Ali Bajram Zogaj (27.6.1972 - 26.7.1998)

Ali Bajram Zogaj (27.6.1972 – 26.7.1998)

Aliu lindi më 27 qershor të vitit 1972 në fshatin Lladroc të komunës së Malishevës. Rrjedh prej një familje të varfër, por me tradita të lashta patriotike, e cila përjetoi shumë vuajtje nga pushtuesi serb. Babai i Aliut, Bajrami, qysh në rininë e hershme kishte rënë në konflikt me regjimin mbretëror të Jugosllavisë, kur kishte vrarë katër serbë për shkak se në një moment ia kishin fyer rëndë ndjenjat kombëtare. Për t’iu ikur përndjekjeve nga xhandarmëria serbe, Bajrami në vitin 1947 shkon në shërbimin ushtarak, kur u detyrua të ndërrojë mbiemrin në Bajram Musoviq, sepse nuk guxon të paraqitet me emër të vërtetë para organeve të atëhershme serbe. Tre muaj para se të përfundonte shërbimin ushtarak zbulohet emri i tij i vërtetë. Për ta bërë sa më spektakular arrestimin e tij, e lirojnë nga shërbimi ushtarak, por posa mbërrin në fshatin e tij, ia rrethojnë shtëpinë, e kapin Bajramin, e lidhin dhe e dërgojnë në Rahovec ku e mbajnë një natë e pastaj e dërgojnë në Prishtinë. Në Prishtinë e dënojnë me pushkatim, por ndërkohë hiqet dënimi me vdekje dhe ai dënohet me 101 vjet burg, prej të cilave i mban 22 vjet, në Nish. Lirohet në vitin 1966 dhe kthehet në shtëpi, duke qëndruar ballëhapur e duke ndihmuar përherë çështjen kombëtare. Martohet me Sherifen, me të cilën pati tre djem: Ramadanin, Ilirin dhe Aliun. Edhe vëllai i Aliut, Iliri, ka qenë që prej fillimit ushtar i rregullt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aliu shkollën fillore e kreu në vendlindje, në vitin 1986, ndërsa të mesmen në Malishevë – teknik bujqësie. Gjatë shkollimit brumoset me ide patriotike dhe urrejtja për armikun i shtohet edhe më shumë. Kjo familje ishte e anatemuar gjatë regjimit titist-asnjë fëmijë i kësaj familjeje nuk mund të regjistrohej në ndonjë fakultet. Edhe gjatë shkollimit të mesëm Aliu merr pjesë aktivisht në protestat e demonstratat që zhvilloheshin atëbotë kundër ndryshimeve kushtetuese e padrejtësive të llojllojshme që i bëheshin popullit shqiptar.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, duke mos pasur kushte për të vazhduar shkollimin e lartë, Aliu hyn në punë në organizatën bujqësore “Mirusha” në Banjë të Malishevës.
Daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aliu e pret me gëzim të madh dhe i gatshëm të inkuadrohej në radhët e saj. Kur po përgatitej të shkonte për armatim në Shqipëri, babai Bajrami e thirr dhe i thotë: “Ja, merre këtë pushkë, që e kam pasë blerë kur kam pasë dalë nga burgu dhe kur jam betuar se i gjallë nuk bie kurrë më në dorë të kriminelëve”. Duke ia dorëzuar armën ia thotë këto fjalë: “E gëzofsh pushkën, por mos na korit, biro!” dhe i mbushen sytë me lot. Ishin këta lot gëzimi, se kishte ardhur koha që përmes tytës së pushkës të shikohej armiku, por edhe i emocionuar pse mosha nuk e lejonte që edhe ai vetë të ishte në mesin e luftëtarëve të lirisë. Aliu e merr pushkën i gëzuar, e përqafon babë Bajramin duke u betuar: “Do ta çoj amanetin deri në fund, se aty ku do të jem unë nuk do të lejojë të depërtojë këmbë armiku derisa të jem gjallë. Pra, sot, është dita më e lumtur në jetën time”.
Aliu inkuadrohet për herë të parë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në maj të vitit 1998, në njësitin e fshatit, që ato ditë vepronte haptazi. Detyrat e luftëtarit i kryente me një përkushtim të madh, ishte i sjellshëm, i vendosur dhe shumë i dashur me shokë, ishte shtatlartë dhe kishte një forcë të madhe fizike dhe mu për këtë, shokët e idealit e thërrisnin me pseudonimin Forca.
Ali Zogaj si ushtar i UÇK-së kishte komandant trimin nga Kumanova- Ismet Jasharin, kurse më vonë Fatmir Limajn – Çelikun. Pas rënies së komandantit Ismet Jashari – Kumanova, Aliu sistemohet në brigadën 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, në njësitin “Çeliku 3”, që vepronte në Grykën e Llapushnikut.
Prej 9 majit e deri më 26 korrik të vitit 1998, Ali Zogaj me shumë trima të tjerë ndërmori dhjetëra aksione të suksesshme kundër bandave serbe në Komoran, në Fushticë, në Carralevë dhe në shumë pika të tjera strategjike.
Kjo grykë për tre muaj rresht ishte bërë kala e pathyeshme për armikun. Në luftimet që zhvillohen aty, Aliu shquhet për trimëri dhe guxim të pashoq. Merr pjesë në të gjitha ofensivat që janë zhvilluar në këtë grykë dhe në vendet e tjera përreth. Vlen për të përmendur sidomos heroizmin në betejën 16-orëshe të zhvilluar në Grykën e Llapushnikut prej 17 – 19 maj 1998, ku falë heroizmit të Aliut me shokë forcat serbe jo që nuk arritën të depërtonin as deri te Ura në Komoran, por, përkundrazi, pësuan humbje të mëdha. Këmbësoria armike disa herë tentoi të sulmonte istikamet e UÇK-së, por ajo u zmbraps nga zjarri i çlirimtarëve.
Në ofensivën e 24 korrikut të vitit 1998, që u zhvillua në Grykën e Llapushnikut, kur armiku pati përdorur një arsenal të madh armësh të të gjitha llojeve, luftëtarët e lirisë: Isak Musliu, Ymer Alushani, Afet Bilalli, Agon Krasniqi, Shefqet Buqaj, Kujtim Krasniqi (dëshmor), Bashkim Zogaj, Fetah Zogaj, Agim Bujupi etj., treguan një heroizëm të paparë, ndërsa pushka e Aliut ishte top për armikun. Duke kujtuar betejën e Grykës së Llapushnikut dhe heroizmat e tjerë të trimave të UÇK-së, Kudusi Lame, ish-komandant i Divizionit të Kukësit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, thotë: “Djem më të fortë kombi ynë nuk ka pasur e nuk ka për të pasur kurrë”.
Më 25 korrik 1998, në orët e hershme të mëngjesit kishte filluar të granatohej Gryka e Llapushnikut nga të gjitha anët, ndërsa pozicionet e luftëtarëve të UÇK-së kishin filluar të qëlloheshin me raketa tokë-tokë. Re të dendura pluhuri kishin mbuluar Grykën. Toka përreth digjej. Drenicën e kishte mbuluar tymi e zjarri. Tetëmbëdhjetë orë luftime dhe kjo kështjellë e Drenicës po qëndronte e pamposhtur. Aliu së bashku me shokët ndodhej në pozicion, në një bunker. Granatohet edhe bunkeri dhe me atë rast luftëtarin Afet Bilalli e mbulon të tërin dheu saqë për një moment shokët menduan se ai do të ketë rënë. Në këtë zjarr të luftës Forca tregoi se ishte i fortë dhe i patrembur, duke luftuar si luan. Në orën 14:30 të datës 25 korrik 1998, një plumb armiku e godet rëndë. Ashtu të plagosur, nën breshërinë e plumbave, Aliun e tërheqin bashkëluftëtarët e tij, Agon Krasniqi dhe Afet Bilalli. Jeton deri në orën 3 të mëngjesit të datës 26 korrik. Bie heroikisht, ashtu siç bien trimat. Në këtë betejë të ashpër bie edhe trimi tjetër i Grykës së Llapushnikut, Imer Alushani, gulinovi i të cilit kishte bërë kërdi mbi forcat armike.
Trupi i Aliut është varrosur po atë natë në varrezat e fshatit të lindjes, nën breshërinë e plumbave, me nderime ushtarake, ndërsa është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, më 2001, aty ku prehen eshtrat e dëshmorëve të brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova.
Në shenjë respekti për heroizmin dhe guximin e treguar në luftë, Kompania e fshatit të tij, Kompania III e Batalionit I të kësaj brigade mori emrin “Ali Zogaj-Forca”, të cilin e mbajti me nder deri në përfundim të luftës.
Me rastin e njëvjetorit të rënies, mori mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, e po ashtu i është akorduar edhe grada ushtarake, toger. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …