Bashkim Koçi: Hysen Ymeri, ushtaraku që kishte stërvitur për luftë, Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin

Bashkim Koçi: Hysen Ymeri, ushtaraku që kishte stërvitur për luftë, Komandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin

Përballë Hysen Ymerit, ushtarakut që kishte stërvitur për luftë “Komandantin Legjendar të UÇK-së”,  “Heroin e Kosovës”, Adem Jasharin dhe dhjetra djem të tjerë kosovarë në vitin e largët ’91, vetja mu duk shumë i vockël, njeri i varfër dhe i paditur në fushën e përgatitjes për të dalë fitimtar në luftë mbi armikun. Dija që çfarëdo lloj gjëje që mendja e njeriut mund ta konceptojë dhe besojë, ajo mund edhe ta arrijë, por që të dija konkretisht se ç’ndodh, si veprohet praktikisht për të shkuar tek kjo gjëja, mu desh të dëgjoja ushtarakun Hysen Ymeri, i cili në Prekaz njihet me emrin Baca Cen. Dhe kur dëgjoja këtë ushtarak të zotin, por edhe “majëmali” si patriot,  dola në një përfundim sa logjik po aq edhe të vërtetë, të sprovuar nga jeta: e vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që njeriu ta dojë atë që bën.

Kolonel Hysen Ymeri (unë nuk di “çudirat” që mund të kenë bërë ata dhjetra ushtarakë  që sot mbajnë gradën e gjeneralit), edhe pse kanë kaluar afro tri  dekada nga koha kur, bashkë më ushtarakë të tjerë, kishte marrë detyrën për të përgatitur, për të stërvitur ushtarakisht djemtë e ardhur nga Kosova, e kujton dhe e përjeton atë mot të nxehtë që ndillte luftë, si të kish ndodhur dje, pardje, disa ditë më parë. Në fakt ishte viti 1991, plot shtatë vjet përpara se të niste kryengritja për të çliruar Kosovën. Mjeshtrit të zbulimit, të përplasjeve trup me trup, i kapjes apo kundër kapjes, i  sanbos etj. i kish rënë për pjesë të përgatiste në nivel shumë të lartë “ujqërit” e ardhur nga përtej kufirit, siç i quante Hysen Ymeri ata 60-70 djem të cilëve u vlonte gjaku për t’u ndeshur me armikun serb. Tek ata djem në moshën më të bukur, por sidomos tek një  djalë azgan,  siç ishte Adem Jashari, Hysen Ymeri kishte parë vetë ëndrrën. Dhe, sipas tij, çdo ëndërr e madhe fillon me një ëndërrimtar. Ai kishte parë tek ata se brenda tyre kishte forcë, kishte durim dhe pasion  për të arritur “tek yjet”, siç e konsideronin ata çlirimin e Kosovës.

Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, thotë modestisht ushtaraku i karrierës, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje. Por këmbënguljen ai, gjatë atyre viteve stërvitorë, nuk ia adreson vetes. Jo. Madje nuk i shkon mendja fare kur sjell çaste, kujtime, copëza jete ku kryeheroi është Adem Jashari. Ishte një detyrë e vështirë në një situatë delikate, një detyrë me përgjegjësi, të cilën ai dhe kolegët e tjerë ushtarakë të nivelit të lartë, u përpoqën ta kryenin sa më mirë, duke mos kursyer asgjë: energjitë fizike,  mendore, çdo gjë që lidhej me përgatitjen për luftë.

Për mua dhe ata pak njerëz që kanë dijeni për këtë detyrë, na thotë mendueshëm Hysen Ymeri,  e theksoj se ishte shumë e vështirë, me rreziqe ekstreme. Sepse në luftë nuk shkohet vetëm për të fituar, por edhe për të vdekur. Dhe sapo zë në gojë fjalën “vdekje” ai diç do të thotë për “Heroin e Kosovës”, Adem Jasharin, por… Ai kujton se    qëllimi i djemve kosovarë,  të cilët stërviteshin ushtarakisht, qe i lartë dhe kalimi nën hundën e serbit për të ardhur në Shqipëri, paskësh qenë heroik. Kishin ardhur ilegalisht për të fituar jo një profesion, por për t’u stërvitur për luftë, për të dhënë jetën.

Koloneli kujton muaj, data, fate ushtarësh që u përgatitën për luftë në “akademinë” që ai drejtoi, bashkë me specialistë të tjerë, shumë të përgjegjshëm për misionin që kishin marrë. Kjo ishte  detyrë shumë e vështirë, si për ata, pra “profesorët e luftës”, ashtu dhe për atë kontingjent djemsh që  përgatiteshin për të çliruar Kosovën martire nga pushtuesit serbë. Veçanërisht për ardhjen e tyre ilegalisht në Shqipëri ka qenë një heroizëm tjetër, një kapitull që është fund e krye me ngjarje të pabesueshme, nga ato që kanë kërkuar vuajtje të jashtëzakonshme, tej njerëzores.

Hysen Ymeri flet e flet, pastaj ç’fleton faqet e një libri të cilin e ka shkruar për të hedhur kujtimet, ato më mbresëlënëset. Qëndron diku në faqen 245 ku fillon kapitulli më i dashur për të, kapitulli ku janë hedhur ngjarjet e periudhës kur ai përgatiste për luftë djemtë e Kosovës. Personazhi kryesor, në ato faqe të shkruara me dashuri, është Adem Jashari. “Adem Jasharit dhe të tjerëve u dridhej i tërë trupi kur kryenin stërvitje për veprime taktike, kur u duhej të vepronin në afrimet e fshehta taktike…Kur zbrisnin me litar në shkëmb, kishim frikë tek vrulli, nxitimi e pasioni i tyre. Ndonjëri, nga pasioni i të mësuarit për luftë kundër serbit, mund të na shkëputej nga lartësia.” I sjell këto pasazhe Koloneli jo sikundër ishte stërvitja me këta luftëtarë të rinj të mbushur me urrejtje ndaj pushtuesit serb, por në kushtet e një lufte të vërtetë.

Të gjesh lojtarë të mirë është e lehtë. T’i bësh ata të luajnë së bashku,  është pjesa më e vështirë. Kjo ndodh edhe me njësitë luftarake, me skuadrën, togën e më tej, thotë ky zbulues i kategorisë së lartë. Pastaj ai rendit disa nga cilësitë më të vyera të Adem Jasharit si bir i një familjeje patriote e të njohur në Prekaz: ishte trim, por mbi të gjitha ishte njeri i mrekullueshëm. Këtë e kam parë dhe e kam fiksuar në detaje, thotë Hyseni, pasi kontaktet tona ishin të vazhdueshme gjatë kohës së përgatitjes luftarake. Me Ademin duhet të matëshe mirë për veprimet që ndërmerje. Nuk ka asgjë më demoralizuese për një komandant që s’mund ta artikulojë qartë pse po bëjmë atë që po bëjmë. Adem Jashari ishte shumë i saktë në veprimet që kryente dhe shpesh dëgjoja të shtronte pyetjet “pse” dhe “përse”. Kishte një logjikë për ta admiruar.

Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë je njeriu i duhur për të drejtuar apo stërvitur  të tjerët. Kolonel Baca Cen tregoi aftësi të shkëlqyera në detyrën sa profesionale, po aq edhe patriotike në përgatitjen për luftë të djemve të Kosovës. Por, për të thënë të vërtetën ashtu siç është, edhe djemtë kosovarë  u treguan maksimalisht të ndërgjegjshëm  për të mësuar e përgatitur  për situatë të jashtëzakonshme. Ishte një program i ngjeshur me të gjithë elementët e domosdoshëm që mund të aplikoheshin në situata reale luftarake. Pra, ishte një program kompleks, i hartuar nga specialistët më të mirë që kishte Ministria e Mbrojtjes, i cili kryesisht përmbante përvetësimin e elementëve të luftës në prapavija, veprimet individuale zbuluese, maskimin, përdorimin e armëve të ndryshme, veprimet taktike në vijën e parë të frontit, veprimet në rrethim, rritjen e aftësive fizike, e sigurisht, dhe përgatitjen psikologjike në përballimin e situatave konkrete në një luftë reale. Kam shumë për të treguar, thotë mendueshëm Koloneli. Pastaj këmbngul të veçojë  një moment.  Adem Jashari po rrëshqiste në brezin e minipoligonit taktik të aplikimit të garave të rrëshqitjeve të fshehta. Duhet të qëndroje sa më pranë shokut, në largësi të kufizuara në çdo pesë metra me flamuj të vegjël. Pesëmetërshi i fundit ishte plotësimi i detyrës, ishte mundësia për ta kapur me një kërcim shokun, që ishte në rol të armikut, të rojës sërb. Veprimi që mund të bëje ishte taksativ: ose e kishe kryer detyrën, ose kishe dështuar. Por jo çdo provë stërvitore në këtë aspekt mund të ishte e arrirë, pasi kishte dhe dështim… Por për Adem Jasharin, kjo e dyta nuk mund të mendohej. Ai, s’mund të pranonte dështimin, kurrën e kurrës. Motivimi i brendshëm i tij qe i jashtëzakonshëm. Gjethet e thata thuajse e tradhtonin në çdo 5 cm përparim. Dridhej i tërë trupi i tij nga tendosja e muskujve, dhe djersa në 5 metrat e fundit i shkonte çurk nga gusha e mjekra. Pra, këmbëngulja e tij për të realizuar këtë mision stërvitor ishte mbinjerëzore. Fytyra e tij e ashpër e buza e nxirë dëshmonin që atëherë se ky burrë nuk do të ishte një luftëtarë i zakonshëm. Megjithëse në këtë rast, pra kur unë e stërvitja, ai nuk e kishte atë mjekrën e madhe të atij legjendari që njohim ne sot në portretet e bustet në nderim të këtij heroi të Kosovës e të Kombit Shqiptar.

Hysen Ymeri në të gjithë karierën e tij si ushtarak, drejtues apo mësimdhënës , e ka parë veten të suksesshëm kur i ka parë vartësit  të ndihen sikur janë në zemër të gjërave, jo në periferi. Pra të gjithë të ndihen sikur kanë bërë një ndryshim në suksesin e njësisë luftarake. Nëse  kjo ndodh, sipas Kolonelit, njerëzit ndjehen të qendërzuar dhe kjo u jep kurajo për të qëndruar e fituar së bashku. Tek u mësonim formate maskimi, tregon ai, grupi që u caktua të “zhdukej” nën rrjedhën e ujit të një rrëkeje, e realizoi fshehjen në nivel arti. Edhe maskimi i një grupi, që aplikoi fshehjen rreth e brenda elementeve të një burimi artificial uji, të qëndisur me pasion e mençuri nga luftëtarët e ardhshëm, solli kënaqësi fitoreje në zemrat e tyre. Adem Jashari e shokët e tij (përfshi dhe djem nga trevat shqiptare në Maqedoni), ishin ushtarë të bindur, të ndërgjegjshëm, që bënin maksimumin për të përfituar sa më shumë në orët e stërvitjes. Ndërsa jashtë saj, ata ishin shokë të mirë, me ideale e ëndrra që ndonëse ishin tepër të bukura, do të duhej kohë të bëheshin realitet.

Kolonel Hysen Ymeri e konsideroi kontingjentin djemve të Kosovës, të cilët i përgatiti ushtarakisht me shumë dashuri,  si të ishin pasagjerë të një anijeje të cilët në një çast të caktuar, që të gjithë duhet të ishin të përgatitur për të marrë timonin. Fatmirësisht ai ndjehet i plotëuar, si ai ushtaraku që kur e nxjerrin në lirim vë re se i ka kryer të gjitha detyrat, pa i mbetur borxh kujt. Djemtë që ai i stërviti me aq përgjegjshmëri e pasion u bënë komandantë të zotë, ushtarakë të jashtëzakonshëm ku një numër jo i vogël ranë në  luftë si heronj të vërtetë. Ata u ndodhën e u hodhën atje, në llogoren e luftës kundër ushtrisë së Milosheviçit dhe në këtë ndeshje legjendare dy prej tyre u bënë Heronj të Kombit:  Adem Jashari e Zahir Pajaziti.

Kanë kaluar plot 20 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar të UÇK-së dhe Heroit i Kosovës Adem Jashari. Ai qëndron atje në Prekaz pranë 59 emra dëshmorësh, të gjithë pjestarë të familjes Jashari.

Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda- thotë Kolonel Hyseni. Dhe me fjalën “brenda” dëshiron që prishjen në fytyrë, hidhërimin që ndjen për çka tregoi,  t’ia përcjellë shpirtit, atij që e ka munduar dhe e mundon për  lidhjet që ruan me Kosovën dhe familjen e Adem Jasharit. Atje, në Prekaz, por edhe në të gjithë Kosovën,  atë e njohin Baca Cen. Ai tregon  ngjarje e episode, shumë nga të cilat e bëjnë të ndjehet mirë, krenar, e mbushin me emocione të një realiteti krejt tjetër, që nuk e ka gjetur këtu, në Shqipëri. Pas gjakut, thotë Koloneli, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij. Unë kam qarë për Adem Jasharin, për Kosovën, për të gjithë ata djem që ranë në luftë për çlirimin e saj, por qenia në krye të njëmijë burrave  me njëmijë flamuj, kur morëm nusen e djalit të Adem Jasharit, Lulëzimit, jam ndjerë si shqiptari më i vlerësuar në botë.  Adem Jashari  na ka bërë të ndjehemi të gjithë nga pak heronj.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …