KEK
Fillimi / Botimet / Albert Z. Zholi: Jeta ndryshe në librin e i ri me poezi, “Rrezet e pasqyrës” të autores, Mina Çaushi
Albert Z. Zholi: Jeta ndryshe në librin e i ri me poezi, “Rrezet e pasqyrës” të autores, Mina Çaushi

Albert Z. Zholi: Jeta ndryshe në librin e i ri me poezi, “Rrezet e pasqyrës” të autores, Mina Çaushi

Libri i ri me poezi i autores Mina Çaushi, “Rrezet e pasqyrës” është një zgjedhje ndryshe nga librat e saj të parë. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit jetësore, por edhe ato politike botërore, ajo vjen para lexuesit me një libër poetik ku shtrihen dy etapa te jetës së saj fëmijëria dhe tashmë mosha e tretë.  Autorja jo më kot përcjell dy kohë të ndryshme. Ajo me paralelizmat kohore sjell para lexuesit dy kohë që pasqyrojnë dy shekuj të ndryshëm, fëmijërinë e saj në kohën e diktaturës dhe atë të sotmen në kohën e demokracisë. Ne poezitë e fëmijërisë, autorja sjell vargëzimet e saj të para, kur dëshira për poezi e kishte mbërthyer në çdo qelizë. Ajo dëshironte të hynte në këtë botë me pathos, plot ëndrra  aq sa ëndërronte netëve  si mund të bëhej poete. Poezitë për fëmijë janë shumë delikate, shumë të përgjegjshme, pasi ato duhet të kenë brenda sinqeritetin fëminor, gëzimin, botën e tyre të drejtë, pastërtinë e tyre, virgjërinë e mendimit, saktësinë e të përcjellurit. Gabimi në poezitë për fëmijët është i pafalshëm, pasi me to, nëse gabon, ti në vend të edukosh sjell të kundërtën gënjeshtrën. Fëmija me sinqeritetin e tij nuk ta fal gabimin. Ai ta thotë hapur mendimin dhe dështimin. Ndaj autorja në këto poezi i është përmbajtur rregullave, normave dhe dëshirave të sinqerta të fëmijëve. Ata janë të pastër si kristal, ndaj kështu e duan edhe poezinë edhe fjalën edhe bisedën…

Estetikisht në këto poezi ajo ruan ekuilibra sinqeriteti deri në përkushtim, ndërsa nga ana stilistike ndërton varg të thjeshtë, disa herë me humor apo dhe krahasues për ta futur fëmijën në botën e imagjinatës dhe të kërkesave ndaj vetes. Në poezitë e fëminisë autorja flet, për pemët, rrugët, prindërit, sinqeritetin, gabimet, miqësinë, mësuesit, shkollën, pafajësinë fëminore, moskuptimin e drejtë të gjërave në raste të veçanta, miqësinë e sinqertë, korrektësinë në familje dhe shoqëri, lodrat, kërkesat, për veset por ka dhe kritika për fenomene të ndryshme. Ajo është e sinqertë në çka shkruan dhe  thotë se varfëria disa herë të bën më të përgjegjshëm dhe më serioz për jetën. Poezitë për fëmijë sot janë pjesë e vështirë e krijuesve, jo sepse ata kërkojnë një nivel të lartë artistik, por sepse ky nivel duhet të jetë i besueshëm, i perceptueshëm, dhe nxitës.

 Ndaj, sot librat për fëmijë janë të pakët dhe thithen nga masa e gjerë e lexuesve të vegjël. Në tërë këto poezi gjen një autore që flet me gjuhën e fëmijëve, gjuhën e shpirtit, pa abstragizma, ku autorja mendon si ta, kërkon si ta, mediton si ta, dhe lidh të njëjtat ëndrra si ta. Pra poezia për fëmijë e autores Çaushi është një poezi elegante, me frymë njerëzore, e lidhur me realitetin e kohës, pa butaforizma dhe labirinte pa ide.

 Në poezinë e moshës së tretë…

Në këto poezi vjen një autore ndryshe, më e pjekur, më kërkuese, më e sertë, serioze, lakonike dhe vizionare. Autorja në këto poezi rrok problemet e kohës. Pra nuk ka vetëm një temë atë sentimentale, por rrok më shumë temat sociale. Me një penë të lirshme, të kuptueshme, ajo përcjell me sinqeritet problematikat dhe dukuritë e kohës, si hipokrizinë, dashurinë me interes, varfërinë, mashtrimin, pabesinë, lakminë, mosmirënjohjen, etjen për tu dukur, varfërinë intelektuale, shterpësinë e mendimit real poetik, debatet familjare, dinakërinë e njerëzve të veçantë. Tematika e larmishme dhe problemet sociale që ajo rrok në këto poezi, e bëjnë atë një poete popullore, një poete të besueshme dhe konkretizuese. Ajo nuk imagjinon ëndrrat e parealizueshme, por përcjell problematikat e ditës që na shqetësojnë, sjell dhimbjen dhe skamjen, harbutërinë e personave të veçantë, mashtrimin dhe dembelizmin, pabesinë dhe hipokrizinë, dredhitë dhe veset e individëve. Autorja kërkon në jetë personalitetin si krijuese, krenarinë dhe dinjitetin njerëzor. Ajo nënvizon se puna dhe leximi janë dy armët e forta për të ecur në jetë. Pa punë dhe pa lexim jeta e njeriut është e vakët, e zbehtë, pa ritëm, pa ambicie profesionale, pa tharmin e bukur për të parë vepra që lënë gjurmë. Në këtë kontekst mund të veçoj dhe një poezi filozofike për leximin, lidhjen me librin që autorja e sheh si shpresë për një shoqëri dhe një botë më të mirë, më të bukur, më të paqtë.

Kontrolloni gjithashtu

Lulzim Logu: SI TË SHFLETOSH DHIMBJEN E KOHËS

Lulzim Logu: SI TË SHFLETOSH DHIMBJEN E KOHËS

(Recension për vëllimin poetik “Lëkundje lavjerrësish”, 2020, të autorit Mehdi Krasniqi) Të shfletosh librin me ...