Albert Z. Zholi

Albert Z. Zholi: Nga jeni ju zonjushë ?

Sa më shumë ju njoh, aq më shumë më çudisni ju shqiptarët – më tha Jani, pronari i kioskës “ Everest”, Athinë, duke më ofruar gazetat e ditës.

-Ke ndonjë të veçantë ?- e pyeta unë, -se ti je si mulliri i kafesë këtu, që kokrrat venë nga venë e këtu rrotullohen, vazhdova në pritje të “ çudisë” së Jani Planopullos.

Dhe ai nisi të më tregonte:

“…Kam bërë çudi me një vajzë të bukur, aty tek të 18-tat. Vinte cdo ditë e lexonte gjithë titujt e gazetave. Nga një hetë ndalonte e lexonte më gjatë …E niste nga gazeta greke e mbaronte tek ato shqiptaret …Në fillim nuk më bënte përshtypje, por ajo vazhdoi kështu me muaj …Cdo ditë e cdo ditë të nëjtën gjë: e niste nga gazeta greke e shtet më shtet mbetej tek gazeta shqiptare … Nuk mu durua dhe një ditë e pyes.

-Nga jeni ju zonjushë ?

Ajo më pa drejt në sy dhe foli zë ëmbël.

-Nga Shqipëria!

Unë mbeta. Nuk prisja që gjithë ai portret bukurie të ishte shqiptare,

-Dini ndonjë gjuhë të huaj, veç greqishtes ?-se greqishten e fliste më mirë seç e shkruajnë gazetat tona…

Ajo me delikatesë fluture, mori nga një gazetë, aty ku ishin dhe nisi të lexonte . Lexoi në fillim greqishten, pastaj në anglisht, frëngjisht, italisht e së fundi në gjuhën e saj të lindjes. Lexonte e qeshte me sy, se buzët i kishte të zëna, me ato gjuhë që mua më çuditën. Fjalët e saj mua më vinin në vesh me harmoninë e një kënge.

Iku, duke më përshëndetur në gjuhën e saj, sikur donte të më thoshte akoma.

“ Jam shqiptare!”

Iku me flokët e verdha që i hidheshin mbi supe.

Dhe prej asaj dite nuk erdhi më.

Hë, ç’të mos cuditesh ?! Sa më shumë ju njoh, aq më shumë më çudisni ju shqiptarët…”. Jeni të zgjuar, jepni jetën për miqësinë por ju kanë hedhur në hendek politikanët…Meritoni tjetër fat!

 

 

Albert Z. Zholi: Nëna ose arkivoli bosh në anë të udhës

Pranë  muzeut  qendror  të  Athinës, në  kthesën e një  udhe, gjithmonë shihja  një grua plakë  që lypte  me një  tas  kauçuku  mbi  gjunjë. E veshur  në të  zeza, me kokën  të  rënduar  nga  mosha e nga hallet, e  me sytë  nën  këmbët  e kalimtarëve, ajo  heshtte  me  dhimbjen  në  gjoks, duke  pritur  lëmoshën. E shihja  dhe  e shihja  atë  plakë  të  heshtur  dhe, sa  herë   dora  ndjente  monedha  metalike  në xhep, përkulesha mbi  tasin  kaucuku  pa i mbajtur këmbët. Por  një ditë plaka i ngriti sytë, nga  nën këmbët  e kalimtëarëve për t’i dhënë  një cast pushimi a një  çast lirie syve, apo për të treguar se akoma jetonte  dhe kishte fytyrë njeriu. Sa i pashë sytë e saj, në  atë  fytyrë  ikone, mbeta. I njihja ata sy. Edhe  atë fytyrë  e njihja. E njihja  të  gjithën  atë  plakë, atë  nënë  të  dhimbsur, që  ishte  bërë e  gjitha  dhimbje. Djalin e  saj e kisha  shok  dhe sa e sa herë i kisha shkuar në shtëpi, e kisha përqafuar si nënën time  e më kish  përqafuar  si  Spiron  e saj … Sa më pa, lëshoi  tasin  mënjanë  e bëri të ngrihej, por gjunjët  s’e mbanin. Edhe  duart, që i dridheshin, nuk e ndihmuan  dot. Edhe loti, që iu  këput  nga syri, nuk  e çliroi  dot  shpirtin  e  dridhur.

E mbërtheva nga  dy supet  e ajo cuditërisht m’u gjend  në gjoks. Edhe unë në gjoksin e saj u gjeta.

U ulëm  në  një stol  aty pranë. Ajo  shihte  malluar, më  fërkonte  duart  me  duart  e saj  të reshkura  dhe përsëri heshtte.

Edhe unë  nuk guxoja  t’a prishja atë heshtje  malli, dhe  pse në  tru  më  godisnin  pyetjet: “Ç’është  bërë  Spirua ?…Pse  e ka  lënë  kështu  nënën???  Nga  të  gjithë  ato pyetje, që më godisnin  trurin, asnjëra nuk arriti  tek fjala. Vec  kur  dëgjova nga  nga  gjuha  ime, atë që truri  nuk e  kishte ndjerë  goditjen  e saj: “Spirua  është  martuar ?”Ajo  i  hoqi sytë  nga  fytyra  ime,  e  kërkoi  frymë  nga   fundi  i shpirtit  dhe më  nje  zë  të  trembur  u  përgjigj : “Është  martuar”. Dhe përsëri  e  lëshoi  frymën  në  fund  të  shpirtit  e  ra  në  heshtjen  e saj  të  zakonëshme. Nuk  e lëndova  më zemrën  e saj  të  dhimbur.  Pyeta  veten  e  ajo  mi tregoi  të  gjitha.

Aty tek anë  e udhës, tasi  prej  kaucuku  mori  pamjen  e një  arkivoli  të  zbrasur, që  mezi   priste  këtë plakë  të  sosur,  që ta treste  gjer në  fund!

Kontrolloni gjithashtu

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Blerim Metaj: SHQIPËRIA

Ty Shqipëri ta puthi ballin, T’i njoh plagët e ta di hallin, T’i njoh dhimbjet …