Albert Zholi

Albert Z. ZHOLI: “Kullat tona” dhe heroizmi shqiptar në shekuj

Këto ditë, poeti Gani Orana, po hedh në treg librin e ri me poezi “Kullat tona”. Kush janë kullta tona?! Çfarë përfaqësojnë ato?! Pse jeta e shqiptarit është lidhur me kullat?! Çfarë ka në brendësi përveç kullave ky libër poetik?! Kullat, për shekuj janë bërë pjesë e jetës së shqiptarit. Në Kosovë, kullat kishin nisur të ndërtohen në numër më të madh në fillimin e shekullit XVIII-të, nga familjet e pasura dhe që kanë pasur deri në 30 anëtarë. Kullat fillimisht ishin ndërtuar nga mjeshtrit shqiptarë nga Dibra, të njohur asokohe si latues të shkathtë të gurit. Më pas mjeshtëria ishte përvetësuar edhe nga vendorët. Kullat janë objekte prej 2-4 kate dhe ndërtimi i tyre ka zgjatur rreth pesë vjet. Jo më kot i solla këto njhuri të marra nga inxhinierë shqiptarë, por për të treguar se në qytete në kushtet e sigurisë së plotë nga ndonjë sulm apo grabitje shqiptarët në shekuj ishin të detyruar të ndërtonin kulla. Këto banesa nuk kanë nevojë të fortifikohen pasi janë me gurë me shumë dritare dhe të larta, për të parë nga larg armikun apo keqbërësin. Në fshatra, në kushtet e pasigurisë totale, banesat ishin të vendosura në kodra dominuese por dhe pranë kishave e manastireve, që dhe ato filluan të bëheshin të fortifikuara.

Natyrisht kullat (banesën e fortifikuar) nuk e kishin të gjithë familjet, pasi kostoja e tyre ishte e madhe, ndërsa ato i kishin familje të mëdha patriarkale dhe të fuqishme në rendin e të tjerave. Kështu ndërtesat e fortifikuara , arkitektura e të cilave e kishte bazën nga arkitektura e fortifikatave e kullave mesjetare të shekujve XIV dhe XV, vazhduan të ndërtoheshin dhe të ishin prezente gjatë të gjithë kohës së pushtimit osman deri në fillim të shek. XX, prania e të cilave ekziston si dëshmi edhe në ditët tona në luftën e Kosovës për liri. Jeta e shqiptarit është binjakëzuar me fjalën Kullë. Kulla mbetet për shqiptarin, fortesë, shtëpi banimi, shtëpi pritje, shtëpi mësimi, depo municioni dhe ushqimi. Bashkë me to shqiptarët kanë faktuar qëndresën dhe përpjekjet e tyre kundër pushtimit turk dhe atij serb, për të ruajtur frymën dhe identitetin e tyre autentik, njëherësh edhe qytetërimin e tyre europian. Në këto kulla dha jetën Heroi Adem Jashari. Kulla e Jasharëve në Prekaz është sinonim i qëndresës, besës, herozimit, fitores, lirisë dhe bensikërisë ndaj Atdheut. Për këtë kullë autori hyjnizon vendin, ndërtimin dhe historinë që ka lënë pas. Në kulla si e Jasharëve dhanë jetën kundër pushtuesve serbë sa e sa patriot kosovarë që i kthyen kullat e tyre në simbole atdhetarie.

Ata nga këto kulla i treguan botës së qytetëruar se liria nuk dhurohet por fitohet. Heronjtë e kullave si shqiponja treguan të vërtetën e shtypjes shekullore serbe që Europa e kishte harruar. Shqiponja fluturon në qiell, po folenë e bën në tokë thotë një fjalë e urtë në Labëri. Ndaj gjakut të derdhur të shqiptarit i bie dielli e nuk e than, i bie shiu dhe nuk e lan. Supet e maleve dhe supet e shqiptarit nuk janë kërrusur kurrë. Shqipëria është e vogël, po shqiptarët janë shpirtmëdhenj. Por në këtë libër autori ka sjellë në mënyrën më të bukur shumë figura të shquara që në prehistori që ideuan dhe mbajtën gjallë emrin e bukur dhe gjuhën e bukur shqipe. Një vend të rëndësishëm në libër zë Gjergj Kastriot Skënderbeu. Vigani i viganëve, legjenda që mbrojti Europën nga pushtimi osman. Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, mbetet Gjergj Kastriot sipas autorit. Për të në shekuj janë thënë  thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që të befasojnë dhe që autori i përcjell me krenari. Për Skënderbeun kanë folur, studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo. Askush se beson se për të kanë folur dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Po të ideosh një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për Heroin tonë Kombëtar.sigurisht, vlerësimet janë nga më të befasishmet. Por unë do përmend atë të Papa Kalikst i III-të: “Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane! Pra duke lexuar, duke studiuar dhe duke lëmuar penën, autori, emrin e Skënderbeut në shumë poezi e ngrin në piedestal, sepse ai është unik në botë. Kushdo që do lexoj këtë libër do të shohë se sa me dashuri i këndon autori atdheut. Dhe nuk ka pse të duket çudi për askënd që autori Atdhe quan Shqipërinë.

Kosova sipas tij është shqiptare dhe Kosova është pjesë e Shqipërisë dhe të gjithë banorët e Kosovës sipas tij quhen shqiptarë. Për vite larg atdheut ai ka mall për çdo fshat, qytet, mal, fushë, për njerëzit, për çdo gjë që ka lidhje me Shqipërinë. Flamuri kuq e zi për të është më i bukuri në botë, flamuri më shpresdhënës, flamuri me ngjyrat më të spikatura, flamuri që të krenon dhe të jep autoritet. Në tërësinë e tij ky vëllim poetik ka përbrenda nota të theksuara patriotizmi, atdhedashurie dhe mirënjohje për heronjtë. Në tërë poezitë autori flet drejtpërderejt për mallin dhe ato që e shqetësojnë në mërgim. Tematika e tijë përcjell mesazhe respekti, dhembshurie, për çdo send, histori, objekt, hero që ka lidhje me Shqipërinë.

Larg në kurbet ai jeton me kujtime…
Ah, moj Lulekuqet e Dardanisë!
Eh, kur sot ju hodha një shikim,
Freski ndjeva thellë në shpirtin tim…
Herë në mënyrë lakonike, herë më një figuracion shpirtëror të natyrshëm, autori nuk lë rast pa gjetur detaje jetësore që e lidhin me atdheun. Ai dhe pse larg, frymon, merr jetë, përparon, merr forcë dhe ide nga çdo kujtim që lidhet me natyrën e bukur shqiptare. Lulekuqe ka në shumë vende të botës, por autorit, lulekuqet e Dardanisë i duken më të veçanta, më të bukura, më frymëzuese.
Ah, qiri ndezur për atdheun tim!
Sa plagë e madhe edhe trishtim,
Sa më kanë kapluar lotët e dhimbjes….

Një poezi që të befason nga tematika. Tërmeti shkatërrues i datës i 26 nëntor, ku u shuan 51 jetë e me mijëra persona mbetën pa banesat e tyre, është përcaktuar më vdekjeprurësi në botë për vitin 2019. Kjo dhimbje është transmetuar tek autori sikur të ishte pjesë e fatkeqësisë. Këtë ndjeshmëri ai e përcjell me vargje të thjeshta por shumë prekëse. Në tërësi libri është një thirrje për atdhedashuri, paqe, mirësi, bashkëpunim mes shqiptarëve. Në këtë libër gjen poezi për dijen, për nënën, për fëmijët, për problemet jetësore. Autori jeton me çdo dhimbje shqiptarie por edhe gjen forca ti mposht ato. Tërë këtë libër modest me tematika të ngjeshura, me një themel të fortë shqiptarie unë do ta përmblidhja me thëniet e dy prej patriotëve shqiptarë nga më të diturit e kombit tonë. ..
Fan Noli: Le të sulemi nën flamurin e kuq në flakë të luftës, që të na drithërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesirn duke thirrur: “Rroftë Shqipëria“. Ali Asllani: I ka hije detit vala, i ka hije kalit shala, por më shumë se të gjitha i ka hije burrit fjala. Me këto fjalë mer dhe urimin tim ky libër, që lexuesi kur ta marrë në dorë besoj se do kuptoj se po mban afër një copëz të bukur Shqipërie!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …