Brickos

Arton Ahmet Mehmetaj (11.10.1979 - 3.4.1999)

Arton Ahmet Mehmetaj (11.10.1979 – 3.4.1999)

Arton Mehmetaj është njëri ndër luftëtarët e dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, i cili ra heroikisht në vijën e parë të frontit në luftë për liri. Ai, si shumë bashkëmoshatarë të tij ishte i vetëdijshëm se çlirimi i Kosovës nga sundimi serb mund të bëhej realitet vetëm me luftë të armatosur. Aq më tepër këtë bindje ia forcoi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e zhvilluar në Prekaz të Drenicës, por edhe beteja e lavdishme më 24 mars 1998 në Gllogjan, ku bashkë me dëshmorin Himë Haradinaj, ranë heroikisht edhe dy djemtë e axhëve të Artonit, Gazmend e Agron Mehmetaj.
Arton Mehmetaj u lind më 11 tetor të vitit 1979, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në një familje të ndershme, me tradita bujarie e atdhetarie. Shkollën fillore dhe atë të mesme i mbaroi në Irzniq, me sukses të shkëlqyeshëm. Artoni ishte fëmija i vogël i prindërve Ahmet e Shkurtë Mehmetaj, të cilët kishin pesë fëmijë, katër djem e një vajzë.
Artoni, bashkë me vëllezërit, u kyç në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga dita e parë e prillit të vitit 1998, pikërisht në vendlindjen e tij, që tashmë ishte bërë njëra ndër vatrat kryesore të luftës për liri në mbarë Kosovën. Dhe që nga ajo ditë, edhe pse i ri në moshë, Artoni gjithnjë do të jetë në krye të detyrës, vullnetar në vijat e para të frontit në Baballoç, Gramaçel e Prejlep, deri në ofensivën e muajit gusht 1998. Në këtë ofensivë, plagoset në luftimet e rrepta të zhvilluara në Gramaçel. Me tërë fuqinë mundohet të mundë plagët dhe të kthehet sërish në frontin e luftës. Në shtator të vitit 1998 detyrohet të kalojë në Shqipëri për t’u mjekuar. Me t’ju shëruar plagët, asgjë nuk e ndali dot të mos kthehej në vijat e para të luftës në Kosovë, për të qenë gjithnjë në krye të detyrës, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara në rajonin e përgjegjësisë së Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj, ku duhet veçuar luftimet tepër të rrepta të zhvilluara në Ratishë e Dashinoc, në Lumbardh e Pozhar, ku forcat pushtuese serbe u mundën keq.
Artoni me përgjegjësi të lartë kreu edhe detyrën e policit ushtarak. Ishte kalitur në luftë. Rëniet dhe plagosjet e shokëve nuk e ligështonin dot, ishte mësuar me to. Si shumë të tjerë ishte mësuar të ndrynte dhimbjen e të luftonte edhe për ta. E ai me çiltërsinë, zgjuarsinë e guximin që e karakterizonte, e ndjente obligim të luftonte edhe për shokët e rënë, edhe për të vëllanë Astritin, që ishte plagosur rëndë në Betejën e Pozharit, në fundmarsin e vitit 1999, ku edhe Artoni shquhet për guxim e trimëri. Askush nuk ka mundur ta ndalojë para një vendimi të tillë.
Të nesërmen, Artoni me njësitin pararojë gjendet në vijën e parë të luftës në Ratishë të Epërme. Forcat serbe që kishin ndërmarrë një operacion të gjerë luftarak në gjithë Zonën Operative të Dukagjinit, sulmojnë edhe në Ratishë të Epërme, nga drejtimi i lagjes së Dodajve, me makineri të rëndë luftarake dhe me forca të shumta këmbësorie, ku nuk kishin mundur t’i thyejnë kurrë pozicionet e luftës. Kësaj radhe, tentuan të depërtojnë, pasi fillimisht kishin provokuar sulmin nga drejtimi i Pozharit, ku edhe ishte përqendruar shumica e luftëtarëve të UÇK-së. Por as kësaj radhe nuk ia arritën qëllimit.
Më 3 prill 1999, në njërën ndër përballjet më të lavdishme kundër pushtuesve serbë, në vijën e parë të frontit në Ratishë të Epërme, bien heroikisht dëshmorët Halit (Riza) Coka nga Shqipëria dhe Arton Mehmetaj. Në këto luftime Artoni tregon guxim të pashembullt. Duke qëlluar me mortajë krahu 500-she arrin të pengojë përparimin dhe depërtimin e tankeve serbe deri në arritjen e përforcimeve. Ngrihet sërish dhe merr në shënjestër një “pragë” që iu ishte afruar pozicioneve, por kësaj radhe bie në altarin e lirisë. Forcat serbe as më parë, as ditën e rënies së dëshmorëve Arton Mehmetaj e Halit Coka, as në ditët që pasuan deri në çlirim, kurrë nuk mundën t’i thyejnë me luftë këto vija të frontit, që u lanë me gjakun e luftëtarëve më të mirë.
Familja Mehmetaj ka marrë mirënjohje për djalin e rënë dëshmor, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.
Në vigjilje të Festës së Flamurit Kombëtar, më 26 nëntor 2003, në shenjë nderimi dhe kujtimi të përjetshëm, në mes të fshatrave Irzniq e Ratishë e Epërme (pranë shkollës fillore “Avni Rrustemi”) afër vendit të rënies së tij, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore të dëshmorit Arton Mehmetaj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …