Albert Z. Zholi: Libri monografik i |Arjan Beqirit: “Jeta ime dhe shokët”, një jetë interesante në tri kohë

Albert Z. Zholi: Libri monografik i |Arjan Beqarit: “Jeta ime dhe shokët”, një jetë interesante në tri kohë

Libri monografik “Jeta ime dhe shokët”,  përbën një hap cilësor në jetën letrare dhe atë publicistike të autorit Arjan Beqari. Autori (pas disa botimesh) vjen në këtë libër  me dëshirën për të lënë në breza historinë e fisit të tij, të vetes së vet, ushtrisë së lavdishme shqiptare, por edhe një pjesë të historisë së Velçës së tij të dashur, që ai i ka kënduar me aq pasion. Siç shkruan në libër, autori e ndjente si përgjegjësi intelektuale, qytetare, patriotike, historike për të hedhur në libër kujtimet, mendimet, komentet jetësore, ngjarjet, datat që  kanë qenë pjesë e jetës së tij, por edhe e fshatit dhe zonës ku ai ka lindur, jetuar apo banuar. Gjithë libri është shkruar me kulturë, përgjegjësi, korrektësi dhe duke u  bazuar mbi fakte dhe jo mbi dëshira. Si intelektual i formuar, autori kurrsesi si ka vendosur ngjarjet  sipas interesave, sipas pikëpamjeve të tij, por me gjakftohtësi i ka vendosur në vend dhe në kohë, për tu lënë brezave një libër më shumë informacion për zonat, qytetet, repartet ku ai ka kaluar jetën. Libri në tërësinë e vet përmbledh tre etapa jetësore, lindjen dhe rritjen, deri në përfundim të luftës nacionalçlirimtare, periudhën e shkollimit  në ish-BS, në sistemin komunist, punën dhe formimin si intelektual dhe pjesa e tretë është jeta dhe puna pas përmbysjes së sistemit komunist.

Arjani dhe Lufta Nacionalçlirimtare

Lindur dhe rritur në një familje patriotike, familja e tij u lidh ngushte më luftën nacionalçlirimtare që siç e përshkruan ai dhe mjaft krijues të Velçës, mbetet lufta më heroike dhe më e organizuar e popullit shqiptar në shekuj. Qysh në fillim të luftës babai i tij së bashku me disa velçotë u bënë  aktivistë të lëvizjes për çlirimin e vendit dhe për këtë arsye ai nuk flinte në shtëpi. Gjatë luftës gjithë familja e tij  ishte nën kujdesin e nënës, një grua nikoqire, e zgjuar dhe e dashur jo vetëm me ta, por edhe me gjitonët dhe gjithë fshatin. Nëna, Rabua kur italianët i vunë zjarrin shtëpisë (së bashku me gjashtë shtëpive të tjera të Velçës), hyri në dhomën me oxhak në mes të flakëve duke nxjerrë grurin dhe miellin e shtëpisë, rrobat e fjetjes (jorganët, dyshekët e velenxat) si dhe veshjet e fëmijëve. Një akt, që e bën një nënë trimëreshë, me zemër të gjerë.  Lëvizja  nacionalçlirimtare  rritej dhe bashkë me të rritej dhe Arjani, duke e kuptuar më mirë gjendjen në fshat dhe në krahinë. Me krijimin e Këshillit Nacionalçlirimtar, të celulës së P.K.SH-së dhe çetës territoriale të fshatit, ku babai i tij u emërua komisar dhe Saliko Sulua, komandant, shtëpia e tyre u kthye në bazë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Më vonë, autori dha kontributin e tij në luftë si korrier për fshatrat Ramicë e Brataj edhe pse në vitin 1943, nuk kishte mbushur moshën 10-vjeç. Në libër tregohet me krenari se në shtëpinë e tyre vinin shpesh udhëheqës të P.K.SH-së, si Hysni Kapo, Todi Manço, Ibrahim Dervishi, etj. Por ajo që i ka ngelur më shumë në kujtesë është fisnikja Ramize Gjebrea, që një natë para se të ekzekutohej në Ramicë, fjeti në shtëpinë e tyre, së bashku dhe me një partizan që e shoqëronte. Por…Megjithëse ishte i vogël, kur mori vesh ekzekutimin e saj, të këtij engjëlli, i rrodhën lot nga sytë fëminor duke mos kuptuar atëhere arsyen pse ishte ekzekutuar. Autori e hyjnizon luftën, pasi pikërisht me luftën heroike që zhvilloi Fronti Nacional-çlirimtar e kreu misionin historik dhe i arriti objektivat themelorë strategjikë: çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare ishte një provë, që tregoi vlerat morale e politike të shqiptarëve. Në këtë luftë, populli shqiptar dëshmoi se ishte i mbrujtur me idealin e lirisë e të pavarësisë së atdheut. Ai tregoi zgjuarsi dhe pjekuri të madhe politike, duke u rreshtuar në krahun e forcave më përparimtare të kohës, krahas koalicionit anglo-sovjeto-amerikan. Më në fund, për të realizuar idealin e lirisë dhe të pavarësisë së atdheut ai nuk kurseu asgjë, pranoi çdo sakrificë. Shqipëria, një vend që s’i kalonte një milion banorë, arriti të ngrejë në këmbë një ushtri të organizuar që numëronte në radhët e saj mbi 70 mijë luftëtarë, e cila i gozhdoi në luftime në territorin shqiptar 15 divizione italiane e gjermane, me rreth 700 mijë ushtarë dhe nxori jashtë luftimit 70 mijë prej tyre. Shqipëria i dha luftës 28 mijë dëshmorë dhe mijëra të tjerë të plagosur e të gjymtuar në kampet e përqendrimit fashist, veç djegies, shkatërrimit e rrënimit të fshatrave dhe qyteteve të tëra. Të llogaritura për frymë të popullsisë, Shqipëria zë një nga vendet e para në botë për sakrificat dhe dëmet njerëzore e materiale në vitet e luftës. Ajo është gjithashtu vendi i vetëm në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Familja e autorit është krenare që ishte pjesë e kësaj lufte të lavdishme…

Arjani pas çlirimit, shkollimi dhe vizioni për jetën

Dëshira për arsimim ishte ëndrra e tij e madhe. Rastësia mbreti i botës. Në shtëpinë e tyre një natë darkoi doktor Ibrahim Dervishi, shok lufte me babanë i cili shfaqi mendimin që Arjani të vazhdonte shkollën Skënderbej në Tiranë. Punët u rregulluan dhe në fund të muajit korrik të vitit 1947, pranohet skënderbegas, dhe bëhet nxënës ushtarak i klasës së 7-të. Për tre vjet rresht (1947-1950) shkëlqeu në mësime duke u dalluar dhe në përgatitjen fizike. Etja për dije e kishte mbërthyer të tërin. Libri u bë për të pjesa e pandarë. Dhjetor 1950 – Shtator 1953, shkon kursant në Kiev të ish-Bashkimit Sovjetik. Nisjen ia komunikoi drejtori i përgjithshëm i kuadrit të asaj kohe, gjeneral-major Haxhi Lleshi. Në biseda mes miqsh ai mbante parasysh thënien e Charles Eliot:  “Librat janë miqtë më të qetë dhe më të përhershëm; ata janë këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur dhe mësuesit më të durueshëm.” Dhe rruga e dijes vazhdon…Tetor 1953 – Dhjetor 1954, nëntoger, komandant toge ndërlidhjeje në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve Tiranë. Dhjetor 1954 – Gusht 1956, për studime në Shkollën e Lartë të Radiolokacionit në qytetin Evpatoria të Bashkimit Sovjetik (Krime). Kulmi i studimeve arriti kur në Dhjetor 1959 – Gusht 1961, ishte student në Bashkimin Sovjetik për inxhinier elektronik. Ëndrra e madhe u realizua. Në tërë jetën e tij ushtarake ai pati detyra nga në të rëndësishmet. Jeta e tij ishte si në luftë. Shërbime, përgjegjësi, debate, arritje, rezultate, ngërçe, stepje, kërkim i së drejtës, mosnënvleftësim i bashkëpunëtorëve, sfilitje me punë orar pa orar, dyshime dhe mosbesime, por të gjitha nën thirrjen e brendshme për përparimin dhe mbrojtjen e atdheut. Askush sot nuk mund ti mohojë ato sakrifica. Ditë të tëra shërbimi pa pagesë. Mendime dhe studime për të realizuar pajisje dhe aparate që nuk prodhoheshin më parë gjithmonë duke bashkëpunuar më shokët  që si ndante kurrë në çdo hap të jetës. Miqësia dhe vlerat e shokëve për të ishin dhe mbeten të shenjta.  Këto mund ti bëjë vetëm një intelektual që do atdheun, do zhvillimin, përparimin, të bukurën. Edhe në momentet më të vështira, autori ka folur me ndershmëri, me drejtësi edhe pse ishte në pres të briskut. Ajo se çfarë i duhet një intelektuali nuk është asgjë tjetër përpos guximit dhe mençurisë. Dikush mund të jetë shumë i mençur, por nëse i mungon guximi që të shprehet, që të thotë atë çfarë mendon, që të bëjë atë që mendon, që t’ua transmetoj të tjerëve, atëherë ai nuk është i mençur dhe rrjedhimisht as intelektual. Po të flasësh dhe të shprehësh mendimet duke thënë të vërtetën dhe nëse kjo gjë nuk përkon në favor të pushtetit, atëherë tregon vlerat më të larta njerëzore, intelektuale, civilizuese. Autori në punën e tij fliste me gjuhën e specialistit, të ndershmërisë, të vërtetës, ndaj nuk kishte frikë dhe ecte kokëlartë. Njerëzit që shprehin mendimet dhe pikëpamjet e tyre kanë çarë në jetë, por edhe popujt e civilizuar kanë përparuar duke thënë të vërtetën, sepse nëse e vërteta nuk thuhet shtetet nuk përparojnë. Duke mbajtur gojën mbyllur nuk fiton asgjë, pos vetëm humb personalitetin dhe dinjitetin. Jeta e tij me shumë të papritura e bëri të ecë dhe pse në moshën më prodhimtare doli në pension.

Vitet e demokracisë

Pas vdekjes së Enver Hoxhës në vitin 1985, ai u pasua në pushtet nga Ramiz Alia. Politika e brendshme e Ramiz Alisë e drejtuar drejt shmangies së sistemit komunist, ndërsa fuste disa reforma graduale në përpjekje për të gjallëruar ekonominë. Ekonomia e shtetit monist ishte futur në një spirale krize e recesioni sidomos pas ndërprerjes së ndihmave nga aleatët komunistë të lindjes. Kështu, Ramiz Alia legalizoi investimet e firmave të huaja në Shqipëri dhe filloi marrëdhënie diplomatike me vende të Europës Perëndimore. Rënia e komunizmit në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 me demonstratat antikomuniste studentore. Me rënien e  Murit të Berlinit ranë edhe  një sërë regjimesh diktatoriale komuniste në Europën lindore. Gjatë vitit 1989, segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare u bënë politikisht aktive dhe filluan të aktivizoheshin me forcë kundër qeverisjes moniste. Nga presioni Ramiz Alia u detyrua të garantonte lirinë për të udhëtuar jashtë shtetit, më parë të ndaluar rreptësisht. Reduktoi gjithashtu edhe fuqinë e Sigurimit të Shtetit, lejoi lirinë e fesë, dhe adoptoi disa masa të tregut të lirë. Në dhjetorin e vitit 1990, Ramiz Alia nën presionin e studentëve u detyrua të lejonte krijimin e forcave politike të pavarura, duke shënjuar kështu fundin e monopolit të Partisë Komuniste. Ishin vitet kur autori i librit mori nisma individuale për të siguruar mirëqenien e tij. Profesioni e bënte atë të kërkuar në treg. Shoqëria dhe miqtë e kërkonin kudo. Së bashku me bashkëshorten (që ai e vlerëson maksimalisht pasi i e ka mbështetur në çdo nismë) ai filloi të punojë privat. Qëndroi larg partive politike por shihte me interes zhvillimet në vend. Ndjente keqardhje për rrokopujën që po merrte ekonomia shqiptare. U shkatërruan uzinat, fabrikat, repartet ushtarake. Gjithë armatimi i ushtrisë u shit për skrap. Ku shkuan radiolokatorët  me vlerë? Autori ndjente keqardhje. Ai mbante shënime për çdo zhvillim në vend. Në këto kushte ai punonte, studionte, mbante shënime por edhe aktivizohej me Shoqatën e Velçës. U lidh më shumë me vendlindjen dhe lexonte çdo libër që dilte për fshatin, figurat patriotike të tij dhe zonën.  Pra, filloi sërish të bënte një jetë aktive, por duke u shkëputur plotësisht nga çdo veprimtari politike pa ndryshuar bindjet e tij. Aktualisht,  autori është anëtar i shoqatës së ushtarakëve të liruar, si dhe anëtar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Velça, për të cilën kontribuon duke shkruar për vlerat e të parëve, trimave, patriotëve burrërorë e të zgjuar, miqve dhe shokëve si dhe për natyrën e bukur të Velçës, e cila e frymëzon edhe sot. Ai në çdo bisedë, çdo sukses të tij e lidh me shokët të cilët ishin pjesa e artë e arritjeve në jetë. Libri monografik i Arjan Beqarit është një dëshmi reale e kohës që ka jetuar, konkrete, e shkruar me kulturë dhe vërtetësi që do të tregojë, jo vetëm jetën e  fisit, të familjes dhe të Velçës, por ajo njëherazi është dhe një mikro-pjesë reale, e jetuar, e historisë së Shqipërisë, por sidomos e ushtrisë shqiptare në kohën e lavdisë së saj.

 

Albert Z. Zholi: Libri monografik i |Arjan Beqirit: “Jeta ime dhe shokët”, një jetë interesante në tri kohë

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: Tri libra e fundit të profesor, Ahmet Qeriqit, që u botuan në tri vitet e fundit trajtojnë tri tema të ndryshme

Libri i parë- GURI I BETIMIT, është roman, është një kronikë historike-letrare për Luftën e …