KEK
Fillimi / Intervista / Albert Z. Zholi: Kujtimet e piktorit, poetit, ish të përndjekurit politik, Lirim Biçaku  
Lirimi

Albert Z. Zholi: Kujtimet e piktorit, poetit, ish të përndjekurit politik, Lirim Biçaku  

 Një vit pas çlirimit të vendit, në vitin 1945 babai im, Isufi me gjyshin Hazizin u arratisën

-Arratisja e babait dhe gjyshit bënë që ne të internoheshim në fillim nga viti 1945 deri në vitin 1992

-Interrnim 1945 deri në vitin 1950 Berat, Kuçovë, pastaj në Turan.

-Ndërsa nga viti 1950-‘54 në Tepelenë dhe prej vitit 1954 deri në vitin 1992 në Savër të Lushnjës

Me babanë u takova pas 48 vjetësh, kur unë u bëra gjysh, ai  erdhi në Shqipëri.

-Si u internua Tasim Spahiu në Savër, një ish-ushtarak, i cili bëri një debat me Enverin në Poçem

-Në Savër ishte dhe djali i xhaxhait të Enver Hoxhës, Vehib Hoxha, ai binte në sy, kishte tri vajza. 

Dorëshkrimet e tij janë interesante. Tre vite më parë më thoshte për të gjitha sekretet e dorëshkrimeve të tij. Lirimi është me Origjinë nga fshati, Lotëm, i cili ndodhet në periferi të Librazhdit, fshat, të cilin nuk e pa për dekada të tëra dhe pse ishte një fshat i mirë, i pasur. Rrjedh nga një familje e kamur në atë kohë para se të vendosej sistemi komunist. Familja e tij ishte kundër regjimit ndaj në vitin 1945 babai i tij arratiset së bashku me gjyshin dhe kështu rritet jetim, vetëm me nënën. Kalvari i vuajtjeve është i paparashikueshëm, internim dhe vetëm internim, plot 47 vjet. Deri në vitin 1992 ishte në Savër të Lushnjës, kur erdhi demokracia. Pas 47 vjetësh tashmë ishte i lirë për të lëvizur në gjithë Shqipërinë, natën dhe ditën (pasi në socializëm mund të shkonte deri në Lushnje) dhe pas 48-vjetësh takon babanë e “arratisur”. Historitë e jetës së tij janë të pabesueshme. Ka tre fëmijë të arsimuar, që kanë zënë pozicione në jetë. Në arkivin e tij ka mbi 1000 piktura.  Kohët e fundit hodhi në treg librin autobiografik “Mes trysnisë”, i cili është vlerësuar nga kritika.

-Në çantën tuaj më nxirrni shumë dorëshkrime, çfarë janë ato në jetën tuaj?

– Janë pjesa më e vështirë e jetës. Janë dhimbjet e mia. Janë hallet e mia. Janë  shtegëtimi im për 48 vjet. Histori e rrallë.

-Por përpos pikturës ju keni dhe një libër me poezi me titull “Mes trysnisë”. Si dhe pse erdhët tek poezia?

 

Poezia erdhi tek unë, trokiti në zemrën dhe kujtesën time. Aty në atë libër është përshkruar gjithë jeta ime. Një jetë në vargje. E kisha si peng, por e realizova. Le të jetë një dokument për jetën time skëterrë në vitet e rregjimit socialist. E shkrova në vargje pasi ashtu më vinin më mirë mendimet. Erdhi vetiu ky libër, si dëshirë, si detyrim, si një kërkesë e kohës për të lënë të gjallë në mënyrë dokumentare të gjithë atë jetë mes vuajtjesh e sakrificash. Kur e lexoj them:- Me të vërtetë njeriu është dhe më i fortë se çeliku. “Mes trysnisë” mbetet si një dokument historik mbi jetën time si i internuar në emër të bsurdit. Ju falënderoj që më ndihmuat për daljen e tij në dritë.

 

Plot 47 vjet në internim, dhe 48-vjet pa parë me sy babanë, pse ju internuan dhe ku ju internuan? Cilat ishin vendet e internimit dhe si mbijetuat?

Jeta ime do romane të tëra që të dalë e plotë. Ato dhimbje, halle, shqetësime, probleme, skamje, tortura kur i mendoj sot më duken një ëndërr e largët, aq të pabesueshme ishin skenat e jetës sime. Të jetosh në demokraci dhe të mendosh një të kaluar jo të largët në sistemin komunist thua që kjo jetë është çudi. Si filluan dhimbjet dhe vuajtjet e mia? Fare thjesht, sapo u vendos diktatura e proletariatit, pra një vit pas çlirimit të vendit, në vitin 1945 babai im, Isufi me gjyshin Hazizin u arratisën. Pra u arratisën (kështu quhej atë kohë) nga Shqipëria, pasi nuk e pëlqenin sistemin që erdhi pas Luftës së Dytë Botërore. Familja ime ishte familje e pasur, e lidhur me pronën private, të lidhur me punën dhe me lirinë e fjalës. Pra: babë e bir (babai im dhe gjyshi im) thjesht për shumë arsye nuk e donin komunizmin pasi ishin për një shoqëri të vërtetë demokratike, ku prona private të ishte në themel të saj. Fill pas arratisjes si morëm vesh më vonë në fillim ata shkuan në Stamboll. Vite më vonë babai im, Isufi shkoi në Bruksel, Belgjikë, ku dhe u martua sërish, ndërsa gjyshi mbeti në Stamboll ku dhe vdiq. Që prej vitit 1945 deri në vitin 1993 babanë nuk e kisha takuar. Madje unë u bëra vetë gjysh dhe ai stërgjysh dhe nuk ishim parë. Pikërisht në këtë kohë ne vendosëm lidhjet, pasi pas vitit 1990 demokracia na hapi rrugët. Në vitin 1992 deri në vitin 1998 unë fillova punë në Lushnjë. Në këtë kohë ekonomia jonë u rrit dhe po mendoja për edukimin e fëmijëve. Pra në këtë kohë filloi dhe lidhja jonë derisa babai erdhi në Shqipëri në vitin 1993. Takimi ishte i çuditshëm. Shiheshim dhe nuk flisnim. Edhe fjalët edhe lotët nuk na dilnin. Ka moment që heshtja flet më shumë se fjala. Pra arratisja e babait dhe gjyshit bënë që ne të internoheshim. Në fillim nga viti 1945 deri në vitin 1950 kaluam në tre vende, nga Berati në Kuçovë, pastaj në Turan. Ndërsa nga viti 1950-‘54 në Tepelenë dhe prej vitit 1954 deri në vitin 1992 në Savër të Lushnjës. Këtu mbaron Odiseja e interrnimit të familjes sonë, ku kryefamiljare ishte nëna jonë. Midis kampeve kishte një ndryshim të madh jo vetëm nga pozicioni gjeografik i vendit, por edhe nga kushtet.  Në Kuçovë ne rrinim në një kapanon të gjithë të burgosurit, meshkuj dhe femra bashkë. Hanim nga “kazani” ose “gjellë kazani”, kështu quhej atëherë. Pra të gjithë kalonim para kazanit me një tas alumini në dorë dhe na hidhnin një garuzhde me një lëng, që kurrsesi s’mund të quhej gjellë. Aty mund të lundronte vetëm një kokërr fasule, apo një kokërr oriz. Kjo ishte supa jonë e famshme që mbanim shpirtin gjallë. Na jepnin dhe një copë bukë misri, sa për të kaluar radhën. Shumë njerëzve u binte të fikët, pasi nuk mund të mbaheshin dot me atë ushqim. Sëmundjet bënin kërdinë. Edhe në Tepelenë  mënyra e të fjeturit ishte e njëjtë. Në Tepelenë flinim në një kapanon të madh të kohës së luftës, të ndërtuar nga italianët. Në tokë kishim shtrirë nga një copë dërrasë dhe të gjithë të radhitur si fishekët në karikatore. Kështu quhej organizimi i të fjeturit tonë, të konservuar si fishekët në karikatore. Për  5 vjet s’e pamë kurrë ngjyrën dhe ngrohtësinë e zjarrit, s’e pamë kurrë të larit e lirshëm, apo një dhomë të veçantë, ku mund të rrije me bashkëshorten apo me fëmijët. Në shesh të gjithë. Banjat i kishim 200 metër larg, në breg të lumit. S’dinim se çfarë ishin ndërresat. Na kalonin sa në një kamp-burg në një tjetër duke na hedhur në tokë, duke mos pasur asnjë ndërresë, por dhe asnjë lloj leku. Nuk dinim se çfarë ishte leku, letër apo metal. Kurrë nuk kishim nëpër duar lekë për shumë kohë. Vetëm punë, bukë lëtirë dhe gjumë në stalla.  Lekët nuk kishim, ku t’i mirrnim dhe s’kishim ku të blinim pasi nuk na linin të dilnim nga kampi. Po të them se për 10 vjet me radhë, prej vitit 1945 deri në vitin 1954, s’më kish rënë në dorë asnjë lloj leku. Më dukej ëndërr kur flitej për lekun. Nuk dija se çfarë lekësh qarkullonin sipas prerjes dhe formatit. Kjo është e pabesueshme, por e vërtetë. Doja të blija një laps, një fletore vizatimi, por me se? Ku ti gjeja? Doja të vizatoja, pasi kisha dhunti, po ku të shkoja dhe me se t’i blija? Por koha ndryshoi kur shkuam në Savër të Lushnjes.

Kur shkuat në Savër, çfarë ishte Savra dhe pse ndryshoi jeta juaj aty?

Së pari dua të them se fshati Savër bëhet i njohur që në kohën e Skënderbeut, pasi aty janë gjetur shumë armë të asaj kohe, që tregojnë vërtetësinë e një lufte shqiptaro-turke. Por, si fshat internimi u formua në vitin 1949.  Pra, kur shkova unë, ai kishte pesë vjet që funksiononte. Në Savër sillnin për punë familjet e të përndjekurve politikë, dhe ish kulakët si i cilësonte Enver Hoxha. Aty kishte njerëz nga gjithë Shqipëria, madje intelektualët më në zë, të cilët s’e donin regjimin. Kishte shumë njerëz nga dyer të fisme. Në Savër shkuam në vitin 1954 si të internuar. Në fillim edhe këtu fjetja dhe të gjitha ishin si në kampet e tjera. Sa mbërritëm na çuan në një kapanon të gjatë, si stallë kuajsh , ku ne na ra të ishim në hyrje të derës. Aty hynte i ftohti dhe i nxehti si të donte, por nga ana tjetër ishim të detyruar që të duronim të shkelurat e njerëzve që dilnin natën jashtë. Sa shkelma kam ngrënë në atë derë. Të nesërmen na çuan katër familje bashkë në një dhomë. Më vonë u ndërtuan dhe 7 dhoma si barake, ku rrinim disa familje bashkë.  Shpesh herë përdornim dritaren si derë dhe anasjelltas. Internimi kishte midis të tjerash një të keqe shumë të madhe. E keqja e madhe ishte se çdo ditë duhej të paraqiteshe në apel, pra shikoheshin mungesat, pasi kishin frikë mos arratiseshim. Nqs të ulej dënimi, atëherë quheshe i dëbuar dhe jo i internuar. Kishte një dallim esencial.  Eh, sa të internuar donin të shpalleshin të dëbuar! Dallimi ishte se pas disa vjetësh nëse shikonin se punoje mirë, ishe korrekt, kishe rendiment, nuk të dëgjonin të flisje kundër Partisë dhe shokut Enver, atëherë të ulej masa e dënimit dhe nuk quheshe i internuar, por i dëbuar. I internuar ishe i detyruar, të ishe në të dy apelet që bënte oficeri i sigurimit, ndërsa i dëbuar nuk paraqiteshe në apel, por kishe kufizime në lëvizje. Pra, si i dëbuar unë s’mund të shkoja më shumë se qyteti i Lushnjës, pasi për çdo shkuarje në Tiranë, apo gjetiu, duhej të merrja leje. Nqs më miratohej mirë, nëse jo nuk lëvizja më shumë se Lushnja. Ky ishte dallimi midis të internuarit dhe të dëbuarit.  Kur shkonim në lumin e Semanit për banjo, shokët e mi e kalonin lumin, unë deri aty e kisha lejen si i dëbuar.  Po të kaloja matanë, do më quhej arratisje. Me dëbim mund të kishe liri lëvizje deri në tre rrethe. Në Savër ishin afërsisht 200 të internuar dhe po kaq në fshatin Plug. Midis tyre gjeje njerëz të shkolluar, të ditur, të heshtur dhe me pamje fisnike.

 Ju më lart thatë se pikërisht në Savër filluat të njihnit lekun dhe si ngjyrë, por edhe si pagesë në dorë, konkretisht si filluat të paguheshit në Savër?

Në këtë fshat ne kaluam nga rendi skllavopronar, pra nga të skllavëruar tërësisht në varfëri, pra e kaluam pragun e mjerimit absolut. Këtu filluam të njihnim lekun. Punonim dhe paguheshim. Punonim në fermë. Tre muaj na mbajtën “gjellë kazani”, pastaj paguheshim sa punonim. Dmth sa të donin ata që na drejtonin, pasi ne punonim shumë, por se dinim sa ishte vlera e punës. Mblidhnim deri 120 kg pambuk në ditë për 12 lekë, Kur merrnim 14 lekë në ditë, eh, sa gëzoheshim! Puna ishte e rëndë në vjelje pambuku. Gratë ishin më të palodhura në këtë punë. Në këtë kohë unë fillova të ushtroj  mirë profesionin e muratorit pasi kisha bërë dhe një shkollë në Lushnje. Di të them se pas disa vjetësh punë, mora kategorinë e shtatë. Kisha bërë një shkollë pa shkëputje nga puna. Madje si murator kam dhe një histori interesante. Histori që për kohën ishte shumë domethënëse. Në vitin 1967 na thanë të ndërtonim shtëpinë e pritjes në Lushnje. Aty do vinin udhëheqësit. Punuam nga 14 orë në ditë. Kontrolli ishte i rreptë. As kokën nuk ngrinim. Ishte një ndërtesë bashkëkohore. E bëmë para afatit. Për këtë punë na falënderuan. Atëherë qarkullonin fjalë se këtë shtëpi pritjeje do ta inauguronte vetë Enver Hoxha, por unë nuk mora vesh se çfarë u bë më vonë. Por, di që ajo diskutohej gjithmonë si shtëpi e veçantë, që të gjithë udhëheqësit, kur u binte rruga, kalonin nga ajo për pushim. Punonim për të tjerët, për udhëheqjen, nxirrnim nga duart mrekullira, por kurrë nuk i gëzonim apo i shijonim vetë. Të kisha një dhomë të vogël për shtëpi nga ajo godinë do isha njeriu më i lumtur në botë për atë kohë.

Dita më e bukur si i internuar, si ishte kjo ditë dhe pse e quani të tillë? Çfarë fituat nga ky qëndrim i gjatë më keq se të burgosurit?

Ah, e kujtoj dhe sot. Lotoj kur e kujtoj. Ka lidhje me ndërtimet, me banesat që e rroka paksa më lart. Pra, ndërtoja gjithmonë, por nuk kisha shtëpi, apo një dhomë për vete. Më kujtohet ajo thënia popullore” këpucari pa këpucë, rrobaqepësi pa pantallona të mira”. Kështu dhe unë, ndërtoja për të tjerë e për vete fukara. Dhe ja vjen një ditë, dhe në vitin 1988 më dhanë një dhomë prej tulle në një shtëpi apo pallat në Savër. O Zot! Nuk e besoja. Një jetë të tërë vetëm në barraka, apo stalla kuajsh. Një jetë të tërë pa parë banesë të rregullt, pa banjë, pa sobë, pa ngrohje, pa lëre për freskim. Ajo dhomë m’u duk si shtëpi princërish, si vilë nga më të bukurat në botë. S’e besoja. Kur kam fjetur atë natë, vetja m’u duk si perandor. Një dhomë e vërtetë shtëpie të rregullt. M’u duk vetja si perandor pasi ne dhe banjat i kishim jashtë rreth 20 metër larg kapanonit. Në të ftohtë apo ku di unë, do kaloje në pellgje balte për të shkuar aty. Kur u martova bëra një shtesë me kallama tek baraka, ku jetoja. Mos e fol. Dhoma ime ishte 3,5 metër, unë e zgjata pak. Pra, sa mbaronte kasollja, ishte një furrik pule dhe më poshtë banja. Mos u habit. E shoh që nuk të besohet, se di si ka jetuar yt atë, por për mua kështu është. Në këto kushte vazhdova dhe shkollën, pasi kur u quajta i dëbuar, unë shkoja në Lushnje dhe bëja shkollën fillore, pastaj të mesmen dhe një shkollë për  murator. Por unë në Savër fitova diçka shumë të madhe, u dashurova me librin. Këtë ja quaj për nder asaj kohe. Unë aty kam mësuar! I vetmuar aq sa nuk do kisha mësuar në disa universitete. Ne ishim katër shokë dhe ishim lidhur me librarinë në Lushnje, ku çdo libër që dilte, shitësi na e mbante. Ne do kursenim çdo gjë për të blerë një libër. S’e si, s’e di! Por e mira më e madhe ishte, se në internim njiheshe me njerëz me emër të madh që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit dhe kishin një kulturë të jashtëzakonshme. Ata ishin intelektualë të mirëfilltë, madje të gjithë dinin nga 3-4 gjuhë të huaja. Pra kur vija nga puna në stallë, lexoja dhe vetëm lexoja. Qysh nga viti 1950 dhe deri në vitin 1962 unë kam lexuar 2 200 romane. Pra, në 12 vjet në çdo tre ditë mbaroja një roman. E di që se besoni por është e vërtetë. Leximi më hiqte mendjen nga vuajtjet, poshtërimet, fyejet, varfëria. Libri ishte miku më besnik, që më ka dhënë forcë në momente të caktuara. Personazhet, heronjtë e romaneve, vuajtjet e tyre më jepnin forcë dhe mundohesha t’i imitoja.

Ju më thatë që në Savër kishte shumë personalitete që për gabime të ndryshme ishin internuar me ju, cilat emra mund të na përcillni nga të internuarit aty? 

Së pari: zoti, Tasim Spahiu, një ish-ushtarak, i cili në kohën e luftës ka bërë një debat me Enverin në Poçem. Përplasja kishte të bënte për ndërtimin e shoqërisë së re pas lufte. Enveri ia vuri vath në vesh. Pas lufte, duke qenë se ishte një ushtarak i përgatitur, Enveri e la 4 vjet pedagog në shkollën ushtarake dhe pas katër vjetësh e internoi në Savër.  Ishte njeri me kulturë, i paepur. Kishte një pamje fisnike. Nuk e jepte veten, deri sa vdiq i harruar aty.  Kishe qef ta dëgjoje. Rrinte serioz dhe dukej si një shkëmb që  nuk tutej nga asgjë. Njëherazi dua të veçoja vajzën e Gjon Markagjonit. Ajo ishte më e nëpërkëmbura, por se jepte veten. Serioze, korrekte, fjalëpakë ajo ishte si një heroinë e heshtur. Përpos tyre veçoj, Zenel Prodanin, një burrë i pashëm, dy metër. Njeri i ditur që, kur fliste mrekulloheshe. Por kishte shahistë me famë, boksierë me famë, përkthyes me famë.  Kur është diskutuar “Komedia Hyjnore”, të gjithë ata personazhe, në Savër i gjeje. Dhe më tej ishte ajo që s’më besohej, pasi aty ishte dhe djali i xhaxhait të Enver Hoxhës, Vehib Hoxha. Ai binte në sy. Kishte dhe tri vajza.  Rrinte i heshtur në hallet e tij. Ne thoshim se kur s’i vjen keq për djalin e xhaxhait, si do i vijë keq për ne Enverit? Ndonjëherë dhe e paragjykonim, por ai ishte një burrë zotni, i heshtur dhe që i donte njerëzit. Kurrë nuk u ankua dhe kurrë nuk kërkoi mëshirë. Por do ndalem pak më gjatë me Lazër Radin. Ishte nga Shkodra. Ishte ndër nismëtarët e krijimit të grupit komunist të Shkodrës, së bashku me Qemal Stafën. Një njeri shumë i ekuilibruar dhe i dashur. Ishte një luftëtar i zoti. Pas vrasjes së Qemal Stafës, atë e akuzuan si një ndër pjesëmarrësit në vrasje. Madje, pas çlirimit dhe e burgosën. S’e di sa vjet bëri, por pas dënimit, e sollën në Savër. Ai kurrë s’e pranoi se ishte pjesëmarrës në vrasjen e Qemal Stafës, pasi e kishte shok të ngushtë dhe e donte shumë. Jeta e tij ishte shumë e koklavitur. Vdiq disa vjet, pas demokracisë. Aty kam parë shumë njerëz që me të vërtetë duhej të vlerësoheshin, por jo, Enveri i çoi aty ku ishte dhembja më e madhe. Pra aty gjeje njerëz që vërtet kishin vlera të rralla dhe mbivlera e tyre ishte se kurrë nuk u bënë spiunë, kurrë nuk kërkuan mëshirë, kurrë nuk shanë njeri, kurrë nuk kërkuan diçka ndryshe. Por më e keqja ishte kur na bënin diskreditim publik. Pra, të nxirrnin në mes të sheshit të kinemasë dhe të pështynin. Kështu bënë dhe njëherë me mua: më nxorrën në mes të sallës të më pështynin, si një njeri me baba dhe gjysh të arratisur, në kuadrin e luftës së klasave. O Zot, ç’kisha bërë! Ç’ishte kjo gjëmë komuniste e pashembullt? Por vura re se shumica s’e bënë këtë gjest. Nuk më pështynë. Oficeri i sigurimit u çudit. Madje kishte dhe komunistë që nuk më pështynin. E them me bindje se regjimi ishte regjim, por mes ish-shumë pushtetarëve kishte shumë njerëz të mirë, Këtë e tregoj me këto raste, por edhe më pas kam shumë raste të përafërta. Kishte njerëz të mirë që i kuptuan dredhitë e sistemit ndaj dhe ai sistem ra.

.

Kur erdhët në Tiranë dhe si mori rrugë ëndrra e juaj fëminore piktura?

Librin e shijova në Savër, por pikturën jo. Nuk kisha mjete. Doja gjithmonë të filloja të pikturoja…Dhe ja erdhi ajo ditë…Në vitin 1998 erdha në Tiranë dhe isha dhe i papunë ndaj mendova t’i futem ëndrrës time të pikturës, dhe jo të rrija e të luaja domino. Punova 4 vjet pa pushim ditë e natë, pa njohur asnjë piktor në Tiranë. Pas katër vjetësh duke parë punët e mia u bëra mik me shumë piktorë. Unë kam rreth 20 vjet që merrem me pikturë direkt pasi më iku djali në Belgjikë. Pra, ëndrrën time të parë, ëndrrën time të bukur munda ta prek me ardhjen e demokracisë. Falë dy piktorëve, Bujar Zajmi dhe një piktor që punonte në Teatrin Popullor munda të hap ekspozitën, e cila nuk u hap në Galerinë e Arteve për mungesë diplome, por u hap në galerinë T&G. Pas hapjes së kësaj ekspozite, unë u njoha me shumë piktorë të tjerë, të cilët kanë lënë shënimet dhe impresionet e tyre në librin e përshtypjeve për mua. Pas kësaj ekspozite kalova nga punimet në akuarel, në punimet në vaj. Deri tani kam hapur 7 ekspozita personale dhe më shumë se kaq të përbashkëta. Thuajse çdo vit kam hapur një ekspozitë vetjake dhe një të përbashkët. Aktualisht në arkivin tim mund të jenë mbi një mijë piktura. Punimet e para i fillova në akuarel, kalova në akrelik dhe së fundi në vaj. Pikturat i kam filluar me punime reale, të cilat i paraqita në ekspozitën e parë. Në këtë ekspozitë pikturat kishin vetëm pesë për qind dritë dhe dominonte errësira. Pastaj ishte këshilla e djalit që e kam piktor në Bruksel, i cili më tha:- Babë, duhet të shohësh dritë, nuk u ngope 50 vjet me errësirë?

Dhe tani po të shohësh punimet e mia, kanë 95 për qind dritë dhe pesë për qind errësirë. Në ekspozitën e fundit Naxhi Bakalli  tha tri fjalë: “Lirimi është i lirë, që s’i ngjan kurrkujt”.

 Mendoj se sot kam krijuar individualitetin tim në pikturë. Por dua të them se vitet e fundit kam kaluar tek abstraksionizmi, pasi kur lexova një libër të një piktori abstraksionist Kandist që shkruante që 70 vitet e mia i humba për të prekur të virgjërën natyrë, të cilën nuk e arrin askush, tani ju ktheva ëndrrave të mia që më bën të qartë. Ndërsa Salvador Daliu mbetet piktori më i mirë abstraksionist. Unë aktualisht punoj 9 orë në ditë, duke pasur parasysh këta njerëz të mëdhenj të abstraksionizmit. Piktura është bërë jeta ime e dytë. Pa penel nuk rroj dot asnjë ditë. Peneli me jep forcë, mendim dhe ide.

-Je menduar të hakmerresh ndaj asaj rinie të zezë?

Kurrë. Nuk e njoh hakmarrjen. Zoti i vuri gjërat në vend. Sot kam tre fëmijë të shkëlqyer, të shkolluar, të cilët ma kanë mbushur shtëpinë me nipër dhe mbesa. Nuk kam ndërmend të prish këtë lumturi. Do ta ndëshkosh një regjim dhe një njeri, fshije nga memoria, dhe i ke bërë dënimin më të madh.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama

Intervista e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhënë gazetës greke, “Ta Nea”

Zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe kriza në Bosnje dhe Hercegovinë nuk janë shenja të ...