Plani për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër ka shkaktuar reagime të forta në Shqipëri, duke nxitur kundërshtime jo vetëm nga opozita, por edhe nga figura të njohura të Partisë Socialiste. Debati nisi pasi ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se është arritur një marrëveshje në parim me homologun shqiptar, Ferit Hoxha, për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe një konsullate shqiptare në Bujanoc. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë sqaroi se procesi është ende në fazën e shqyrtimit. Qeveria shqiptare argumenton se synimi kryesor është sigurimi i një pranie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, në shërbim të shqiptarëve që jetojnë atje, duke theksuar se kjo bazohet në parimin e reciprocitetit. Megjithatë, kritikët e konsiderojnë këtë krahasim të pajustifikuar. Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaroi se Serbia përfiton më shumë politikisht nga një konsullatë në Shkodër sesa Shqipëria nga një zyrë në Bujanoc, ndërsa ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati vlerësoi se një përfaqësi serbe në Shkodër nuk pasqyron realitetin historik dhe demografik. Edhe opozita ka kërkuar transparencë të plotë, duke theksuar se në qarkun e Shkodrës jetojnë vetëm 54 persona të vetëdeklaruar si serbë, ndërsa në Luginën e Preshevës jetojnë mbi 61 mijë shqiptarë që vazhdojnë të përballen me probleme serioze, përfshirë pasivizimin e adresave dhe kufizimin e të drejtave të tyre. Debati mbetet i hapur, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të tregojë nëse kjo nismë do të shihet si një fitore diplomatike për interesat shqiptare apo si një lëshim politik ndaj Beogradit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
