Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhjet e sotme, duke bërë thirrje për kujdes dhe korrektësi në procesin e numërimit të votave. Gjini vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin demokratik dhe theksoi se tashmë përgjegjësia kalon te komisionerët dhe vëzhguesit që janë të angazhuar në administrimin e rezultatit zgjedhor. Të dashur qytetarë, faleminderit të gjithë juve që keni dalë për të votuar duke shprehur me votë vullnetin tuaj. Tash, kur ky proces është përmbyllur në të gjithë Kosovën, u bëj thirrje të gjithë komisionerëve dhe vëzhguesve të jenë korrekt në numërim”, ka shkruar Gjini. Ai ka kërkuar që procesi i numërimit të zhvillohet me përgjegjësi të plotë, në mënyrë që, sipas tij, të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të shmangen parregullsitë që kanë shoqëruar procese të mëhershme zgjedhore. “Vetëm duke punuar drejt, kujdesemi bashkë që vullneti i sovranit të respektohet”, ka theksuar ai, duke e përmbyllur mesazhin me urimin për forcimin e demokracisë në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
