Derisa numri i infeksioneve nga virusin korona po rritet në kontinent, vendet BE-së vendosin kufizime të rrepta

Ndër misteret më të mëdha të coronavirusit është shpejtësia me të cilën u përhap në tërë botën

Një nga misteret më të mëdha të  coronavirusit është shpejtësia me të cilën ai u përhap në të gjithë botën. Filloi në Kinën qendrore dhe, brenda tre muajve, u përhap në çdo kontinent, përveç Antarktidës, duke u prishur jetën e përditshme miliona njerëzve. Prapa përhapjes së shpejtë, kishte një fakt që i kapi shkencëtarët në befasi, shqetësoi autoritetet shëndetësore dhe minoi përpjekjet e hershme të kontrollit: virusi mund të përhapej nga njerëz të shëndetshëm. Ndërsa punonjësit po kthehen nëpër zyra, fëmijët përgatiten të rifillojnë shkollën dhe njerëzit e dëshpëruar për normalitet kanë nisur të vizitojnë qendrat tregtare dhe restorantet, të dhënat e reja shkencore flasin për një realitet kërcënues: Nëse sëmundja mund të transmetohet nga njerëz të shëndetshëm, atëherë ndoshta ajo do të jetë e pamundur të frenohet.

“Mund të jetë vdekjeprurëse, e megjithatë 40 për qind e njerëzve mund të mos e dinë që e kanë”, thotë Dr. Eric Topol, drejtues i Institutit Kërkimor Scripps. Studiuesit flasin për mundësinë e frikshme të përhapjes së heshtur të virusit nga bartës pa simptoma ose me simptoma të dobëta. Por se çfarë roli luajnë njerëzit e shëndetshëm në shtimin e radhëve të të infektuarve, kjo pyetje mbetet pa përgjigje dhe është në krye të axhendës së kërkimit shkencor.

Coronavirusi i vogël por i fuqishëm mund të depërtojë në një qelizë njerëzore, të stabilizohet aty dhe të shumëzohet në dhjetëra mijëra brenda një dite të vetme. Nivelet e virusit rriten përpara kollitjes së parë. Dhe për habinë e shkencëtarëve, rreth 4 në 10 persona të infektuar nuk kanë fare simptoma.

Pabesia e këtij virusi është në fokusin e shumë shkencëtarëve tani që shoqëritë po rihapen. Ata pyesin veten se çfarë ndodh nëse përhapësit e heshtur nuk zbulohen para se të jetë tepër vonë.

Udhëtarët pa kollë mund të kalojnë lehtë nëpër kontrollet e aeroporteve. Punëtorët pa ethe nuk zbulohen dot nga kontrollet e temperaturës. Njerëzit që nuk ndjehen të lodhur apo që nuk kanë dhembje, marrin pjesë në takimet e biznesit, duke infektuar të tjerët.

Dhe shpërthimet mund të rifillojnë.

Shenjat e para

Qysh në janar, kishte shenja që njerëzit mund ta bartnin virusin pa shfaqur simptoma. Megjithatë, shumë shkencëtarë nuk bindeshin.

Koncepti që njerëzit pa dashje mund ta përhapin sëmundjen asnjëherë nuk ka qenë i lehtë për t’u kuptuar, duke filluar nga epidemia e poliomielitit në Amerikën e gjysmës së shekullit të 20 e deri tek përhapja e HIV-it dekada më vonë.

Kur u shfaq COVID-19a, zyrtarët shëndetësorë mendonin se ky do të ishte si coronavirusët e tjerë dhe se njerëzit i infektonin më lehtë të tjerët kur shfaqnin simptoma si kollë apo ethe.

“Ne mendonim se kjo do të ishte si SARS-i: një periudhë e gjatë inkubacioni dhe asnjë transmetim gjatë periudhës së inkubacionit,” thotë Lauren Ancel Meyers, e Universitetit të Teksasit në Austin.

Në prapaskenë, shkencëtarë si Meyers diskutonin të alarmuar me zyrtarët e shëndetësisë mbi faktet që kishin gjetur për sëmundjen.

Duke qëmtuar me kujdes faqet e internetit të departamenteve kineze të shëndetësisë, Meyers dhe ekipi i saj gjetën më shumë se 50 raste midis 21 janarit dhe 8 shkurtit, në të cilat personi që sillte virusin në shtëpi nuk shfaqte simptoma para se të kishte infektuar të paktën një anëtar të familjes.

“Kur pamë të dhënat, thamë: “Jo, kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, u shpreh Meyers. “Ishte tronditëse”.

Coronavirusi në anijen turistike

Rebecca Frasure, e cila e mori virusin kur ishte duke lundruar në anijen turistike Diamond Princess, u vendos në gjendje shtrati në Japoni nga fundi i shkurtit, e mërzitur që po mbahej në spital edhe pse nuk kishte asnjë simptomë.

“Jam krejtësisht e shëndetshme përveç faktit që kam virusin në trup”, tha Rebecca.

Pa testime të gjera dhe të shpeshta, është e pamundur të dish se sa njerëz pa simptoma mund ta bartin virusin. Anija Diamond Princess, e cila po qëndronte në Portin e Jokohamës kur në bord shpërtheu virusi, i joshi mjaft studiuesit.

Një model matematik i ndërtuar nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër që synonte të vlerësonte se sa njerëz ishin të infektuar por pa simptoma, tregonte se tre të katërtat e njerëzve të infektuar në anijen turistike ishin pa simptoma.

Në shtetin Uashington, doktor Jeff Duchin nxori të dhëna të ngjashme kur një ekip ekspertësh ekzaminuan një shtëpi të moshuarish dhe konstatuan se punonjësit e kujdesit shëndetësor po e përhapnin virusin në institucionet e tjera të kujdesit për të moshuarit.

Në muajin mars, më shumë se gjysma e personave në një shtëpi tjetër të moshuarish që testuan pozitivë nuk kishin simptoma.

E gjithë kjo nënvizoi nevojën për të ndryshuar strategji dhe për të pranuar se virusi nuk mund të ndalej dot plotësisht.

Dr. Duchin kujton se pas kësaj i tha vetes: “Kjo sëmundje do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u kontrolluar.”

Pyetje pa përgjigje

Hunda dhe goja janë pjesët më të lehta për hyrjen e coronavirusit në trup. Pasi hyn, virusi merr në dorë mekanizmin e qelizës për të kopjuar veten dhe i heq trupit sistemin imunitar për t’u mbrojtur.

Nivelet e virusit rriten mjaft në rrugët e sipërme ajrore, e gjithë kjo pa simptoma.

Shumë shkencëtarë besojnë se, gjatë këtyre ditëve, njerëzit mund ta përhapin virusin thjesht duke folur, duke marrë frymë ose duke prekur sipërfaqet e ndryshme.

Tek njerëzit që vërtet nuk shfaqin simptoma, sistemi imunitar e fiton betejën përpara se ata të ndjehen të sëmurë.

Kur filloi të bëhej më e qartë se virusi mund të përhapej nga njerëzit e shëndetshëm, autoritetet shëndetësore të SHBA vendosën të mos prisnin për të dhëna të reja shkencore.

Në fillim të prillit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u rekomanduan njerëzve të mbanin maska.

Disa ditë më vonë, hulumtuesit kinezë publikuan një studim ku thuhej se pacientët kanë veti më të mëdha infektimi dy deri në tre ditë para se të shfaqnin vetë simptoma. Provat vazhdojnë të shtohen dhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tani vlerësojnë se 40% e transmetimit ndodh përpara se njerëzit të ndjehen të sëmurë.

Megjithatë, midis shkencëtarëve, veçanërisht tek Organizata Botërore e Shëndetësisë ende ka dyshime. Kjo organizatë e ka ulur rëndësinë e infeksionit nga njerëz pa simptoma, megjithëse kohët e fundit filloi ta pranojë një mundësi të tillë dhe i ka këshilluar njerëzit të mbajnë maska.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë fajësojnë Kinën për vonesën në shpërndarjen e informacionit rreth përhapjes së heshtur të virusit. Por Dr. Topol thotë se SHBA mund të kishte organizuar programin e vet të testimit duke bërë sekuencën gjenetike të virusit.

Nuk është gjë e vogël: Arritja qysh herët e qartësisë shkencore për përhapjen e virusit do të kishte shpëtuar jetë njerëzish.

“Ne në Amerikë u treguam të ngadaltë në gjithçka”, thotë Dr. Topol. “Më duhet të them se është e turpshme”. (Zëri i Amerikës)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …