbë që zihen duke bërë vepra të tilla të dënohen sipas ligjit, kishte përfunduar fjalim e tij Ali Shukria, i cili ishte përshëndetur frenetikisht nga të pranishmit.

Pasi kishin mbaruar raportet zyrtare, kryesuesi i mbledhjes, Stanoje Aksiq kishte hapur diskutim,  meqë mbledhja ishte e zgjeruar dhe kërkohej që mendimet e tyre t’ i shprehnin edhe komunistët e “poverenikët” e regjimit.

Nga mesi i sallës, një malazez kishte marrë fjalën dhe pasi kishte përshëndetur të pranishmit kishte thënë.

-Shokë dhe shoqe! Edhe unë jam komunist si ju, por as jam pajtuar as pajtohem me këtë aksion. Këtu u tha se serbët e malazezët po u shesin armët shqiptarëve, por kjo nuk është e vërtetë. Armët po ua shitni ju, që po ua merrni me dhunë. Dhe e dini ju shokë se një pushkë e keqe italiane shitet me çmimin e dy qeve të zgjedhës, që kushtojnë sa krejt shpenzimet vjetore për një familje me 10 anëtarë?  -A kjo është drejtësi sipas jush?.

Kryesuesi i mbledhjes kishte kërkuar nga eprorët që t’ i merret fjala por ai kishte vazhduar.

-Po u tregoj vetëm një rast. Keni rrahur gati për vdekje një hoxhë plak, për të cilin e dini fare mirë se kurrë nuk ka pasur armë, por e keni bërë në shenjë hakmarrjeje sepse ai është kundërshtar i regjimit. E dini po ashtu se po ai hoxhë, në dimër të vitit 1944 ka shpëtuar gratë e fëmijët e fshatit tim, të cilët i kishin rrethuar ballistët, duke u kërkuar të zbulonin ku po strehoheshim ne. Ai, edhe pse nuk ishte pjesë e regjimit, me autoritetin e tij i liroi të gjithë dhe atyre që i mbanin te Kisha u kishte thënë. “Shkoni në male e zini komunistët dhe mos u merrni me gra e fëmijë!”. Ky është shpërblimi që ju po i bëni njeriut, që ka shpëtuar fëmijët e gratë e një fshati.

– Nuk është e vërtetë kjo shokë, po rren, or ti shok, i kishte ndërthurë në fjalë komunisti, Himë Ziu dhe kishte vazhduar. Hoxhën e njoh se e kam të anës sime. Ai ka qenë dhe është armik i përbetuar i Jugosllavisë. Ti me siguri se ke marrë pare prej familjes së hoxhës  për t’ i folur këto fjalë.

– Praj mor qelbanik. Kujt i thua ti, po rren, mor varr!. Veprat  tua të liga i dinë të gjithë, por të kanë bërë mashë për poshtërsi dhe për të brohoritur, këtu. Ti me Apen keni vrarë njeriun pse ia ke gjetur dy thasë miell të fshehur për familjen dhe ky shoku Sava të ka nxjerrë nga burgu. Vetëm tre muaj të kanë mbajtur në burg, për dy shqiptarë që i ke vrarë pa hak.

Sapo iu kishte përmendur emri ishte ngritur në këmbë inspektori i lartë Shurrbatoviq  dhe iu kishte druajtur të pranishmëve.

– Shokë dhe shoqe! Sa i përket Himë Ziut, ne nuk dyshojmë në besnikërinë dhe aktivitetin e tij. Ai, vërtetë se është i pashkollë, por është më komunist i devotshëm se shumë nga ne këtu dhe qind për qind me shumë se ti shoku, Gojko, që je edhe i shkolluar dhe kuadër i moçëm i partisë. Ne pranojmë kritika konstruktive, se njerëz jemi, mbase edhe mund të kemi bërë ndonjë gabim, por marrja në mbrojtje nga ana jote e elementit më reaksionar që kemi në Drenicë, edhe mua më shtyn të dyshoj se ti ke një hall tjetër. Ndërsa ajo përralla se ai gjatë okupimit ta paska shpëtuar nënën, motrën tënde dhe disa teze tua të fshatit, nuk meriton as të përmenden, sepse ne e dimë kush ka qenë dhe kusht është sot. E dinë të gjithë, jo vetëm unë, i di edhe ti po ke qëllime të tjera…

– Nuk kam asnjë hall dhe asnjë qëllim, Shurrbatoviq, ju keni halle me veten tuaj, Ju jeni ata që po maltretoni e po vrisni njerëz. Dhe, deri atje ka shkuar represioni sa këtu, në këtë mes, asnjë komunist shqiptar nuk po guxon ta thotë asnjë fjalë, sepse po të marrë kush prej tyre guxim dhe ta thotë të vërtetën, ashtu sikur po e them unë, dihet se çka e gjen.

Në sallë ishte krijuar një gjendje e rëndë.

Pas pak çastesh fjalën e kishte marrë, komunisti, Shaban Kajtazi, njëri prej më besnikëve të regjimit, i njohur për kapjen dhe likuidimin në pritë të luftëtarëve të NDSH-së.

– “Drugovi”, kishte filluar ai në gjuhën serbe, unë jam komunist i kombësisë shqiptare. Jemi edhe shumë të tjerë këtu, por asnjëri prej nesh nuk pajtohet me fjalët tua, or shok. Edhe unë mendoj se ty të ka dhanë rryshfet dikush për të na përçarë, por gabohesh ti dhe kushdo që në këtë sallë mendon si ti.  Ky aksion është marrë me leje të shokut Tito dhe shokut Rankoviq dhe vlen vetëm për shqiptarët, sepse ata përditë po e vrasin njëri-tjetrin, sepse elementët ballistë për ditë po i dënojmë me burg. Vetëm sivjet kemi dënuar 80 vetë kudo, në Prishtinë, Gjilan e në Prizren. Ne e dimë çka do të thotë armik i klasës, ndërsa ti si duket nuk paske dëgjuar kurrë për këtë fjalë.

Inspektori Shurbatoviq, pasi ishte konsultuar me Ali Shukriun dhe Dushan Mugoshën, iu kishte drejtuar të pranishmëve.

– Shokë dhe shoqe! Shoku Gojko është i vetmi, që mendon kështu. Duket se e ka tepruar me atë shlivovicën  e tij të sertë,  që e mbanë edhe në krevat, andaj edhe foli pa lidhje. Nuk është hera e parë që ai bën kritika të pamatura. A ka edhe ndonjë tjetër që e përkrahë mendimin e tij, kishte thënë me zë autoritar duke shikuar nga të pranishmit.

Askush nuk kishte folur. Ndërkohë, kryesuesi Aksiq kishte mbyllur mbledhjen e cila ishte përshëndetur me duartrokitje dhe britmat uloke të Himë Ziut, i cili nga frika e ngatërrimit të emrit të Fadil Hoxhës me Enver Hoxhën, nuk kishte përmendur asnjërin.

Ahmet Qeriqi

(Kapitull nga romani në dorëshkrim, “Saga e Malmirit” )

(Krojmir-Shtime 2015-2016)

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …