Bardhyl Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Shprehja “tentim për gjenocid” është mohim i gjenocidit!

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka botuar librin tim “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Botimi i këtij libri është bërë me qëllim të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të saktë.

Në këtë libër sqarohet përdorimi i gabuar i termave “shfarosje”, “zhdukje, “asgjësim”, në vend të termit “shkatërrim”; dallimi i nocionit “gjenocid” nga ai “holokaust” dhe “shoah”; përdorimi i gabuar i termit “eksod” në vend të “spastrimit etnik” dhe termave të tjerë, që janë tejet të rëndësishëm dhe ne duhet t’i përdorim saktë ata.

Të gjithë të interesuarit për këta terma, librin mund ta shkarkojnë falas në faqen e internetit të qendrës  “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com/).

Përkundër asaj se më datë 8 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, që përkufizon si krim të gjenocidit atë që shteti serb ka bërë gjatë luftës në Kosovë, kohët e fundit ka filluar të përdoret shprehja “tentim për gjenocid”, që nuk është asgjë tjetër, përveçse mohim i gjenocidit.

Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e së drejtës penale ndërkombëtare, e gjen bazën e vet në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, te termi “gjenocid” përfshihet cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente: a) vrasja e anëtarëve të grupit; b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetrin, kur krimi është bërë, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Është e vërtetë se konventa e lartpërmendur parashikon dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” [neni III, paragrafi (d) i kësaj konvente]. Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë vrasjet, dhunimet, spastrimi etnik dhe shkatërrimet nuk kanë mbetur “në tentativë”, por janë kryer nga forcat serbe.

Pa marrë parasysh divergjencat e juristëve rreth numrit të viktimave që ky krim të cilësohet si gjenocid, ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se, edhe në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”(Élémentdescrimes, Publication de la Courpénaleinternationale), që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, theksohet se kemi krim të gjenocidit kur:

  1. Autori ka vrarë një apo më shumë persona.
  2. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.
  3. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mijëra civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Përveç vrasjeve kur kryhen me qëllim për shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të përkufizuara me konventën e lartpërmendur, cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi (b)]. I njëjti përkufizim është përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Elemente të krimeve”, thuhet:

“Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

  1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;
  2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;
  3. Autori i krimit kishte për qëllim ta shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar;
  4. Një sjellje e tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Elemente të krimeve”).

Me një fjalë, me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, dhuna seksuale është gjenocid dhe jo “tentim për gjenocid”. Në Kosovë dhuna seksuale nuk ka mbetur vetëm si “tentim dhunimi”, por kemi të bëjmë me dhunimin e rreth 20 mijë femrave shqiptare. Përdorimi i shprehjes “tentim për gjenocid” është mohim i dhunimeve seksuale, që u bënë me qëllim të shkatërrimit të njërës nga shtyllat e familjes shqiptare.

Me Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara, “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës, por qëllim për të pushtuar më shumë territor” në funksion të shkatërrimit të hapësirës së domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe nëpërmjet këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht grupin si të tillë. Në përputhje me të gjitha të dhënat që zotëronin lidhur me agresionin serb, në rezolutën e lartpërmendur autoritetet e Kombeve të Bashkuara e cilësuan si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’”…

Dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova nuk mbeti “në tentativë”, por ishte realizimi i kësaj forme të neveritshme të gjenocidit.

Mund të vazhdoj me renditjen e argumenteve të shumta dhe të vijmë tek i njëjti pëfundim:  në Kosovë nuk ka pasur “tentim për gjenocid”, por shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye politikanët, gazetarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe kuadri pedagogjik që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e botëkuptimeve dhe të opinioneve, duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e terminologjisë së saktë dhe të shmangin përdorimin e gabuara të terminologjisë që mohon gjenocidin në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …