Brickos

Asfaltohen rrugët në disa lagje të Banjës së Malishevës

Ka filluar asfaltimi i rrugëve në disa lagje të fshatit Banjë të komunës së Malishevës, të cilat edhe pse janë lagje të mëdha, deri më tani kanë qenë me rrugë të paasfaltuara. Në punimet e asfaltimit të rrugëve mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina. Me këtë rast, nënkryetari Mazreku, i ka uruar banorët e këtyre lagjeve, për rregullimin e rrugëve.

Edhe banorët e kanë falënderuar nënkryetarin Mazreku dhe Komunën e Malishevës, për rregullimin e rrugëve në lagjet e tyre. Nuhi Shala, anëtar i kryesisë së fshatit Banjë, tha se “Banja, si njëri nga fshatrat më të mëdha, ka shumë nevoja për rregullimin e infrastrukturës, ndërsa rregullimi i rrugëve në lagjet e Telakëve, Begajve dhe Hazrollëve, ka qenë mëse i nevojshëm, pasi asnjëherë në këto lagje nuk është investuar në infrastrukturën rrugore”.

Drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, tha se “këto rrugë që po asfaltohen, janë pjesë e projekteve, të cilat janë miratuar në Kuvendin e Komunës së Malishevës dhe komuna është duke i realizuar këto projekte, në të gjitha fshatrat, dhe këto janë pjesë e planifikimeve komunale, për rregullimin e tërësishëm të infrastrukturës rrugore, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për të gjithë banorët e Komunës së Malishevës”.

Banja, është një prej vendbanimeve më të mëdha në Komunën e Malishevës, si dhe është një prej vendeve më turistike në vend, sidomos gjatë stinës së verës, për shkak të pishinave natyrale, me ujë termal dhe ujë shërues.

Kontrolloni gjithashtu

AAKV “Kastriotët” fitojnë dy çmime në manisfetimin kulturor-sportiv “Flakadani i Karadakut

Mbrëmë në edicionin e 23-të të festivalit të këngëve dhe valleve burimore shqipe, “Flakadani i …