Albin Kurti ka ripërsëritur kërkesën e tij për respektimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit të vitit të kaluar

Kryeministri Albin Kurti ka ripërsëritur kërkesën e tij për respektimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit të vitit të kaluar. Ai gjatë vizitës në veri të vendit, ka deklaruar se është i nevojshëm nënshkrimi i marrëveshjes që të krijohet siguria ligjore dhe të fshihen të gjitha shkeljet e mëhershme. I pyetur lidhur me deklaratat e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kusht që duhet të zbatohet urgjentisht nga Kosova për të vazhduar progresin në rrugën evropiane, Kurti ka thënë se ajo çfarë duhet të zbatohet e nuk po respektohet është Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar. “Aty gjithçka kemi brenda dhe nuk besoj që duhet ndonjë nen apo gjysmë nen të nxirret nga Marrëveshja Bazike, të deformohet, të vihet para gjithçkaje tjetër, se kjo do të ishte në kundërshtim edhe me Aneksin e Ohrit, dhe Marrëveshja Bazike të bie në prapavijë”, ka theksuar Kurti për mediet. Ai ka këmbëngulur se përqendrimi duhet të jetë tek Marrëveshja Bazike, e cila sipas tij “nuk duhet të shkelet”, por “duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet”.

Kontrolloni gjithashtu

Matti Nissinen: Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, madje shumë shpejt

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka bërë të ditur se vendi i tij …