Nga mbretëresha Teutë tek Tringa, nga Marie Shllaku tek çlirimtaret e UÇK-së , historia e kombit tonë është e mbushur me gra të forta që nuk kërkuan kuota, por e morën vendin që u takonte me guxim, vizion dhe sakrificë. Sot, në shekullin XXI, në vend që të promovojmë meritën dhe kontributin e grave shqiptare, shpesh i trajtojmë ato si dekor të nevojshëm për të plotësuar “standarde ndërkombëtare” ose për të shmangur vërejtjet e ambasadave. Çfarë fyerje më të madhe mund t’i bëjmë historisë sonë?
Në çdo tryezë politike, në çdo deklaratë qeveritare apo raport ndërkombëtar, përmendet me krenari përfshirja e grave në institucione. Por pyetja mbetet: a janë ato aty sepse e meritojnë – apo sepse na detyrojnë kuotat? A është gruaja vlerë, apo dekor protokollar që plotëson statistikat?
Për ironi, sa më shumë që flitet për barazi, aq më shumë ajo mungon realisht në vendimmarrje. Gratë në Kosovë – dhe më gjerë – vazhdojnë të përfaqësohen jo për shkak të kompetencës, por për të përmbushur kuotat minimale që kërkohen nga jashtë. Dhe pikërisht kjo është forma më e butë e përjashtimit: ta pranosh një grua në sistem, por jo për atë që është, por për atë që simbolizon.
A thua nuk kemi gra të zonja në vendet tona? Apo ndoshta frika, injoranca dhe strukturat patriarkale vazhdojnë të përjashtojnë në heshtje dhe në mënyrë sistematike gratë nga qendrat e vendimmarrjes?
Ironikisht, sot për të pasur një grua ministre, një grua kryetare komune apo një grua ambasadore, shpesh duhet që dikush nga jashtë ta “këshillojë” qeverinë ose partinë politike që është “koha” për një emërim femëror. Kjo jo vetëm që e poshtëron figurën e gruas, por rrëfen edhe paaftësinë tonë si shoqëri për të njohur dhe respektuar vlerat e saj të vërteta.
Ku është rrënja e këtij problemi? Në mungesë të një politike të vetëdijshme për barazi reale, e jo për barazi të simuluar për imazh dhe statistika. Në një shoqëri që ende nguron t’i japë grave pushtet të vërtetë, dhe preferon t’i promovojë aty ku mund t’i kontrollojë.
Në vend që të ndërtojmë një sistem që e përfshin gruan si domosdoshmëri për zhvillimin e vendit, e kemi reduktuar praninë e saj në një listë numrash që duhen mbushur për të kënaqur syzet e BE-së apo të OKB-së. E kemi trajtuar si objekt, si dekor, si “kuotë”, por jo si partner strategjik në drejtim.
Femra shqiptare nuk ka nevojë për kuotë – ajo ka nevojë për hapësirë të barabartë, për respekt dhe për mundësi reale për të treguar veten. Le të heqim dorë nga iluzioni se barazia vjen nga presioni i të huajve dhe ta ndërtojmë atë si vlerë kombëtare që buron nga historia jonë, nga ADN-ja jonë kolektive ku emrat e grave të mëdha flasin vetë.
Në vend të kuotave, le të fillojmë të kërkojmë llogari: pse gratë e afta nuk promovohen? Kush i përjashton? Kush ka frikë nga udhëheqja e tyre? Dhe mbi të gjitha: a jemi vërtet duke përparuar, apo kemi marrë një rrugë mbrapsht, duke fshehur diskriminimin nën petkun e “përfaqësimit gjinor”?
Koha është që femra shqiptare të rikthehet si Teutë – jo dekor, por udhëheqëse. Jo kuotë, por vlerë. Jo përqindje, por forcë e barabartë në ndërtimin e së ardhmes së kombit.