Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, duke marrë kështu drejtimin e legjislativit pas një procesi të gjatë politik dhe institucional. Kandidatura e saj ishte propozuar nga Glauk Konjufca, ndërsa pas zgjedhjes së kryetares, Kuvendi ka kaluar në procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve, proces i cili është shoqëruar me mospajtime ndërmjet subjekteve politike lidhur me mënyrën e votimit. Në vazhdim të seancës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka propozuar Ardian Golën për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka propozuar Kujtim Shalën. Për përfaqësuesin e komunitetit serb është propozuar Sllavko Simiq, ndërsa për komunitetet joserbe, deputeti Asllani ka propozuar Emilia Rexhepin. Megjithatë, procedura për votimin e këtyre propozimeve ka nxitur rezerva dhe kundërshtime mes subjekteve politike. Pika kryesore e debatit lidhet me mundësinë që propozimet për nënkryetarë të votohen në pako, një formë votimi me të cilën nuk janë pajtuar të gjitha subjektet parlamentare. Përfaqësues të partive kanë shprehur rezerva lidhur me procedurën, duke kërkuar qartësi për mënyrën se si duhet të zhvillohet votimi dhe nëse kandidatët duhet të votohen së bashku apo veç e veç. Nëse subjektet parlamentare nuk arrijnë marrëveshje për procedurën e votimit, seanca mund të përballet me debat të ri procedural, duke rrezikuar që edhe përmbyllja e strukturës drejtuese të Kuvendit të shoqërohet me përplasje politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
