Ambasada amerikane: Kosova të shfrytëzojë projektet rajonale të gazit natyror

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka ritheksuar nevojën që Kosova të diversifikojë burimet e furnizimit me energji përmes gazit natyror të lëngshëm amerikan, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë energjetike dhe tërheqjen e investimeve amerikane. Gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA–Kosovë, Prattipati mirëpriti edhe vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave amerikane, duke e vlerësuar atë si një sinjal pozitiv për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të përfshihen në projektet rajonale të gazit natyror, me qëllim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me energji dhe krijimin e kushteve për investime të reja amerikane. Prattipati kishte përsëritur këtë mesazh edhe javë më parë në një editorial, ku theksoi se Kosova duhet të veprojë pa vonesë për t’u lidhur me projektet rajonale të gazit, përfshirë Korridorin Vertikal të Gazit, terminalin e gazit natyror të lëngshëm në Kroaci dhe gazsjellësin që lidh terminalin e Aleksandrupolit në Greqi me Maqedoninë e Veriut. Ajo paralajmëroi se vonesat në marrjen e vendimeve strategjike mund ta lënë Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.

Kontrolloni gjithashtu

Riho Terras vazhdon takimet me liderët politikë, kërkon institucione stabile dhe koalicion funksional në Kosovë

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka vazhduar takimet me liderët politikë në …