Avokati i Salih Mustafës, z. Julius Von Boné, ka paraqitur shumë vërejtje për provat që ia ka prezantuar Prokuroria Speciale

Avokati i të akuzuarit nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, Salih Mustafa, zotëriu Julius Von Boné ka pasur shumë vërejtje për provat që i janë paraqitur nga Prokuroria kundër ish-eprorit të UÇK-së, z. Mustafa. Gjatë konferencës së mbajtur për ecurinë e çështjes së gjykimit të kësaj çështjeje, avokati i Mustafës ka përmendur disa çështje që s’kanë shkuar siç duhet gjatë procesit të marrjes në pyetje të  klientit të tij. Von Boné ka përmendur një libër, për citime brenda të cilit prokurorët e kanë pyetur Salih Mustafën. Ai pati vërejtje për përkthime selektive nga libri, ndërsa kërkoi që të mund ta lexojë në tërësi librin të cilit i referohet Prokuroria e Specializuar. Gjithashtu, avokati holandez ka përmendur se në materialet që Prokuroria ia ka dhënë atij, ka edhe pjesë të cilat mbështeten te procesverbali i një gjykimi tjetër, ndërsa edhe këtu ka tërhequr vërejtjen se jo i gjithë materiali ka qenë i përkthyer në gjuhën shqipe.

 

“Kam parë në materialet që na ka dhënë Prokuroria se ata në disa pjesë mbështeten te procesverbali i një gjykimi tjetër… Kam parë që jo i gjithë procesverbali është i përkthyer në shqip”, ka thënë ai. Kjo do të thotë se ata do të mbështeten në diçka për të cilat klienti im s’mund të japë përgjigje”, ka theksuar Von Boné. Në anën tjetër, Prokurori i Specializuar, Andrew Carnegie vazhdimisht theksoi se ata nuk i kanë dorëzuar të gjitha provat dhe se mbrojtja do t’i marrë të gjitha materialet në të cilat mbështetet Prokuroria e Specializuar. “Sa i përket gjykimit të mëparshëm, mbrojtja do t’i marrë materialet… Ata kanë marrë vetëm një pjesë të provave. Por gjithsesi e marrim shënim vërejtjen e avokatit”, ka thënë prokurori Carnegie.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi: Një marrëveshje me Serbinë, pa njohjen në qendër, do të zgjasë procesin e dialogut dhe status-quonë në Kosovë

Memli Krasniqi: PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur vija të kuqe me asnjë subjekt tjetër politik, nuk ka as me Vetëvendosjen

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pajtimit me kërkesën e Albin Kurtit për mundësinë e  …