Brickos

Astrit Kosturi: Tribunali special për krimet e supozuara të UÇK-së, një mekanizëm djallëzor!

LDSH (Levizja per Drejtesi e Shqiptareve), si një lëvizje politike që mbështet e inkurajon përpjekjet e shqiptarëve për liri, demokraci e të drejta reale, vlerëson Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat e panumërta të popullit të martirizuar të Kosovës. Në këtë këndvështrim ajo ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e pas Luftës dhe indinjohet prej përpjekjeve të qarqeve të caktuara atishqiptare, që kërkojnë të baltosin dhe të inkriminojnë këtë vlerë e krenari të ligjshme për brezat e shqiptarëve.

Krijimi i një Gjykate speciale në Kosovë, me kaq imponim e urgjencë, që nuk dihet se nga ku, dhe nga kush vjen, si dhe pas kaq shumë vitesh që komuniteti ndërkombëtar dhe ai europian, duhet t’a kishin çertifikuar tashmë, si luftë të drejtë e çlirimtare, bëhet fyese, përçmuese dhe denigruese për Shqipërinë e shqiptarët.

Ky plan e veprim është një nënshtrim i plotë i qeverisë Thaçi, ose më mirë me thënë një dorëzim i saj tek Beogradi.

Kjo kërkesë nuk erdhi siç mund të vijë një krismë rrufeje në qiellin e kthjellët, por prej pazareve të vazhdueshme me Serbinë dhe të huajt, prej pazareve e tolerimeve, që gjithnjë kanë qënë në kurriz të Kosovës dhe shqiptarëve. Prandaj tani i ka ardhur radha tribunalit, që ata duan, si kusht dhe me çdo kusht!… Kjo tregon se bisedimet me Serbinë, dhe mardhëniet e qeveritarëve në tërësi kanë qënë gjithnjë në favor të interesave të Serbisë, dhe përherë nën trysninë e kushteve të vëna prej saj. Kjo nuk është vetëm kërkesë, por një mekanizëm zhantazhues dhe përçmues ndaj pavarësisë së Kosovës dhe sovranitetit të popullit shqiptar.

Kësisojë, kriminalizohen e shantazhohen shqiptarët e vërtetë, pavarësia e Kosovës, dhe skllavërohen më tej shqiptarët, në emër të ligjit “të tyre” antishqiptar. Pra, krijimi i Gjykatës për të ndëshkuar luftëtarët e UÇK-së është më shumë se kaq!… Ky është një mekanizëm djallëzor, dhe kundër shqiptarëve, është një tendencë për dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Presioni që u bëhet deputetëve të Kosovës, dhe gjithë kjo zhurmë patetike, por që në thelb kërkon me çdo kusht ngritjen e Gjykatës për hetimin e krimeve të supozuara të luftës çlirimtare të Kosovës, tregon rolin kukull të shtetit të Kosovës, tregon sjelljen e politikanëve shqiptarë këtej e andej kufirit, si mardhënie serviliteti me të huajt, që tentojnë të sjellin gjunjëzimin tërësisht, të dinjitetit të luftës dhe kombit shqiptar.

LDSH (Levizja per Drejtesi e Shqiptareve) e vlerëson të dëmshëm për momentin dhe të rrezikshëm për të ardhmen, “këtë ndërtim pa lejë” që kërkohet të ngrihet brenda ndjenjave të sovranit Ne duam, që Kosova të ketë shtetin me sovranitet dhe të ngrejë organet e veta të pavarura, dhe të varura vetëm prej vullnetit popullor, që i ka themelet në gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve që e deshën Kosovën të lirë e të pavarur.   Kosova nuk do të donim të ishte e kapitulluar pa kushte ndaj Serbisë, përkundrazi të ngrihej me zërin e saj të fuqishëm, me zërin e luftës pë liri, t’i kërkonte llogari qeverisë së saj, por dhe EULEX-it, i cili e kishte mandatin, si mission i Bashkimit Evropian (madje i mbifuqishëm) në Kosovë, që drejtësia të shkonte në vendin e merituar.  Përsëri, do të donim të sugjeronim, nëse popullit shqiptar të Kosovës i ka mbetur sadopak sovranitet, që t’i këkojë llogari qeverisë Thaçi dhe këtij misioni, që të përgjigjen për mosveprimet e tyre, nëse kriminelët e supozuar të luftës, na qënkan akoma të lirë.

Astrit Kosturi – Kryetar i “Levizja per Drejtesi të Shqiptareve”

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …