leoni

Ruzhdi Islam Salihu (15.8.1961 – 26.7.1998)

Ruzhdi Islam Salihu (15.8.1961 – 26.7.1998)

Fshati Zborc i komunës së Shtimes, ka qenë njëri ndër bedenat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lirisë së Atdheut ky fshat  i ka dhënë dëshmorët:  Ruzhdi Salihu, Hafi Bajrami dhe Sokol Dauti.

Ruzhdi Salihu lindi më 15 gusht  të vitit 1961. Mësimet e para katër-vjeçare i mori në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren e kreu në Caralevë. Më pas edhe pse në gjendje tejet të rëndë ekonomike, vazhdoi shkollën e mesme. Dy vitet e para i kreu në Shtime ndërsa vitin e tretë dhe të katërt, në Ferizaj.

Gjenda e rëndë ekonomike nuk lejoi që ai t’ i vazhdonte studimet. Në vitin 1988 shkoi  për të punuar në Zrenjanin të Vojvodinës, ku punonte edhe vëllai i tij, Elmiu. Pas një kohe kthehet sërish në Kosovë dhe merr pjesë aktive në protestat e demonstrata që zhvilloheshin në Kosovë kundër regjimit kriminal serb.

Duke qenë i zhvilluar fizikisht dhe i shkathët ai bie në sy të policisë së Shtimes, e cila kishte të dhëna për pjesëmarrjen e tij nëpër demonstrata dhe aktivitetet që asokohe zhvilloheshin kundër regjimit legalisht dhe ilegalisht.

Në maj të vitit 1993, policët e Shtimes, duke qenë se kishin marrë një informatë të sigurt se Ruzhdiu posedonte një pushkë italiane, herët në mëngjes i rrethojnë shtëpinë dhe fillojnë bastisjen. Meqë armën nuk e kishin zbuluar ata e torturojnë mizorisht në stacionin policor. Ishte dënuar  dy muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Në prill të vitit 1998, në kohën kur lufta e UÇK-ës po shtrihen nëpër viset malore të Kosovës, Ruzhdi Salihu me babanë e tij Islamin, viziton dajën Xhemë Suka në Banjë të Malishevës. Aty Ruzhdiu kontakton me pesë luftëtarë të UÇK-së. Në maj të po ati viti Ruzhdiu kontakton me luftëtarët e UÇK-së në Caralevë, pastaj në Krojmir ku edhe pranohet në radhët e UÇK-së. Pushën ia kishte dhënë babai, i cili e kishte mbajtur fshehtas deri atëherë.

Në qershor të po atij viti, shtëpia e tij në Zborc shndërrohet në  pikën  parë  të UÇK-së, në fshat.

Në ditët e para të korrikut, Ruzhdiu së bashku me rreth 30 luftëtarë nga Krojmiri, Pjetërshtica, Zborci, e Carraleva, në një ceremoni të organizuar nga komandantët: Musë Jashari dhe Fatmir Limaj bëjnë betimin në Shtabin lokal të Pjetërshticës.

Ishte caktuar në Togën e parë të luftës, në vendin e quajtur “Kodra e Hanit” afër ndërtesës së shkollës së fshatit. Pika e pozicionit ishte vendosur përballë pozicioneve të forcave serbe.

Më 24 korrik, luftëtarët e UÇK-së të pikave të Krojmirit, Caralevës, Shalës, Pjetërshticës, Carralevës e Zborcit ishin njoftuar se të nesërmen pritej ofensiva e forcave policore dhe ushtarake serbe.

Njësiti i Zborcit që në mëngjes të datës 25 korrik 1998, ishte në pritje të forcave armike, të cilat fillimisht kishin filluar granatimin e një rrezeje të gjerë të terrenit, duke pamundësuar edhe  zhvendosjen e popullsisë, një pjesë e së cilës kishte mbetur në rrethim. Ata kishin filluar edhe plaçkitej djegien dhe rrënimin e shtëpive të fshatit.

Në mbrëmje forcat serbe avancojnë deri në lagjen Badraj të fshatit, disa dhjetëra metra përballë pozicioneve të luftëtarëve të lirisë, të cilët ishin barrikaduar dhe prisnin mësymjen e forcave armike. Pika e Zborcit numëronte rreth 30 ushtarë të UÇK-së dhe po aq qëndronin në pozicionet e Carralevës, duke qenë se mendohej me të drejtë se forcat serbe do të fillonin depërtimin edhe nga ajo anë.

Më 26 korrik 1998, forcat serbe kishin filluar sulmin kundër pikave të UÇK-së me përqendrim në pikën ku qëndronin pa u tundur dhjetëra luftëtarë, në mesin e tyre edhe Ruzhdi Salihu. Në përballje fyt për fyt me forcat armiku Ruzhdiu kishte marrë plagë vdekjeprurëse ndërsa plagosen luftëtarët: Osman Zeqiri, Sabit Nuredini, Brahim Brahimi dhe Haxhi Nishori.  Bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin trupin e plagosur të Ruzdiut dhe pa vonuar e nisin në drejtim të Pikës shëndetësore të fshatit Gajrak, por nuk arrin të mbijetojë, meqë plaga ishte e rëndë dhe kishte humbur shumë gjak. Te nesërmen bashkëluftëtarët e tij trupin e dëshmorit e varrosin në fshatin Risinoc, ku ishte zhvendosur edhe familja e tij.

Pas rënies së djalit dëshmor, babai i tij, Islami edhe pse në moshë të thyer, mori armën e djalit dhe iu bashkua radhëve të luftës për liri, ku luftoi  deri në çlirimin e Kosovës nga barbaria okupatore serb.

Trupi i dëshmorit, Ruzhdi Saliu u rivarros në korrik të vitit 2000 në Kompleksin e Varrezave në fshatin Kleçkë, ku pushojnë në përjetësi 66 dëshmorët e Brigadës, 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Në vjeshtë të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, batalionit të dytë të kësaj brigade iu dha emri i dëshmorit, Ruzhdi Salihu.

Kontrolloni gjithashtu

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Gëzim Haxhi Morina (16.1.1976 – 16.4.1999)

Familja Morina nga fshati Gjergjaj i komunës së Drenasit, gjatë viteve 1939–1945 ishte vatër e …