Nga “Epopeja shqiptare” tek “Epopeja e Epirit të Veriut”, çfarë ndryshoi në gjuhën e presidentit grek

Është tashmë traditë që pas paradave ushtarake të 28 Tetorit në Selanik, festa kombëtare e vendit, kur Greqia rikujton ditën kur i tha “JO” Ultimatumit të Italisë fashiste, politikanët grekë të bëjnë me radhë para kamerave nga një deklaratë politike.

Ashtu siç bëjnë edhe në paradën tjetër të madhe në Athinë në 25 Mars, Dita kombëtare e Pavarësisë. Por ajo që vihet re në dy vitet e fundit është ndryshimi i një fjalie të përdorur nga presidenti grek Konstantinos Tasoulas për luftën italo-greke të vitit 1940, që tashmë po tërheq vëmendjen.

Për dekada me radhë në Greqi, luftimet e ushtrisë greke kundër Italisë fashiste janë përshkruar gjerësisht me termin “Epopeja e vitit 1940” ose “Epopeja shqiptare”, një emërtim që i referohet frontit të luftës që, pas zmbrapsjes së forcave italiane, u zhvendos në territorin e Shqipërisë së sotme.

Edhe ish-presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, përdorte këtë terminologji. Në mesazhin e saj për 28 Tetorin në vitin 2022 ajo foli për “frymën e unitetit kombëtar që u farkëtua në epope-në shqiptare”.

Por presidenti i ri, Konstantinos Tasoulas, ka zgjedhur një formulim tjetër të cilin e theksoi edhe dje: “Epopeja e Epirit të Veriut”.

Përdorimi i këtij termi nga Tasoulas nuk nisi këtë vit. Referenca më e hershme publike që mund të dokumentohet deri tani është ajo e 28 tetorit 2023, kur ai ishte kryetar i parlamentit grek. Gjatë ceremonive në Janinë ai fliste shpeshherë për luftën që “hapi rrugën për epope-në e Epirit të Veriut”.

Por edhe si president i Republikës, Tasoulas e përdori përsëri termin në 28 tetor 2025, duke thënë: “Është epopeja e vitit ’40, është epopeja e Epirit të Veriut, është epopeja e gruas së Pindit”. Ai e lidhi drejtpërdrejt këtë formulim me avancimin e ushtrisë greke deri në zonat në veri të Himarës dhe deri në Pogradec.

Ai e përsëriti të njëjtën terminologji fillimisht gjatë përkujtimit të çlirimit të Athinës dhe më pas ,dje për 28 Tetorin.

Por termi “Epopeja e Epirit të Veriut” nuk është “shpikje “ e Tasoulas. Ai gjendet prej dekadash në literaturën dhe publicistikën greke. Një botim i vitit 1986 e cilëson luftën e viteve 1940-41 si “Epopeja e dytë e Epirit të Veriut”, ndërsa një gazetë epirote e vitit 1990 kishte si titull “Epopeja e Epirit të Veriut e vitit 1940”.

Pra, nuk kemi një ndryshim zyrtar të terminologjisë së shtetit grek. Kemi më shumë një zgjedhje personale dhe politike të presidentit aktual për të përdorur një terminologji historike që presidentët para tij nuk e përdornin domosdoshmërisht.

Në se lind pyetja përse e bën ai këtë , përgjigja ndoshta është e thjeshtë. Vërtet që Tasoulas nuk ka dhënë publikisht një shpjegim se përse preferon këtë term. Dhe çdo motivim, për këtë arsye, duhet trajtuar si interpretim dhe jo si fakt.

Megjithatë, ka disa elemente që ndihmojnë për të kuptuar gjuhën e tij. Ai ka lindur në Janinë, ka qenë për më shumë se tri dekada deputet i këtij qarku, aty merr votat e tij dhe lidhja e tij politike dhe personale me Epirin është e fortë.

Për më tepër, duke thënë “Epiri i Veriut” dhe jo thjesht “fronti shqiptar”, Tasoulas e zhvendos theksin nga vendi ku u zhvilluan luftimet te mënyra tradicionale greke e emërtimit të një pjese të Shqipërisë së Jugut, ku jeton edhe minoriteti kombëtar grek.

Kjo është pikërisht arsyeja pse formulimi është politikisht më i ndjeshëm në Shqipëri . Për më tepër pas deklaratave të Ramës në Selanik vitin e kaluar ku theksoi se “termi Epir i Veriut ka vdekur” ,ndërsa edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka reaguar ndaj përdorimit të termit nga eurodeputeti Fredi Beleri, duke kërkuar përdorimin e emërtimeve zyrtare.

Është tashmë I njohur fakti që në diskursin politik shqiptar, termi “Epiri i Veriut” vazhdon të shihet me dyshim për shkak të lidhjes së tij historike me pretendimet territoriale greke, ndaj për këtë arsye, ndryshimi mes “Epopeja shqiptare” dhe “Epopeja e Epirit të Veriut” që deklaron tashmë presidenti grek nuk është vetëm gjuhësor.

Top Channel

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Z. Arifi: Saime Isufi-Bula dhe Nuhi Berisha – Foto e fundit e Nuhi Berishës!

Kjo fotografi, e cila ruan imazhin e fundit të Nuhi Berishës, përtej vlerës së tij …