30 Gushti - Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shënohet edhe në Kosovë me disa aktivitete përkujtimore

Arkivat që Serbia i mban të mbyllura – çelësi për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 të zhdukurve në Kosovë

Dyshimet për një varr masiv në veri të Kosovës kanë rikthyer në qendër të vëmendjes kërkesat që Serbia të hapë arkivat shtetërore, ushtarake dhe policore të periudhës së luftës 1998–1999. Për familjet e rreth 1.577 personave ende të zhdukur, qasja në këto dokumente shihet si një hap vendimtar për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, thekson se arkivat ushtarake dhe policore përmbajnë të dhëna të rëndësishme për operacionet në Kosovë, ndërsa arkivat e shërbimeve të sigurisë ruajnë raporte të inteligjencës që lidhen me ndalimet dhe koordinimin ndërmjet forcave serbe. Në anën tjetër, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsideron se, përveç arkivave të ushtrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të hapen edhe dokumentet e institucioneve që kanë qenë të përfshira në bartjen dhe varrosjen e trupave të viktimave. Kosova kërkon në mënyrë të veçantë hapjen e arkivit të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, dokumente që lidhen me veprimtarinë e saj gjatë vitit 1999. Ky arkiv u shpall sekret për 30 vjet në vitin 2014, ndërsa sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ai përmban të dhëna që lidhen me vrasjen e civilëve shqiptarë dhe zhvendosjen e trupave të tyre në varrezën masive të Rudnicës në Serbi. Edhe pse Kosova dhe Serbia janë zotuar në kuadër të dialogut në Bruksel për shkëmbimin e informacioneve mbi personat e zhdukur, deri më tani nuk është arritur progres i prekshëm. Pas 27 vjetësh nga përfundimi i luftës, fati i 1.577 personave vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa familjet e tyre kërkojnë që Serbia të hapë arkivat dhe të ndihmojë në zbulimin e së vërtetës. /ReL/

Kontrolloni gjithashtu

Pandeli Majko

Pandeli Majko kritikon marrëveshjen për konsullatat: Serbia në Shkodër ka fituar më shumë se një konsullatë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit për hapjen e një konsullate …