Albert Z. ZHOLI: Ishin Misto Mame, Manush Alimani, Ludovik Shllaku që drejtuan fillimisht këtë organizatë pionierësh antifashistë, kur 80 vjet më parë u formua DEBATIK-u

Albert Z. ZHOLI: Ishin Misto Mame, Manush Alimani, Ludovik Shllaku që drejtuan fillimisht këtë organizatë pionierësh antifashistë, kur 80 vjet më parë u formua DEBATIK-u

DEBATIKU, organizatë e të vegjëlve, që bëri punë të madhe në luftë kundër fashizmit. Një emër që tingëllon bukur. Një emër që të nxit ëndrrat dhe dëshirën për një jetë më të mirë. Të nxit të mendosh se pa sakrifica asgjë nuk arrihet. Dhe ëndrra më e bukur  e fëmijëve në kohën e luftës ishte Liria. Në moshë të njomë ata lanë lodrat dhe ju bashkuan luftës për çlirim.

Sot më 10 shkurt mbushen 80 vjet nga formimi i organizatës më të jashtëzakonshme që u krijua gjatë LANÇ, organizatës së fëmijëve të luftës që u quajt DEBATIK (Djemtë e bashkuar, anëtarë të ideve komuniste. Ajo luftë për liri pati atë forcë të jashtëzakonshme që ngriti më këmbë të mëdhenj e të vegjël. E vërteta është se anëtarët e organizatës DEBATIK dhanë një kontribut të çmuar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ata djem e ato vajza i rriti lufta, i madhoi ideali i madh i lirisë, ata u frymëzuan nga vëllezërit e motrat më të rritura, që kishin ngjeshur armët, që kishin vënë yllin e kuq në bustinë dhe kishin dalë malit për liri, që po luftonin kundër armikut pushtues e po vriteshin për ta parë Atdheun e lirë. Me logjikën e tyre fëmijërore, por të mënçur e të pjekur, bënë një betim solemn: “Edhe ne do të luftojmë pushtuesit e huaj dhe tradhëtarët e vëndit”.
Kundërshtarët e Luftës, e urrenin pjesëmarrjen e shoqeve dhe fëmijëve në luftë, kishin idera të tilla se “duhet të presim”, “nuk e hamë dot me të mëdhenjtë”, ishin antiluftës për liri. Edhe sot ata shprehin idera të tilla të sajuara e të shpikuara nëpër kafenera, për të shpëtuar nga ndëshkimi që të jep tradhtia ndaj atdheut, “lufta e kafeneve”, dmth ta shikonin luftën nga xhamat e kafeneve, të shikonin të tjerët se si luftonin e ata, në fund, kur të mbaronte Lufta, të dilnin nga karriket e kafeneve e të hipnin në karriket e pushtetit.
Veteranët e LANC do të përkujtojnë me krenari të ligjshme një datë e rëndësishme të Luftës, 10 shkurtin e vitit 1942, kur në kodrat e Saukut në Tiranë u krijua Organizata “DEBATIK”. 10 Shkurti tashmë është pjesë e historisë së LANÇ, është pjesë e historisë së popullit tonë. Nuk mund të kuptohet LANÇ, si lufta më masive e historisë së popullit tonë pallogaritur edhe pjesëmarrjen e Debatikut, sepse ajo luftë angazhoi gjithë shtresat e popullit edhe fëmijët. Nuk ishte një nisjativë e rastit, por ishte një platformë e tërë e menduar dhe e zbatuar me mënçuri e guxim për të angazhuar e ngritur të gjithë popullin, të madh e të vogël, në Luftën e madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Debatikasit, këta antifashistë të vegjël, u frymëzuan, si i gjithë populli, nga PKSH, që kishte marrë në dorë fatet e vendit në ato kohë të vështira dhe kishte ngritur lart flamurin e idealeve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë, prandaj ish- debatikasit, janë krenarë që edhe ata janë pjesë e antifashizmit shqiptar.
Të vegjëlit shumë gjëra nuk i kuptonin, por peshën e rëndë të pushtimit fashist e ndjenin edhe ata. Ata mësuan çfarë duhej bërë për Atdheun që ishte në rrezik. Ishin drejtues të Organizatës së Rinisë të cilëve që iu besua organizimi e drejtimi i DEBATIK-ut. Ishin Misto Mame, Manush Alimani, Ludovik Shllaku dhe të tjerë udhëheqës të rinisë që orjentuan e drejtuan fillimisht këtë organizatë pionierësh antifashistë. Në krye të DEDATIK u vunë shokët Hamdi Sollaku, Skënder Begeja, Selman Vaqari, Leman Çoçoli, Meriban Najdeni, Jovan Andoni etj,etj.. Ishte e natyrshme që veprimtaria e kësaj organizate të niste në Tiranë e mandej të përhapej në qytetet e tjerë si Durrës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan etj.. Dhe nën shembullin e vëllezërve, motrave të tyre më të rritur e kthyen në një Lëvizje të Fuqishme Antifashiste në gjithë vendin. Më 1942 në grupet e pionierëve debatikas bënin pjesë 500 vetë; me 1943, 1200, me 1944, mbi 3000.

Detyrat

Debatikasit edhe pse të vegjël, kryenin detyra e veprimtari të mëdha, serioze e të guximshme: çonin informacione në të gjitha skajet e qyteteve, merrnin pjesë në paketimin e komunikatave dhe pakot i maskonin dhe i shpërndanin pa rënë në sy të armikut. Sajonin aktivitete të ndryshme, ndeshje futbolli në afërsi të reparteve ushtarake për të marrë ndonjë informacion apo aktivitete të tjera pa rënë në sy të armikut. Kryenin aksione e veprime antifashiste në bazë shkolle a lagje në mënyrë të organizuar organizonin shfaqje teatrale etj. Debatikasit morën pjesë në protesta e demonstrata, në grisje flamujsh e simbole të fashizmit, nëpër shkolla braktisnin format e edukimit fashist dhe shpesh edhe mesimin e lëndëve fashiste. Pionierët u bënë ndërlidhësit më të mirë për ilegalët e çetat partizane, morën pjesë edhe në aksione në ndihmë të njësiteve guerrile, për dëmtimin e depove, apo edhe të teknikës luftarake të armikut.

Dhe e gjithë kjo veprimtari e debatikasve, nuk mund të kalonte lehtë.

Spiunët e shumtë në shërbim të nazifashistëve, binin në gjurmë të tyre. Shumë debatikas u burgosën e u torturuan, por qëndresa e tyre ishte heroike. Nazistët nuk kursyen torturat në trupin e njomë në kampin famëkeq të Prishtinës. Nazifashistët dhe ballistët nuk kursyen torturat në trupin e njomë në kampin famëkeq të Prishtinës ndaj debatikasve Bojka, Nysreti dhe Meti. Liri Krojin e arrestuan në rrugë. Në xhep kishte një letër me rëndësi për shokët kryesorë, e futi në gojë dhe e gëlltiti. Debatikasit, në korrik 1943, pasi kishin dhënë shfaqje artistike në lagjet e Tiranës, shfaqën në Priskë komedinë “Prefekti”, e cila më vonë e ripunuar u dha, me dhjetra e dhjetra herë. Kjo bëhej shkak që ata, të largoheshin në terren e në mjaft raste të rroknin armët e të rreshtoheshin në formacionet partizane. Si të tillë mund të përmendim, Lirinë, Veronikën, Adelinën, Ylberen, Musanë, Aristidhin, etj, të cilët, gjatë veprimeve luftarake, u treguan trima e të guximshëm e luftuan deri në çlirimin e Shqipërisë më 29 Nëntor 1944.
80 debatikas ranë dëshmorë.

Është i rrallë heroizmi i pionerëve partizanë; Heronjve të Popullit; Ylbere Bilibashi, që ra duke u kacafytur me nazistët në kodrat e Vokshit, Met Hasës, Çelo Sinanit, që ranë në përleshje me armiqtë. Janë dhjetra pionierë dëshmorë të Tiranës, që ranë për çlirimin e Atdheut si: Ali Spahiu, Ahmet Godenca, Fiqiri Begeja, Xheladin Hoxha, Agim Gjilani, Aleko Qirici, (Coli i filmit), Jorgo Vogli, Rexhep Skënderi, lrfan Konxholli, Shaqir Hoshafi, Qazim Alimehmeti, Qemal Mehmeti, Osman Ademi, Aristidh Pano, Xhemal Zajmi, Osman Luga, Amali Qenami, Nadire Hysa, etj. Po ka plot dëshmorë edhe në rrethe.
Debatikasit përbëjnë një shembull të shkëlqyer frymëzimi për të gjithë brezat. Vepra e DEBATIK-ut do të jetë brezpasbrezi e nderuar. Brezi i ri dhe brezat që vijnë le të mësojnë se ç’bëri brezi i fëmijëve të Luftës. Vërtet ajo ka qenë organizatë e të vegjëlve, por bëri punë të madhe. Ata kishin një këngë që u bë himn i tyre: “Luftoj për Liri, /Me sa kam fuqi, /S’trembem asnjëherë, /Se jam pionier”, jehona e së cilës vjen deri në ditët tona.

Filmi  “Debatiku”

Tre vjet pas pushtimit fashist fëmijët krijojnë organizatën e fëmijëve anti-fashistë, që e quajnë Debatik (Djemtë e Bashkuar, Anëtarë të Ideve Komuniste). Coli, një djalë i varfër jetim, pranohet në Debatik. Më parë Coli shihej si një fëmijë i paedukuar, por gjatë angazhimit në organizatë ai dha gjithçka. edhe jetën.

II

Reshat Arbana: Filmi“Debatiku” më nxiti të bëhesha aktor

Historia e e bukur e filmit “Debatiku”

Albert Z. ZHOLI

 

Debatik është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1961. Edhe sot ai film shikohet me shumë kureshtje. Një film që tregon se si fëmijët shqiptarë u mobilizuan në luftë kundër fashizmit.

Përmbajtja e filmit

Tre vjet pas pushtimit fashist fëmijët krijojnë organizatën e fëmijëve anti-fashistë, që e quajtën Debatik (Djemtë e Bashkuar, Anëtarë të Ideve Komuniste). Coli, një djalë i varfër jetim, pranohet në Debatik. Ai arrin të lajmërojë mësuesin komunist që është në kurth, por vritet gjatë këtij aksioni. Xha Demiri e gjen të vdekur dhe e merr në karrocën e vet.

Aktorët

Reshat Arbana: Filmi“Debatiku” më nxiti të bëhesha aktor

Reshati tregon se në fëmijërinë e tij kinemaja ishte mollë e ndaluar. Por me gjithë varfërinë ai e ka frekuentuar herë pas here dhe ruan edhe sot mbresa të jashtëzakonshme. Ishin vitet e para pas çlirimit. Varfëria ishte këmbëkryq në Shqipëri. Të shihje një film për ata ishte një ngjarje e paharruar. Emocione mahnitëse! Dukej si çudi që në ekran të shihje njerëz, që lëviznin, që jetonin një ngjarje, që jepnin një mesazh. Kujton filmin e parë në jetën e tij, që titullohej “Kashei i pavdekshëm”, më pas “Qilimi fluturues”,  “Akrobati i bukur”. Këta filma i ndiqnin tek kinema ‘Republika”, apo kinema “17 Nëntori”. Shkonin zakonisht me shokët e lagjes. Filmi kinez “Vajza me flokë të thinjur” iu ngulit në mendje për një kohë të gjatë.  Ishte një vajzë me sy të drapërinjtë, me një vështrim si prej shqiponje e shkathët, që me shpatën e saj luftonte armiqtë. Sa donte ta imitonte atë grua. Ishte një heroinë, që i nguliti shpirtin e madh të sakrificës, dhe ndjenjat e saj të jashtëzakonshme për  drejtësinë.

Ja si shprehet ai për filmin “Debatiku”

Filmi “Debatiku” një ëndërr e madhe. Në sheshin para shtëpisë time tek sheshi Colit siç thirret sot, që ndodhet prapa Ministrisë së Arsimit, xhirohej filmi “DEBATIK”. Kur pashë turmën e njerëzve, u infiltrova menjëherë mes kureshtarëve. Aty mes njerëzve, ndiqja si i shushatur dhe i mrekulluar xhirimet e filmit. Nuk kisha parë kurrë një kamera në jetën time. Aktorët e nderuar Sulejman Pitarka, Besim Levonja e Qenan Toro, i ktheheshin sekuencave disa herë. Me sa kuptoja, lypej kohë e vrenjtur dhe kur dilte dielli si engjëll i qeshur regjisori thirrte: STOP! Drejtor i filmit ishte Todi Bozi më është ngulitur në mendje se, sa herë shihej ndonjë re në qiell që fluturonte si tufë patash ai thërriste me të madhe: Gati, gati, disa re po vijnë nga perëndimi! Shpejt mos humbim kohë. Kënaqej kur shihte Colin që luhej nga Shpëtim Zani. “Lum ky!” thoshja me vete dhe ëndrra merrte krahë. Arrije deri aty sa të zilepsesha deri në marrëzi. Ëndërroja të isha në vendin e tij dhe të bridhja rrugicave me shokët tek krijonin organizatën e fëmijëve të luftës antifashiste. Isha fëmijë, por në shkollë isha mbrujtur me heronjtë e vegjël që kishin dhënë kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare. Nuk e kam përmendur më lart, por të gjithë pionierët në atë kohë mbanin në qafë një shall të kuq kur shkonin në shkollë. Ishte rregull, normë shamia e kuqe, pasi simbolizonte gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e atdheut. Askush nuk mund të shkonte pa këtë shami në shkollë. Ishte kujtimi ndaj dëshmorëve, që kishin sublimuar jetën për liri. Ato ditë ngrihesha herët e vrapoja tek vendi i xhirimit. Ishte përballja e parë me një shesh xhirimi. Ky film që po xhirohej po më jepte forcë, më jepte dëshirën  që në të ardhmen time t’i drejtohesha dhe unë shesheve të xhirimit.

Lapidari në Kodrat e Liqenit

Me ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve (1947) në Kodrat e Liqenit u vendos edhe një lapidar për nder të organizatës DEBATIK (Djemtë e bashkuar të idealeve komuniste). Memoriali përkujton besëlidhjen e datës 10 shkurt 1942 mes fëmijëve antifashistë të Tiranës nën kujdesin e celulave komuniste. Pikërisht në vendin ku sot ngrihet memoriali debatikasit groposën materialet më të rëndësishme të organizatës si dhe bënë betimin. Aktiviteti i tyre frymëzoi artistët Hysen Hakani dhe Gëzim Erebara për realizimin e filmit “Debatik”, ku spikati roli i Colit, një nga personazhet më mbresëlënës në kinemanë shqiptare. Shumë skena të filmit janë xhiruar në vendin ku u themelua organizata, te Lapidari në Parkun e Liqenit.
Lapidari, në formën që është sot, u rikonstruktua në vitin 1988. Ky është vendi ku breza të nxënësve të shkollave tetëvjeçare të Tiranës bënin betimin për të aderuar në organizatën e Fatosit dhe më të rritur, në atë të Pionierit. Për nder të këtij memoriali, në vitin 1961 u realizua filmi “Debatik”

Shpëtim Zani në rolin e Colit

Shpëtim Zani ishte aktori që luajti rolin e Colit. Shumë i njohur për rolin e tij të Colit në filmin ‘Debatik’ me regji të Hysen për të ky  rol mbetet i vetëm në kinematografinë shqiptare, por që ka mbetur në kujtesën e artdashësve. Tashmë aktori do të mbetet i pavdekshëm në panteonin e kinemasë sonë dhe pse ka disa vjet që ka ndërruar jetë. Ishte viti i largët 1960 kur regjisori i mirënjohur Hysen Hakani e përzgjodhi atë për rolin kryesor në filmin “Debatik” (1961), një djalë i shkathët, që binte në sy për lojën e bukur, krejt natyrshëm, dhe që fitoi admirimin dhe dashurinë e publikut për vite e vite me radhë. Edhe pse pati një nisje të mirë, Shpëtim Zani nuk u angazhua më në asnjë rol, e nisi dhe e mbylli jetën e vet me atë rol, që do të mbahet mend gjatë nga publiku dhe dashamirësit e filmit shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …