KEK
Fillimi / Intervista / Albert Z. Zholi: Flet ish-oficeri i nëndetseve Mëhill Marku: Ja kur ishte dhe si u realizua LUNDRIMI I PARË ME NENDETËSE
Albert Z. Zholi: Flet ish-oficeri i nëndetseve Mëhill Marku: Ja kur ishte dhe si u realizuaLUNDRIMI I PARË ME NENDETËSE

Albert Z. Zholi: Flet ish-oficeri i nëndetseve Mëhill Marku: Ja kur ishte dhe si u realizua LUNDRIMI I PARË ME NENDETËSE

Urdhri i 18 Marsit 1968, si realizuam lundrimin e parë nën dhe mbi det

-Kur u zhytëm në thellësinë 70 metra mbeta pa frymë

-Në drekë ishte e detyrushme pirja e një gote verë të kuqe

 

 

Ishte Mars i vitit 1968. Në Tiranë kundërmonte aroma e mimozave.Kishte filluar çdo gjë të lulëzonte e të vishte ngjyrat e pranverës. Po shtohej gjelbërimi, ishin gjallëruar lëvizjet e gjallëria në kryeqytet. Ndërsa pemët e lulet po çelnin e po visheshin me kostumin e stinës dhe njerëzit filluan të liroheshin nga rrobat dimërore dhe kishin filluar të çelnin bukuritë e hirët njerëzore në rrezatimin pranveror. Për kursantët kishte ardhur koha për fluturim.

Nga shkolla në Pashaliman. Si erdhi ajo ditë?Si shkuan nëbazën e nëndetëseve?

Një urdhër i M.M.Popullore na e preu si me thikë ëndrrën e moshës e të jetës në Tiranë.Një grup prej 10 vetësh , ish skënderbegas do të shkonim urgjent në Pashaliman, në Brigadën e Nëndetseve.

Ishte urdhëri i Atdheut. Lamë shëtitjet, lamë ëndrrat rinore, lamë Sheshin Skënderbej, kinematë,teatrin,ndonjeri la dashurinë që sapo kishte filluar të çelte sythet e saj dhe u pregatitem për në Pashaliman. Ishim 10 shokë: SABRI ÇELMETA, BASHKIM MASKA, MËHILL MARKU, GËZIM DYRMISHI, PJETER DEDA, REXHEP KAPLLANI, SHEFKI BAROLLI, FILIP KLLAPI, HYSNI DEMIRI DHE ARISTIDH MITRO. Tek secili u përjetua me shqetësim kjo ikje, në bastionin e luftës të ftohtë, në Pashalimanin heroik si gjatë histories, por veçanërisht në ngjarjet heroike të vitit 1960- 61 me sovjetikët.

Kishim dëgjuar për ngjarjet në Bazën e Nëndetëseve të vitit 1961, ndersa për Nëndetëset dinim vetem fantazitë e të madhit Zhul Vern. Nëndetëset për ne ishin

mit, ishin mister, por ishin dhe ankth . Ishim të ri . U mësuam katër vite e gjysëm në Tiranë. Në fytyrat e secilit prej nesh u end një tis përgjegjësie, ankthi por dhe krenarie për heroikën e asaj baze dhe të kuadrove e detarëve heroik shqiptarë siç kishim dëgjuar për ato kur ngjarjet në Pashaliman ishin lajmi i parë .

Dhe pikërisht ky mit e ky mister na bëri të harrojmë çfarë lamë në Tiranë. Ishim shokë të një klase 6 vetë dhe 4 vetë ishin të njëjtit vit, por në një klasë tjetër.

Për të na marrë erdhi një oficer i shtabit të Brigadës nëndetëseve Sherif Danaj, një burrë ishkurtë nga shtati, por babaxhan,  kuqo, me një uniformë që nuk e mbante fort mirë, që pa fikur cigaren pregatiste tjetrën, dhe me bisedat e tij mundohej që ta kalonim sa më lehtë largimin nga Tirana në Pashaliman, që me të drejtë një shok i viteve të mëvonshme,  e ka krahasuar Pashalimanin me një valvulë moskthyese , që të lejonte të hyje në Pasha, por do ta kishe të vështirë të dilje prej atje.

Sherifi për të na larguar vëmendjen nga vështirësitë e Nëndetëses, na futi në botën e kurioziteteve për lundrimin nën ujë dhe për rolin dhe detyrat e nëndetëseve. Më vonë pata fatin ta kisha shef të Aparatit Politik në Brigadë , kur dhe unë punova në aparatin politik, e për të cilin ruaj kujtimet më të mira.

Ishim shokë të mirë me njeri tjetrin, në vitet e shkollës “Skënderbej” , Sabri Çelmeta, pezaku i mirë që jetonte në Durrës që e njihte detin edhe pse i pezmatuar për çka lamë mbrapa mundohej të na e joshte rrugën e gjatë e të vështirë të asaj kohe, Tiranë -Pashaliman. Po kështu edhe Gëz im Dyrmishi e Rexhep Kapllani, edhe ata durrsakë sikur po e përcillnin më lehtë vehten , dhe hidhnin ndonjë romuz për të na kthjelluar nga lloj- lloj resh që silleshin vërdallë në mendimet tona.

-Si ishte ambienti rreth Pashalimanit kur mbërritët?

Që kur hymë në postbllok e deri në komandë kërkonim të shihnim Nëndetëset , të cilat ishin akorduar në bankinë ashtu gjatë e gjërë dhe të dukej se po pushonin pak, për të nisur lundrime e detyra të tjera luftarake. Ja ku janë?- na tregoi me gisht Gëzimi, të cilave veç një pjesë e trupit u dukej në sipërfaqë. Sa të thella janë pyeti Pjetri që rrinte si më i urti.

Ishim të lodhur dhe të uritur. Rrugë e gjatë . Me pak lek në xhep, sa për ndonjë ” ingranazh” . Në oborrin e komandës na priti kryeinxhinieri i nëndetëseve Luan Cukalli, edhe ky një burrëi shkurtë, i dobët fizikisht, por me dashamirësi na prqafoi  e na uroi mirësëardhjen në këto anije misterioze, por dhe heroike. Ne shikonim atë dhe njeri-tjetrin në sy. Luani a futi në zyrën e shefit të shtabit të brigadës , Petrit Myftiu, edhe ai një burrë i shkurtë, që i xixëllonin sytë nga inteligjenca dhe dashamirësia. Na pyeti një për një, na përgëzoi që kishim zgjedhur të vinim në Nëndetëse, (ne nuk na pyeti njeri kur na caktuan), u prezantua se kush ishte dhe sa për të na shkundur nga gjendja e lodhjes , ankthit dhe urisë na tha:

– Mirseerdhët çuna! Ju do të jeni e ardhmja e nëndetsëve tona. E keni pak vështirë të ambientoheni, por do të jemi bashkë.

Ja! Sa ju, kemi ardhë dhe unë e Luani.

E shoh se jeni lodhur dhe keni nevojë për pak ushqim.MIRËSEERDHET !

Na shoqëroi Luani deri në mencë dhe na rregulloi me çfarë të gjendet: mish të pjekur, sallam ,djath kaçkavall, makarona, ndonjë frut, komposto, etj. Dhe pasi të ushqehen tregoju dhomën ku do akomodohen iu drejtua Luanit.

Suksese çuna!”

Ai përmendte ushqimet , që ne nuk i kishim dëgjuar dhe picronim sytë me njeri tjetrin. Njeri nga ne tha : kështu të presin në fillim sa me na marrë me të mirë!

Ndërkohë ndërhyn shoku ynë Pjetër Deda kur dëgjoi menynë që tha shefi:

– Shoku shef – mua ma shënoni emrin përgjithmonë në Nëndetëse: dhe plasi gazi.

Ne ishim të panjohur me detin.Rexhepi si me shaka thonte gjatë rrugës: Po ku na gjetën ne o çuna ?! Pak kishte si ne gjithë ajo shkollë? Më të pa njohurit me detin ishim unë, nga Lezha, Pjetri nga Shkodra e Bashkimi nga Kolonja i ardhur në Tiranë.

” U bubu thonte Bashkim Maska, si me kokrra misri na kanë gjet.Paskan qenë të quet ata që kanë bërë listën. Me kokra misri na kanë zgjedh. Hajt ma – e mbylli Bashkimi- skemi çfarë me ba”

– Do mësohemi dhe ne si shokët- na jepte kurajo Sabriu.

Na pritën me nderime e kujdes të veçantë.U rehatuam në dhomën e fjetjes.

Çdo ditë vinte e na takonte dhe interesohej për ne e kushtet e jetesës komandanti i Brigadës, legjendari Mark Plani, që me bisedat e tij, me humorin e fjalorin e tij karakteristik shkodran , me atë ” sh” e theksuar para çdo fjale na e lehtësoi ambientimin në Pashaliman.

 

-Si erdhi e nesërmja?

Të nesërmen kishim ngel të tulatur tek shihnim nëndetëset të shtrira në bankinë apo që rrëshqitnin mbi ujë duke dalë apo duke u akostuar në molin e tyre.

Dëgjonim zhurma motorësh, komanda , sinjale me drita e me flamurë. Çdo gjë gumëzhinte. Ishte jeta e nëndetëseve shqiptare. Bashkim Maska këpuste ndonjë romuz:ë”Bu bu- dhe i binte ballit me dorë! Edhe ne do të futemi në nëndetëse?! Zor se dalim të gjallë!” – aq sa na bënte dhe të mendoheshim për çfarë mund të na priste, aq dhe për të qeshur e tallur me ne që secili kishte rënë në mendime për të ardhmen.  Filluem të mendojmë e të hyjmë me mend në trupin e jetën e asaj anije misterioze që na dukej se ne po na priste. Dhe nuk vonoi..

-Konkretisht?

Më 18 Mars 1968 do të dilnim në lundrimin e parë nën e mbi det.

Gjithë natën nuk na zuri gjumi. Herë Rexhepi, herë Bashkimi këputnin ndonjë qyfyr e na bënin të qeshnim me zor.

Pjetri ishte mbuluar këmbë e kokë, sikur flinte, por me lëvizjet që bënte dukej që ishte zgjuar. Ndeëhynte Sabriu:” Flini çuna se do të na zerë gjumi në lundrim , në nëndetëse e turpërohemi “

” More atje në det s’ka gjumë që na zë , pa e pa dritën e diellit me sy. ” tha Rexhepi dhe na shihte në sy . Unë me që isha një vit më i madh në moshë se ata, dhe si mirditor, mundohesha të bëja trimin , por ishte e kotë . Tek secili mbizotronte kurioziteti por dhe ankthi e frika . “Do të mësohemi dhe ne si shokët e tjerë , siç janë mësuar ata që kanë vite në nëndetëse e nuk i ka gjet gjë , na dha zemër Gëzimi” . ” Flemë tani – tha Sabriu, dhe nga heshtja na dukej se na zuri gjumi , por lëvizjet poshtë batanijeve tregonte përjetimin me ankth të lundrimit të nesërm.

Pjetri nuk piptinte, jo nga frika, por nga indiferentizmi, dhe i mjaftonte muhabeti ynë, e kështu edhe ai ishte pjesë e bisedës tonë.

Dhe e nesërmja erdhi shumë shpejt. Do të dilnim të gjithë bashkë në det me nëndetësen e parë me komandant Aleko Pojani. U dha : “Alarm luftarak” në nëndetëse. “Nëpër vende qëndroni, nëndetësen për luftë e lundrim pregatit”

Hapëm sytë e shikonim njeri- tjetrin të befasuar. Mirë lundrimi, por ajo fjala luftë nga na erdhi , që ditën e parë!!! E hëngrëm çuna tha Bashkimi me zë të ulët.

“Ikëm dhe ne ” tha Rexhepi. ” U pa kjo punë”

“A për luftë na takoi fati ne” – tha një tjetër.

-Si të ngjante kjo situatë?

Çdo gjë ishte si në luftë. Komanda, sinjale, lëvizje rrufe, veprime e raportime të shpejta, ndezje motorësh, kontroll i nëndetëëses në hermetizim, zhurma agregatesh e aparaturash të panumurta , raportime në postin qëndror nga ku komandohej nëndetësja. Çdo gjë ishte e sinkronizuar si në një ansambël artistik, luftarak desha të thonja, me ngjyra lufte. Në veshët tanë herë gumëzhinte zhurma e ajrit e presionit të lartë , herë herë na gufonin veshët nga vakumi , tek kontrollohej hermetizimi i anijes e ne na këshilluen që duhej të përtypeshim që të na liroheshin veshët , dhe kështu bëmë. Një rregull e disiplinë e përsosur që na mahniti. Nëndetësja i ngjante një kombinati me të gjitha llojet e reparteveve të tij. Dëgjonim fjalë e emërtime të padëgjuara kurrë, profesione e poste luftarake ku secili detar e kuadër e zbatonte me përpikmëri detyrat, librezën luftarake e numurin luftarak që çdo detarë e kishte si etiketë në xhepin e bluzës së tij.Ne rrinim të shtangur, ashtu të tulatur e të shpërndarë nëpër lokale apo në postin qëndror në lokalin e tretë.Nëpër translacionin e radios apo në tubacionin e foljes që përshkonin gjithë trupin e nëndetëses jepeshin urdhra, komanda, përcilleshin detyra e raportime për zbatimin e tyre. Në nëndetëse kishte vetëm një”jest” si dhe përsëritej komanda e dhënë dhe raportimet për zbatimin e tyre. Nëndetësja ishte e ndarë në shtatë lokale,që komunikonin me dyer katërkëndëshe e lugje të rrumbullakta.. Gjithë efektivi vëmendjen e përqëndronte te komandanti i Nëndetëses. dhe inxhinier mekaniku, në mendjen e në duart e të cilëve qëndronte jeta e efektivit dhe nëndetëses.Komandantin , efektivi e shikonte jo vetëm si një njeri me aftësi e dije të jashtëzakonshme, por edhe si shpëtimtar. ” çfarë do jetë ky njeri, që di gjithë këto gjëra” tha Rexhepi dhe sy e mëndje na kishin mbetur tek komandanti, i cili ishte një figurë mitike për nëndetësen , se te ai varej jeta e efektivit.

Inxhinier mekaniku ishte truri elektronik i ND, që sëbashku me komandantin i siguronin nëndetëses lundrim të parrezikshëm nën ujë e mbi ujë deri në thellësinë 200 metra. Ne ndiqnim me vëmendje e kuriozitet çdo gjë.

Herëpashere sytë i hidhnim nga thellësimatësi që tregonte thellësinë e lundrimit nën ujë.

Filloi stërvitja nën ujë. Bocman zhytu, mbaje në thellësinë 70 metra. Quhej luftë për jetën e nëndetëses. Dhe filluan të jepeshin variante avarie në luftë me ujin dhe me zjarrin në nëndetëse. Ne në fillim u shtangëm se variantet i morëm si të vërteta, kujtuam se u ça trupi i anijes e ndoshta po fut ujë, apo ra me të vërtetë zjarr. Pikë gjaku s’na ngeli në fytyrë. Kurë pamë se detarë e kuadro bënin veprime me kriko, drrasa , jastekë e pyka avarie, takim stakim siguresash, automatesh të kuadrove elektrik heqje e vënje siguresash ekektruke me doreza llastiku në duar dhe me një përqendrim maximal, u qetsuam se nuk ishin variante të verteta por inskenime për çfarë mund të ndodhë  në ndonjë rast gjatë lundrimeve

por impenjimi maksimal i efektivit neper postet luftarake e neper lokale ishte aq i madh sa të krijohej përshtypja se me të vërtetë se kishte çarje të trupit nëndetëses apo hark elektrik. Gjatë kryerjes të këtyre varianteve kalonin nëpër lokale herë komandanti, komisari, inxhinieri etj të cilët bënin vlerësimet apo vërejtjet e rastit në likujdimin e “avarive”. Të gjithë na kanë qëndruar pranë , e na e kanë lehtësuar jetën në nëndetëse, por më afër grupit tonë ka qëndruar inxhinieri i talentuar i nëndetëseve Viktor Pashko, që na mësoi nëndetësen, na edukoi dhe sot e kësaj dite ka mbet edukatori, shoku e miku ynë,  që në çdo takim që bëjmë ai ka vendin e tij të nderuar mes nesh. Çdo gjë na bëri për vehte. Filluem ta ndjenim edhe ne vehten pjesë e nëndetëses dhe efektivit të saj luftarak. Dalëngadalë kurioziteti, ankthi e frika kur futëm kokën në anije, kur pamë të gjithë detarë e kuadro, që kryenin veprime kaq të shpejta a thua se ishin në luftë të vertetë, filluam dhe ne të afrohemi , t’i ndihmojmë sado pak e të ndrojtur siç ishim si në një film !

Lundrimi nën ujë vazhdonte.Nga mosnjohja me efektivin ne vetëm ndërronim ndonjë shikim a buzëqeshje të rastit në shenjë respekti për veprimet e tyre.

Nuk vonoi dhe nga tubacionet e foljes u dëgjue zëri. Vini re, vini re! I pari , i shtati si më dëgjoni?

Të gjithë komandantët e lokaleve i raportuen se e dëgjojnë mirë.

– Nëpër vende qëndroni , Nëndetësja në fundërinë me u vendos!( në fund të detit).

Thellsia 70 metra. Bocman zhytu”

Dhe nëndetësja filloi të zhytej në thellësi.

Dhe kjo na u desh – tha me zë të ulët njëri nga ne. Ku i gjetën me i zbatue të gjitha variantet më të vështira sot që erdhëm ne , në lundrimin e parë nën ujë. Sytë na u salduan te thellësimatsi. Ishim zverdh në fytyrë. Si do të vendosej gjithë ajo anije në fund të detit.!? Vazhdonte zhytja e ne zhyteshim në ankthin tonë. Nëndetësja mori pak diferent në bash dhe u dëgjue zëri

i komandantit: “U vendosëm në fundërinë. Thëllësia 73 metra. Dëgjoni zhurmat  jasht bordit.” Nëndetësja, na thanë, tani po fle gjumë, si me shpoti një nënoficer i vjetër në anije.

Ishte kohë dreke. Na ftuan në mencën e oficerave në lokalin e dytë. U rreshtuam në tavolinën e ngrënjes me ushqim të bollshëm përpara, por asnjëri nuk filloi të hante. Zëvendës komandanti trokiti në kajuten e komandantit dhe i raportoi: Shoku komandant , gati dreka. Erdhi dhe zuri vend në krye të tavolinës. Mori gotën e verës dhe uroi: MIRSEERDHET JU KUADROT E RINJ”! Dhe pas komandantit filluam të gjithë. Çudinë më të madhe e patëm me gotat e verës.

-Pse?

Të jesh i zhytur në fund të detit e të pish dhe verë, qoftë dhe një gotë aq sa ishte racioni ditor si për kuadrot dhe detarët na u duk si gjë e jashtëzakonshme , ose si ka mundësi që dhe në thellësi të mëdha të pihet verë. Ne nuk filluam të pijmë me justifikimin se nuk e pijmë kurrë, por më shumë nuk po e pinim nga frika dhe çudia!!! Më vonë u sqaruem se nën ujë në organizmin e nënujsave si rezultat i mikroambientit mund të krijoheshin flluska ajri në gjak, të rrezikshme për jetën, dhe që një gotë verë dhe vetëm një gotë, shërbente për të eliminuar këto flluska të rrezikshme. E pimë dhe ne.

 

Lundronim në thellësi në perëndim të Sazanit në thellësinë 40 metra.

Mbretëronte një rregull e disiplinë që zor se mund të gjendej diku tjetër. Komandanti jepte variante të ndryshme . Ne çuditeshim e tek i kishim mbërthyer sy e mëndje te ai , Rexhepi tha : Sa i qutë ky njeri! Ku i dinë gjithë këto gjana ky njeri?! Nëndetësja herë zhytej e herë dilte në thëllësi të ndryshme, herë anohej majtas a djathtas, herë merrte diferent në bash apo në kiç për të stërvit efektivin për ta mbajt nëndetësen në pozicione të ndryshme lundrimi nën ujë. Ne çuditeshim e mbaheshim ku të mundnim.

Më të rinjtë në nëndetëse ishim ne si nga mosha pa le nga vjetërsia në anije, dita e parë e lundrimit. Kuadrot dhe detarët me seriozitetin, disiplinën e përkushtimin maksimal në kryrjen e detyrave na bënë për vehte. Kuriozitet, ngarkesë psikologjike të përzier me emocion , frikë e ankth. Shikonim e ndiqnim çdo komandë, çdo veprim, çdo lëvizje , çdo marinar dhe jeta e efektivit na u duk heroike. Kishim humb nocionin e kohës edhe pse sytë shpesh na shkonin sa te thëllësimatsi aq dhe te ora.

Na thirri në postin qendror komandant Aleko dhe buzagaz, me njërin sy të salduar në periskop tek vrojtonte në sipërfaqe të detit na pyeti: Hë djema! Si ju duk lundrimi? A u lodhët, a u mërzitët? Është e vështirë jeta dhe lundrimi në nëndetëse, por çdo gjë do të kalojë e shpejtë do të aftësoheni edhe ju për drejtimin e nëndetëses, të organeve luftarake të saj” – na dha zemër ai.

Dhe ne kemi lundruar një herë për herë të parë në nëndetëse. Na hoqi si me dorë lodhjen dhe ankthin. Ja për pak do dalim në sipërfaqe dhe do të kthehemi në bazë.

Tani o qëndroni këtu ose shkoni nëpër lokale dhe komandoj prerë:” Bocman dil!

Hambarist çfry mezin.” Dhe nëndetësja mori përpjetë me bashin lart për të dalë në sipërfaqe. Në fytyrat tona u end gëzimi i daljes gjallë nga thellësia ku ishim. Dolëm dhe ne në urën e komandimit pas komandantit dhe nga drita e diellit filluam të picërojmë sytë.U mbushëm me ajrin e freskët.Nëndetësja rrëshqiste mbi dallgë a thua se edhe ajo po gëzohej se po kthehej në bazë duke lënë mbrapa vazhdën e saj dhe shkumën e bardhë.

Dukesh krenare nëndetësja, krenarë efektivi por edhe ne u ndjemë krenarë që lundruam dhe u bëmë pjesë e këtij efektivi luftarak e heroik. Në mëngjes hymë në nëndetëse të ri e dolëm burra, hymë me ankth e frikë e dolëm trima, dolëm më atdhetarë se në mëngjes. Atë ditë u pagëzuam me emrin e nderuar :”NËNUJËS”

Kontrolloni gjithashtu

Aulonë Nuhiu: Dashuria dhe Sakrifica për Baletin

Aulonë Nuhiu: Dashuria dhe Sakrifica për Baletin

Aulonë Nuhiu është e lindur më 22 prill 1993 në Prishtinë. Ajo ushtron profesionin e ...